Ramë Bllaca, Dielli që vulosi vijimësinë shqiptare në Kosovë!

Ramë Bllaca, Dielli që vulosi vijimësinë shqiptare në Kosovë!
  • 21 March 2018 - 10:34

Kundërshtues i planeve për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi 

SHKRUAN: GANI QARRI

Natën kur ai po kthehej nga Beogradi, pasi që para syve të kryeministrit të mbretërisë jugosllave, kishte grisur e bërë copë-copë vendimin e qeverisë serbe, me të cilin parashihej shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova dhe dëbimi i tyre në Turqi, dy shqipfolës, të shitur e tradhtarë, të paguar nga Serbia, i kishin zënë pritën Ramë Bllacës në njërën nga paralagjet e fshatit të vet, në vendin e quajtur "Mëhalla e cubave", ku do ta vrisnin heroin tonë tradhtisht

S hembull atdhetarie, që na mësoi se jeta pa liri, nuk ka kuptim as vlerë! Shtatlartë e shpatullgjerë dhe me pamje impozante pellazge-ilirike, vepra e paharruar e të cilit, u kthye në mit dhe mbeti përjetësisht legjendë e denjë për mbamendje të gjithmonshme historike. Burrë trim i cili, kur dielli i kombit po mbytej në pellgun e trishtë të zvetënimit nga vërshimi i dritëhijeve të pushtuesit serb që rrezikonte ekzistencën e popullit të tij dhe kërcënonte me shuarje vazhdimësinë shqiptare në këto troje, u ngrit i vetëm, si feniksi nga hiri, për mbrojtjen e autoktonisë së etërve dhe gjyshërve të rënë edhe ata për këtë vend. U doli pa frikë përpara, u dëshmoi se këto troje kanë zot dhe tha me vendosmëri-Jo! U tha jo armiqve të cilët edhe pse ishin të fundit të ardhur këtu, kishin dënuar me zhbërje popullin shqiptar në Kosovë dhe planifikuar shfarosjen e tij, si komb në dheun e vet autokton dhe tokat e të parëve të tyre, të rënë nën pushtimin sllav. Sipas shënimeve ekzistuese Ramë Bllaca u vra me tradhti, më 27 korrik të vitit 1937, nga dy shqiptar të shitur, në hyrje të fshatit të tij. Ai vërtetë flijoi jetën, për trojet tona etnike, por edhe ato ju përmbajtën me besnikëri të plotë porosisë së tij të shenjtë, të lënë amanet nga pozita e heroit duke mbetur vërtetë përjetë- sisht shqiptare, ndërsa Kosova pikërisht 60 vite pas rënies së Ramë Bllacës, filloi një histori të re me luftën përfundimtare për çlirim nga pushtuesi shekullor sllav, e cila me përpjekjet e bijve të vet më të mirë si dhe ndihmën e miqve amerikan e ndërkombëtar, fitoi edhe betejën e fundit dhe arriti që përjetë- sisht, të jetë shtet i lirë e i pavarur dhe aty ku ra gjaku i heroit dikur, sot e përgjithmonë, çdo gjë frymon shqiptarisht. Gurëthemel i palëkundshëm i shqiptarizmit Emri pikant i këtij burri të kombit u shndërrua në legjendë të mbijetesës, flijimi heroik i të cilit vulosi përjetësisht vijimësinë e lashtësisë tradicionale të shqiptarëve në këto troje. Në epitafin e amshimit, ku heroi, që nga vrasja me tradhti pushon, shkruan se Ramë Bllaca u lindë më 1879 dhe vdiq më 1937. Por as vrasja e hershme dhe shuarja me tradhti,nuk e mundi kurrë këtë burrë të dheut. Emri i tij u kthye në Diell që gjatë gjithë kohës nën pushtim, kombit i dha orientimin e duhur e sublim dhe rrezatoi pareshtur rrugën e trojeve tona drejt lirisë. Për figurën dhe veprën e tij historike, ende, edhe në këto kohë, kudo flitet me krenari të pa zakontë dhe përsëritet gjithandej me nostalgji të veçantë se përveç pamjes vigane të një burri shtatlartë e shpatullgjerë dhe me një trup gjigant e mbi dy metra të gjatë, i cili për çështjen e kombit kurrë nuk lëshonte pe, ai kishte edhe një guxim të rrallë dhe nuk i trembej syri për asgjë dhe nga askush. Patriot i madh i shndërruar në shembullin më të ndritshëm e vezullues të atdhetarisë, akti heroik i të cilit u bë gurë-themel i palëkundshëm i shqiptarizmit në këto troje, si dhe lis i fortë e i pashkelshëm, i ekzistencës shekullore, mbijetesës dhe gjallimit deri në përjetësi të shqiptarëve në Kosovë e më gjerë. Pas përplasjes me deputet dhe vet kryeministrin serb, fundkorrikun e vitit 1937,kur heroi në kuvendin e mbretërisë jugosllave, bëri copë-copë vendimin zyrtar të Serbisë për dëbimin e shqiptarëve autokton në Turqi, ministri i brendshëm kishte urdhëruar komandantin e xhandarmërisë për Therandë (Suharekë) dhe Duhël me rrethinë Kosta Peçancin, që Ramë Bllacën, me të arritur në Kosovë të mos e lëshonin të mbërrinte i gjallë në vendlindje. Dhe vërtetë nga Beogradi, ai mundi të vinte pa therë në këmbë deri në lagjet e para të fshatit të vet, por jo të hynte shëndosh e mirë dhe i padëmtuar edhe në Bllacën e tij.

