Shtimi natyror i popullsisë së Kosovës ka rënë më se dyfish

Shtimi natyror i popullsisë së Kosovës ka rënë më se dyfish
  • 14 April 2018 - 10:12

Atë që nuk mundi ta bënte politika raciste serbe kundër natalitetit tonë, po e bëjmë na vetë, me politikën tonë, të shtirë si modernë, me planifikim të familjes, me martesa të vonuara, me lindje sa më pak fëmijë, me pushim 9-mujor për lehonat, me mosstimulim materialfinanciar për fëmijët e lindur, pa shtesa fëmijërore, pa sigurim shëndetësor

SHKRUAN: ADIL FETAHU

Rënie e madhe e numrit të lindjes së fëmijëve, rrjedhimisht edhe rënia e shtimit natyror të popullsisë, është shënuar edhe në Kosovë. Në harkun kohor prej 15 vjetësh (2002-2016), shtimi natyror i popullsisë së Kosovës ka rënë më se dyfish. Derisa në vitin 2002 shtimi ishte me 30482 fëmijë, në vitin 2016 ky shtim ka rënë në 14921. Shkaqet e kësaj rënie të madhe të shtimit natyror të popullsisë janë pothuajse të njëjta sikur ato në Shqipëri, dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, por përafërsisht të njëjta janë edhe në gjithë rajonin: emigrimi i të rinjve, martesat e vonshme, më pak lindje për shkak të punësimit të femrave dhe ambicieve të tyre për karrierë, hedonizëm e jetë më komode, mungesa e kushteve dhe kujdesit social për fëmijët, etj. Planifikimi i familjes është një relikt i socializmit, që ka kuptimin për Kinën e stërpopulluar, por jo për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilave po iu pakësohet popullsia me të shpejtë. Këtë relikt, të planifikimit të popullsisë e zbatonte Serbia në Kosovë, për të zvogëluar natalitetin, ashtu që edhe shtesat fëmijërore nuk ua paguante për fëmijën e katërt e tutje. Dhe kjo ishte një masë raciste, ndërsa gratë shqiptare i quanin "makina për lindjen e fëmijëve", që thoshin se po bëhet me qëllim të rritjes së kombit dhe pushtimit të territoreve! Për inat të këtij racizmi serb, poeti boem, i ndjeri Mirko Gashi, botoi një poezi, me këto vargje: "Kur më lindi gëzimi i parë / E mbolla një lis/, Kur më lindi gëzimi i dytë/ e mbolla edhe një lis/, Kur më lindi gëzimi i tretë/ i stërmbushur me gëzim/ E mbolla edhe një lis/; Lis pas lisi e plis pas plisi/ Bëhet pylli e rritet fisi/, Do të vjen koha/ Edhe Adriatiku do të jetë i vogël për t'i larë pelenat e fëmijëve tanë/. Kështu poeti ynë i kundërvihej politikës raciste që Serbia zbatonte kundër natalitetit të shqiptarëve. 

Shteti po ndikon negativisht në politikën popullative Por, atë që nuk mundi ta bënte politika raciste serbe kundër natalitetit tonë, këtë po e bëjmë na vetë, me politikën tonë të shtirur si modernë, me planifikim të familjes, me martesa të vonuara, me lindje sa më pak fëmijë, me pushim 9 mujor për lehonat, me mosstimulim material-financiar për fëmijët e lindur, pa shtesa fëmijërore, pa sigurim shëndetësor; shteti po ndikon negativisht në politikën popullative dhe po shkakton rënien drastike të natalitetit. Ja si paraqitet tabela e ecurive demografike të Kosovës në periudhën 2002 - 2016: Nga të gjitha parametrat, rezultatet na dalin negative në raport më vitin fillestar krahasues. Kështu, në raport me vitin 2002, në vitin 2016, kemi 12720 lindje më pak; kemi 2841 vdekje më shumë; shtimi natyror i popullsisë është për 15561 veta më pak; janë 2006 kurorëzime më pak. Vetëm shkurorëzimet oscilojnë gati në vlera të njëjta

