"Njohje" me hipokrizi e Betejës së Koshares nga "krahu i luftës"!

  • 12 April 2018 - 08:06

Sikurse Hashim Thaçi, fjalët që i tha në Koshare për Serbinë, t'ia thoshte Vuçiqit në bisedimet e Brukselit, vërtet do t'i bënte qytetarët e vendit të ndjeheshin krenarë me presidentin e tyre. Mirëpo, "trimëria" e Thaçit nuk shkoi larg, përfundoi në ahengun e parapërcaktuar në agjendën e tij tek "XENI IMPERIAL" në Gjakovë, duke ngrënë mish viçi dhe duke pirë verë të kuqe me eskortën e zgjeruar qeveritare

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Nën heshtjen e varreve të dëshmorëve dhe bekimin e të gjallëve të vdekur, në Koshare u përkujtua 9 prilli i vitit 1999, dita e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar. Në 19- vjetorin e thyerjes së kufirit në Koshare, u thye përfundimisht LDK-ja nën bekimin e pseudoveteranëve dhe gjeneralëve të (turpëruar) graduar nga pushtetarët aktualë! Për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe përvjetori i Betejës së Koshares u shënua pak më ndryshe se herëve të tjera. Skenari dhe organizimi nën patronazhin e pushtetarëve të "krahut të luftës" dhe pa prezencën e "institucionalistëve", preku thellë ndjenjat e familjarëve të dëshmorëve. Fjalimet e liderëve shtetërorë me patriotizëm folklorik plot hipokrizi dhe shfrytëzimi i kësaj ngjarje historike për deklarata politike për konsum të brendshëm politik, s'ishin gjë tjetër, veçse një lloj maskarade mashtruese e radhës për qytetarët pas faljes së 8230 hektarëve tokë Malit të Zi. Madje, presidenti Thaçi ka dhënë deklaratë bombastike në Koshare, duke thënë se "kërcënimeve të Serbisë, Kosova do t'u përgjigjet me pushkë, siç ka bërë para dy dekadave". Kjo deklaratë e Thaçit, sa e papërgjegjshme, është po aq e papjekur politikisht. Përveçse nuk paraqet asnjë lloj kërcënimi për Serbinë, e ndihmon atë në ushtrimin e invazionit politik ndaj Kosovës. Kjo deklaratë e pambulesë dhe plot hipokrizi e presidentit Thaçi, për qëllim ka shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit kosovar në prag të themelimit të Asociacionit të komunave serbe në veri me kompetenca të zgjeruara, e cila në fakt e shpërfaqë keq institucionin e presidentit të shtetit pa ushtri, i cili më tepër ngjason në një kryetar të shoqatës së gjuetarëve se sa të një presidenti të një shteti sovran dhe të pavarur. Sikurse Hashim Thaçi, fjalët që i tha në Koshare për Serbinë, t'ia thoshte Vuçiqit në bisedimet e Brukselit, vërtet do t'i bënte qytetarët e vendit të ndjeheshin krenarë me presidentin e tyre. Mirëpo, "trimëria" e Thaçit nuk shkoi larg, përfundoi në ahengun e parapërcaktuar në agjendën e tij tek "XENI IMPERIAL" në Gjakovë, duke ngrënë mish viçi dhe duke pirë verë të kuqe me eskortën e zgjeruar qeveritare. Megjithatë, e menjëhershme ishte përgjigjja e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq drejtuar Thaçit; "Serbinë nuk e mposhtën armët, por aeroplanët". 

Mjerimi dhe rënia e LDK-së

Mirëpo, përtej kësaj u shpërfaq mjerimi dhe rënia e LDK-së, përkatësisht lidershipit të saj para atyre që deri dje e injoruan Betejën e Koshares, betejën më të lavdishme të luftës çlirimtare, bashkë me këtë edhe dëshmorët e saj. Skenaristëve të kësaj maskarade mashtruese dhe aktorëve të këtij SHOW spektakli është dashur t'u ndalohet pjesë- marrja në këtë manifestim, e assesi t'u lejohet të llomotitin si gramafona të prishur dhe të derdhin lot krokodili për të rënët e kësaj beteje të lavdishme! Ngase, kjo përbën ofendimin më të rëndë para varreve të dëshmorëve të lirisë, të cilin ata nuk mund ta ndëshkojnë, sikurse që nuk munden t'i ndëshkojnë bashkëluftëtarët e tyre, të nënshtruar përpara pushtetarëve të korruptuar për interesa personale dhe privilegje pushtetore. Kjo nuk ishte hera e parë dhe as që do të jetë e fundit që Hashim Thaçi bën SHOW me LDK-në e katandisur nga vlerat rugoviane. Nga manifestimi i fundit në Koshare u befasova nga numri i madh i injorantëve, të cilët nuk arritën ta kuptojnë lojën e dyfishtë dhe mashtrimet e Hashim Thaçit, saqë e kanë të vështirë të ndajnë gënjeshtrat nga realiteti i hidhur! Është pak më tepër se mjerim për LDK-në, t'ua marrin në dorë primatin e organizimit të kësaj ngjarjeje të lavdishme, ata që vetëm për së vdekuri mundën t'u dalin përballë trimave që thyen kufirin shqiptaroshqiptar, gjaku i të cilëve u bë dritë për lirinë e Kosovës

