Edita Tahiri e krijoi mini-Serbinë në qendër të Kosovës

Edita Tahiri e krijoi mini-Serbinë në qendër të Kosovës
  • 23 April 2018 - 08:04

Më shumë i ka ndihmuar Serbisë se Kosovës me dialog

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ 

Të shkruash për aktivitetin e Edita Tahirit e angazhuar në veprimtarinë kombëtare është një problem që kërkon analiza serioze dhe të mbështetura në fakte, pasi që për opinionin e trojeve skamnore e skajshmërisht të varfër si ekonomikisht edhe politikisht, Edita Tahiri është e njohur si aktiviste, e cila karrierën e saj e filloi në LDK.

Si e filloi karrierën politike Edita?

Karriera e saj politike në LDK mund të përkufizohet se Edita ishte shoqëruese në takimet me Fehmi Aganin dhe Ibrahim Rugovën të cilët fillimisht e merrnin si dekor që para ndërkombëtarëve të mos ishin krejt burra. Më kalimin e kohës Edita do të ngjitet shkallëve të strukturave të LDK-së, fillimisht me përkrahje të Edi Shukriut e më vonë edhe të Melihate Tërmkollit e që më vonë të shndërrohet si figurë politike qendrore në selinë e LDK-së e gjithnjë më përkrahjen e Bujar Bukoshit me baballarët e të cilëve kanë lidhje familjare politike që nga koha e shpërnguljes së tyre nga Shqipëria në Kosovë, e që herë pas here UDB-ja respektivisht OZNA të parët e tyre i dërgonte më misione sekrete kundër sistemit të Enver Hoxhës. Në Kosovë, të ikurit nga sistemi i Enver Hoxhës, në populli i thjeshtë dhe skamnor si nga pasuria edhe nga mendja i adhuronim këta emigrantë shqiptarë pa e ditur si një pjesë e madhe e tyre punonin kundër interesave të shqiptarëve të Kosovës. Ishin kohëra të vështira politike dhe kohëra të rënda ekonomike kur në ato kushte të dobëta Serbia na detyronte t'i lëshonim një kat familjeve të emigrantëve nga Shqipëria e ne nuk kishim dhoma të mjaftueshme për vetën tonë. Më kujtohet si sot, kur familja Cahani banonte në katin e dytë e i zoti i shtëpisë në katin përdhes bashkë me lopë. Ende më kujtohen disa emigrantë të ardhur nga Shqipëria që ecnin me plis të bardhë e më armë në brez e fëmijët e tyre më rrobe të reja e ne të leckosur e të mavijosur. Ende i kam të freskëta ecjet e babait të Bujar Bukoshit që ecte me një sheshir mbi kokë mes për mes fshatit tim me shishe të rakisë e pastaj shihej në Therandë me pushtetarët e asaj kohe serbë e shqiptarë. Të gjithë emigrantët nuk ishin të njëjtë, sepse në mesin e tyre kishte edhe të tillë që nuk pranonin ofertat e pushtetit, e ata vuanin edhe më keq se ne. Nga një familje e tillë emigrantësh të ardhur nga Shqipëria rrjedh edhe Edita Tahiri, e cila ka ditur të notojë në ujëra të turbullta pa i mbyllur sytë dhe të rrëshqasë në akullin politik pa e thyer qafën asnjëherë, përkundrazi gjithnjë shpëtonte pa u rrëzuar. 

Pse Edita kërkon kompensim e unë jo?

