Një marrëveshje xhentëlmene rreth Brexit-it

Një marrëveshje xhentëlmene rreth Brexit-it
  • 20 March 2018 - 11:00

UNIONI DOGANOR

Është e vështirë të shihet se çfarë do të fitojë Britania nga ndjekja e një politike tregtare kombëtare

Shkruan: DANIEL GROS

Në fjalimin e saj më të fundit rreth Brexitit, kryeministrja britanike Theresa May refuzoi mundësinë që Britania e Madhe të ngelte në unionin doganor të BE-së, duke thënë se Britania dëshiron politikën e vet tregtare. Kjo nuk është në interesin më të mirë as të BE-së, e as të Britanisë së Madhe. Është e vërtetë që Norvegjia dhe Zvicra, ku që të dyja këto vende janë tepër të integruara në tregun e BEsë, kanë kufij doganor me BE-në. Këto vende kanë nevojë për një politikë të pavarur tregtare, me qëllim të ofrimit të një mbrojtjeje më të madhe sesa që ofron BE-ja për sektorët e tyre bujqësorë, e cila ndihmë, në të dyja rastet, kurrë nuk mund të jetë efikase, për shkak të terrenit malor. Megjithatë, Britania tradicionalisht ka qenë shumë më pak protektive ndaj bujqësisë së saj dhe, pas Brexitit, ka të ngjarë që ajo ta ndjekë një politikë komerciale e cila është shumë e ngjashme me atë të BE-së. 

Gjesti i vullnetit të mirë

Prandaj është e vështirë të shihet se çfarë do të fitojë Britania nga ndjekja e një politike tregtare kombëtare - veçanërisht në një kohë kur Shtetet e Bashkuara, nën Presidentin Donald Trump, po ndjekin politika (të tilla si vendosja e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar) që tregojnë pak konsideratë për partnerët e saj më të vegjël tregtarë. E vërteta është se pengesa kryesore për një union doganor pas Brexitit, ka natyrë politike. Siç ka theksuar lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn, i cili mbështet qëndrimin në bashkimin doganor, një vend me peshën dhe ndikimin e Britanisë së Madhe nuk mund të shihet thjesht si pasues i vendimeve të BEsë, mbi të cilat nuk ka ndikim. Megjithatë, ky problem mund të zgjidhet - ose, në vend të kësaj, të përmirë- sohet. Kërkesa e Britanisë për të ndikuar në vendimet e BE mund dhe duhet të merret parasysh, me ekspertë nga Britania e Madhe të përfshirë në komitetet që vendosin politikën tregtare. Këta ekspertë nuk do të kishin të drejtë votimi, por do të ishin në gjendje të formësonin vendimmarrjen. BE-ja tashmë ka marrëveshje të ngjashme me Islandën, Norvegjinë dhe Zvicrën në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me Zonën Shengen. Sigurisht, forca formale e vendimmarrjes është një çështje tjetër. Struktura ligjore e BE-së nuk mund të lejojë që një shtet joanëtar të marrë pjesë në marrjen e vendimeve të detyrueshme. Kjo kërkon diçka të tillë, sikur një marrëveshje xhentëlmene, me BE-në që premton të marrë parasysh interesat e Britanisë gjatë marrjes së vendimeve të politikës tregtare. Nëse Britania mbetet në bashkimin doganor ekzistues të BE-së - siç është parashikuar për periudhën e tranzicionit - në vend që të negociojë një marrëveshje të re doganore me BE-në, marrëveshja xhentëlmene do të shtrihet edhe në marrëveshjet e reja tregtare që BE-ja arrin me vendet e treta. Në fund të fundit, marrëveshjet e tilla do të zbatoheshin në mënyrë eksplicite në të gjithë territorin doganor të BE-së - një term me një kuptim të saktë sipas rregullave të OBT-së. Pra, çfarëdo përfitimi nga qasja në treg që ato përfshijnë do të aplikohej automatikisht në Britani. Si një gjest i vullnetit të mirë, BE-ja duhet gjithashtu të mbështesë përpjekjet e Britanisë për të mbikëqyrur qasjen së saj në treg që rrjedh nga marrëveshjet ekzistuese të tregtisë së lirë të BE-së dhe në këtë mënyrë të shmangë nevojën për të rinegociuar çdo marrëveshje veç e veç. Argumenti ligjor do të ishte që territori doganor i BE-së nuk ka ndryshuar, kështu që marrëveshjet ekzistuese tregtare të BE-së duhet të vazhdojnë të zbatohen në Britani. Por, ky argument mund të kontestohet, duke lënë eksportuesit e Britanisë papritur duke u përballur me tarifat dhe pengesat e tjera tregtare. Zyrtarët e Komisionit Evropian mund ta refuzojnë këtë, duke e cilësuar si problem të Britanisë. Por, një reagim i tillë do të binte ndesh me frymën e udhëzimeve të Këshillit Evropian të prillit të vitit 2017, të cilat kërkojnë "një dialog konstruktiv" me Britaninë "për një qasje të përbashkët të mundshme ndaj partnerëve të vendeve të treta". Një qasje e tillë konstruktive do të përfshinte hapa - si mbështetja e klauzolës së marrëveshjeve tregtare - që minimizon fërkimet gjatë periudhës së tranzicionit. Mbetja në bashkimin doganor të BE-së do ta linte Britaninë në një pozicion shumë më të fortë sesa, psh, pozicioni i Turqisë, e cila megjithëse ka përfunduar një marrëveshje për krijimin e një bashkimi doganor me BE-në, nuk është aktualisht pjesë e territorit doganor të bllokut. Si rezultat, palët e treta nuk kanë automatikisht obligim të lejojnë eksportuesit turq të kenë qasje në tregjet e tyre në nivel të BE-së. Në vend të kësaj, Turqia duhet të përpiqet të bindë vendet e treta me të cilat BE-ja ka qt tregtare për ta bërë këtë.