I harruan për 19 vjet, tentuan t'i mashtrojnë për një ditë të vetme

Paturpësisht, krerët e shtetit shkuan në Koshare kinse për të shprehur respektin për të rënët në Betejën e Koshares, por që mendjen e kishin diku tjetër, e kishin të mishi që po piqej enkas për ta në Gjakovë, të rakia, vera e kuqe e rrushit të Rahovecit apo birrat e Pejës gjysmë të ngrira në tavolinat e restorantit super luksoz "XENI IMPERIAL", me pronarë këngë- tarin Shkelzen Jetishi. Duhet qenë tepër gjakftohtë, pa ndjenja njerëzore dhe i pashpirt, që pas përkujtimit të një plage kombëtare të përfundosh një aheng me mish, raki e dajre në një restorant super luksoz. Kjo, përveç imoralitetit, e dëshmon se këta kusarë politikë nuk e kanë as një fije respekti për të vdekurit dhe akoma më pak për të gjallët, për nënat, baballarët, vëllezërit dhe motrat, gratë e veja dhe fëmijët jetim të dëshmorëve të Betejës së Koshares. Nuk patën dje respekt, nuk kanë sot dhe nuk do të kenë as nesër! Këta kusarë të pangopshëm politikë, sikur të kishin pasur vetëm pak ndërgjegje dhe respekt për dëshmorët e Betejës së Koshares, së paku një herë për këto 19 vjet do duhej të kishin vizituar familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të kësaj beteje të lavdishme të luftës çlirimtare

Ahengu i shpëlarjes së parave të pista

Pas SHOW-Spektaklit kinse në përkujtim të Betejës së Koshares: presidenti, kryeministri, ministra, zëvendësministra, deputetë, zyrtarë të institucioneve e të partive politike të Kosovës, u bënë bashkë në drekë, në restorantin "XENI IMPERIAL" në Gjakovë. Pronari i restorantit, përveç mishit të pjekur dhe pijeve alkoolike, gjatë tërë kohës u përkujdes për "mysafirët" që t'i argëtojë me këndim "LIVE pa pagesë"! Si zakonisht, koston e drekës në restorantin e Xenit do ta paguajnë qytetarët e vendit, ndërsa për çmimin e drekës duhet pyetur pronarin e restorantit Shkelzen Jetishin, i njohur si "XENI", i panjohur deri më tani nga qytetarët si shpëlarës i parave të pista të pushtetarëve! Kjo, në fakt ishte "njohje" me hipokrizi e Betejës së Koshares nga pushtetarët e "krahut të luftës". Vlen për të theksuar se pushtetarët, skenarin e shfaqjes së 9 prillit e përgatiten në Prishtinë, të cilin e realizuan në dy akte; akti i parë në Koshare, ndërsa akti i dytë në Gjakovë, në restorantin superluksoz "XENI IMPERIAL" të Shkelzen Jetishit. Edhe pse kjo ishte një ngjarje përkujtimore e jo mortore, këtë shkrim do e përfundoj në një thënie të Prof. Zekeria Canës, pak ditë para largimit nga kjo botë, po citoj; "Në dhimbje të vjen miku, në gëzime të njohurit, kurse në vdekjen tënde edhe armiqtë. I vetmi ofendim, të cilin nuk mund ta ndëshkosh është fjalimi para varrit tënd"! Në rastin konkret, në 9 prillin e vitit 2018, dëshmorët e Koshares përjetuan ofendimin më të rëndë pas shkuarjes në amshim nga fjalimet plot hipokrizi të liderëve shtetërorë, vulën e së cilës hipokrizi e dhanë në ahengun e dalldisur në restorantin "XENI IMPERIAL" në Gjakovë. Që kjo të mos përsëritet më, u mbetet familjarëve të dëshmorëve që të jenë të kujdesshëm në parandalimin e maskaradave të tilla, në të kundërtën do të bien përsëri pre e mashtrimeve dhe abuzimeve të figurave politike, këtyre shkelësve të gjakut të dëshmorëve dhe rrënuesve në themel të shtetit të Kosovës.

HASHIM THAÇI BËN SHOW ME LDK-NË E KATANDISUR NGA VLERAT RUGOVIANE