Çka do të thotë për Evropën rezultati i zgjedhjeve italiane?

Çka do të thotë për Evropën rezultati i zgjedhjeve italiane?
  • 20 March 2018 - 11:06

PARTITË FITUESE, NË SHUMË ASPEKTE, JANË EUROSKEPTIKE 

Sfidat për ta ruajtur statusin e Italisë si një ekonomi e madhe janë të frikshme

Shkruan: JOHN LOYD

Pushteti është rrëzuar në Itali. Ta themi qartë. Dy partitë që mbështesnin ndarjen konvencionale të demokracisë - në të majtë dhe në të djathtë - dështuan në zgjedhjet e së dielës të mbajtura në vendin e tretë të eurozonës, sa i përket madhësisë së ekonomisë. Për BE-në, ky rezultat është i keq. Partitë fituese, në shumë aspekte, janë euroskeptike, në mos edhe armiqësore ndaj BE-së. Fituesit nuk munden, e as nuk do ta injorojnë valën popullore të zhgënjimit me BE-në, meqë ai zhgënjim atyre edhe ua siguroi fitoren dhe, në fakt, ata e kanë ushqyer atë zhgënjim. Ata në të majtën italiane, të cilët edhe para mbajtjes së zgjedhjeve kuptuan se partitë e tyre do të kalonin keq, e ngushëllonin veten me mundësinë e një koalicioni me të djathtën, të ngjashëm me koalicionin midis së majtës dhe të djathtës në Gjermani, i cili u arrit përfundimisht pas dhënies së pëlqimit të anëtarëve të Partisë socialdemokrate, derisa Italia ishte duke votuar. Por, partitë kryesore të së majtës dhe të së djathtës në Itali, krejt së bashku, nuk kanë mjaft vota për ta krijuar shumicën. Kristian-demokratët e Angela Merkelit, Unioni Kristiansocial dhe SPD-ja arrijnë një shumicë, edhe pse jo aq të madhe. Në të dy këto vende, edhe pse në Itali në një mënyrë më të plotë, establishmenti politik është dobë- suar rrënjësisht. Duke e mirëpritur këtë, ish këshilltari i Trumpit, Steve Bannon, deklaroi me ngazëllim se italianët kanë shkuar më larg se çdo vend tjetër, kah ndryshimet radikale. Zgjedhjet, deklaroi ai për një gazetë italiane, kanë qenë 'qenësore për lëvizjen globale populiste'. 

Retorika kundër imigrantëve

Në të djathtën, i përhershmi në politikën italiane, Silvio Berlusconi, përkundër akrobacive të tij, doli humbës. Pas bërjes publike të rezultatit të dobët të partisë së tij, Berlusconi ka insistuar se partia e tij, e me këtë edhe ai vet, do të mbesin në qendër të spektrit politik. Megjithatë, në moshën 81 vjeçare, të paktën ai nuk duhet të dëshirojë që të mbahet mend si tradhtari i politikës italiane. Partia e Berlusconi't, "Forza Italia", forca kryesore në të djathtën italiane gjatë çerekshekullit të kaluar, ka qenë e detyruar t'ia lëshojë vendin koalicionin e partive të djathta, njërës prej partive 'më të egra', Ligës së Veriut, të udhëhequr nga Matteo Salvini. Retorika e Salvinit kundër imigrantëve, edhe pse jo më ekstremja, pranonte mundësinë e dëbimeve masive. Në moshën 44 vjeçe, ai është lider i së djathtës. Më shumë se çdo figurë tjetër e madhe politike, ai kuptoi se zvogëlimi i imigracionit ishte çështja kyçe për votuesit italianë. Në të majtën, partia qeverisëse, Partia Demokratike, mori votën prej rreth një të pestës së 73% të italianëve që votuan - një pjesëmarrje më e lartë se në shumicën e vendeve perëndimore. Kryeministri, Paolo Gentiloni - një politikan inteligjent dhe mbi të gjitha përgjegjës - ishte zgjedhja më e madhe e ekspertëve për liderin ideal të çfarëdo koalicioni që mund të dilte nga zgjedhjet. Rrëzimi i PD-së e bën këtë rezultat të pamundur. Udhëheqësi i partisë, Matteo Renzi, menjëherë vendosi kalimin e PD-së në opozitë, dhe bëri publike dorëheqjen e tij të mundshme nga udhëheqja. Ai i fajësoi kolegët e tij në të majtë të PD-së për urrejtjen e tyre të padiskutueshme ndaj tij dhe ikjen e tyre nga partia. Përkushtimi i të majtëve për të copëtuar njëri-tjetrin nuk njeh spektakël më të mirë gladiatorësh sesa amfiteatrin e parlamentit romak. Por vetë Renzi humbi mbështetjen e madhe që kishte, kur ai së pari shpalli veten si "njeri gërmadhë" të sistemit të vjetër. Ai hyri në parlament si kryeministër, u përball me zgjedhjet e vështira - me shkurtimet ndaj shërbimeve publike, me rritjen e lehtë- sisë më të madhe të punësimit dhe të qitjes nga puna dhe me ngritjen e taksave - dhe, në përpjekjet për t'u përballur me to, ka humbur mbështetjen publike dhe një votim vendimtar për sigurimin e një sistemi zgjedhor më racional. Kërkesa e tij - për njëjtën zotërim mbi politikën e Italisë në vitet 2010, sikur që Tony Blair dhe Partia e tij laburiste kishin në Britaninë e viteve 2000 - ka dështuar. Përplasja e dytë është fuqia që tani zbret mbi fituesit - të udhëhequr padyshim nga lëvizja 5-Yjet e themeluar më pak se një dekadë më parë nga komiku dhe satiriku Beppe Grillo. Lëvizja ka përfituar nga të qenit e papërshkrueshme - dhe kështu, një anije që të zhgënjyerit mund ta mbushin me shpresat e tyre. Lëvizja mori rreth një të tretën e votave të italianëve. Është shumë më përpara të tjerëve sa që do të duket jodemokratike që të mos jetë në qeveri - në të vërtetë, të mos e udhëheqë qeverinë. E përditshmja "La Repubblica" e qendrës së majtë sugjeroi një sërë aleancash - Lëvizja "5 Yjet" me të djathtën, ose pjesë të së djathtës, ose me PD-në. Disa nga ata që kishin votuar për "5 yjet", të intervistuar gjatë natës dhe herët në mëngjes të hënën, thanë përafërsisht të njëjtën gjë: ata janë ndryshe. Ne jemi të ngopur me sistemin e vjetër. 