Gjatë kohës kur në Kosovë situata ishte e tendosur, Edita Tahiri e shoqëronte Aganin dhe Rugovën në shumë takime brenda dhe jashtë Kosovës, mirëpo ajo nuk fliste asgjë, nuk propozonte asgjë e as nuk përgjigjej në asnjë pyetje që eurodeputetët parashtronin. Më vonë, shumë vite më vonë lexova se Edita po kërkonte pension ose kompensim për vitet që e kishte shoqëruar delegacionin e LDK-së ku ajo ishte pjesë e delegacionit. Çuditërisht! Edita kërkon kompensim për vitet që ka udhëtuar në çdo qytet të botës dhe sa herë është kthyer në Prishtinë ka shpëtuar pa asnjë therrë në këmbë! Kërkon kompensim, sepse nuk i dalin paratë që merrte si Ministre për dialog! Nuk i mjaftojnë paratë që kudo që shkon dhe sa do që do jeton e ka të siguruar rrogën deri në vdekje! Nuk i mjaftojnë mëditjet e majme, nuk i mjaftojnë pagesat për ushqime që të gjitha i ka të paguara nga qeveria që edhe 100 jetë po t'i kishte do t'i mjaftonin. Ç'bëri Edita Tahiri më shumë se një veteran, i cili gjymtyrët e tij i ka humbur diku në fushëbetejë dhe sot jeton më 170 euro?! A nuk ka turp të kërkojë kompensim kur veterani ka mbetur në gjendje edhe më të varfër se ç'ishte para se të plagosej?! Ç'bëri Edita Tahiri më shumë se unë (Reshat Sahitaj) për çlirimin e Kosovës në aspektin diplomatik? Nëse ajo nuk i përgjigjet kësaj pyetje, po ia tregoj unë. Unë bëra që Parlamenti Evropian t'i aprovojë mbi 27 rezoluta në favor të Kosovës, zonjushë Edita Tahiri dhe nuk kam kërkuar asgjë! Unë bëra që Senati i Belgjikës të aprovojë një rezolutë në favor të Kosovës dhe që është rezoluta e parë në botë ku një shtet e dënonte Jugosllavinë, dhe ende nuk kërkova asgjë si kompensim nga shteti im që je ti pjesë përbërëse! Unë ua bëra të mundur që të gjitha personaliteteve të Kosovës të takoheshin me personalitete evropiane në mesin e të cilëve je edhe ti zonjusha Edita Tahiri, gjë që s'ke si ta kundërshtosh këtë fakt, por unë ende asgjë nuk kërkova dhe ende asnjë post nuk e kam askund në shtetin tim, për të cilin kam zhvilluar luftë diplomatike mijëra herë më shumë se ti. Unë bëra, organizova qindra konferenca për medie në 'Internacional Press Centre' për ta sensibilizuar opinionin ndërkombëtar mbi situatën dramatike në Kosovë, dhe ende asgjë nuk kam kërkuar nga vendi për të cilin luftova. Unë bëra që Konferenca e Paqes për Jugosllavinë të hapte sektorin special edhe për Kosovën gjë që deri në atë kohë Kosova as që ishte në rend të ditës, dhe në këtë takim erdhe ti dhe fole serbisht duke e kërkuar heqjen e ekipit tim për negociata që askush të mos e kuptonte më vonë se ti me ekipin tuaj do të negocionit sipas urdhrave të Serbisë. Nëse ty nuk të kujtohet lexoje librin e Gert Ahrensit "Diplomacia mbi tehun e thikës" ku shkruan për ty dhe kërkesën tënde absurde dhe antishqiptare. Nëse të ka lënë memoria po ua përkujtoj se aty shkruan po e parafrazoj se ti Edita i ke kërkuar Ahrensit që Konferenca të marrë vendim për lirimin e objekteve të arsimit ku në këtë mënyrë krahu paqësor të rritej sepse ka filluar të zbehet nga dalja e UÇK-së në skenë. Sipas teje, siç shkruan Ahrensi UÇK-ja po rritet e LDKja po zbehet dhe më nuk do të ketë dialog me Serbinë, ngase sipas teje këta të UÇK-së janë të rrezikshëm. Në anën tjetër, Bujar Bukoshi ka kërkuar lirimin e Rexhep Osmanit e jo zgjidhjen e problemit politik të Kosovës. Janë dokumentet në arkivin e Konferencës së Paqes të mbyllura në Berlin e një pjesë të publikuara në librin e lartshënuar, ndërsa një pjesë tjetër në arkivin B.I.K. në Bruksel. Gjer këtu ishte vetëm një hyrje për të kuptuar lexuesit dhe studiuesit e gjeneratave të ardhshme për luftën diplomatike që është zhvilluar dhe që ende vazhdon të zhvillohet e në të cilën luftë Serbia ende i ka marionetat e veta që atyre u duhen edhe një qind vite të ardhshme që ata të kenë influencë në Kosovë.

