Ata që dhunojnë drejtësinë e turpërojnë jo vetëm mëhallën, por tërë kombin shqiptar dhe Shqipërinë

Ata që dhunojnë drejtësinë e turpërojnë jo vetëm mëhallën, por tërë kombin shqiptar dhe Shqipërinë
  • 15 May 2018 - 08:31

SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI

Derisa Kosova ka ligj dhe Kushtetutë të veten, fare nuk ka nevojë për "pleqnarë" vulgarë të mëhallëve të katundeve, që të ndërlikohen me "shërbimet e vullnetit të mirë", qoftë në Presidencë, qoftë në Qeveri, qoftë në Kuvendin e Kosovës se nga duhet t'ia "mbajë" politika e jashtme dhe diplomacia e Kosovës, drejt Uashingtonit, Brukselit, apo Bangladeshit, Pakistanit apo Turkenistanit

DITURIA, LIRIA, DREJTËSIA, ATDHEU, HUMANIZMI DHE VLERAT UNIVERSALE MBI TË GJITHA, jo mëhalla, as partia, as hajdutëria, as makutëria dhe as verbëria për pushtet, për krim, për korrupsion dhe për pasuri me çdo kusht, por SHQIPËRIA ETNIKE, AMERIKA, BE-ja DHE NATO-ja. Pa përligjjen e këtyre FAKTORËVE DHE VLERAVE TË DOMOSDOSHME, e sotmja dhe e nesërmja do të jenë të errëta për kombin shqiptar, ashtu sikurse këtu e 100 vjet më parë (1912- 2018). Nëse duam shtet të së drejtës dhe demokraci të mirëfilltë evropiane perëndimore, atëherë duhet të pohojmë dhe të mbrojmë vetëm DREJTËSINË. Ndryshe, SHTETI, vërtet, mbetet një objekt dhe interes i bajraktarëve dhe i hajdutëve të mëhallëve të ndryshme, ku sundon ligji i xhunglës "kush është më i fortë", duke i mbrojtur secila interesat e "grixhës" së vet, jo të shtetit dhe të POPULLIT. Së pari, njihe veten, pastaj mundohu t'i njohësh dhe t'i kritikosh të tjerët! Fundja, koha ka provuar se vetëm ata, që nuk kanë frikë, edukatë, etikë, parim, dinjitet, kurrfarë kulture, kurrfarë njohurish dhe kurrfarë argumentesh, shpifin, shantazhojnë dhe akuzojnë të tjerët, me qëllim që ta "lartësojnë" dhe ta "afirmojnë" veten e tyre si "figura më të rëndësishme të shahut" të shoqërisë. Ky është fataliteti i një shoqërie, që vuan nga viruset endemike, primitivë dhe retrograde të saj, e cila nuk ka të bëjë me normat e moralit, me standardet e emancipimit dhe të qytetërimit kulturor dhe demokratik amerikan e as evropian, por vetëm me "mentalitetin" primitiv mesjetar.

Gjergj Dedaj e pohoi të vërtetën, Kosova jashtë OBI-së !

Nuk di nëse Gjergj Dedaj e meriton të jetë zëvendësministër i Behgjet Pacollit, por ai foli të drejtën, JO Kosova në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI).- Ashtu do të duhej të ishte, nuk mund të ketë drejtësi dhe demokraci evropiane perëndimore me "dy lugë" -DITËN me Amerikën, me NATO-n dhe me BE-në, kurse NATËN me arabistanin. Pra, pse Gjergj Dedaj, tha -JO Kosova në OBI, kjo nuk nënkupton kurrfarë sanksionimi etik, ligjor dhe kushtetues, që ai të largohet nga MPJ-a e Republikës së Kosovës. - Ai propozim është më shumë se budallallëk, joparimor, tendencioz, i padrejtë dhe aspak demokratik. Thënë të vërtetën, gjatë 20 viteve të fundit, nuk kam pasur rast të dëgjoj dhe të lexoj prononcim më të ekulibruar politik të Gjergj Dedës për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror të Republikës së Kosovës. - Ndaj, edhe ajo deklaratë e tij, e peshuar politikisht, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht qartazi provoi se Gjergj Dedaj nuk ishte dhe as nuk është "koritja e mëhallës" as e Kosovës, por dikush tjetër, ata që po e rrjepin për së shkreti Kosovën, jo më pak se 20 të zeza. Sa më sipër, sa Gjergj Dedaj ka dëshmuar aftësitë e tij në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, kjo është krejtësisht çështje tjetër për të cilën mund të flasin kryediplomati i Kosovës, Behgjet Pacolli, kryeministri i Qeverisë, Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, jo "postierët" e mëhallëve dhe të partive të ndryshme politike, që për një darkë, për një drekë a për ndonjë vend pune, apo post në parti a në pushtet, "MIZËN TA BËJNË BUALL", si thotë një fjalë popullore. Së pari, reagimi i Gjergj Dedës është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ku në nenin 8 të saj thuhet: "Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare". Kjo nuk do të thotë që Kosova të mos ketë bashkëpunim ekonomiko-tregtar me shtetet e OBI-së, por anëtarësim në strukturën e saj nuk mund të ketë në asnjë formë formale qoftë me cilësi të përhershme siç është Shqipëria që 26, qoftë me cilësi vëzhguesi, sepse një aderim i tillë i Kosovës do të ishte akt antikushtetues dhe antiligjor mbase shteti i Kosovës nuk është me përmbajtje të rendit kushtetues islamik. Për më tepër, një rreshtim i tillë formal i Kosovës në OBI, do të ishte në kundërshtim të plotë me kursin e saj politiko-strategjik, ushtarak, ekonomik dhe diplomatik amerikano-evropian perëndimor. Çfarë do të fitonte Kosova sikur të anëtarësohej në OBI, ashtu siç bëri turpërisht Shqipëria në vitin 1992? - Asgjë, përpos humbjes së besimit, ftohjes së marrëdhënieve politike, ekonomike, tregtare dhe diplomatike me Amerikën , me NATO-n, si dhe me BE-në, gjë që kjo gradualisht Kosovën do ta çonte në izolimin e plotë nga mbështetja e partnerëve historikë amerikanë dhe evropianë perëndimorë, të cilët me Amerikën në krye e çliruan dhe e pavarësuan Kosovën nga Serbia  kolonialiste dhe gjenocidale. Sikur Amerika, NATO-ja dhe BE-ja, të ishin anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), atëherë do të ishte e logjikshme, që edhe Kosova e Shqipëria t'u bashkoheshin atyre. Prandaj, reagimi i Gjergj Dedajt, në asnjë kuptim nuk mund të cilësohet si "koritje e mëhallës", e fshatit, e qytetit apo e Kosovës, sepse Kosova me Kushtetutën e saj është "shtet laik", që s'ka të bëjë fare me anëtarësimin në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, sepse nuk ka asnjë përfitim politik prej tij. Kosova, tanimë, siç ka theksuar me arsye zëvendësministri GJ. Dedaj, është rreshtuar në anën e Amerikës, të NATO-s dhe synon edhe BE-në. Si rrjedhim, nuk ka asnjë alternativë tjetër dhe asnjë arsye logjike, reale, strategjike dhe pragmatike, që Kosova të aderojë në ndonjë organizatë islamike qoftë me karakter botëror apo rajonal, ashtu siç ka vepruar gabimisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën e saj, Shqipëria si "shtet laik".

