Pse populistët janë duke u bërë gjithnjë e më të popullarizuar?

Pse populistët janë duke u bërë gjithnjë e më të popullarizuar?
  • 22 March 2018 - 09:34

Kanë filluar të dominojnë në skenën politike  

Liberalët dhe të majtët që kanë qeverisur, janë refuzuar me vendosmëri në SHBA, Britani, Francë, Gjermani e, tani edhe në Itali

Shkruan: John Lloyd

Ata që ndihen të lënë anash nga pasurimi i pakicës dhe ngecja e shumicës, janë duke zgjedhur që të përfaqësohen nga forcat politike të cilat nuk mund t’ju japin atyre çka duan dhe, me gjasë, do t’ua bëjnë jetën edhe më të keqe. Këto forca politike janë të mishëruara në shumë parti dhe lëvizje, por arsyet për popullaritetin e tyre shpesh bazohen te perceptimet e paaftësive të qeverisë, apo mosgatishmërisë së saj për të adresuar problemet e tyre. Megjithatë, këto probleme nuk përfshijnë një vlerësim rreth qëndrueshmërisë së programeve të ofruara nga partitë anti-establishment. Ato lulëzojnë nga njohja se shpërblimet më të larta në një botë të globalizuar shkojnë për më të edukuarit dhe ata që kanë më së shumti lidhje, derisa klasa punëtore dhe shtresat e mesme tani janë të fragmentuara, bile ndonjëherë edhe të qortuara për shkak të pikëpamjeve të tyre ‘jokorrekte’.

Ja shembulli më i freskët: Suksesi i lëvizjes populiste “5 Yjet”, e cila doli si partia e vetme me numrin më të madh të votave në Itali, në zgjedhjet e mbajtura më 4 mars. Por, shumë kohë para kësaj, këta trendë ishin vërejtur në SHBA dhe Britani. 

Fjalimet e politikanëve

Në vitin 2016, përdorimi jo i mençur nga Hillary Clinton i fjalës “të mjerët” – në një fjalim të kampanjës para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, ku ajo humbi, për të përshkruar “gjysmën” e mbështetësve të Donald Trumpit, mbetet emblema klasike e përçmimit të supozuar për konservatorët e shtresave të ulëta, nga progresivët e klasave më të larta. Kjo mund t’i ketë marrë asaj më shumë vota, sesa lajmet e rreme ruse.

Në vitin 2014, me pasoja më të vogla, por me rëndësi të ngjashme, një politikane tjetër e së majtës, Emily Thornberry, ua dërgoi mbështetësve të saj një foto, të një shtëpie të vogël me tarracë, të mbuluar nga flamujt anglezë, me një ‘kombi’ të bardhë, të parkuar para asaj shtëpie. Kjo foto shoqërohej me sqarimin: “Pamje nga #Rochester” – një qytet historik rreth 30 milje larg Londrës, ku Thornberry bënte kampanjë për Partinë Laburiste. Në Britani, kjo ishte kuptuar si vetëkënaqësi e një snobi, që përkrahte stereotipat rreth pronarëve të ‘kombive’ të bardhë dhe se flamuri anglez lidhet me grupet ekstreme të djathta. Asaj i ishte dashur që, përkohësisht, të hiqte dorë nga kabineti nën hije i laburistëve.

Këto dy ngjarje ofrojnë mësime të mëdha, sidomos rasti i Clintonit. Fjalimi i saj ishte mbajtur në një mbrëmje LGBT, të organizuar për të mbledhur para për kampanjën e saj. Në atë fjalim, Clinton tha fjalë miradije për komunitetin homoseksual dhe transgjinor dhe përshkroi mbështetësit e Trumpit si racistë dhe homofobë. Duke bërë këtë, si dhe duke vendosur me miliona amerikanë në ‘shportën e të mjerëve’, ajo vetëm sa iu dha ‘municion’ atyre që e shihnin atë dhe Partinë demokratike, si preferuese të pakicave në dëm të klasës së mesme dhe punëtore të të bardhëve.

Fyerjet e politikanëve

 

Thornberry ishte parë si shpërfillës ndaj klasës patriotike punëtore thjesht për shkak të postimit të një fotografie dhe identifikimit të vendndodhjes së saj, duke krijuar perceptimin se një patriotizëm i tillë entuziast është shenjë e shovinizmit dhe inteligjencës së ulët. 

