Dimensioni propagandistik i autobiografisë së Thaçi

Dimensioni propagandistik i autobiografisë së Thaçi
  • 19 March 2018 - 09:05

Presidenti i Kosovës nuk e ka pasur dhe nuk e ka integritetin e duhur

SHKRUAN: ENVER BYTYÇI

L ibri biografik për presidentin e Kosovës, zotin Thaçi, është komentuar gjerë, ka bërë bujë. Vetë zoti Thaçi i ka dhënë atij libri një dimension propagandistik të pamasë. Unë nuk e kam lexuar atë libër ende, por kam vënë re me ato që kanë botuar mediat se libri nuk është thjesht një libër propagandistik për zotin Thaçi, është shumë më tepër se kaq. Unë e njoh metodologjinë e hartimit të teksteve biografike. Sipas kësaj metodologjie është e papranueshme që në një libër të tillë biografia e një personaliteti të bëhet në mënyrë krahasuese me shpikje vesesh të kundërshtarit të tij. Fatkeqësisht kjo ka ndodhur në këtë libër. "Trimëritë" e "kontributet" e Thaçit janë trajtuar në ballafaqim me "cenet" e Rugovës. Nuk ka turp më të madh se ky të sponsorizosh përçudnimin e një figure tjetër politike me qëllim lartësimin e vetvetes. Që këtu libri zhvleftësohet dhe merr karakter të theksuar propagandistik. Si i tillë ai është tejet i kontestueshëm. Asnjë studiues serioz nuk do ta marrë atë si burim informacioni. Ky libër u botua jo vetëm në të gjallë të Thaçit, por edhe në kohën më aktive politike të tij. Edhe ky fakt e vë në pikëpyetje dhe e zhvleftëson biografinë e tij. Nga pikëpamja shkencore biografitë shërbejnë për të pasqyruar tërësinë e pikëpamjeve dhe aktivitetit të një personaliteti. Nuk shkruhen libra për të pasqyruar një pjesë të kësaj veprimtarie. Mirë do të ishte që biografitë kur shkruhen nga të tjerë të vinin në publik pasi të jenë hapur arkivat

Hija e Rugovës duket se e ndjek Hashim Thaçin edhe në gjumin e natës 

Zoti Thaçi është në gjysmën e rrugës së aktivitetit të tij politik e publik. Prandaj dhe biografia për të jo vetëm është joshkencore, por është projektuar me djallëzi. Realizimi i një projekti të tillë me probleme në konceptim, si dhe në formulimin e parashtrimin e të dhënave e fakteve çon në disa objeksione logjike: Mos ndoshta zoti Thaçi parashikon që karrierën e tij ta mbyllë me turp (p.sh. në rastin e shkëmbimeve të territoreve me Serbinë nëse kjo ndodh) dhe i paraprin hartimit të një libri, i cili nuk përfshin këtë akt turpi, të cilit mund t'i referohen studiuesit?! Nga ana tjetër pse ky ngut, para se të fillojë punën Gjykata Speciale?! Një pikëpyetje tjetër lidhet me faktin pse zoti Thaçi nuk priti ta mbyllë së paku karrierën e tij politike e më pas le të shkruhej dhe biografia e tij?! Pse kjo ngutje e panevojshme, pse ky delir i shfrenuar?! Është thjeshtë çështje e karakterit dhe formimit të zotit Thaçi, apo lidhet me arkivat, ku mund të gjenden fakte tronditëse për të shkuarën e tij?! Pra, një veprim i tillë, një sponsorizim si ky për hartimin e një biografie të porositur në kulmin e karrierës, është një hile e madhe. Është përpjekje për të mbytur fakte tronditëse, të cilat ai i përjeton si dramë, por që ruhen në arkivat e ndryshme. Liderët seriozë nuk porosisin biografi. Ata shkruajnë biografinë e tyre, por nuk e porosisin, aq më pak të paguajnë dikë tua shkruajnë biografinë. Biografët shkruajnë me iniciativë biografi të njerëzve të mëdhenj, nëse ata besojnë se kjo sipërmarrje ia vlen. Nuk është vështirë kur je në pushtet dhe me paratë e taksapaguesve të shpërblesh biografë servilë e shërbëtorë për të thur serenata dhe lëvdata të pamerituara. Në këtë rast mundet edhe të kundërsulmosh kundërshtarin, siç ka ndodhur në këtë biografi me linçimin e Dr. Ibrahim Rugova, thjesht për të evidentuar veten. Hija e Rugovës duket se e ndjek Hashim Thaçin edhe në gjumin e natës. Ai ka frikë se do ta ndjekë edhe në botën e vërtetë. Prandaj investon jo thjesht për biografinë e tij të shtirur e falsifikuar, por dhe për denigrimin e atij që nuk e le të "dalë i pari i katundit"! 

