T'i largojmë rrënuesit e shtetit!

T'i largojmë rrënuesit e shtetit!
  • 19 March 2018 - 09:40

Kusarët e pangopshëm të politikës

SHKRUAN: FLORIM ZEQA 

Në kohën kur shpërbërja e Parlamentit mund të jetë çështje ditësh dhe orësh e jo më gjatë, me ç'rast do t'u hapet dera zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pashmangshëm shtrohet pyetja, cila do të jetë alternativa më e mirë për qytetarët!? Nga pas lufta e deri në ditët e sotme, për qytetarët asnjëherë nuk ka qenë më e vështirë të përcaktohen për votën e tyre! Të gjitha partitë aktuale politike, me përjashtim të VV-së, janë sprovuar në pushtetin qendror. Partitë që qeverisën me vendin nga pas lufta deri më sot, qytetarëve nuk u sollën gjë të mirë, përveç vuajtje e mjerim, mashtrime e zhgënjim deri në thyerje të shpresave për largim nga vendlindja e tyre. Katandisja e skenës politike kosovare ka rezultuar me degradimin e Parlamentit të Kosovës. Fjalori i ulët, gjuha denigruese dhe fyese mes deputetëve, e ka shndërruar Kuvendin e Republikës së Kosovës nga institucioni më i lartë ligjvënës në një cirk të qenieve pakurrizore, pa dinjitet, pa etikë dhe pa fije turpi. Ka ardhur koha që pas 10 vjetëve të keqqeverisjes së vendit nga antivlerat, nga matrapazët politikë e të gjitha ngjyrave e llojeve, të vijnë në shprehje njerëzit me integritet moral, përgatitje profesionale, të guximshëm dhe atdhedashës. Nga partitë aktuale të skenës politike kosovare, dy prej të cilave e kanë dominuar qeverisjen e vendit (LDK e PDK) nuk e meritojnë të qeverisin tutje shkaku i devalvimit në vlera, gjegjësisht të largimit nga vlerat në të cilat janë ngritur në majat e pushtetit. -E para, LDK-ja është larguar aq shumë nga vlerat demokratike dhe vizioni rugovian, saqë më nuk ka mbetur asgjë nga trashëgimia e saj rugoviane. Pas shkuarjes në amshim të liderit historik Ibrahim Rugova, ambiciet për të marrë timonin e partisë prodhuan ndarjen në dysh të këtij subjekti politik. 

Largimi nga vlerat dhe përcaktimet programore

Për më keq se kaq, nderësit fatalë të këtij subjekti politik për të kënaqur egon për pushtet në vend që ta luftojnë vrapuan drejt e në shtratin e SHIK-ut. Sikurse në pushtet, ashtu edhe në opozitë LDK-ja u shndërrua në patericë të PDK-së, gjegjësisht në mbajtjen e "zhagut" keqqeverisjes, kapjes së shtetit, krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë në vend. Në anën tjetër PDK-ja, si njëri nga fraksionet e dala nga lufta çlirimtare, gjegjësisht krerët e saj duke u thirrur në vlerat e luftës dhe gjakut të derdhur për lirinë e vendit, gjegjësisht familjen e madhe Jashari dhe sakrificën e tyre sublime, pa asnjë meritë personale në luftën çlirimtare u katapultuan në majat e pushtetit, sistemit të drejtësisë dhe gjitha institucioneve të tjera shtetërore. Pa dashur të amnistojë partitë e tjera ekzistuese, binomi LDK-PDK është binomi, i cili bart sikurse meritat minimale në shtetndërtim, ashtu dhe përgjegjësitë e mëdha në dështimin e zhvillimit ekonomik, rrënimin e sistemit shëndetësorë (jemi i vetmi vend pa sigurime shëndetësore), degradimin e sistemit arsimor, dhe gjitha segmenteve të tjera të domosdoshme për jetën e qytetarëve. Pas çdo dështimi të PDK-së qëndron prapa LDK-ja, e cila për 10 vjet rresht i zgjati jetën dhe e mbajti në pushtet PDK-në me kredibilet të humbur politik. Largimi i dy partive (PDK-LDK) nga vlerat dhe përcaktimet programore, ka bërë që të humbasin besimin në elektoratin e tyre tradicional. Sikurse PDK-ja, që është shkëputur totalisht nga vlerat e luftës çlirimtare, ashtu edhe LDK-ja është tretur shumë larg nga vlerat rugoviane, nga tradita e respektimit të rregullave demokratike, dialogut të brendshëm partiak, tolerancës, mirëkuptimit dhe transparencës në marrjen e vendimeve. Sikurse PDK-ja, një fraksion i dalë nga lufta çlirimtare, e shndërruar në parti politike duke u thirrur në vlerat e luftës çlirimtare, në gjakun e derdhur për lirinë e vendit,...duke shkelur mbi gjakun e familjes Jashari dhe mijëra dëshmorëve të tjerë, nuk i ngjet PDKsë së dikurshme,...po ashtu edhe LDK-ja e sotme nuk i ngjet më aspak formacionit politik rugovian. LDK-ja, e cila deri dje kërkonte largimin e së keqes së madhe për vendin nga pushteti (PDK-në e Hashim Thaçit), ishte bërë pjesë e saj, duke i kthyer shpinën elektoratit të saj besnik për të harruar të gjitha akuzat kundër PDK-së për korrupsion, krim të organizuar, hajni, kapje të shtetit,...etj. LDKja e kapur nga grupet e interesit, e bashkuar me kapësit e shtetit u shndërrua në uzurpatore të shtetit dhe thyerëse e shpresave të qytetarëve.