Brexiti është, dhe do të mbetet, një propozim që sjell humbje për të dyja palët

Turqia rëndom ka pasur sukses. Por, ajo hyn në negociata të tilla në një pozicion të dobët dhe disi të vështirë, sepse kërkohet, sipas marrëveshjes së saj me BE-në, t'i japë vendit të tretë të gjitha lëshimet që BE-ja ia ka bërë, ndërsa vendi i tretë nuk ka asnjë detyrim ligjor apo politik në këmbim të kësaj. Për BE-në, marrëveshja për të marrë parasysh interesat e Britanisë në negociatat e ardhshme tregtare nuk duhet të shihet si një koncesion, sepse është në interesin afatgjatë të BE-së. Në fund të fundit, nëse BE-ja mund të ofrojë qasje de facto në tregjet e BE-së dhe Britanisë së Madhe - të cilat së bashku, janë 20% më të mëdha se sa tregu i BE-së - fuqia e saj negociuese do të forcohej ndjeshëm. Në këtë kuptim, mbajtja e Britanisë së Madhe në bashkimin doganor të BE-së do të ndihmonte në ruajtjen e pozitës globale të BE-së në tregti. Dhe, derisa shumë në BE, veçanërisht Komisioni Evropian, do të donin 'ta kishin tortën e tyre dhe ta hanin atë' - duke e mbajtur Britaninë në unionin doganor, e në anën tjetër duke injoruar interesat e saj - kjo, thjesht, nuk është një opsion. Alternativat në dispozicion për BE-në janë ose të shikojnë Britaninë e Madhe duke lënë bashkimin doganor, ose ta mbajnë Britaninë brenda, duke marrë një angazhim politik për të marrë parasysh interesat britanike. Nga një perspektivë afatgjatë, kjo e fundit është e preferueshme. Së fundi, mbetja në bashkimin doganor të BE-së do ta bënte të mundur shmangien e vendosjes së një kufiri 'të fortë' ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Republikës së Irlandës pas Brexitit. Megjithëse May ka rënë dakord që shmangia e një kufiri të fortë duhet të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje, ajo ka ofruar vetëm sugjerime të paqarta se si kjo mund të arrihet në të vërtetë. Brexiti është, dhe do të mbetet, një propozim që sjell humbje për të dyja palët. Asnjëra palë nuk mund të pretendojë fitore nëse mbizotëron pikëpamja e saj. Por, humbjet në të dyja anët mund të zvogëlohen. Për këtë qëllim, mbajtja e Britanisë në bashkimin doganor të BE-së - duke ia garantuar asaj një rol aktiv, megjithëse joformal - është basti më i mirë i negociatorëve.

(Daniel Gros është drejtor i Qendrës për studime politike evropiane, me seli në Bruksel)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)