Tregtia është qëndresa e fundit e Partisë Republikane

Tregtia është qëndresa e fundit e Partisë Republikane
  • 21 March 2018 - 11:17

BETEJA MË E RËNDËSISHME POLITIKE QË ËSHTË DUKE U ZHVILLUAR AKTUALISHT NË SHBA

Republikanëve tani nuk u pengon intervenimi qeveritar, përderisa ai është për të drejtat e popullit

Shkruan: Fareed Zakaria

Pasi që ka transformuar pikëpamjet partiake rreth çështjeve aq të ndryshme, sikur imigrimi, disiplina fiskale, politika e jashtme dhe zbatimi i ligjit, nëse Trump e fiton betejën kundër partisë së tij edhe rreth tregtisë, atëherë mund të thuhet se ai ka fituar luftën

Mosmarrëveshjet rreth tarifave paraqesin betejën më të rëndësishme politike që është duke u zhvilluar aktualisht në SHBA - shumë më të gjerë sesa një mosmarrëveshje rreth importimit të çelikut dhe aluminit. Kjo është qëndresa e fundit e Partisë Republikane, kundër një kapjeje të tërësishme nga presidenti Trump. Pasi që i kanë lëshuar udhë Trump-it në lidhje me karakterin personal, imigrimin, reformat dhe jo vetëm, liderët republikanë kanë vendosur ta qesin shenjën 'stop' te tregtia e lirë. Nëse ata dështojnë në këtë pikë, atëherë Trump do ta përfundojë transformimin e partisë. Gjatë javëve të fundit, Trump duket se ka mbajtur mend që është një populist, apo se, të paktën, shtiret si i tillë para kamerave. Pasi që bëri kampanjë si tribun i klasës së harruar punë- tore, ai ia dorëzoi presidencën e vet krahut të establishmentit të Partisë Republikane, e cila vazhdoi me sulmet kundër "Obamacare"-s, me zhbërjen e rregullativave dhe me miratimin e një shkurtimi të madh tatimor për kompanitë dhe amerikanët e pasur. Por, me gjasë për ta mbështetur bazën e tij para zgjedhjeve afatmesme, apo për shkak se, në fakt, as vetë ai nuk beson në retorikën e vet, ai tani ka qëndrim të ashpër ndaj tarifave - dhe imigracionit. 

Partia e re republikane është duke dalë në pah

Sikur që ndodh shpesh, Trump është më shumë në linjë me bazën e tij partiake, sesa shumica e liderëve të partisë. Një anketë e bërë së fundmi nga Universiteti "Quinnipiac", gjeti se votuesit, sikur që është establishmenti republikan, në një masë të madhe kundërshtojnë tarifat e Trump-it. Por, shumica e votuesve republikanë i mbështesin ato. Në fakt, gjatë dekadës së kaluar, mbështetja republikane ndaj tregtisë së lirë ka rënë për 21% (derisa mbështetja në mesin e demokratëve është rritur për 14%). Ky është njëri ndër ndryshimet më të mëdha në ndonjë politikë të madhe publike, gjatë kohëve të fundit. Partia e re republikane është duke dalë në pah. Ajo është një parti skeptike ndaj tregjeve të lira. Ka rëndësi që të mos harrojmë se, në fakt, nuk është e mundur që të jesh në favor të kapitalizmit dhe kundër tregtisë së lirë. Nga Adam Smith e deri te Milton Friedman, çdo teoricien i madh i kapitalizmit, ka pranuar se tregtia e lirë është esenciale për funksionimin e kapitalizmit. Dhe, që të gjithë ata kanë theksuar se tarifat paraqesin mu atë intervenim qeveritar - ku shteti vendosë cilën industri ta favorizojë, cilat kompani t'i shpërblejë - i cili shkakton joefikasitet dhe korrupsion. Por, republikanëve tani nuk iu pengon intervenimi qeveritar, përderisa ai është për të drejtat e popullit. Partia republikane po ashtu ka manifestuar një neveri ndaj ekspertëve dhe analizave të tyre. Në vitin 1980, kur mbretëronte liberalizmi si ideologji, senatori Daniel Patrick Moynihan kishte vërejtur se "Partia republikane është bërë parti e ideve". Sot, Partia republikane nuk udhëhiqet në aspektin intelektual nga njerëzit, si William F. Buckley Jr. dhe Irving Kristol, por nga Sean Hannity dhe Rush Limbaugh. Mos harroni se tarifat e Trump-it kundërshtohen nga një gamë e dalluar e institucioneve shkencore nga i tërë spektri politik, duke përfshirë edhe Fondacionin konservator "Heritage", Institutin libertarian "Cato", Institutin e qendrës së majtë "Brookings", si dhe Qendrën majtiste për Kërkime ekonomike dhe politike. Shtëpia e Bardhë zor se ofron argumente serioze, por vetëm një justifikim fals për tarifat - sigurinë kombëtare - edhe pse Rusia dhe Kina furnizojnë vetëm një përqindje të vogël të këtyre mallrave në SHBA. 

Tregtia shkakton përçarje

Përkundër faktit se kërkimet tregojnë se politikat e mëparshme proteksioniste kanë dështuar, se industria e çelikut ka humbur më shumë vende të punës për shkak të efikasitetit dhe automatizimit, sesa tregtisë dhe se, ruajtja e një vendi të punës në industrinë e çelikut, apo të automobilizmit, me anë të tarifave, iu kushton taksapaguesve 1.5 milion dollarë, mbështetësit e administratës më nuk japin asnjë përgjigje. Përfundimisht, Partia republikane është duke u bërë armiqësore ndaj të huajve dhe vendeve të huaja. Nën presidentin Ronald Reagan, republikanët ishin pro një politike zemërgjerë ndaj imigracionit, ndaj aleancave të forta dhe besimit, në përparimin e demokracisë kudo në botë. Sot, bile edhe aleatët tradicionalë, sikur që janë evropianët, gjithnjë e më shumë janë duke u shikuar me dyshim. Është bizar fakti që janë vënë tarifa, të cilat më së shumti rrezikojnë aleatët e SHBA-së, sikur që janë Kanadaja, BE-ja, Koreja Jugore dhe Meksika. Tregtia shkakton përçarje, të cilat gjatë dekadave të fundit kanë qenë të mëdha. Mënyra më e ndjeshme, kosto-efektive për t'i trajtuar ato, do të ishte ofrimi i subvencioneve ndaj punëtorëve që mbesin pa punë për shkak të tregtisë dhe të investohej në përpjekjet e gjera të ritrajnimit të tyre. Por, një gjë e tillë nuk len përshtypje aq të fortë sa sulmi ndaj të huajve, apo shkaktimi i konflikteve tregtare. Pasi që ka transformuar pikëpamjet partiake rreth çështjeve aq të ndryshme, sikur imigrimi, disiplina fiskale, politika e jashtme dhe zbatimi i ligjit, nëse Trump e fiton betejën kundër partisë së tij edhe rreth tregtisë, atëherë mund të thuhet se ai ka fituar luftën. Partia Republikane do t'i takojë historisë. Dhe, duke pasur parasysh preferencat e tij shumë të ekspozuara në këtë aspekt, kushedi, ndoshta ai do t'ia ndërrojë emrin edhe partisë, duke e quajtur 'Partia Trump'.

(Kosova Sot)