Një elefant në dhomën Trump-Abe

Një elefant në dhomën Trump-Abe
  • 26 April 2018 - 09:54

Shkruan: Robert Boxwell

Nuk ka gjasa që Abe dhe Trump të shfaqin ndonjë gjë për kamerat përveç një fronti të bashkuar dhe shpirtmirë që shkon me këtë. Pra, mund të prisni një takim të suksesshëm, megjithëse një përparim të vogël në rrugën e progresit aktual në çështjet me të cilat përballen

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, do ta vizitojë gjatë javës presidentin amerikan, Donald Trump, ku pritet që të takohet për të shtatën herë me të, që nga zgjedhja e Trump-it në postin e presidentit. Abe ishte lideri i parë i huaj që u takua me Trump-in dhe aleanca ushtarake midis dy vendeve ka ndihmuar në ruajtjen e paqes në Azinë lindore gjatë 60 viteve të kaluara. Por, ky takim ka të ngjarë që të jetë më i tensionuar sesa takimet paraprake, për shkak të shpërfilljeve të kohëve të fundit të Trump-it ndaj liderit japonez: Trump në fillim nuk e përfshiu Japoninë në listën e vendeve që përjashtoheshin përkohësisht nga tarifat e reja tregtare dhe nuk e njoftoi Tokion paraprakisht rreth vendimit të tij që të takohet me liderin e Koresë veriore, Kim Jong Un. Edhe pse vizita e fundit e Abe-s u nxit nga mundësia e takimit Kim-Trump, udhëheqësit kanë të paktën dy çështje të tjera të rëndësishme për të diskutuar: tregtinë dhe aktivitetin ushtarak në rritje të Kinës rreth rajonit. "Kina" (ka kuptimin edhe porcelani) është pothuajse gjithmonë në dhomë kur Shtetet e Bashkuara dhe Japonia takohen, dhe kurrë më shumë se që kur Presidenti Xi Jinping erdhi në pushtet në vitin 2013. Abe ka nevojë për Trump-in për t'iu kundërvënë Pekinit dhe, si rezultat, udhëheqësi japonez do të duhet të 'harrojë' shumë nga sjelljen e Trump-it deri më tani. Është gjithashtu arsyeja pse takimi dyditor i kësaj jave ka të ngjarë të përfundojë në një frymë të përzemërt. Çdo gjë më pak se kaq, do ta shtonte paqëndrueshmërinë e rajonit dhe të dy liderët e dinë këtë.

Japonia asnjëherë nuk ua ktheu shqelmat

Shteteve të Bashkuara Sa i përket tregtisë, problemet e Shteteve të Bashkuara me Kinën sot janë të ngjashme me ato me të cilat ballafaqohej me Japoninë në vitet '80 dhe '90. Si Kina, ashtu edhe Japonia kanë pasur suficit të madh dhe të papërshtatshëm përballë Shteteve të Bashkuara për dekada, duke ofruar kështu arsye për kritikat e Trump-it kundër Japonisë gjatë fushatës së tij parazgjedhore. Por, Japonia asnjëherë nuk ia ktheu shqelmat Shteteve të Bashkuara, kështu që çështja u zgjidh vetvetiu më shumë ose më pak, duke ndihmuar pjesërisht që Kina të fillonte të tërhiqte vëmendjen si problemi më i madh tregtar për Shtetet e Bashkuara në mes të viteve 1990 - një problem që vetëm sa është përhapur edhe më shumë që nga ajo kohë.

