Femrat në kabinetin e ri të Angela Merkelit

Femrat në kabinetin e ri të Angela Merkelit
  • 19 March 2018 - 15:48

Kabineti i ri qeveritar thuhet se do t'i afrohet barazisë midis dy gjinive

Shkruan: FREDERICK STUDEMANN 

Krahas çështjeve më të parashikueshme të reformës ekonomike, sigurisë dhe digjitalizimit, kapitulli i ardhshëm i jetës politike gjermane duket sikur ka të bëjë me çështje thelbësore të identitetit - pavarësisht se kush është përgjegjës. Ky premton të jetë një debat i gjallë

Gjatë të gjithë gjashtë muajve të 'dredhjeve të duarve' dhe dramës, që shoqëruan lindjen e saj, vëzhguesit do të faleshin po të mendonin se qeveria e re e Gjermanisë duket shumë sikur ajo e vjetra. Mirë se vini në një koalicion tjetër të madh midis kristian-demokratëve (CDU) të Angela Merkelit dhe socialdemokratëve (SPD), ku secili e përqafon tjetrin me një dëshpërim edhe më të madh në një qendër politike, derisa gjithnjë e më shumë votues shkojnë kah margjinat. Në një aspekt më optimist, disa ekspertë shpresojnë se administrata e katërt dhe, sipas të gjitha gjasave, e fundit, e Merkelit, do të bëjë reformat e domosdoshme dhe integrimin në Evropë, edhe pse skeptikët presin për të parë se si do të zhvillohen gjërat në realitet. Por, ekziston një fushë në të cilën kapitulli përmbyllës i Merkelit do të jetë i ndryshëm: gjinia. Kabineti i ri qeveritar thuhet se do t'i afrohet barazisë midis dy gjinive. Dy partitë kryesore kanë ndarë ministritë e tyre barabartë midis dy gjinive. Balanca e përgjithshme prishet vetëm nga Unioni kristian-social, partneri i CDU-së në Bavari, parti e cila tri vendet e saj kryesore ministrore i ka plotësuar me meshkuj (një ministri me më pak rëndësi do të kryesohet nga një femër). 

Integrimi i refugjatëve dhe emigrantëve

Prania e femrave në krye të politikës gjermane rritet edhe më shumë, kur shtohen shefet e reja të partive CDU dhe SPD - Annegret Kramp-Karrenbauer dhe Andrea Nahles - e më pas shikon listën e trashëguesve të mundshëm të Merkelit. Pjesa më e madhe e kandidatëve kryesorë, për momentin janë gra. Aktualisht kryeson "AK-K", me ministren e mbrojtjes Ursula von der Leyen dhe me Julia Klöckner, të caktuar për ministër të bujqësisë, që nuk janë fort prapa. Ky është një ndryshim i madh, nga një e kaluar jo fort e largët, sidomos për CDU-në. Kur Merkel mori udhëheqjen e partisë, në fillim të shekullit, pasi që kishte qenë njëra nga dy femrat, anëtare e kabinetit të fundit të Helmut Kohl-it, ajo u ballafaqua me një forcë të madhe, në formë të "Paktit të Andeve" - një ekip i tëri i përbërë nga meshkujt i yjeve në ngritje të CDU-së, të cilët kishin formuar një bend vëllezërish pas një udhëtimi në Kili (prej këtu edhe emri). Me lidhje të mira dhe me tituj të lartë, disa prej tyre e shihnin veten si kancelarë të ardhshëm. Asnjëri prej tyre nuk ia doli. Pak sish arritën poste të larta, para se të liheshin anash, apo të dërgoheshin në Bruksel. Të tjerët hoqën dorë nga politika, për shkak të karrierave të shkëlqyeshme në biznes. Të tjerët, thjesht, 'u zhdukën në aksion'. Për zonjën Klöckner, pozita e përmirësuar e grave në parti është një nga arritjet më të mëdha të dekadave të fundit. Gjatë një vizite të kohëve të fundit në shkollën e ekonomisë në Londër ajo foli hapur për mënyrën se si ajo, një vendase nga shteti i Kohl-it në Gjermaninë Perëndimore, nuk do të ishte bashkuar me CDU-në e vjetër, meqë ajo ishte tepër një klub i pleqve (meshkuj). Tani ajo shqetësohet se këto përfitime mund të kërcënohen pa dashje nga një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet qeveria e ardhshme: integrimi me sukses i qindra mijëra refugjatëve dhe emigrantëve të mbërritur kohët e fundit. 

Përgjigjja e gabuar

Trajtimi i qëndrimeve të ndryshme kulturore ndaj gjinisë - qoftë trajtimi i grave në vendet publike apo pranimi i grave në pozita të autoritetit - do të jetë një nga çështjet më të mëdha, thotë ajo. Kritikët e saj e përgënjeshtrojnë këtë si një shembull të emigrantëve që janë stereotipuar gabimisht për motive të mëtejshme politike. Zonja Klockner argumenton se "toleranca" e dallimeve kulturore është përgjigja e gabuar ndaj asaj që në një kontekst gjerman është jotolerancë. Nuk mund të ketë "asnjë zbritje për liritë civile", thotë ajo. Zonja Klockner thotë se kriza e migracionit ka detyruar gjermanët të "shikojnë në pasqyrë" dhe të pyesin se në çfarë lloji të vendit janë duke u integruar sapo të ardhurit. Kolegu i saj - dhe rivali i mundshëm për postin më të lartë - Jens Spahn, ministri i caktuar i shëndetësisë, flet për nevojën për një "leitkultur", një kulturë udhëheqëse ose udhëzuese, të vlerave që duhet të mësohen në shkolla. Një dekadë apo më shumë më parë, vetë fjala "leitkultur" dhe sugjerimet e saj rreth veçantisë kulturore ishin të mjaftueshme për të shkaktuar zemërim mes gazetarëve. Jo më. Krahas çështjeve më të parashikueshme të reformës ekonomike, sigurisë dhe digjitalizimit, kapitulli i ardhshëm i jetës politike gjermane duket sikur ka të bëjë me çështje thelbë- sore të identitetit - pavarësisht se kush është përgjegjës. Ky premton të jetë një debat i gjallë

(Kosova Sot)