Kritikat e forta ndaj BE-së

Grillo është një satirik, tallja e të cilit në llogari të establishmentit politik gjatë viteve '80 dhe '90 e mbajti atë - në mënyrë skandaloze - jashtë TV-së, por gjithashtu i dha atij mantelin e kampionit të popullit. E pashë atë të japë një shfaqje në stadiumin e Firences, Nelson Mandela në vitin 2009. Grillo e kaloi kohën jashtë skenarit, duke u akuzuar për audiencën, zëri i tij u rikthye mes një britmë dhe një pëshpëritje, ndërsa ai shkëlqeu, herë pas here duke përqafuar një anëtar të auditorit sikur ta mbrojë atë nga e keqja e pranishme gjithandej. Në të njëjtën kohë, ai po nxiste fushatën e tij politike, duke filluar me shprehjen "Va fancullo" (një version vulgar i shprehjes "humbu"), ku ai do t'i drejtohej turmave brohoritëse në sheshe me të njëjtën markë satire si në Firence. Kjo ushqeu krijimin e Lëvizjes, fillimisht në nivelin lokal, e atëherë në atë kombëtar. Ai u organizua në internet, ku si Grillo, po ashtu edhe kolegu i tij i ngushtë Gianroberto Casaleggio (i cili vdiq në vitin 2016), shihnin mediumin si një formë më të menjëhershme dhe më të fuqishme të demokracisë sesa një parlament përfaqësues i diskredituar. Qëndrimet e tjera të 5-Yjeve përfshijnë kritika të forta ndaj BE-së dhe një refuzim të euros; një armiqësi në rritje ndaj imigrantëve; politika fort pro-ambientale dhe antikorrupsion në politikë. Këto u shprehën kryesisht nga Grillo në fjalimet e tij publike. Meqenëse Grillo ka preferuar të jetë një frymë udhërrë- fyese për të hyrë në parlament, një burrë shumë më i ri, 31 vjeçi Luigi di Maio, është udhëheqësi parlamentar dhe kryeministri i emëruar i Lëvizjes. Di Maio është biri i një politikani neo-fashist napolitan, që kishte braktisur studimet dhe ka punuar si një projektues i internetit, pastaj një administrator në terrenin kryesor të futbollit të Napolit. Ai është i aftë, gjithmonë i veshur me shije dhe është më "konstitucionalisti" i anëtarëve kryesorë të Lëvizjes. Për dallim nga Grillo, ai ka deklaruar se duhet të konsiderojë bërjen e aleancave, për ta marrë pushtetin. Ky angazhim tani duhet të testohet. 5-Yjet ka një rekord të tmerrshëm në qytetet në të cilat është në pushtet - duke filluar nga Roma, ku një administratë tashmë e korruptuar, e pushtuar nga si nga e majta po ashtu edhe nga e djathta në vitet e fundit, është bërë kaotike. Megjithatë, kjo duket se nuk ka rëndësi. Di Maio është duke sajuar një shfaqje të mirë për një politikan të ri dhe të papërvojë - dhe jo vetëm për shkak të veshjes së tij të mirë. Ai mund të krijojë një figurë të natyrshme, madje edhe të fuqishme politike. Por, ndërsa pushteti zbret mbi të, dhe ndoshta mbi Salvinin, injoranca dhe mungesa e këshillave të mira sigurisht do të sjellë një periudhë të turbullt. Sfidat për ta ruajtur statusin e Italisë si një ekonomi e madhe, janë të frikshme - siç theksoi Gentiloni në një intervistë parazgjedhore. Rritja e saj ekonomike është përmirësuar por është akoma relativisht anemike. Eksportet e saj janë rritur, por jo shumë. Papunësia është përgjithësisht e ulët, por është ende shumë e lartë për të rinjtë. Produktiviteti i saj është i ulët. Reformat që solli PD-ja kanë ndihmuar, por, siç tha Gentiloni, ka mbetur shumë më tepër për t'u bërë. Reforma e vërtetë nuk varet nga premtimet e paqarta dhe të pashpresa tepër optimiste të partive si 5-Yjet. Përkundrazi, vendi ka nevojë për ndryshime të qëndrueshme, të gjata dhe kontroverse. Në një vend ku mungesa e eksperiencës është në prag të pushtetit dhe shtylla të tilla të qëndrueshmërisë, po dridhen ose shkërmoqen, do të jetë e habitshme nëse një reformë e tillë do të jetë e mundur.

Përpos për "Reuters", John Lloyd shkruan edhe për "Financial Times") 

(Kosova Sot)