E vranë tradhtisht bashkëkombësit e vet

Sipas këngës së popullit, heroi kaloi shtatë pritë të zëna, njërën pas tjetrës nga xhandarët e Serbisë dhe asnjëri nga ta, nuk patën guximin të shkrepnin armët mbi të, por nuk e kaloi dot edhe pusinë e tetë, që atij i kishin vënë shqiptarët, siç e dëshmojnë edhe vargjet e dhembshme të rapsodisë në vijim: Prej Xhandarëve Rama po pshton Në prit të shqiptarëve kur po shkon Zoti i vraftë ata çka po bajnë Nga një pushkë Ramës ja kanë dhanë Salihi e Ferizi, Ramë Bllaca, nga min. 14.15... https://www.youtube.com/watch?v=tv7cwrO 12fw Pra, heroin siç dihet tanimë, e vranë tradhtisht bashkëkombësit e vet, të njohurit, apo ndoshta edhe ish shokët e tij të "ngushtë", fakt që aty nga fundi i këngës kushtuar këtij trimi, theksohet qartë dhe shprehet edhe me pezëm e në formë mallkimi nga rapsodët Tahir Drenica e Hashim Shala; Në qafë e paçin shokët e vet! Aty Rama po ndërron jetë Në qafë e paçin shokët e vet Tahir Drenica Hashim Shala, Ramë Bllaca nga minuta 9.16.... https://www.youtube.com/watch?v=8_0jyyr8 4CE Natën kur ai po kthehej nga Beogradi, pasi që para syve të kryeministrit të mbretërisë jugosllave, kishte grisur e bërë copë-copë vendimin e qeverisë serbe, me të cilin parashihej shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova dhe dëbimi i tyre në Turqi, dy shqipfolës, të shitur e tradhtarë, të paguar nga Serbia, i kishin zënë pritën Ramë Bllacës në njërën nga para-lagjet e fshatit të vet, në vendin e quajtur "Mëhalla e cubave", ku do ta vrisnin heroin tonë tradhtisht, për të mos lejuar këtë kreshnik të kombit assesi, që me vulën e heroizmit të dëshmuar në mes të Beograd dhe parlamentit të mbretërisë jugosllave , të arrinte triumfalisht në atdheun e vet dhe hynte ballëlartë edhe në vendlindje, në Bllacën e tij të shtrenjtë. Vrasja e këtij burri, ishte një humbje e madhe për të gjithë kombin e veçanërisht për trojet shqiptare nën pushtimin sllav, por përkundër faktit që armiqtë me qëllim i prenë jetën në mes dhe para kohe heroit tonë, për të mos e lejuar atë ta vazhdonte veprimtarinë e tij patriotike më gjatë, ai me gjithë kohën e kufizuar, bëri shumë për kombin dhe vendin e vet, emri dhe vepra e të cilit , jo vetëm se nuk u shuan kurrë, por u rritën e zgjeruan nëpër mote gjithandej, edhe pas vrasjes së tij, me tradhti. Rama ishte edhe i ati i patriotit të mirënjohur Qazim Bllaca(1915-2005 ,po ashtu intelektual dhe atdhetar i shquar, i cili eci hapave të të atit dhe gjithë jetën ia kushtoi çështjes së shenjtë kombëtare, për të cilat, kaloi më se 30 vjet burg e internime të gjata nën sistemet komuniste në Kosovë dhe Shqipëri.