Serbia ka nevojë për shërbëtorët e tyre edhe 100 vjet

Gjatë kohës së okupimit në rast të turbullirave secili armik i përdorë shërbë- torët respektivisht sipunët e vet për të negociuar në mënyrë që popullit t'i japë iluzione se do rregullohet situata. Në këtë mënyrë është përdorur dikur Fadil Hoxha, i cili u deklasua nga demonstrata e Beogradit, sepse në të njëjtën kohë Serbia i ka përgatitur të tjerët siç do të dilte në skenë Mahmut Bakalli e më vonë Azem Vllasi. Imagjinoni çfarë tragjedie ishte kur populli brohoriste: Kaçusha Azem! Kaçushën e krahasonin me Shotën, e Azem Vllasin me Azem Galicën. Kështu e kanë popujt e robëruar! Në qershorin e 1999-ës, Serbia e humbi përgjithmonë Kosovën, mirëpo serbët nuk do heqin dorë nga Kosova edhe 100 vjet të tjerë e në këto kushte ata do të kërkojnë ripushtimin e Kosovës, jo me ushtri, por me ekonomi dhe me të drejta të plota të serbëve që jetojnë këtu. Për të arritur këtë ripushtim ,atyre u duhen spiunët, shërbëtorët, hajnat, karrieristët dhe lakmitarët, të cilët do t'i aktivizojë shërbimi sekret i Beogradit në çdo fushë të veprimtarisë antishqiptare. Në këtë lojë të pistë janë kyçur shumë personalitete tanimë të njohura kosovare që po ia lehtësojnë Serbisë ripushtimin ekonomik dhe politik mbi Kosovën e rasti më eklatant është Asociacioni Komunave Serbe. Ka shumë e shumë raste të tjera që Serbia është duke përfituar nga Kosova përmes spiunëve të vet, mirëpo 'Zajednica' është maja e tradhtisë kombëtare. 'Zajednica' (Asociacioni i Komunave Serbe) është nënshkruar nga Edita Tahiri dhe që kurrë askush ende nuk ka guxim ta padisë për tradhti kombëtare. Më 19 prill 2018, Edita Tahiri deklaroi: "Të dialogosh me armikun nuk është punë e lehtë, por një shtet duhet të dëshmojë aftësi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pa lidership shteti nuk ecë përpara" dhe iu vërsul VV-së së Albin Kurtit duke i akuzuar si shtetrrënues. Të akuzosh VV-në dhe Albin Kurtin sot është lehtë, por të sulmoje VV-në dhe Albin Kurtin kur unë e sulmoja për veprime antishqiptare ishte vështirë, sepse merrja kërcënime nga të gjitha anët. Edita sulmon aty ku është lehtë! Edita krekoset për "luftën e saj diplomatike" pa bërë asgjë, ama asgjë në favor të shqiptarëve dhe Kosovës. Po të analizohet aktiviteti i Edita Tahirit vetëm gjatë kohës sa ishte ministre për Dialog do të na rezultojë se Edita Tahiri më shumë i ka ndihmuar Serbisë se sa Kosovës. Thotë se është vështirë të negociosh më armikun, por në fakt nuk ka asgjë të vështirë që gjatë negociatave të kërkohet të plotësohen vetëm ato të drejta që u takojnë serbëve si dhe palës shqiptare si shtetformues. Kush e detyroi Edita Tahirin që pas GJND-së ku njihej e drejta e Kosovës e që më vonë vetë Edita Tahiri të kërkonte të shtonte emrit të shtetit tonë flluskën?! Çka i duhej flluska kur GJND-ja na kishte njohur të drejtën me ligj?! Flluska a nuk është shitje perfide e Kosovës?! Flluska a nuk është dëmtuese për imazhin e Kosovës?! Pse Edita Tahiri kurrë nuk dha përgjegjësi për flluskën e saj që më dëshirë ia kishte shtuar shtetit të saj, apo ndoshta shteti i saj është tjetërkund?! Flluska e Edita Tahirit është tradhti kombëtare e përsosur, por pasi që në Kosovë nuk punon siç duhet AKI-ja, ajo dhe tjerët bëjnë sipas dëshirës pa frikë se një ditë do të dënohen për aktet e tyre të tradhtisë. 

