Ja arsyet pse shqiptarët nuk kanë besim as te politika dhe as te drejtësia vendore

Ja arsyet pse shqiptarët nuk kanë besim as te politika dhe as te drejtësia vendore
  • 22 March 2018 - 07:58

Për faje të politikës dhe të drejtësisë mbetëm prapa në integrimet evropiane

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI 

Pavarësisht se shqiptarët janë populli më proeuroatlantik në Botë, Shqipëria akoma nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, pra nuk është e integruar në BE. Ky mosintegrim dhe kjo pengesë e vonesë Shqipërisë dhe shqiptarëve u vjen vetëm për faje të politikës dhe të drejtësisë shqiptare, prandaj dhe realisht edhe sondazhet ndërkombëtare të këtyre ditëve të fundit treguan se shumica dërrmuese e shqiptarëve në Shqipëri, ashtu si dhe më herët, pra ku mbi 90% e tyre nuk besojnë as te politika, as te pushteti dhe as te drejtësia vendore, por besojnë te institucionet politike dhe juridike euroatlantike te ato të BE-së, por sidomos te SHBA-të dhe te presioni i tyre mbi institucionet shtetërore dhe të drejtësisë në Shqipëri. Prandaj, dhe kjo është arsyeja se përse shqiptarët janë populli më pro evropian, pro amerikan dhe pro integrimit, pasi janë tepër të zhgënjyer nga ato se çfarë u ofrohet dhe realizojnë në shtetet e tyre politika, pushteti, keqqeverisja dhe padrejtësitë e drejtësisë. Kjo do të thotë pra se shqiptarët kërkojnë sigurinë jetësore, juridike, pronë- sore dhe atë ekonomike e politike të institucionet e SHBA-së dhe të BE-së. Dhe po e njëjta gjë është edhe në Kosovë, ku dhe atje nuk ka besueshmëri as te politika dhe as te drejtësia kosovare, pasi pra, si politika ashtu edhe drejtësia, kanë pronësuar pushtetin, shtetin dhe drejtësinë, të cilat i përdorin si mjete korrupsioni, krimi dhe pandëshkueshmërie për interesat e tyre personale dhe si avantazhe për të abuzuar, përfituar dhe për t'u pasuruar.

Politika dhe pushteti në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë këtij tranzicioni e kanë përdorur ligjbërjen

Pushteti dhe politika shqiptare e ka përdorur shtetin si instrument dhe si vegël për ta zhvatur, për t'i grabitur dhe për t'i vjedhur atij dhe shoqërisë shqiptare autoritetin, imazhin, pasuritë dhe për ta diskriminuar individin: duke shkelur, trafikuar e tjetërsuar të drejtat dhe liritë e tij pronësore, jetësore, intelektuale dhe për ta degraduar personalitetin dhe dinjitetin e tij. Politika dhe pushteti në Shqipëri i kanë dhënë shtetit shqiptar atributet dhe fizionominë e një shteti të instrumentalizuar dhe kriminal, gjë e cila ua ka bërë shqiptarëve jetën të padurueshme dhe të pasigurt juridikisht dhe ekonomikisht, duke i detyruar ata që të marrin arratinë dhe të kërkojnë azil nëpër botë. Pushteti dhe politika shqiptare e këtij tranzicioni kanë bërë spekulime dhe abuzime me investimet e tenderimet, kanë bërë fuqizime dhe shfuqizime dhe kanë bërë e zhbërë ligje e vendimmarrje të paramenduara, të paracaktuara dhe të mirëllogarituara, ashtu siç ua ka dashur interesi dhe përfitimi i tyre personal, klanor dhe ai oligarko-mafioz dhe jo për interesa të popullit të cilin edhe atë vetëm sa e kanë mashtruar dhe vetëm sa e kanë manipuluar për t'i rrëmbyer atij demokracinë, votën dhe pushtetin, autoritetin, taksat dhe pronat. Politika dhe pushteti në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë këtij tranzicioni i kanë përdorur ligjbërjen, ligjzbatimin dhe drejtësinë në favor të grupit të tyre të ngushtë të interesit, kjo pasi politika, pushteti dhe qeverisja qendrore dhe ajo vendore janë sjellë dhe kanë vepruar si grupe interesi, duke shfrytëzuar, rrjepur, grabitur e vjedhur shtetin dhe shoqërinë dhe jo si të përgjegjshëm dhe si shërbë- torë të tyre që duhet të jenë. Ato, pra politika dhe pushteti në Shqipëri, por edhe në Kosovë, gjatë këtij tranzicioni i kanë përdoruar shtetin dhe të drejtën shtetërore për të bërë vetëgjyqësinë si dhe avokatinë për të mbrojtur krimin, korrupsionin, hajdutëritë dhe abuzimet e rënda të tyre dhe prandaj shqiptarët nuk kanë aspak besim te politikanët dhe as te gjyqtarët e prokurorët vendorë, por te institucionet euroatlantike.