Rama ishte burrëruar para kohe

Heroi Ramë Bllaca ishte një kolos i vërtetë, atdhetar i mirënjohur e trim besnik dhe deputet i vendosur kombëtar, i cili gjithë veprimtarinë e vet patriotike ia kushtoi mbrojtjes së vendit dhe asgjësimit të planeve serbe për spastrimin etnik të Kosovës, nga shqiptarët autoktonë, akti burrëror i të cilit ende kujtohet me nostalgji dhe jehonë shumë fuqishëm, kudo në trojet tona. Erdhi në jetë më 1879 në fshatin Bllacë të Therandës, fshat ky i njohur e historik, i cili prej se mbahet mend, me përjashtim të ndonjë prej viteve të pushtimit sllav, kur Serbia vendosi me forcë aty, ndonjë kolon serbo-malazez, vendlindja e tij- Bllaca gjithmonë ishte dhe mbeti, vetëm shqiptare. Sipas shënimeve ekzistuese dhe datës së shënuar në epitaf, Rama u lind rreth një vit pas themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse nga shkrimet me tematik historike të dr. Muhamet Pirraku, mësojmë se edhe i ati i Ram Bllacës- Fejzullahu, ishte luftëtar i njohur i kësaj Lidhje të paharrueshme gjithëkombëtare. Siç është thënë e dëshmuar, veçanërisht prej atyre që e kanë njohur nga afër heroin, Ramë Bllaca ishte adhurues i madh i këngëve patriotike dhe interpretonte edhe vet me çifteli, madje këndonte në të dy dialektet e kombit, dhe fliste gjatë gjithë kohës për historinë e lavdishme të shqiptarëve, në të gjitha trojet tona, duke bërë kështu që jo vetëm i biri i tij Qazimi, por edhe rapsodi Riza Bllaca si dhe shumë të rinj tjerë të gjeneratave të asaj kohe, të frymëzoheshin kombëtarisht dhe donin me shpirt e zemër, gjithë Shqipërinë etnike! Burrat me nam si ai, vend të përmendur dhe historik, e bënë edhe vendlindjen e vet-Bllacën, megjithëse ne njohim dhe dimë disa nga ta, apo thënë më drejtë, vetëm ndonjërin prej tyre,për të cilin është shkruar dhe janë mbajtur shënime nëpër kohë, por jo edhe të tjerët. Sidoqoftë, dashuria e madhe për atdheun dhe lidhjet e forta me vendin e lindjes, bënë që të mos jetë koincidence fakti, se djemtë më të denjë të këtij vendbanimi, edhe për mbiemër të vetin personal, zgjodhën kurdoherë me dëshirë dhe mbajtën me krenari, pikërisht emrin e fshatit të tyre, atë të Bllacës heroike. Ky fenomen bie në sy, që nga vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me pjesëmarrësit aktiv të kësaj organizate famë- madhe, si i ati i Ramës Fejzullahu, Fetah Bllaca etj, për tu kurorëzuar legjenda e këtij fshati më vonë, me ushtarin besnik dhe njëri nga prijësit më të devotshëm të shqiptarizmit që pati asokohe vendi, i cili i doli vdekjes përpara dhe flijoi edhe jetën, për ndalimin e shpërnguljes, mbijetesën dhe vazhdimësinë e shqiptarëve në trojet e veta, heroin e përmasave kombëtare dhe mbrojtësin historik të Kosovës trimin Ramë Bllaca. Rama ishte burrëruar para kohe dhe sprovuar me luftëra e beteja të pareshtura për çlirimin e vendit të vet edhe para se Kosovën e tij të dashur, ta pushtonte Serbia. Madje ai u përpoq pareshtur me mish e me shpirt që ti bashkonte në kryengritje të gjithë bashkëkombësit e pambrojtur të cilët hiqnin të zitë e ullirit nën pushtim, nga terrori dhe keqtrajtimet serbe, gjendje që më së miri e dëshmon fragmenti i mëposhtëm, veçuar nga një shkrim më i gjatë historik, mbi "Reformën Agrare në Kosovë" të futur me dhunë nga Serbia, në trojet tona të pushtuara: "Përveç