A po rrëshqasim në humnerë demografike me këto shifra? A duhet të qëndrojmë indiferent ndaj këtyre ecurive? Edhe prej ditës së sotme sikur të merren masa për ndaljen e këtij trendi, humbjet e deritashme nuk mund të kompensohen kurrë, ndërsa efektet e masave në këtë fushë nuk japin rezultate shpejtë. Nga rënia e natalitetit dhe procesi i migrimit të grupmoshave të reja, na shfaqet fenomeni i plakjes së popullsisë, me të cilin do të përballet Kosova, e papërgatitur me fondet pensionale, shëndetësore, sociale etj. Është karakteristikë me statistikën e nxënësve dhe studentëve të Kosovës, të regjistruar në arsimin publik dhe privat. Përkundër rënies aq të madhe të natalitetit, rënia e numrit të nxënësve të regjistruar është shënuar vetëm në shkollat fillore, dhe kjo pasqyron realitetin e rënies së natalitetit, ndërsa në shkolla të mesme dhe në arsimin universitar ka shënuar rritje. Kjo mund të shpjegohet me papunësinë e madhe që mbretëron në Kosovë, prandaj rinia duke mos pasur mundësi punësimi, po vazhdon arsimimin në shkolla të mesme dhe universitete publike e private, me shpresë se pasi t'i kryejnë ato, do të gjejnë punë, apo si njerëz të arsimuar do të gjejnë punë edhe në shtete të jashtme. Ja ecuritë statistikore, të numrit të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve në arsimin publik dhe privat, të regjistruar në vitet shkollore Trendi negativ i zhvillimeve demografike përcillet në të gjitha sferat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Të dhënat e regjistrimit të nxënësve në shkollat fillore kanë shënuar rënie për 70451 nxënës më pak në vitin shkollor 2016/2017, në krahasim me dhjetë vjet më parë (2007/2008). Në qoftë se marrim si numër mesatar 300 nxënës për një shkollë, po del se për 10 vjet kemi afro 234 shkolla më pak! Në arsimin universitar kemi shtim pesëfish të numrit të studentëve të regjistruar, dhe ky shtim është bërë në saje të hapjes së pakontrolluar të universiteteve publike dhe private në të gjitha qendrat e qyteteve, dhe në shumicën e qytezave të Kosovës, në të cilat nuk arrihet dije e nivelit të dëshiruar, sepse nuk kanë kushte objektive, kritere mësimore as personel pedagogjik të nevojshëm e të kualifikuar. MT: Serbinë po e godet "murtaja e bardhë" Sado brengosëse që janë zhvillimet demografike në Shqipëri, në Kosovë e në gjithë trojet shqiptare, megjithatë në krahasim me fqinjët tanë, akoma qëndrojmë ku e ku më mirë, sidomos në pikëpamje të grupmoshave të popullsisë më të re. Të gjithë fqinjët tanë qëndrojnë më keq, dhe janë alarmuar se i ka përfshirë "murtaja e bardhë". Në Serbi, qysh moti Akademia e Shkencave dhe Arteve, shkencëtarë të demografisë dhe Kisha Ortodokse Serbe janë alarmuar dhe i bëjnë thirrje popullit dhe shtetit, të ndërmarrin masa për të stimuluar lindjen e sa më shumë fëmijëve, sepse kombi po u rrezikohet, e bashkë me te edhe shteti dhe territori. Ata të gjitha ecuritë i vënë në konotacion politik e territorial, prandaj thonë se nëse vazhdon rënia e popullsisë me këtë trend, populli serb do të mbetet të jetojë nëpër enklava në shtetin e vet. Atje emigrimi i të rinjve, si proces nuk është i shprehur sikur te shqiptarët, prandaj shkaku kryesor i depopullimit në Serbi është rënia e natalitetit, martesat e vonshme, dhe një prej shkaqeve dhe fenomeneve më të theksuara dhe më të kritikuara nga kisha serbe, është numri enorm i madh i abortimeve (afro 300 mijë abortime në vit). Nga ana tjetër, janë më se 250 mijë "djem" të pamartuar deri në moshën 40 vjeçare. Prandaj, kisha dhe shteti u bëjnë apel: lindni sa më shumë fëmijë nga martesat e jashtë martesave. Janë 300 shkolla me vetëm nga një nxënës. Dhe ajo që është më brengosëse për Serbinë, është procesi i plakjes së popullsisë. Nga 7.186.862 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, mbi moshën 60 vjeçe janë 1.778.730 banorë, ndërsa në grupmoshën 0 - 19 vjeçe janë 1.427.272 banorë. Sipas "matrices" demografike, një popull mund të zhduket në qoftë se numri i të moshuarve mbi 60 vjeç është dyfish e gjysmë më i madh se numri i grupmoshës së popullsisë deri 19 vjeçe. Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse, në vitin 2017 në Serbi ka pasur 65.000 lindje, ndërsa 104.000 persona kanë vdekur, gjë që bilanci negativ është për 39000 banorë në vit. Mosha mesatare e popullsisë është 43 vjeçe. Të alarmuar nga depopullimi, Qeveria e Serbisë, në strategjinë e saj, ka ndërmarrë një varg masash ekonomiko-sociale për stimulimin e natalitetit. Me një ligj për mbështetjen financiare të familjeve me fëmijë, i cili hyn në fuqi më 1 korrik 2018, ka përcaktuar se për fëmijën e parë, nënës do t'i paguhen 100 mijë dinarë, për fëmijën e dytë do t'i paguhen nga 10 mijë dinarë dy vjet rresht, për fëmijën e tretë nga 12 mijë dinarë, ndërsa për fëmijën e katërt 18 mijë dinarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme. Këtu strategjia serbe ka bërë një hile të qëllimshme, duke ndalë stimulimin për më shumë se 4 fëmijë, sepse me këtë do të stimulonte lindjet edhe te Shqiptarët (e Luginës së Preshevës), apo te Boshnjakët e Sanxhakut, të cilët mund të lindin më shumë se katër fëmijë! Fushatën e aksionit për stimulimin e natalitetit, të cilën para ca ditëve e paralajmëroi kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë "e mbështeti" edhe ministri i mbrojtjes, Aleksandër Vullin, duke thënë se edhe ushtria do ta japë kontributin e vet në këtë drejtim. Shakagjinjtë e shumtë në rrjetet sociale, gatishmërinë e ministrit të mbrojtje e komentuan si mundësi që Vulini ta caktojë nga një ushtar për secilën familje, "për t'iu ndihmuar të lindin fëmijë"!.

TRENDI NEGATIV I ZHVILLIMEVE DEMOGRAFIKE PËRCILLET NË TË GJITHA SFERAT E ZHVILLIMIT EKONOMIK DHE SHOQËROR