Dëmi i pariparueshëm 

Me një fjalë, kjo klasë e kusarëve të pangopshëm politik brenda këtyre dy subjekteve politike, për ruajtjen e pasurive të tyre milionëshe, të krijuara përmes aferave korruptive, hajnisë dhe krimit të organizuar, janë shndërruar në binom shkatërrues të shtetit të Kosovës. Në anën tjetër, drejtuesit e këtyre dy partive (Thaçi-Mustafa) janë përdorur si kuisling nga faktori ndërkombëtar (Brukseli në radhë të parë) për koncesione politike me Serbinë në dëm të vendit dhe interesave të qytetarëve të Kosovës. "Unë sot kryeministër, ti nesër president", ishte marrëveshje private, e pazarit politik mes dy njerëzve të padinjitetshëm, dy figurave të dështuara, sa të njëjta po aq të kundërta politike. Arritja e "kurorës politike" mes dy liderëve partiak (Thaçi-Mustafa), duke u thirrur në emër të strukturave të partisë pa i pyetur fare ato, është injorimi dhe poshtërimi më i madh që u bënë kryesive dhe këshillave të përgjithshme të të dyja subjekteve, duke instaluar masat më të tmerrshme të diktatit brenda këtyre dy partive politike. Turpi më i madh dhe dëmi më i pariparueshëm që i bëri LDK-ja vendit ishte lidhja e kurorës qeverisëse me PDK-në e Thaçit në vitin 2014, për të kënaqur egon e sëmurë për pushtet të liderit të saj, me ç'rast i zgjati jetën keqqeverisjes së vendit dhe kapësve të shtetit,...dhe për më keq se kaq prodhoj dy marrëveshjet fatkeqe për vendin, gjegjësisht, marrëveshjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel për Asociacionin e komunave serbe të nënshkruara nga ish kryeministri Isa Mustafa dhe marrëveshjen e një dite më pas në Vjenë më 26 gusht 2015 të nënshkruar nga presidenti Thaçi (i zgjedhur nga LDK-ja), pasojat e së cilës marrëveshje po i vuajnë qytetarët e vendit tonë. Me qëllim nuk i përmenda partitë e vogla, jo pse janë më pak mëkatare në degradimin e institucioneve shtetërore, por për faktin se fuqia e tyre politike në disa raste është e vogël dhe e papërfillshme. Megjithatë, përgjatë muajve të fundit edhe shuma e partive të vogla shqiptare në krye me AAK-në janë bërë pjesë e pazareve të pista politike për rrënimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë. Më e rëndë se degradimi i dy subjekteve të mëdha politike, mbetet heshtja qytetare kundrejt keqqeverisjes,...e pajustifikueshme mbetet heshtja dhe indiferenca e popullatës kundrejt Asociacionit të komunave serbe (Zajednicës) dhe Demarkacionit me Malin e Zi! Në Kosovën e sotme, me secilin që flet veç e veç, askush nuk pajtohet me situatën e krijuar, mirëpo kur është në pyetje bashkërendimi i forcave (organizimi), të gjithë hezitojnë, sikur mungon vullneti dhe guximi qytetar për t'u përballur me sfidat e kohës! Duket, sikur të gjithë janë duke pritur rënien e kësaj qeverie, për të triumfuar si "heronj" të demokracisë. Prandaj, është momenti i fundit që zërat kundërshtues nga popullata të bëhen më aktiv, më të zhurmshëm dhe më sfidues në parandalimin e humbjes së territorit me Malin e Zi dhe krijimit të Asociacionit të komunave serbe në veri. Asociacion ky, i cili krijon bazamentin e një shteti paralel në brendi të Republikës së Kosovës. Deri te kjo situatë kemi ardhur për faktin se partitë politike në pushtet dhe opozitë për 10 vjet rresht, në vend të interesit të shtetit, kanë mbrojtur interesat partiake dhe personale. Përfundimisht, shtrohet pyetja; ku është shoqëria civile, ku është populli që po e duron dhe mban në pushtet këtë klasë të pandërgjegjshme, të korruptuar dhe tejinkriminuar që e rrënuan shtetin dhe degraduan të gjitha institucionet shtetërore dhe private në vend?

NGA PAS LUFTA E DERI NË DITËT E SOTME, PËR QYTETARËT ASNJËHERË NUK KA QENË MË E VËSHTIRË TË PËRCAKTOHEN PËR VOTËN E TY.

(Kosova Sot)