Si diplomatët, ashtu edhe politika e jashtme

Si diplomatët, ashtu edhe politika e jashtme
  • 19 April 2018 - 08:54

Barometri diplomatik 

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Ramush Haradinaj (kryeministër): "Kosova nuk ka politikë të jashtme dhe se ndjek vetëm politikën e Amerikës." (http://www.kosovasot.info/lajme/264805/haradinaj-s-kemi-politikë-të-jashtmendjekim-atë-të-Amerikës/). Ky observim i Ramush Haradinajt është i pranueshëm, sepse Kosova nuk mund të ketë politikë të jashtme të suksesshme (derisa në strukturën e aparatit të saj ka një numër të madh inkompetentësh), sepse, pikësëpari nuk ka të përkufizuar interesin kombëtar dhe objektivat prioritare strategjike. Natyrisht, Kosova nuk ka, dhe nuk mund të ketë politikë të jashtme të suksesshme, sepse i mungon baza e politikës së brendshme. Më thjesht, nuk mund të ketë politikë të jashtme pa politikë të mirëfilltë të brendshme. Kjo, pikësëpari ndodh për shkak të mungesës së kuadrove të afta përkatëse profesioniste, përkatësisht për shkak të përzgjedhjes negative dhe nepotiste të tyre. Gjithashtu, nuk mund të ketë politikë të brendshme të suksesshme pa bazën e qëndrueshme dhe të zhvilluar ekonomike të shtetit. Prandaj, kryeministri i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj me të drejtë ka pohuar se "Kosova nuk ka politikë të jashtme…". Por, kryesorja "diplomatët" dhe dekretuesit e tyre jetojnë për mrekulli me paga, me favore dhe me privilegje të ndryshme, pavarë- sisht nga të metat dhe mungesa e rezultateve dhe e suksesit të tyre të përbashkët si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë jashtme. Ky konstatim i Haradinajt është më se i vërtetë se Kosova nuk ka kurrfarë politike të jashtme. Së pari, i mungon substanca profesioniste, ngase "superstruktura" e saj është e ndërtuar mbi bazën e "infrastrukturës" nepotiste, provincialiste, burokratike, ideologjike, oligarkike, feudale dhe partiake. Së dyti, Kosova nuk ka sovranitetin e plotë as të brendshëm e as të jashtëm. Mirëpo, kjo është pozitive për Kosovën, sepse pa mbështetjen e Amerikës dhe të aleatëve të saj evropianë perëndimorë, shteti i Kosovës nuk do të mund të "mbijetonte" si i tillë, ngase Serbia me Rusinë do ta gllabëronin brenda natës. Këtë të vërtetë, tanimë e dinë edhe zogjtë e malit. Duke qenë se, sipas Haradinajt Kosova nuk paska politikë të jashtme, atëherë, pse gjithë ato shpenzime enorme dhjetëvjeçare(2008-2018) për ambasadat dhe për konsullatat e saj nëpër vende të ndryshme të botës? -Çfarë dobie paska Kosova prej tyre dhe, kujt i duhen ato, veç atyre që u ka "rënë miza në mjaltë" pa pritur dhe pa ëndërruar ndonjëherë, se prej lopëve, prej dhive, prej pazareve të gjedheve dhe të specave, do të bëheshin ambasadorë dhe diplomatë të Kosovës.

