"Gjenocidi"serb mbi Gazetën "Kosova Sot"

  • 23 March 2018 - 09:01

Me rastin e 24 Marsit të vitit 1999, kur barbaria kriminale serbe dogji dhe rrënoi Gazetën gjithëkombëtare "Kosova Sot"

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPIT

Kudo në botën e qytetëruar demokracia dhe shteti i nderon dhe u është mirënjohës individëve dhe atyre të cilët kontribuojnë më shumë për kombin, për shtetin dhe për interesin publik dhe kombëtar; kudo kompensohen ata të cilët kanë pësuar dhe vuajtur prej padrejtësive të së shkuarës

P resionet, kërcënimet, gjobëvëniet , terrori dhe djegia, shkatërrimi dhe rrënimi barabar që kreu regjimi kriminal serb mbi Gazetën gjithëkombëtare " Kosova Sot" është një gjenocid mediatik i ushtruar nga një regjim tipik gjenocidist siç ishte regjimi i Milosheviqit. Ky veprim i tillë filloi gradualisht së pari nga gjobëvënia që regjimi serb me anë të shefit të propagandës së atij regjimi, Aleksandër Vuçiq, sot president i Serbisë, gjobë me vlerë prej 300 mijë markash për aktivitetin patriotik e kombëtar në mbështetje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe të Luftës heroike të UÇK-së, gjë që ishte një veprimtari tejet e guximshme në atë kohë krimi e terrori shtetëror e policor të pashembullt; pastaj vazhdoi dhuna dhe terrori për ndalimin e botimit të kësaj gazete si dhe ndalimi dhe konfiskimi i gazetave duke penguar shpërndarjen e saj. Por nuk u mjaftua me kaq regjimi gjenocidist serb, por më 24 Mars 1999 dy orë pas fillimeve të bombardimeve të NATO-s, Gazeta më e madhe patriotiko-kombëtare "Kosova Sot " e dogj dhe u shkatërrua barbarisht. 

Pse ndodhi pikërisht ky barbarizëm dhe pse pikërisht po atë ditë?!

Kjo ndodhi, sepse regjimi gjenocidist i Milosheviqit "me të drejtë" kishte konstatuar atë se veprimtaria mediatike e Gazetës "Kosova Sot" regjimi serb e identifikonte me misionin historik Çlirimtar të NATO-s për lirinë dhe për Pavarësinë e Kosovës si dhe me Luftën e UÇK-së. Dhe Serbia, regjimi i saj, në pamundësi për t'u hakmarrë dhe për t'u përballur me NATO-n u hakmor duke e djegur dhe rrënuar aleaten e NATO-s , që ishte Gazeta "Kosova Sot" në shërbim të Çështjes kombëtare shqiptare dhe të misionit të NATO-s. Nuk e di dhe nuk jam i informuar për atë se Shteti i Kosovës a ka kërkuar akoma nga Serbia dëmshpërblimin për krimet dhe për dëmet e luftës që ajo i ka shkaktuar Kosovës dhe popullit të saj ku duhej të përfshihej edhe dëmi i madh prej rreth 5 milionë eurosh për Gazetën "Kosova Sot". Por është shumë e habitshme se si ka mundësi që Gjykata në Kosovë "orienton" dhe merr vendim që Gazeta "Kosova Sot" ta padisë Serbinë në Beograd dhe në Serbi,në një kohë kur krimin dhe shkatërrimin Serbia e ka kryer në Kosovë dhe jo në Serbi. 

Neglizhenca si një hakmarrje e gjyqësorit në Kosovë ndaj Gazetës "Kosova Sot"

Nuk e di se çfarë logjike dhe se çfarë kupton drejtësia në Kosovë me faktin se Kosova sot është shtet i Pavarur, apo mos vallë logjika dhe mendësia e gjyqë- sorit sot në Kosovë orientohet akoma nga Beogradi, prej ku merr ndoshta akoma instruktime dhe paravendimmarrjet e saj. A mos është kjo neglizhence edhe si një hakmarrje e gjyqësorit në Kosovë ndaj Gazetës më të madhe shqiptare të lirë dhe të pavarur pse ajo vazhdon dhe kryen akoma dhe në vijimësi misionin historikokombëtar , demokratiko-ligjor dhe opozitar duke nxjerrë në shesh të gjitha të palarat dhe korrupsionin e cilido pushteti qe alternohet dhe vjen në qeverisje, dhe sidomos të sistemit të drejtësisë në Kosovë! Kudo në botën e qytetëruar demokracia dhe shteti i nderon dhe u është mirënjohës individëve dhe atyre të cilët kontribuojnë më shumë për kombin, për shtetin dhe për interesin publik dhe kombëtar; kudo kompensohen ata të cilët kanë pësuar dhe vuajtur prej padrejtësive të së shkuarës, por ajo e cila ndodh akoma te të dy shtetet shqiptare është fakti se e pësojnë , vuajnë dhe "ndëshkohen" më së shumti prej politikës dhe prej padrejtësive të saj dhe të drejtësisë pikërisht ata të cilët duhet të respektohen, të nderohen dhe të përkrahen më shumë për kontributet, për përkushtimin dhe për meritat që kanë treguar dhe për sakrificat që ata kanë dhënë në shërbim të atdheut dhe të kombit, dhe një gjë e tillë vërehet dhe konstatohet se ndodh edhe me Gazetën më të madhe, më të dashur, më të lexuar dhe me të vetmen gazetë të lirë dhe të pavarur "Kosova Sot", pronarit dhe stafit të saj.

MENDËSIA E GJYQËSORIT SOT NË KOSOVË ORIENTOHET AKOMA NGA BEOGRADI

(Kosova Sot)