As në diktaturë, as në qeverisjet autoritariste nuk e gjen një shembull si ky

E në Ballkan psikoza e të qenit i parë i katundit ka shkaktuar tragjedi pa fund. Kjo frymë egoizmi dhe individualizmi shprehet qartë gjithashtu në drejtimin e shtetit të Kosovës. Ai në të njëjtën mënyrë, siç është sjellë me hartimin e një teksti paçavure, sillet me qeverisjen e Kosovës. Është çështje formimi, karakteri, bindjesh, kulture! Nuk bëhet i serti kurrë i urtë dhe i mençur! Nuk bëhet i ligu kurrë besnik e trim! Edhe diktatorët, përfshirë diktatorin Hoxha, nuk kanë vepruar identik si zoti Thaçi. Është shkruar një libër kujtimesh për diktatorin Hoxha në të gjallë të tij, por për fëmijërinë e rininë e tij. Sigurisht me falsifikime dhe ngjyrime sipas dëshirës së tij. Ndërsa kjo e zotit Thaçi është e paprecedent. As në diktaturë, as në qeverisjet autoritariste nuk e gjen një shembull si ky. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një mungesë të madhe modestie. Po jap një shembull. Prof. Dr. Sali Berisha është 30 vjet më i madh në moshë se zoti Thaçi. Ka në karrierën e tij politike ngjarje, të cilat janë të përmasave të jashtëzakonshme. Është protagonist në të gjitha ngjarjet e mëdha të Shqipërisë së pas vitit 1990. Është larguar nga funksionet politike, por jo nga jeta publike. Megjithatë për të nuk ka asnjë libër biografik. E ka pasur dhe e ka të vështirë të porosisë në të gjallë të tij shkrimin e biografisë? Nuk besoj. As Rugova nuk pati libra të tillë sa kohë jetoi. Liderët dallohen pikërisht nga modestia që i karakterizon, përveçse drejtë- sisë. Zotit Thaçi i mungon edhe sensi i drejtësisë, tipar dallues madje dhe për perandorët e antikitetit dhe mesjetës, kur pushteti ushtrohej nga një person i vetëm. Edhe asokohe drejtësia e modestia ishin karakteristika të domosdoshme për një udhëheqës. Është absurd që në shekullin e XXI këto cilësi i mungojnë presidentit të shtetit më të ri, Kosovës! Shkrimi i autobiografisë me paratë e taksapaguesve të Kosovës dhe porosinë e vetë personazhit të saj, zotit Thaçi, është një provë e pakundërshtueshme se presidenti i Kosovës nuk ka pasur dhe nuk ka integritetin e duhur për të udhëhequr negociatat me Serbinë. Në këmbim të lavdisë personale dhe realizimit të ambicieve të tij, ai mund të na e shesë atdheun. Derisa ka shitur liderin historik të saj, personalitetin ë të madh të kombit shqiptar të krahasueshëm me Skënderbeun dhe Nënë Terezën, nuk ka arsye të veprojë ndryshe me interesat e Kosovës. Rugova ishte dhe mbetet Kosova. Pa Rugovën nuk do të kishim këtë Kosovë që kemi sot. Thaçi vetëm sa e ka dëmtuar ngrehinën e Rugovës. Për këtë arsye autobiografia e porositur, aq më tepër për të denigruar bashkëkombësit e tij, më bën të dyshoj në sinqeritetin e presidentit Thaçi sa i përket përfaqësimit në bisedimet me Beogradin. Por ka dhe faktorë të tjerë që e bëjnë të pabesueshëm si përfaqësues të interesave të Kosovës. Një ndër këta faktorë lidhet me rrezikun e pazareve me Beogradin për t'i shpëtuar drejtësisë. Madje dhe libri autobiografik është përshpejtuar për të dalë në kohën para fillimit të punës nga Gjykata Speciale. Ndryshe asnjë autor pak serioz në botë nuk do të shkruante për një person në ndjekje penale.

TRIMËRITË" E "KONTRIBUTET" E THAÇIT JANË TRAJTUAR NË BALLAFAQIM ME "CENET" E RUGOVËS

(Kosova Sot)