Nuk ka politikë të jashtme pa politikë të brendshme të suksesshme

Pra, nuk mund të bëhet fjalë për suksesin dhe për të arrirat e politikës së jashtme pa përkufizimin e qartë strategjik të interesit nacional dhe shtetëror të Republikës së Kosovës. Për më tepër as politika e jashtme e as ajo brendshme nuk mund të kenë kurrfarë suksesi as në planin e brendshëm, as në atë ndërkombëtar, kur në ballë tyre ndodhen diletantët dhe matrapazët e grupeve dhe të partive të ndryshme politike, që nuk njohin interesin e përgjithshëm nacional, por vetëm interesin personal dhe grupor, partiak, si dhe llogarinë e tyre mafioze korrupsioniste dhe oligarkiste si instrumente kryesore të luftës së tyre për pushtet dhe për t'u pasuruar në kurrizin e popullit dhe të Kosovës. Kjo është substanca dhe emëruesi i përbashkët i politikës së jashtme dhe i politikës së brendshme të Kosovës (1999-2018). Pa ndërlidhjen strategjike të interesit të përgjithshëm nacional me interesat vitale të shtetit, siç janë siguria, rendi, mbrojtja, shteti i së drejtës, zhvillimi ekonomik, demokratik, arsimi, shkenca , kultura etj., si dhe lufta juridikoligjore permanente kundër dukurive kancerogjene siç janë "armata" e injorancës, të papunëve ( mbi 40%), e varfanjakëve (40%), krimi i organizuar, korrupsioni dhe shfrytëzimi i egër të shumicës dërrmuese të qytetarëve, Kosova nuk do të ketë as politikë të brendshme e as politikë të jashtme të suksesshme, por, do të mbetet një nga shtetet më të pazhvilluara dhe më të varfra të botës. Pa asnjë rezultat konkret në praktikë, vetëm brohoritja dhe përsëritja deklarative e sloganit propagandistik nga papagajtë e politikës ditore, se "Kosova është përcaktuar për strukturat euro-atlantike", nuk mjafton që të përkufizohet dhe të jetësohet interesi nacional në strategjinë e politikës së jashtme me gjithë mbështetjen e madhe dhe të parezervë të faktorëve relevantë europerëndimorë dhe ndërkombë- tarë siç janë BE-ja, NATO-ja dhe Amerika.Për të mos rënë gabim të përdorimit të termave politike, duhet pasur kujdes në përdorimin e sintagmës së interesit të përgjithshëm nacional shqiptar, që të mos barazohet me sintagmën e interesave multinacionale të BE-së, sepse kjo ka shumë interesa të shteteve-anëtare të saj, Jo vetëm një interes kombëtar sikurse Shqipëria Etnike (hëpërhë Kosova e Shqipëria londineze). Prandaj, si në kuptimin logjik, ashtu edhe në atë teorik-praktik dhe pragmatik, politikën dhe diplomacinë e BE-së, duhet kuptuar dhe përqartësuar vetëm si partner dhe instrument potencial dhe racional mbështetës, që pritet ta ndihmojë jetësimin e interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror të shqiptarëve në Ballkan. 

Me qatipë, me qebapxhinj dhe me zanatçinj nuk ka diplomaci e as politikë të jashtme

Keni dashur matrapazë, ilake, injorantë dhe "bisht pas gardhi" me "kurse të natës",ndaj, qysh e keni " mbjell?ë, po e korrni" sot, dhe, do ta korrni, edhe nesër. Në vend se me kohë (menjëherë pas luftës) t'i angazhonit kuadrot e gatshme të specializuara për politikë, për diplomaci, për politikë të jashtme dhe për drejtësi, sundimtarët e rijnë krahinaristë të prirë (sipas mëhallëve, partive, klaneve, grupeve të ndryshme të interesit) rekrutuan dhe favorizuan të afërmit e tyre, me qëllim që "brenda natës" të fabrikonin kuadro fiktive politike, diplomatike, ekonomike dhe juridike. Në kohë paqeje, kjo ishte strategjia e seleksionimit negativ burokratik dhe autoritar e kuadrove fiktive, me qëllim që të diferenconin kuadrot e gatshme të specializuara dhe me eksperiencë në fushën e drejtë- sisë, të politikës, të diplomacisë dhe të ekonomisë. Ky lloj izolimi i kuadrove, të arsimuara (para lufte) nëpër universitetet e njohura të RSFJ-së (1970- 1999), ishte vazhdim i diferencimit, i izolimit dhe i diskreditimit të kuadrove të specializuara ushtarake shqiptare (oficerë, togerë, kolonelë, kapitenë dhe gjeneralë), me qëllim të falsifikimit të historisë së luftës së UÇK-së dhe të pavarësisë së Kosovës (1989-2018). Së fundi, pa ndryshime rrënjë- sore dhe reforma të thella në sistemin politiko-shtetëror dhe shoqëror, nuk mund të priten rezultate as në sferën e politikës së brendshme e as në atë të jashtme, sepse shteti demokratik dhe i së drejtës nuk mund të ndërtohet, të zhvillohet dhe të modernizohet vetëm me "ushtri terciare" (marangozë, berberë, axhustatorë, muratorë, hallvaxhinj, byrekxhinj, qebpaxhinj... etj

(Kosova Sot)