Ku gabuan kritikët e Samitit të Koresë Veriore

Ku gabuan kritikët e Samitit të Koresë Veriore
  • 24 March 2018 - 11:29

Amerika ka negociuar, madje ka mbështetur edhe më parë diktatorët e këqij

Shkruan: PETER VAN BUREN

Donald Trump në mënyrë të papritur u pajtua të jetë presidenti i parë aktual amerikan që do të takohet me liderin e Koresë Veriore. Reagimet kanë qenë nga optimizmi i matur, deri te vërejtjet rreth mungesës së përvojës së administratës së Trump-it dhe te kritikat e hapëta. Njëra ndër kritikat është se Trump do ta "legjitimojë" Korenë veriore. Megjithatë, Uashingtoni tanimë njeh Korenë veriore si shtet të pavarur. SHBA-ja ka negociuar me Penjanin tash e gati shtatë dekada, që nga negociatat rreth Zonës së demilitarizuar, e deri te takimet midis diplomatëve në vendet e treta dhe në OKB dhe vizita në Penjan të sekretarit amerikan të shtetit në vitin 2000 dhe vizitave kuazidiplomatike nga, atëherë presidentët, Bill Clinton dhe Jimmy Carter. Në ndërkohë, familja Kim, me bartjen e pushtetit nga gjyshi te djali, e më pas te nipi, e ka sunduar këtë vend që nga fillimi, duke mbijetuar luftëra, sanksione, uri, fatkeqësi natyrore dhe rënien e patronit të saj, BRSS. Kim adhurohet nga populli i tij sikur të ishte zot. Amerika ka negociuar, madje ka mbështetur edhe më parë diktatorët e këqij. Koreja e Veriut tashmë është një fuqi bërthamore, pa marrë parasysh a i pëlqen kjo ndokujt, apo jo. Kriteret për "legjitimitet" duket se janë arritur kaherë, me ose pa Trump-in.

Trump tashmë hoqi dorë nga çmimi i madh

Departamenti i Shtetit është shkatërruar, thonë disa. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ambasador në Korenë e Jugut. Përfaqësuesi Special për Politikën e Koresë së Veriut sapo u tërhoq. Por është e pandershme të thuhet se askush nuk ka mbetur për të negociuar me Penianin, thjesht sepse emrat e tyre nuk janë të njohur për gazetarët. Marc Knapper, ngarkuesi i tanishëm i punëve të jashtme në Ambasadën e SHBA në Seul, ka më shumë se 20 vjet eksperiencë në Kore, përfshirë postin e zëvendësshefit të misionit në Seul. Ai ka qenë në Korenë e Veriut shumë herë dhe besohet nga Koreja e Jugut. Ministri i tij i Këshillit për Çështjet Politike, Edwin Sagurton, gjithashtu ka kaluar vite në gadishull dhe ka punuar në Veri. Një zyrtar i tretë i lartë amerikan, Busan Consul Dae B. Kim, ka lindur në Seul dhe ka punuar për çështje koreane për rreth 20 vjet. Ai shërbeu së bashku me Madeleine Albright gjatë vizitës së saj në Penian. Të tre diplomatët flasin gjuhën koreane. Në Uashington, dalja në pension e Përfaqësuesit Special Joe Yun është një humbje, por duke vepruar në cilësinë e tij është zëvendësi i tij Mark Lambert. Lambert gjithashtu ka njohuri të rëndësishme rreth Koresë, duke përfshirë bisedimet me Veriun si i dërguar i posaçëm për bisedimet gjashtëpalëshe mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut. Ka dekada të ngjashme të ekspertizës koreane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Agjencinë Qendrore të Inteligjencës, në ushtri, si dhe midis diplomatëve të Koresë së Jugut, për të mbështetur përpjekjet e Trumpit. Cila është përgatitja e tyre? Këta burra dhe gra kanë kaluar gjithë karrierën e tyre duke u përgatitur. Një tjetër kritikë: Është e gabuar të fillohet me një samit; Trump tashmë hoqi dorë nga çmimi i madh. Ky argument ishte i vjetër kur u përdor për të kritikuar Richard Nixonin për vizitën e "hapjes" së Kinës në vitin 1972. Në rastin e Koresë së Veriut, ideja për mbajtjen e bisedimeve të nivelit të ulët që do të çonte deri te një takim triumfues midis Trumpit dhe Kimit, nuk është ide e mirë. Është Kim ai që përcakton drejtimin për marrëdhëniet e jashtme të Koresë së Veriut dhe është e rëndësishme që ai të sinjalizojë këtë proces të ecë përpara me miratimin e tij të plotë. Nuk ka gjasa që funksionarët e nivelit të ulët të Koresë së Veriut të lejohen të kërkojnë fitore të vogla në emër të Kimit, pa u treguar qartë udhëheqja e tij ceremoniale. Presidentët e mëparshëm të SHBA-së kanë mbajtur një samit në pritje të progresit, duke rezultuar që asnjë përparim i vërtetë nuk ka ndodhur nga administratat e njëpasnjëshme. Koreja e Veriut është një sistem nga lartposhtë (disa thonë të njëjtën gjë për Uashingtonin e Trump-it) dhe duhet të trajtohet si e tillë. Arsyeja tjetër për të filluar me një samit, është se kemi fare pak lidhje të diplomacisë ekzistuese midis Uashingtonit dhe Koresë së Veriut, kontakte të rëndë- sishme të nivelit të mesëm dhe marrëdhënie që mund ta zbusin logjistikën. Të dyja palët mund të përdorin gjithashtu optikën e një samiti për të fuqizuar diplomatë sikur që është sekretari i Shtetit i SHBA-së, Rex Tillerson, shpesh i sulmuar. 