Lufta tregtare SHBA-Kinë nuk ka të bëjë më me tregti. Bëhet fjalë nëse bota në dekadat e ardhshme do të dominohet nga një sistem demokratik kapitalist, ose nga Pekini. Pekini filloi "luftën" në vitet 1990 me merkantilizmin e tij dhe angazhimet seriozisht të papërshkruara për qasjen në treg dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Pas pranimit të Kinës në Organizatën botërore të tregtisë, në vitin 2001, këto probleme vetëm sa u rritën. Tani i mbushur me të holla, Pekini e bën të qartë se Kina nuk është e interesuar të luajë sipas rregullave të institucioneve perëndimore. "Negociatat" nuk do ta ndryshojnë këtë. Ju pëlqeu apo nuk ju pëlqeu, Trump është presidenti i parë që bën diçka në lidhje me këtë. Tarifat e tij kanë provokuar një bisedë energjike dhe të vonuar në Perëndim për realitetin e Kinës. Pamja e pafavorshme që Pekini ia bën Trump-it, e bën politikisht të vështirë për Xinë që të bëjë lëshime, megjithëse nuk ka gjasa që dikush në administratën Trump do të besonte më shumë premtime nga Pekini. Në një shenjë konfuzioni, ose ndoshta dëshpërimi, Pekini po përpiqet të përfshijë ndihmën e Tokios në trajtimin e tarifave të çelikut. Pastë fat me këtë! Shtetet e Bashkuara dhe Japonia do të arrijnë disa modus vivendi për tarifat e çelikut derisa zhvillojnë një marrëveshje tregtare afatgjatë, qoftë bilaterale apo një kthim amerikan te Partneriteti Trans Pacifik, që Trump, duke mbajtur një premtim të madh fushate, e braktisi të hënën e tij të parë në zyrë. Rikthimi te kjo marrëveshje nuk duhet të jetë për të një moment "lexo buzët e mia: asnjë taksë e re". Baza e tij, duke parë Pekinin duke reaguar në mënyrë politike dhe cinike - Tarifat kundërthënëse të Kinës synojnë eksportet nga rajonet nga vijnë votuesit e Trump-it - do të kuptojnë, të ndihmuar edhe nga papunësia e ulët dhe një ekonomi në rritje.

Kina do të duhet të jetë me të vërtetë në dhomë me ta

Mund të duhen disa vjet dhe shumë dhimbje ekonomike, por amerikanët do ta pranojnë këtë dhe do të vazhdojnë. Kështu edhe japonezët. Ajo që ata nuk do ta pranojnë është një botë e dominuar nga Pekini. Arsyeja më e madhe për Shtetet e Bashkuara që të kthehen te Partneriteti trans-pacifik, është forcimi i miqësive dhe aleancave që mund të jenë të nevojshme për të mbajtur nën kontroll zgjerimin ushtarak të Kinës, që ka ndodhur që kur Xi erdhi në pushtet. Pavarësisht nga sigurimet për të kundërtën, Pekini ka vazhduar përpjekjet për të militarizuar ishujt artificialë të ndërtuar në zonat ekskluzive ekonomike të fqinjëve të saj në Detin e Kinës Jugore. Sikur këto zgjerime, po ashtu edhe kokëfortësia e Pekinit në këtë aspekt, e bëjnë atë një problem shumë të madh për Japoninë, si dhe për vendet - Vietnamit, Filipineve dhe Malajzisë - në rajonet e pasura të burimeve të të cilave ka hyrë Pekini. Abe ka të ngjarë të mbështesë plotësisht përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje. Lajmi rreth një takimi Trump-Kim bëri që të vijë deri te ky takim ballë për ballë, i kërkuar nga Tokio lidhur me shqetësimet që Trump mund të vendosë për një marrëveshje me Korenë e Veriut që mbron Shtetet e Bashkuara por e lë të ekspozuar Japoninë, e cila është vetëm pak minuta larg nga raketat balistike. Kjo afërsi i bën kërcënimet e Kim ekzistenciale për qytetet e mëdha të Japonisë. Abe kërkon një çmontim të aftësive bërthamore dhe raketore të Veriut, një pozicion në të cilin ai ka gjasa të ketë filluar mbështetje, qëkur Trump shtoi dy 'skifterë' me qëndrim kundër Koresë së Veriut në administratën e tij, muajin e kaluar. Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo dhe këshilltari i sigurimit kombëtar, John Bolton, janë gati të negociojnë për aftësitë bërthamore dhe të raketave të Veriut, sikur që Trump është ndaj politikave tregtare të Kinës. Nuk ka gjasa që Abe dhe Trump të shfaqin ndonjë gjë për kamerat përveç një fronti të bashkuar dhe shpirtmirë që shkon me këtë. Pra, mund të prisni një takim të suksesshëm, megjithëse një përparim të vogël në rrugën e progresit aktual në çështjet me të cilat përballen. Për të zgjidhur ndonjë nga këto probleme në dukje të pazgjidhshme, Kina do të duhet të jetë me të vërtetë në dhomë me ta, dhe ajo nuk do të vijë në një takim sy më sy, sikur që bëjnë Abe dhe Trump në përgjithësi.

(Robert Boxwell është drejtor i "Opera Advisors", në Kuala Lumpur, Malajzi)

(Kosova Sot)