Edhe NATO-ja kundër marrëveshjes së nënshkruar nga Edita Tahiri

Pas flluskës Edita Tahiri sikur i duket pak vetëm flluska dhe nënshkrimet tjera në favor të serbëve, ajo e krijon Asociacionin e Komunave Serbe në kundërshtim më Kushtetutën. Asociacioni i nënshkruar nga Edita Tahirit i fuqizon serbët që jetojnë në Kosovë duke i shndërruar në një shtet mbi shtet. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga Edita Tahiri në Bruksel, Asociacioni i Komunave Serbe janë minishtet. Askush nga eurodeputetët e madje as nga NATO-ja nuk e ka përkrahur nënshkrimin e Editës për Asociacionin e Komunave Serbe dhe e para që e ka kundërshtuar ishte eurodeputetja Doris Pack e pastaj të tjerët eurodeputetë. Marrëveshja për krijimin e Asociacionit është zhvilluar nuk është zhvilluar në gjuhen kinezishte, por shqip-serbisht dhe anglisht. Si ka pasur vullnet Edita Tahiri të nënshkruante krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe ku ata nuk do ta pranojnë kryetarin e Kosovës, arsimin e Kosovës, shtetin e Kosovës, doganat e Kosovës e asgjë nga shteti ku ata jetojnë dhe marrin paga mujore?! Edita Tahiri u ka dhënë serbëve kushte dhe liri ekonomike dhe politike më shumë sesa që kanë serbët në Serbi dhe që kanë pasur nën okupimin e Millosheviqit. A nuk është tradhti kombëtare e qëllimshme nga Edita Tahiri?! Krijimi i Asociacionit të Komunave serbe në Kosovës sipas nënshkrimit të Edita Tahirit do t'i nxirrte telashe të mëdha Kosovës përjetësisht. Me ato kushte serbët e Kosovës do të kenë mundësi të shpallin një Republikë serbe në Kosovë dhe Kosova kurrë nuk do stabilizohej. Në bazë të nënshkrimit të Marrëveshjes së nënshkruar nga Edita Tahiri serbët e Kosovës do të ndalonin forcat e NATO-s kurdo që ato të shkelin territorin e enklave serbe, sepse ashtu e ka kërkuar ministrja jonë. Më këtë marrëveshje të Editës serbët do të kenë mundësi të krijojnë ushtrinë e tyre pa i pyetur shqiptarët. Pse Edita Tahiri e bëri këtë marrëveshje dhe e nënshkroi?! Emërimi i Avni Arifit në krye të delegacionit për dialog është hapi më i qëlluar që e ka bërë Ramush Haradinaj, sepse me këtë ia ka ndërprerë Editës që ende të vazhdojë t'i favorizojë serbët dhe Serbinë. Tani është vonë, por së pakut ka mundësi të shpëtojmë krijimin e Asociacionit të Komunave serbe sipas marrëveshjes që e bëri Edita Tahiri. Imagjinon se këto ditë edhe zyrtarët e NATO-s reaguan kundër Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit sipas Edita Tahirit e në Kosovë ende askujt nuk i bie ndërmend që të kërkojë nga ajo përgjigje. Imagjinoni se kur Edita Tahiri u shkarkua nga posti si ministre për dialog, nga Beogradi më 4 tetor 2017 Gjuriqi deklaroi në favor të Eidta Tahirit duke thënë: Edita Tahiri fuqishëm luftoi për interesat e Kosovës. Ne shqiptarët i besojmë më shumë Gjuriqit dhe gjuriqëve tjerë, sepse kështu është i formuar shpirti dhe logjika e robit. Edita nuk është rasti unik që me punën e saj ka ndihmuar më shumë okupuesit. Ne shqiptarët kështu e kemi, spiunëve u këndojmë këngë e patriotët i quajmë tradhtarë. Do të ishte mirë që pas botimit të këtij shkrimi, Edita të bënte aktpadi kundër meje, në mënyrë që në gjyq të shpalojë edhe fakte e dokumente më tronditëse mbi lidhjet e saj me serbët dhe punën e saj antishqiptare në Parlamentin Evropian. 

(Kosova Sot)