vrasjeve, dëbimit dhe dhunës nga Kosova, ata ndërmorën aksionin e përgjakshëm për t'ua ndërruar fenë shqiptarëve, për t'i kryqëzuar dhe për t'i serbizuar, si shqiptarët myslimanë, ashtu edhe ata katolikë. Këtë masë të konvertimit e ndërmori pushteti malazez në Rrafshin e Dukagjinit, në pjesën që e kishte aneksuar. Përmes diktaturës ushtarake e policore "i tubonin shqiptarët me dhunë, i vinin në rresht me flamur përpara dhe i çonin në kishë" U vranë e u pushkatuan me mijëra vetë. Kjo kryqëzatë e ushqyer me helmin e urrejtjes fetare e kombëtare, shekuj me radhë nga kisha e qeveritë e tyre, korri shumë viktima të pafajshme. Fshatrat shqiptare rrethohen, plaçkiten dhe u vihet flaka. Fshatra të panumërta u rrënuan për tokë, u shndërruan në grumbuj gërmadhash. Oficerët serbë shpallnin se "paqja efektive në Shqipëri mund të arrihet vetëm duke i shfarosur krejtësisht shqiptarët". Urdhri suprem i Beogradit ishte i prerë: "Duhet mësuar ai popull i egër për të jetuar në një shtet modern". Pastaj, në gazetat serbe shkruante: "Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të harrohet çfarë bënë serbët ndaj tyre".[32] Ata kanë thyer dyert e shtëpive dhe kanë masakruar këdo që gjenin brenda, pa pyetur në ishte i ri apo plak, burrë a grua. Një dëshmi tjetër që dëshmon edhe këtë. Se në tregun e Prishtinës, më 18 tetor 1912 më një lirë ari të Turqisë mund të bliheshin 82 fesa turq. Më 10 nëntor 1912, po në këtë treg, një fes mund të blihej me 82 lira ari. Ngritja kaq e lartë e çmimit ishte bërë për shkak se ushtria serbe likuidonte të gjithë njerëzit me plisa të bardhë, ndërsa i kursente ata që mbanin fesin turk në krye".(https://outlook.live.com/owa/?path=/ mail/inbox) Ramë Bllaca qe detyruar që të kapte pushkën e bëhej pjesë e aksioneve luftarake që nga viti 1910 e këtej, në fillim ai luftoi kundër turqve, ndërsa nga tetori i vitit 1912- 1915, kundër serbëve, për të vazhduar më vonë, nga 1915-deri më 1918, edhe kundër bullgarëve të cilët aso kohe, edhe ata kishin pushtuar një pjesë të atdheut të tij. Gjendja, nga fundi i vitit 1912 deri në tetor të vitit 1915, ishte përkeqësuar aq shumë sa që shfarosjen e shqiptarëve në ato mote të rënda, do ta ndalonte vetëm ardhja e trupave Austro-Hungareze dhe dëbimi e ndjekja e ushtrisë serbe, e cila megjithëse vetëm deri para pak kohësh kishte bërë luftëra e masakra nga më të tmerrshmet për pushtimin e Shqipërisë, tani do të kalonte mes për mes saj dhe vendosej në Korfuz, në ikje nga forcat austriake. Por, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, fatkeqësisht Kosova dhe trojet tjera shqiptare, sërish do të ripushtoheshin nga e njëjta ushtri e të ashtuquajturës tanimë Jugosllavi e Versajës e pak më vonë edhe mbretëria e SKS, kohë kur gjendja e shqiptarëve u përkeqësua së tepërmi dhe dramatizua edhe më shumë. Në vitin 1919 Beogradi zyrtar solli Ligjin për Reformën Agrare, kurse nga fundi i shtatorit të vitit 1920 edhe Rregulloren për popullimin me serb e malazez të rajoneve jugore, me pikësynimin kryesor Kosovën dhe trojet tona tjera nën okupimin sllav. Por dëbimi i shqiptarëve nuk mund të bëhej me lehtësi të njëjtë në të gjitha territoret e pushtuara shqiptare, madje në ato rajone ku rezistenca ishte ende e gjallë dhe zhvillohej luftë e armatosur për mbrojtjen e tyre, forcat serbe nuk mund