Denuklearizimi përfshin edhe SHBA-në - Opinione - Kosova Sot
Denuklearizimi përfshin edhe SHBA-në

Denuklearizimi përfshin edhe SHBA-në

Arroganca lindi nga posedimi i armëve bërthamore 

Shkruan: Jeffrey D. Sachs 

Ekzistojnë dy lloje të politikës së jashtme: njëri i bazuar te parimi "fuqia bën drejtësinë" dhe lloji tjetër që bazohet te sundimi ndërkombëtar i ligjit. SHBA-ja dëshiron t'i ketë të dyja këto lloje: që vendet e tjera t'i mbajë përgjegjëse ndaj ligjit ndërkombëtar, derisa ta përjashtojë veten nga një gjë e tillë. Dhe, askund kjo nuk është më e vërtetë sesa te çështja e armëve bërthamore. Qasja e Amerikës është e dënuar që të dështojë. Sikur që thoshte Krishti, "Kush kapë shpatën, nga shpata do të vdesë". Në vend të vdekjes dhe zhdukjes, është koha që të gjitha vendet, duke përfshirë edhe SHBA-në, që të mbahen përgjegjëse ndaj rregullave ndërkombëtare të mos proliferimit të armëve bërthamore. SHBA-ja kërkon që Koreja Veriore të respektojë provizionet e Marrëveshjes për mos proliferim bërthamor (NPT) dhe, në atë aspekt, ka inkurajuar KS të OKB-së që të vendosë sanksione ndaj Koresë veriore, në kërkim të denuklearizimit. Ngjashëm me këtë, Izraeli thërret për sanksione, apo edhe për luftë kundër Iranit, për ta ndalur këtë vend nga prodhimi i armëve bërthamore, që do të ishte shkelje e NPT-së. Megjithatë, SHBA-ja në mënyrë të pacipë shkelë NPTnë, derisa Izraeli bën edhe më keq: ka refuzuar që ta nënshkruajë marrëveshjen dhe pretendon në të drejton për një arsenal masiv bërthamor, deri te i cili ka ardhur me anë të mashtrimeve, e që edhe sot e kësaj dite refuzon ta pranojë ekzistimin e tij. 

Ikja nga bisedimet

Marrëveshja për mosproliferim bërthamor është nënshkruar në vitin 1968, ku nënshkruesit janë pajtuar me disa parime kyçe. Së pari, shtetet që posedojnë armë bërthamore, premtojnë se nuk do të transferojnë armët bërthamore gjetiu dhe nuk do të ndihmojnë shtetet e tjera që të prodhojnë, apo blejnë armët e tilla; derisa shtetet pa armë bërthamore premtojnë se nuk do të marrin, apo prodhojnë armë bërthamore. Së dyti, të gjitha vendet e kanë të drejtën për përdorim të energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Së treti dhe, më me rëndësi, që të gjitha shtetet nënshkruese të marrëveshjes, duke përfshirë edhe fuqitë bërthamore, pajtohen që të negociojnë një çarmatosje bërthamore dhe të përgjithshme. Sikur që thuhet në nenin e katërt të NPT-së: "Secila nga palët e marrëveshjes obligohet që të zhvillojë negociata në besim të mirë, rreth masave efektive në lidhje me ndaljen e garës në armatim dhe për një çarmatosje bërthamore, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje për çarmatosje të përgjithshme dhe komplete nën një kontroll strikt dhe efikas ndërkombëtar". Qëllimi themelor i NPT-së është që ta ndalë garën në armatim, e jo ta vazhdojë monopolin bërthamor të disa vendeve. Aq më tepër, qëllimi i kësaj marrëveshjeje nuk është që ta vazhdojë monopolin bërthamor të vendeve që nuk e kanë nënshtruar këtë marrëveshje, sikur që është Izraeli, shtet i cili tani duket se është duke menduar se mund t'iu ikë bisedimeve me palestinezëve, për shkak se posedon një fuqi të madhe ushtarake. E këtillë është arroganca që lind nga posedimi i armëve bërthamore. 

