Emmanuel Macron ballafaqohet me sfida, brenda dhe jashtë vendit

Emmanuel Macron ballafaqohet me sfida, brenda dhe jashtë vendit
  • 21 April 2018 - 12:05

Shkruan:Tony Barber

Një problem është se, tani kur Gjermania përfundimisht e ka qeverinë e vet, të koalicionit të madh, në Berlin është duke u kristalizuar rezistenca ndaj ambicieve të presidentit Macron për thellimin e integrimit të eurozonës

Duket të ketë kaluar një kohë e gjatë, prejse ndokush të kishte sugjeruar se Evropa mund të jetë problem për Francën, në vend se Franca për Evropën. Megjithatë, në një javë kur presidenti Emmanuel Macron shtyri përpara planet e tij për reforma vendore, ai ndeshi në një kundërshtim tepër të fortë ndaj planeve për ta reformuar BE-në.

Grevat e punëtorëve

Qyshkur e mori postin e presidentit, gati një vit më parë, Macron ka evituar mediat franceze. Por, të enjten, ai u paraqit në një emision ditor, për të shpjeguar qëndrimet e tij rreth një vale të grevave të punë- torëve të hekurudhës dhe reformimit të SNCF-së, operatorit shtetëror francez të hekurudhave. Sikur që bën shpesh, Macron dha një performancë të artikuluar dhe bindëse. Në këtë etapë, ka pak dyshime se reformat e tij hekurudhore do të pësojnë kolaps, sikur edhe përpjekjet e një qeverie paraprake franceze, në vitin 1995. Ndoshta dallimi kryesor është se opinioni publik nuk është më pro punëtorëve të hekurudhave, sikur që ishte 23 vjet më parë. Macron po ashtu pati pak fat këtë javë, kur François Hollande, paraardhësi i tij në post, publikoi memoaret, në të cilat ai e përshkruan Macronin si një 'figurë të mbrojtur' arrogante dhe tradhtare, të cilin ish presidenti socialist do ta mundte në zgjedhjet e vitit të kaluar, po të donte ta bënte një gjë të tillë. Ky ishte vetëm një moment shtesë, i cili ua rikujtoi francezëve pse kishin qenëaq të lumtur kur ia kishin parë shpinën presidentit Hollande. Në skenën e BE-së, gjërat janë edhe më keq për presidentin Macron. Një problem është se, tani kur Gjermania përfundimisht e ka qeverinë e vet, të koalicionit të madh, në Berlin është duke u kristalizuar rezistenca ndaj ambicieve të presidentit Macron për thellimin e integrimit të eurozonës. Të enjten, Ralph Brinkhaus, zëvendësdrejtues i kristian-demokratëve të kancelares Angela Merkel, iu tha gazetarëve se ka shumë pak gjasa që Gjermania do të pajtohej me krijimin e një skeme të sigurimit të depozitit bankar evropian deri në fund të qershorit.

Kundërshtimet e presidentit të Bundesbankës

Sigurimi i përbashkët i depozitit është elementi mangës në unionin bankar evropian dhe shpesh shfaqet si masë vitale për zbutjen e krizave të ardhshme financiare. Skepticizmi rreth kësaj iniciative tejkalon partinë CDU. Shumë social-demokratë, partnerë të koalicionit qeveritar të Merkelit, janë aq dyshues rreth një propozimi i cili duket të vërë taksapaguesit gjermanë në qendër të dobësive financiare të vendeve të tjera. Nga një pikëpamje franceze, ishin po aq dëshpëruese kundërshtimet nga Jens Weidmann, presidentit të Bundesbankës, ndaj një plani të mbështetur nga Parisi, për ta shndërruar Mekanizmin evropian të stabilitetit (ESM) në një Fond monetar të Evropës. Weidmann, nga ana e tij, doli në mbështetje të qeverive kreditore të Evropës veriore, të cilat insistojnë në të drejtën e tyre për ta kontrolluar ESM-në dhe për t'i kufizuar aktivitetet e saj. Ajo që e bën të rëndësishëm intervenimin e zotëri Weidmann'it, është fakti se ai është kandidat i fortë për postin e presidentit të Bankës qendrore evropiane (BQE), pas largimit, vitin tjetër, të italianit Mario Draghi. Ai shpesh është gjetur në pakicë, në kundërshtimin e tij ndaj masave jokonvencionale të BQE-së për stimulimin e eurozonës, por zëri i tij do të kishte rëndësi më të madhe, sikur ai të vijë në postin e Draghit. Macron do ta kishte rastin që të kundërshtonte dyshuesit, kur do të flasë në Parlamentin Evropian, të martën. Nuk ka dyshim se ai do të marrë duartrokitje frenetike nga shumica prointegruese e parlamentit. Por, ekziston edhe një gjë: kjo është po ajo legjislaturë e cila, në muajin shkurt, refuzoi një propozim tjetër të tij: krijimin e listave pan-evropiane për zgjedhjet e Parlamentit evropian. 

(Kosova Sot)