Krimit shtetëror abuziv

Nuk i kthehet autoriteti dhe dinjiteti as shtetit shqiptar dhe as drejtësisë shqiptare pa ua bërë gjyqin dhe pa ua bërë ndëshkimin politikës, politikanëve dhe gjyqtarëve të kriminalizuar dhe të korruptuar, pa ua bërë atyre hetimin e vendimmarrjeve kriminale dhe të korruptuara të tyre, si pasojë e të cilave u kanë ardhur dëme të rënda pasurore dhe imazhi negativ shtetit shqiptar, si dhe dëme të pallogaritshme ekonomike, psikologjike, morale dhe shpirtërore qytetarëve shqiptarë. Prej politikës së kriminalizuar dhe prej krimit të korrupsionit të saj, si dhe të vendimmarrjeve kriminale dhe abuzive të gjyqtarëve shqiptarë, kanë ardhur pasoja dhe konflikte të rënda ndërmjet qytetarëve deri dhe me humbje të mijëra jetëve njerëzore, dhimbje të rënda këto që kanë ardhur si rezultat i krimit shtetëror abuziv të politikës dhe të pushtetit, si dhe të vendimeve antiligjore dhe kriminale të dhëna nga drejtësia shqiptare, të cilat i kanë çuar qytetarët shqiptarë në hasmëri dhe në vetëgjyqësi. Pothuajse të gjitha të ashtuquajtura "reforma" demokratike të bëra nga politika e këtij tranzicioni në Shqipëri kanë prodhuar vetëm paqartësi, konfuzione dhe konflikte familjare dhe ndërsociale, nuk kanë zgjidhur gjë, por vetëm sa kanë krijuar dhe ndërlikuar probleme, sepse reformat kanë qenë pa perspektivë dhe kanë pasur si vizion e qëllim përfitimin momental dhe të shpejtë në favor të politikës, për politikanët dhe për pushtetarët. 

Drejtësia dhe shteti ishin kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar

E vetmja reformë e duhur në të mirë të shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar është reforma në drejtësi, pra VETTING-u, i cili u miratua pas 27 vjetësh që nga rënia e komunizmit, falë ndërhyrjes dhe presionit detyrues e imponues të SHBA-së, të cilat mposhtën rezistencën e fortë anti-VETTING të politikës dhe të drejtësisë shqiptare të korruptuar dhe të kriminalizuar. Kjo reformë, si reforma që i paraprin reformimit edhe të shoqërisë dhe të shtetit, u iniciua dhe u realizua me presionin demokratik, por edhe diplomatik nga ana e aleatit dhe mikut të madh të shqiptarëve, të SHBAsë, mbi politikën shqiptare, pasi ato kishin konstatuar se politika dhe drejtësia në Shqipëri punonin e silleshin si antipublike, antikombëtare, kundër interesit të përgjithshëm dhe kundër integrimit, si dhe për faktin kryesor që SHBA-ja dhe BE-ja kishin konstatuar dhe arritur në përfundimin se në Shqipëri si politika, si drejtësia dhe shteti ishin kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe për pasojë shqiptarët nuk kishin aspak shpresë dhe as besim te politika dhe te drejtësia dhe rrjedhimisht as te shtetit i kapur dhe i privatizuar prej tyre.

(Kosova Sot)