të kalonin as me këmbë. Ndaj më 15 korrik, të vitit 1924, në luftimet për shkatërrimin e Piemontit të fundit të rezistencës kombëtare, si "shteti" i lirë, i Azem Bejtës, të cilin ai me bashkëluftëtar e kishte ngritur mu në zemër të Drenicës dhe emërtuar "Arbëria e Vogël", vritet edhe krye-prijësi i rezistencës anti-serbe dhe heroi i kombit Azem Galica. Me shuarjen e tij, pothuajse do të shuhej edhe qëndresa aktive e shqiptarëve e cila identifikohej me këtë trim dhe kishte filluar në krye me të, mese 12-13 vite më parë, që kur edhe u bë pushtimi me dhunë i tokave shqiptare nga Serbia. E për tu realizuar sa më lehtë plani famëkeq i kolonizimit me serb e malazez dhe dëbimi i shqiptarëve në Turqi, më 1929, trojet tona etnike nën pushtim, nga Serbia u ndanë në tri të ashtuquajtura banovina: në banovinën e Zetës, të Moravës dhe atë të Vardarit. Hyrja në fuqi e ligjit të trishtë serb dhe sistemi i ri agrar, parashihte marrjen me forcë të tokave dhe konfiskimin e pasurive të banorëve autokton dardan, shpërnguljen me dhunë nga trojet e veta dhe dëbimin masiv të shqiptarëve në Turqi, për vendosjen e kolonëve serbo-malazez në tokat dhe shtëpitë e tyre. Vitet më të vështira për shqiptarët, ishin sidomos ato ndërmjet të dy luftërave botërore, periudhë kur shteti pushtues serb, kishte filluar dëbimet e dhunshme masive të tyre dhe kolonizimin e gjerë të trojeve tona me ardhacak serb e malazezë, të sjellë në mënyrë të organizuar nga brendia e Serbisë dhe Malit të Zi. Për fat të keq, nuk ishte hera e parë që Serbia vepronte në këtë mënyrë dhe përdorte metoda kaq radikale kundër popullit dhe trojeve shqiptare nën pushtim. Në vitin 1931 mbretëria e SKS, miratoi ligjin për kolonizimin e viseve "jugore" me serb e malazez. Kështu që kolonizimi sidomos i Kosovës, jo vetëm e do të përshpejtohej por përveç nxjerrjes dhe fuqizimit të ligjeve jugosllave për dëbim, edhe "vëllezërit turq", do ti vinin në ndihmë mbretërisë jugosllave me hartimin e planeve për shpërnguljen e shqiptarëve. Në prill të vitit 1934, në bisedimet turkojugosllave, të mbajtura në Ankara ndërmjet ministrit turk të Punëve të Jashtme Ruzhdi Aras dhe atij jugosllav Bogolub Jevtiq, u arrit marrëveshja për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, me kusht që ata "ti përshtateshin" mentalitetit turk... Menjëherë në një seancë plenare më 1934, këto plane do ti kundërshtonte fort e me vendosmëri deputeti dhe intelektuali i mirënjohur shqiptar Sheqir Visoka,ai megjithëse kishte mbaruar mejtepin dhe studiuar në Stamboll dhe Kajro, kurrë nuk ishte bërë hoxhë por iu kishte përkushtuar me tërë qenien e tij, çështjes së shenjtë kombëtare, i cili në seancën e cekur parlamentare do të deklaronte: "Shqiptarët nuk janë turq dhe popullin tim nuk ka mundur ta qesë në pazar as Evropa se lere më Bogolub Jeftiqi", ndaj pushtuesi serb, nuk do ta lejonte më kandidimin e tij për deputet dhe nga viti 1935 deri më 1941,kur do të fillonte edhe Lufta e Dytë Botërore, do ta burgoste disa herë. Më gjerësisht mbi biografinë e Sheqir Visokës në https://sq.wikipedia.org/wiki/Shaqir_Visoka. Më 1935,u bë miratimi i një konvente bilaterale me Turqinë për dëbimin e shqiptarëve dhe elementit jo-sllav, nga "Serbia Jugore", që nënkuptonte Kosovën dhe viset tjera shqiptare nën pushtimin sllav. (vijon)

(Kosova Sot)