Rishikimi i qëndrimit bërthamor të administratës 'Trump'

Pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare - me përjashtim evident të fuqive ekzistuese bërthamore dhe të aleatëve ushtarakë të tyre - e përtërinë thirrjen për çarmatosje bërthamore, duke miratuar Marrëveshjen (e vitit 2017) për Ndalim të Armëve Bërthamore. Kjo marrëveshje thërret të gjitha shtetet që kanë armë bërthamore, që të bashkëpunojnë "me qëllim të verifikimit të eliminimit të pakthyeshëm të programeve të tyre të armëve bërthamore". Derisa 122 shtete votuan për, një shtet votoi kundër, një tjetër abstenoi dhe 69 shtete, duke përfshirë edhe fuqitë bërthamore dhe shtetet anëtare të NATO-s, nuk votuan. Deri javën e kaluar, 58 shtete e nënshkruan këtë marrëveshje dhe tetë e kanë ratifikuar atë. SHBA-ja kërkon që Koreja veriore të respektojë obligimet nga marrëveshja NPT dhe të denuklearizohet, me çka pajtohet edhe KS i OKB-së. Megjithatë, pacipëria me të cilën SHBA-ja kërkon, jo një denuklearizim të plotë, por dominimin e saj bërthamor, është mahnitëse. Rishikimi i qëndrimit bërthamor të administratës 'Trump', të botuar në shkurt, apelon për një modernizim masiv të arsenalit bërthamor amerikan, duke mos shkuar më tej sesa përmendja e obligimeve të saj që dalin nga marrëveshja NPT: "Përkushtimi ynë ndaj qëllimeve të Marrëveshjes për mosproliferim të armëve bërthamore (NPT) mbetet i fuqishëm. Megjithatë, ne duhet të pranojmë se ambienti aktual e bën tepër sfidues përparimin e mëtejmë kah zvogëlimi i armëve bërthamore... Ky rishikim bazohet te e vërteta e fuqishme: Armët bërthamore kanë dhe do të vazhdojnë ta kenë një rol kritik në parandalimin e sulmeve bërthamore dhe në parandalimin e luftimeve të gjera konvencionale midis shteteve me armë bërthamore, në një të ardhme të afërt". Thënë shkurt, SHBA-ja kërkon denuklearizim vetëm nga shtetet e tjera. Vetë denuklearizimi do të ishte 'sfidues' dhe do ta thyente të vërtetën bazë, se armët bërthamore shërbejnë për nevojat ushtarake të SHBA-së. Përpos dështimit të Amerikës që t'iu nënshtrohet obligimeve të NPT-së, një problem tjetër i madh është se nevojat ushtarake amerikane nuk kanë, në fakt, të bëjnë me përmbajtjen (deterrence). Deri më tani, SHBA-ja ka bërë më së shumti luftëra në botë, duke bërë luftëra 'sipas qejfit' në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe gjetiu. Ushtria amerikane vazhdimisht është përzier në përpjekje për rrëzime regjimesh gjatë gjysmë shekullit të fundit, duke shkelur në tërësi ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së, duke përfshirë dy operacione të bëra së fundmi, për rrëzimin e liderëve (Saddam Huseinit në Irak dhe Muammar el-Qaddafit), të cilët kishin pranuar kërkesat e SHBA-së për t'u dhënë fund programeve të tyre të armëve bërthamore. Mund ta themi edhe kështu: pushteti të prishë, si dhe pushteti që vjen me armët bërthamore krijon iluzionin se jeni të gjithëfuqishëm". Fuqia që vjen nga armët bërthamore pengon edhe negociatat. Disa nënshtrojnë qeveritë e vendeve të tjera ndaj tekave të tyre, të paktën tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë. SHBA-ja dhe aleatët e saj bërthamorë vazhdimisht kanë thënë se e kanë të drejtën të injorojnë KS-në e OKB-së dhe sundimin ndërkombëtar të ligjit, sikur që janë edhe sulmet ilegale të NATO-s ndaj regjimit të Qaddafi't në Libi dhe inkursionet ilegale ushtarake të SHBA-së, Izraelit, Britanisë dhe Francës në Siri, në tentim të dobësimit, apo rrëzimit të regjimit të Bashar alAssadit.Me të gjitha mjetet, le të kërkojmë një denuklearizim të Koresë veriore, por le të adresojmë edhe, me të njëjtën urgjencë, arsenalin bërthamor të SHBAsë dhe të vendeve të tjera. Bota nuk është duke jetuar nën një Pax Americana. Ajo është duke jetuar në tmerr, me miliona njerëz të përfshirë në vorbullën e luftës nga një makineri ushtarake e papenguar dhe e pafrenuar e SHBA-së, si dhe me miliarda njerëz duke jetuar në hijen e asgjësimit bërthamor. (Jeffrey D. Sachs është profesor në Universitetin "Columbia")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

7 orë e 14 minuta më parë
18/10/18