Negociatat nuk janë gjithmonë një dhënie dhe marrje

Një kritikë përfundimtare është se koreano-veriorët nuk janë seriozë rreth negociatave. Megjithatë, Veriu dërgoi një sinjal të qartë të seriozitetit të saj duke dërguar motrën e Kimit, Kim Yo Jong - një shenjë e miratimit nga Kim - dhe Kim Yong Namin 90-vjeçare - një shenjë e miratimit të rrethit të brendshëm - për të marrë pjesë në Olimpiadën Dimërore të muajit të kaluar në Korenë e Jugut. Kim Yong Nam i ka shërbyer të tre sunduesve të Koresë së Veriut, ishte ministër i punëve të jashtme dhe si veteran i luftës së viteve 1950 ka besueshmëri me ushtrinë. Shtetet e Bashkuara e kanë ruajtur me kujdes nga çdo listë e sanksioneve, me sa duket, sepse ai nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimin nuklear. Ai është i lirë të udhëtojë për në Uashington. Ai do të jetë një lojtar kyç që shkon përpara. Pra, çfarë do të ndodhë më pas? Së pari, do të duhet kohë dhe besim me Kim Jongun, dhe ndoshta edhe me Trump-in. Do të duhet të ketë balancë të hapave përpara me gjeste luftarake të drejtuara në një audiencë të kufizuar, por të rëndësishme, të brendshme. Pra, ka të ngjarë të ketë postime (tweet) dhe pengesa. Nëse të dy liderët takohen, atëherë mund të presim që të fillojnë të ndodhin gjëra të thjeshta, si shkëmbime sportive dhe akademike, kthimi i një ose më shumë prej tre amerikanëve në burg në Korenë e Veriut, një ftesë për të kërkuar mbetjet e ndonjë amerikani ose koreani jugor të vrarë në veri të Paralelit 38 në Luftën e Koresë. Peniani mund të zgjasë moratoriumin e vetë- imponuar në testimet nukleare, ndërsa Uashingtoni pajtohet me ndryshime të kufizuara në ushtrimet ushtarake të planifikuara. Fitimet e tilla në shkallë të vogël krijojnë besim. Kjo mund të çojë në llojin e negociatave të stilit të Luftës së Ftohtë që eventualisht pa që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik tërheqin klasat e armëve jashtë shërbimit për të rrëzuar tensionet. Është marrëzi dhe johistorike të imagjinohet se vetëm samiti Trump-Kim do të çojë diku afër vetë denuklearizimit. Uashingtoni duhet të vazhdojë të lejojë që Koreja e Jugut të udhëheqë, siç kanë lejuar që Kim të udhëheqë me ofertën për t'u takuar. Shtëpia e Bardhë ishte taktikisht e aftë të lejonte shpalljen e pranimit të Trump-it për negociata nga zyrtarët e Koresë së Jugut. Paqja përfundimtare do të bëhet midis Koreve, të cilat, në fund të fundit, janë më të interesuarat për këtë. Krerët në të dy anët përfshijnë të mbijetuarit e Luftës së Koresë. Ata mbajnë lidhje të forta emocionale në bazë të sensit Korean të 'wuli'-t, ne kundrejt tyre, ku me "ne" duke qenë populli korean në tërësi. Ata po përballen me vdekshmërinë e tyre, dhe janë të vetëdijshëm për trashëgiminë e tyre. Ky është shansi i brezit të tyre tani për të fituar ose humbur. Negociatat nuk janë gjithmonë një dhënie dhe marrje, dhe kjo nuk është një shenjë e dobësisë, por e forcës dhe aftësive. Suksesi në Gadishullin Korean, si në Luftën e Ftohtë, do të matet me mungesën e vazhdueshme të luftës dhe lufta e vazhdueshme e kuptimit është gjithnjë e më pak e mundshme. Ata që kritikojnë planet e Trumpit për t'u takuar me Kim, dhe të cilët do të gjejnë shkase për ta kritikuar çdo progres të arritur, duhet ta dinë se diplomacia, alternativa ndaj luftës, nënkupton biznesin e rrëmujshëm të takimit me kundërshtarët tuaj, duke mos i injoruar ata