Është kjo fyerje, e dedikuar ndaj snobizmit ‘progresiv’, që i jep fuqi pjesës më të madhe të revoltës kundër të së majtës. Fyerjet e ngjashme, në të cilat edukimi, qasja ndaj vendeve të punës, theksi, veshja, bile edhe dieta, që të gjitha janë të përfshira, paraqiten në politikat e vendeve demokratike dhe marrin një rëndësi shumë më të madhe sesa çështjet thjesht ekonomike, të cilat prekin ata me të ardhura të vogla, apo edhe të papunët. 

E majta – liberalët, socialdemokratët, socialistët – lindi në shekullin XIX, me premtim të sjelljes së emancipimit ekonomik të punëtorëve. Tani, ajo është duke u refuzuar nga miliona punëtorë si tepër e dhënë pas të privilegjuarve, ku përpjekjet e tyre ‘për të kuptuar dhe pasur mëshirë’, shkaktojnë neveri dhe përkatësia e majtë e së cilës duket se përdoret si marker të pretendimit të tyre për superioritet moral.

Perceptimi se e majta mund të funksionojë si shenjë e ekskluzivitetit fisnik, në vend si përkushtim ndaj ndonjë kauze, shpesh është i drejtë. Por, tragjedia e refuzimit të një majtizmi që nuk është në kontakt me realitetin, është se refuzuesit përqafojnë diçka edhe më të keqe. Miqtë parazgjedhorë të votuesve me të ardhura të ulëta, shumë shpejt bëhen armiq paszgjedhorë.

Ja një shembull tipik: Projektligji tatimor i Donald Trumpit, i nënshkruar në ligj para se ai të shkonte në pushim të Kërshëndellave në pronën e tij në Mar-a-Lago, do të jetë i dobishëm sidomos për amerikanët me të ardhurat më të larta, derisa shumë më pak për 95% të tjerë.

Zgjedhjet në Itali

Në Britani, ata që votuan për dalje nga BE-ja, kishin të drejtë në perceptimin e tyre se sovraniteti duhet në mënyrë të qartë të gjendet te qeveritë nacionale, një pikëpamje që nuk është, sikur që mendojnë kundërshtarët e Brexitit, rezultat i racizmit, por i një dëshire për ta forcuar sundimin e demokracisë. Megjithatë, tani derisa janë duke u zhvilluar negociatat, është duke u bërë gjithnjë e më e qartë se çmimi ekonomik i Brexitit do të jetë i lartë dhe se humbës do të jenë shumë prej mbështetësve të tij.

Këtë javë në Itali, partitë populiste të cilat përfshinin Lëvizjen  Yje dhe Ligën (Ligën Veriore) morën më shumë se 50% të votave. Mbështetësit e tyre, sidomos të rinjtë në mesin e tyre, nuk pëlqejnë mbështetjen e zjarrtë të së majtës ndaj BE-së, duke e parë atë si elitë institucionesh, që nuk bëri asgjë për ta ndihmuar Italinë që të ballafaqohej me valët e imigrantëve. Sidomos në jugun e varfër, votuesve iu dukën populistët më të mirë edhe për shkak se ata nuk i takonin establishmentit të majtë, të cilin votuesit e kishin cilësuar si jo efektiv dhe të pakujdesshëm.

Liberalët dhe të majtët që kanë qeverisur, janë refuzuar me vendosmëri në SHBA, Britani, Francë, Gjermani e, tani edhe në Itali. E majta më ekstreme, e cila nuk ka qeverisur – Partia laburiste e Jeremy Corbynit dhe socialistët, sikur kandidati presidencial Bernie Sanders, të cilët vazhdojnë që të sulmojnë fitimet e mëdha të korporatave kryesore t Amerikës, nuk janë të pëlqyer nga votuesit. Njerëzit janë të mashtruar nga ajo që nuk e kanë pasur, derisa janë të zhgënjyer me atë që kanë. Megjithatë, as populistët, e as e majta ekstreme nuk kanë dhënë dëshmi se kuptojnë, apo mund të qeverisin në një botë aq të dhënë pas globalizimit, sikur që është bota jonë. Derisa një liberalizëm i fortë, pa shtirje, të lidhet me diturinë dhe përvojën e njerëzve punues, populistët do të mbesin... të popullarizuar.

 

(Përpos për “Reuters”, John Lloyd shkruan edhe për “Financial Times”)

(Kosova Sot)