Trump do të takohet me Kim Jong Unin

Trump do të takohet me Kim Jong Unin
  • 22 March 2018 - 09:38

Presidenti amerikan pranoi ofertën e koreanoveriorit 

A do t’i mbesin Kim-it dy zgjidhje, ose atë që thotë Trump, ose katastrofa?

Shkruan: Hugh Hewitt

Të enjten u bë me dije se presidenti Trump ka pranuar një ofertë që të takohet me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong Un. A do ta kemi një Munih 2.0, ku njeriu i keq (i ligë) me ambicie të këqija do ta mashtrojë botën? Apo do të kemi një “Munih të anasjelltë”, ku Trump, në mënyrën e tij origjinale, do të shpjegojë Kimit se  i mbesin dy zgjidhje, ose atë që thotë Trump, ose katastrofa? Pa marrë parasysh se cila do të jetë qasja e Trumpit, ai mund të mësojë nga paraardhësit e tij në Zyrën Ovale.

Ultimatumi i denuklearizimit

Derisa bota gumëzhinte në reagim të këtij lajmi, unë iu bashkova ish -prokurorit të përgjithshëm Edwin Meese III, para disa qindra njerëzve, të tubuar me rastin e darkës vjetore “Miqtë e Ronald Reagan-it” në Klubin “California”, në Los Anxheles, aty ku Reagan kishte zakon të mblidhej me ‘kabinetin e kuzhinës’, për ta përgatitur administratën, e cila do ta ndryshonte botën. Meese ishte pjesë e atij tranzicioni dhe mbeti në anën e Reagan’it për tetë vjet.

Meqë lajmi rreth ftesës nga Koreja Veriore dhe rreth pranimit të Trumpit erdhi vetëm pak orë para bisedës tonë, unë e pyeta Meese-in rreth samitit të Reikjavikut midis Reaganit dhe liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev, në tetor të vitit 1986. Ekziston një fotografi e famshme ku shihet Reagani i mërrolur dhe sekretari i shtetit, George P. Shultz, duke u larguar nga ai që, ato momente, dukej si një takim i dështuar. Meese rikujton sesi Gorbachev bëri oferta të gjera, por me mjeshtëri, kërkesën e tij të madhe e kishte lënë për ditën e fundit: Të gjitha zvogëlimet në arsenalet bërthamore do të realizoheshin vetëm nëse Reagan do të hiqte dorë nga Iniciativa e tij e mbrojtjes strategjike.

Meese thotë se Reagan e dinte se, një gjë e tillë kurrë nuk do të ndodhte. Kur Gorbachev bëri një kërkesë të papranueshme, çdo gjë mbaroi. Pati shumë reagime jashtë Shtëpisë së Bardhë, por qëndrimi i Reaganit u përligj, derisa BRSS-ja shqiti me të shpejtë drejt shpërbërjes. Kur flitet për samitet, rëndësi ka vendosmëria. Nëse Kim merr një dozë të asaj që deri më tani nuk e ka provuar kurrë – një ultimatum të denuklearizimit, apo shkatërrimit – kjo mund të funksionojë.

Samit i preferuar

Një këshillë e ngjashme vjen edhe nga Richard M. Nixon, i cili me gjasë pati njërin prej samiteve më të suksesshme në historinë moderne të SHBA-së, kur u takua me Mao Zedongun dhe “e hapi” Kinën. Në librin e tij të botuar në vitin 1980 me titull “The Real War”, Nixon ia kushtoi një kapitull lidershipit presidencial, duke përfshirë edhe samitet. Ja edhe këshilla e tij kryesore:

“Një president duhet të shkojë në një samit vetëm nëse ajo që mund të fitohet përligjë rreziqet dhe, nëse takimi planifikohet më parë hollësisht. Asnjë president amerikan nuk duhet të marrë pjesë në samit me ndonjë kundërshtar, pa e ditur se çka gjendet ‘në anën tjetër të malit’”.

I tëri ky kapitull, i shkruar 37 vjet më parë, por aktual sikur të ishte shkruar dje, duhet të qarkullojë në Shtëpinë e Bardhë, nga ku na mbetet që të shpresojmë se nuk do të largohet këshilltari i sigurisë kombëtare, H.R. McMaster dhe, ndoshta, aty do të shkojë edhe ish- ambasadori John R. Bolton, si udhëheqës i një grupi special të punës.

Në librin “The Real War”, Nixon shkroi edhe se “sikur të mund t’i shkruaja dhjetë rregulla në muret e Zyrës Ovale, dedikuar atyre që do të vijnë pas meje, për t’i respektuar gjatë viteve të ardhshme, atëherë rregulli i parë do të ishte – gjithmonë të jenë të gatshëm për të negociuar, por kurrë të mos negociojnë pa qenë të përgatitur”. Nëse presidenti shkon me një mesazh – një denuklearizim të plotë dhe të verifikueshëm – dhe i përmbahet atij, atëherë detajet e implementimit mund të caktohen më vonë. Por, edhe nëse do të kemi një “Munih të anasjelltë”, apo një Reikjavik në Paqësor, ky samit do të jetë më i preferuar sesa vetëm mundësia e rritjes së prestigjit të njërit prej njerëzve më të këqij në botë.

(Kosova Sot)