Pse Kim Jong Un papritmas flet për paqe

Pse Kim Jong Un papritmas flet për paqe
  • 21 March 2018 - 11:13

KRITIKËT E BISEDIMEVE TË REJA NDËRMJET UASHINGTONIT DHE PENIANIT

Hapi i parë është afrimi i shpejtë i tij me Korenë e Jugut

Shkruan: David Von Drehle 

Kina dhe Rusia me siguri do të jenë të lumtura të na shohin duke u larguar. Dhe, më i lumtur nga të gjithë do të ishte Kim Jong Un -Kimi i pamatur, i rrezikshëm dhe i pamëshirshëm, i çmenduri që thjesht mund të jetë si një dhelpër e çartur

T honi çka të doni rreth Njeriut të vogël të raketave. Diktatori i Koresë veriore, Kim Jong Un, është kryehajni i një kleptokracie të udhëhequr nga një familje. Ngjashëm me të atin dhe gjyshin e tij, ai nuk heziton që ta vdesë popullin urie, vetëm që të marrë atë që dëshiron. Torturat dhe vrasjet janë mjetet e tij të preferuara. Por, ai nuk është i marrë. Duke paralajmëruar një samit midis Koresë së veriut dhe asaj të Jugut, si prelud i mundshëm i bisedimeve me administratën Trump, Kim ka manovruar në një fushë, të cilën paraardhësit e tij vetëm mund ta kenë ëndërruar: anëtarësimin në bashkësinë ndërkombëtare, sipas kushteve të Koresë veriore. Ende shumë gjëra mund të shkojnë keq, por kjo rrugë përpara duket goxha e qartë. Hapi i parë është afrimi i shpejtë i tij me Korenë e Jugut. Rënia vitin e kaluar e qeverisë konservatore në Seul, rezultoi me një president të ri të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i cili favorizon marrëdhënie më të mira me Korenë e Veriut. Kim u përgjigj duke nxituar për të përfunduar testimin e raketës balistike të tij në kohë për një kthim të pafund të paqes të lidhur me Olimpiadën Dimërore pranë zonës së demilitarizuar.

Vështirë është të thuash se Trump ka shumë zgjedhje

Kjo çoi, nga ana tjetër, në një vizitë të rrallë nga emisarët e presidentit të Koresë së Jugut në Penian. Ata u kthyen në Seul të martën me planet për takimin e fundi të prillit - atë që duket hapi i parë i Kimit. Sipas drejtorit të sigurimit kombëtar të Moon-it, koreanoveriorët ofruan një moratorium mbi testet e mëtejshme bërthamore dhe raketore në këmbim të bisedimeve "zemërhapur" me Shtetet e Bashkuara. Regjimi i Kim-it gjithashtu përmendi edhe idenë e heqjes dorë nga testimet bërthamore, në tërësi, nëse garantohen siguria dhe sovraniteti i Koresë së Veriut. "Do të shohim se çfarë do të ndodhë", shkroi presidenti Trump, me një kujdes të lavdërueshëm. Derisa matë mundësitë e tij, ai do të dëgjojë kritikët e bisedimeve të reja ndërmjet Uashingtonit dhe Penianit. Shumë prej tyre do të citojnë shembullin e futbollit të Lucy van Pelt dhe Charlie Brown. Familja Kim ka një rekord të gjatë të premtimeve për ndryshime, duke i tërhequr më pas ato. Por, vështirë është të thuash se Trump ka shumë zgjedhje. Alternativa e përdorimit të 'karotave' të sigurisë dhe sovranitetit është që të përdoret shkopi ushtarak, por ky shkop i veçantë gjendet në Korenë e Jugut. Tundja e tij kërkon ndihmë nga aleatët tanë në vijën e frontit. Megjithatë Seuli nuk është në bord. Kim duket se kupton se Shtetet e Bashkuara vështirë se mund ta ekspozojnë Korenë e Jugut ndaj një lufte potencialisht apokaliptike, pa mbështetjen e Moon-it. Bërja e një gjëje të tillë do të shkaktonte fatkeqësi diplomatike, ekonomike dhe ushtarake. Kështu, zbutja e qëndrimit të Kimit në lidhje me Korenë Jugore ka të ngjarë të çojë përfundimisht në bisedime të reja. Kur kjo të ndodhë, të paktën tre fakte të rëndësishme do të jenë materialisht të ndryshme nga koha e fundit që Lucy mori topin. Së pari, armët bërthamore të Koresë së Veriut janë një realitet i realizuar, nuk ka më mundësi të shmanget. Sado e tmerrshme është të pranosh këtë, pozicioni negociues i Kimit është shumë më i fortë tani. Ai mund të synojë një zgjidhje të qëndrueshme dhe jo një lehtësim të përkohshëm. Së dyti, Kim ka në Kinën fqinje një model për të ardhmen e tij. Familja e tij ka besuar gjithmonë se modernizimi kërcënon kontrollin e tyre mbi pushtetin, kështu që e përjashtuan atë, duke e bërë vendin e tyre një mbretëri të izoluar. Por Xi Jinping, kryeministri kinez, po përpiqet të dëshmojë se liberalizimi ekonomik mund të bashkëjetojë me diktaturën politike. Kim mund të konkludojë se ai mund të mbajë pushtetin pa izoluar plotësisht vendin e tij. Së treti, Kim ka në horizont një perspektivë për siguri më të madhe se kurrë më parë.

Revolucioni energjetik

Situata duket kështu: Vladimir Putin është duke u përpjekur për të ndërtuar një tubacion të gazit natyror përmes Koresë së Veriut për ta furnizuar me energji jugun e uritur. Revolucioni energjetik i Amerikës ka vënë presion të madh mbi Gazpromin shtetëror të Rusisë për të gjetur konsumatorë të rinj për gazin me tubacione, i cili është më i lirë se sa gazi i SHBA-së, i cili duhet të jetë i lëngëzuar për transport oqeanik. Koreja e Jugut është një treg veçanërisht torturues. Putin u anashkalua nga vendimi i Kimit për të përfituar nga aftësitë e tij bërthamore dhe nga sanksionet ndërkombëtare që pasuan. Por, nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara heqin kufizimet më të rënda, projekti i tubacionit të Putinit me siguri do të ringjallet. Dhe, nëse përfundohet, tubacioni do të përbëjë një pasuri të madhe strategjike ruse që shkon drejt mesit të Koresë së Veriut - një sigurim të mjaftueshëm kundër një sulmi të SHBA-së që Kim mund të përballonte për të mbledhur bombat e veta, për t'i strehuar nën ombrellën ruse. Këto fakte tregojnë për një zgjidhje të mundshme të ngecjes bërthamore. Provokimi i mëtejshëm nuk i sjell asnjë fitim Kimit. Por, zemërimet e tij të së kaluarës e kanë vënë atë në një pozicion të ri, potencialisht në gjendje ta kthejë një faqe tjetër. Nga ana tjetër, perspektiva e një Koreje të Veriut të normalizuar nënvizon sfidën më afatgjatë për Shtetet e Bashkuara. Nëse vjen deri te de-eskalimi i situatës, a do të bëheshin të pakuptimta bazat amerikane në Korenë e Jugut? Kina dhe Rusia me siguri do të jenë të lumtura të na shohin duke u larguar. Dhe, më i lumtur nga të gjithë do të ishte Kim Jong Un - Kimi i pamatur, i rrezikshëm dhe i pamëshirshëm - i çmenduri që thjesht mund të jetë si një dhelpër e çartur.

(Kosova Sot)