Shqipëria mbeti jashtë BE-së edhe për shkak të anëtarësimit të saj në OBI (1992-2018)

Kjo është e turpshme, e gabueshme dhe krejtësisht e papranueshme ngaqë (ndër të tjera) ky gabim fatal i ka kushtuar shtrenjtë Shqipërisë, ngase që 28 vjet është duke pritur në "sportelin" e aplikimeve të BE-së. Me gjasë, kjo do t'i kushtojë, edhe në të ardhmen derisa ta ketë braktisur përfundimisht Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI).I njëjti fat tragjik e prêt edhe Kosovën, nëse anëtarësohet në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (qoftë me status permanent, qoftë me status vrojtuesi). - E ky, do të ishte "turpi i mëhallës" dhe i Kosovës, jo assesi zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Gjergj Deda. Drejtësia e Kosovës nuk bëhet me vulgarizma, me ofendime dhe me mesele mëhallësh dhe me "grupe kontakti" të djallit, por vetëm me zbatimin e ligjeve të Kushtetutës, si dhe të drejtës ndërkombëtare. - Po, çfarë diplomacie është ajo, edhe Kosova (ende e papërfunduar si shtet) po i konkurron Shqipërisë, që të aderojë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, ashtu sikurse u anëtarësua Shqipëria e Sali Berishës në vitin 1992. - A ka më çmenduri, më verbëri dhe më e turpshme se një grabage diplomaci e këtillë?!

Shqipëria si shtet laik, e jo islamik, që 26 vjet ka aderuar në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (1992- 2018)!?

Çfarë "kazan" diplomacie dhe politike e jashtme është ajo, të shkelësh Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me qëllim që të bëhesh anëtar i një Organizate Islamike, që për mision ka mbrojtjen e interesave të shteteve islamike në botë, JO të kombit shqiptar dhe të SHQIPËRISË ETNIKE. Këtë element thelbësor të strategjisë së diplomacisë dhe të politikës së jashtme të OBI-së, duhet mbajtur parasysh, JO interesat parciale dhe meskine të hajdutëve të grupeve të ndryshme politike mafioze, që po luftojnë të pasurohen sa më shumë në kurrizin e mëhallëve, të katundeve dhe të qyteteve të varfëruara dhe të sekretuara të Kosovës. Derisa Kosova ka ligj dhe Kushtetutë të veten, fare nuk ka nevojë për "pleqnarë" vulgarë të mëhallëve të katundeve, që të ndërlikohen me "shërbimet e vullnetit të mirë" qoftë në presidencë, qoftë në qeveri, qoftë në kuvendin e Kosovës se nga duhet t'ia "mbajë" politika e jashtme dhe diplomacia e Kosovës, drejt Uashingtonit, Brukselit, apo Bangladeshit, Pakistanit apo Turkenistanit. Kjo është injorancë dhe verbëri kombëtare, shtetërore dhe ndërkombëtare, sepse në atë OBI, as Kosova e as Shqipëria nuk e kanë vendin e tyre qoftë si anëtare me cilësi të përhershme, qoftë me atë vëzhguese, sepse aty, as njëra e as tjetra nuk përfitojnë asgjë në dobi të mbështetjes dhe të afirmimit të interesit nacional dhe shtetëror. Prandaj, nuk ekziston asnjë arsye, që ndokush të kërkojë revokimin e Gjergj Dedës, gjoja se ky "paska bërë turp mëhallor", pse me plot të drejtë e ka kritikuar kursin e çoroditur të "busullës diplomatike" se Kosova nuk duhet të bëjë përpjekje për t'u anëtarësuar në Organizatën e Bashkëpunimit Islmaik(OBI) mbase "do të cenonte interesin e partnerizmit strategjik me Amerikën dhe me NATO-n". Ky konstatim është i qëlluar dhe largpamës, që të nderon dhe të lartëson si në sy të kombit, ashtu edhe në sy të miqve realë dhe dashamirës, siç janë Amerika, NATO-ja, BE-ja dhe OSBE-ja.

(Kosova Sot)