"Facebook" duhet të na paguajë që na i përdor të dhënat

  • 19 April 2018 - 09:42

SKANDALI ME RRJETIN SOCIAL

Shkruajnë: Jennifer Granholm dhe Chris Eldred

Derisa ishte duke u marrë në pyetje nga komitetet e përbashkëta të Senatit, të martën, shefi ekzekutiv i "Facebook"-ut, Mark Zuckerberg, tha diçka që duhet ta bëjë të qeshet çdo përdorues të internetit: "Çdo përmbajtje që e vendosni në 'Facebook', ju e posedoni atë". Zuckerberg donte vetëm të thoshte se përdoruesit duhet ta kenë kontrollin ndaj asaj se kush i sheh postimet e tyre. Por, ndoshta ne duhet ta kuptojmë atë fjalë për fjale. Çka sikur të dhënat personale ta kishin një vlerë sikur çdo pronë tjetër? A do të duhej që pronarët e të dhënave të kompensohen për përdorimin e të dhënave? Të dhënat kanë vlerë të madhe për kompanitë e internetit, sidomos për ato që ofrojnë shërbime falas për përdoruesit dhe bëjnë para nga reklamat 'e targetuara', sikur që janë kompanitë 'Facebook' dhe 'Google'. Por, të dhënat vlerësohen lart edhe nga kompanitë e tjera. "Amazon" analizon kërkimet që bëhen, për të gjetur se cilat produkte duhen treguar blerësve të ngjashëm. Ai trajnon Alexa-n që të bëhet një folës dhe dëgjues më i mirë me udhëzime për asistentët shtëpiakë "Amazon Echo". 'Uber' përdorë historinë e përdoruesit për të përmirësuar shërbimin e taksive të veta. "Tesla" përdorë pamjet e veturave duke përdorë variantin "autopilot", për të përmirësuar aftësitë autonome të veturave të veta. 

Përdorimi i të dhënave për të fituar

Kompanitë e tjera të internetit analizojnë të dhënat e përdoruesve për të përmirësuar dizajnin e produkteve, si dhe iniciativat të cilat iu ndihmojnë atyre që të sigurojnë fitime. Përkundër kësaj, përdorimi i të dhë- nave nuk është transparente. Natyrisht, të dhënat që ua marrin, ua sjellin përparësinë e shikimit të reklamave që përshtaten me shijet tuaja. 'Facebook' do të thoshte se një përvojë e lirë, e personalizuar e përdoruesit, është vlera që merrni në këmbim të marrjes së të dhënave nga ju. Por, a është ky një kompensim i drejtë? A është vlera që merrni ju, e barabartë me përfitimet e "Facebook"-ut? Bile, Sheryl Sandberg këtë javë sugjeroi që përdoruesit e "Facebook"-ut të detyrohen të paguajnë për përdorimin e këtij rrjeti social, nëse refuzojnë që të ndajnë me rrjetin të dhë- nat e tyre personale. Në një anketë joformale online, të bërë nga 'Twitter' (me 984 pjesëmarrës), 83% prej tyre thanë se nuk do të pranonin të paguanin për përdorim të 'Facebook'- ut, në këmbim të heqjes së reklamave. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë të dhënat e një personi vlejnë më shumë sesa përvoja e personalizuar që sjell "Facebook". Në fakt, këmbimi i të dhënave tuaja me diçka me vlerë, nuk është dukuri e re. Kur shkoni në "Safeway" ose CVS, mund t'ju bëjnë zbritje të çmimit nëse shkruani numrin tuaj të telefonit, apo jepni të dhënat tuaja duke dalë. Por, jo edhe në "Facebook", ose në ndonjë platformë tjetër, që përdorë informatat tuaja për të fituar. 

Inteligjenca artificiale

Nëse, sikur që tha Zuckerberg, të dhënat tuaja janë tuajat, atëherë ndoshta duhet të pranojmë se njerëzit kanë interes pronësor në informatat e veta. Dhe, nëse një korporatë përdor të dhënat tuaja personale për të arritur deri te fitime të majme, atëherë ndoshta ajo korporatë duhet të ndajë fitimet me ju. Derisa inteligjenca artificiale dhe pajisjet e lidhura me rrjet depërtojnë në shtëpitë dhe zyrat tona, mbledhja e të dhënave në jetën tonë është duke u bërë e kudondodhur. Prandaj, ia vlen që të pyetemi: Në një epokë në të cilën pasuria dhe pabarazia në të ardhura janë të pranishme kudo, a duhet që disa kompani teknologjike të vazhdojnë të korrin fitime, derisa personat, te të ardhurat e të cilëve ato bazohen, nuk marrin asnjë kompensim? Si mund të matim vlerën e të dhënave? Në seancën dëgjimore të së martës, senatori Jon Tester i tha Zuckerbergut: "Disa herë thatë se unë i posedoj të dhënat... kjo tingëllon mirë, por në realitet, ju fitoni 40 miliardë dollarë në vit. Mua më duket se pronari i të dhënave tona jeni ju". Ndoshta ka ardhur koha që të qartë- sohet më shumë se kush i posedon të dhënat dhe cila është vlera e tyre.

(Jennifer Granholm ishte guvernator i Miçiganit dhe këshilltar i lartë i "Media Matters" Chris Eldred është këshilltar politik dhe i komunikimit për "American Jobs Project")

 

(Kosova Sot)