Pse Amerika po bie në dashuri me zonjën Melania Trump?

Pse Amerika po bie në dashuri me zonjën Melania Trump?
  • 16 May 2018 - 09:48

Shkruan: Lauren DeBellis Appell 

Zonja Trump është person privat dhe më me dëshirë qëndron nën hije. Por, kohëve të fundit duket se ajo ndihet më mirë duke u prezantuar para Amerikës ashtu si është në të vërtetë, me atë në çka beson dhe si dëshiron që pasionet t'i vërë në veprim. Sa më shumë që Amerika e sheh atë, aq më shumë ne biem në dashuri me të

Besnike ndaj stilit të saj unik, Zonja e Parë Melania Trump shpalosi platformën e saj politike të hënën, gjë që bie ndesh me iniciativat tradicionale të një kauze, me të cilat jemi mësuar t'i shohim të merren zonjat e para. Në vend të kësaj, ajo u përcaktua për një qasje të gjerë ndaj një kampanje e cila trajton disa çështje me të cilat ballafaqohen fëmijët tanë. Në veçanti, kampanja "Be Best" (Ji më i mirë) e Zonjës së Parë përqendrohet te tri gjëra: mirëqenia, përdorimi i medieve sociale dhe abuzimi me opioide. Në një fjalim të mbajtur në "Rose Garden", për ta paraqitur këtë iniciativë, zonja e parë tha: "Le t'ua mësojmë fëmijëve tanë dallimin midis së mirës dhe të keqes dhe le t'i inkurajojmë ata që të jenë më të mirët në rrugëtimet e tyre individuale në jetë. Besoj se, së bashku, duhet të përpiqemi që t'ua ofrojmë fëmijëve gjërat që iu nevojiten për ta kultivuar shëndetin e tyre social dhe emocional", tha zonja Trump, duke shtuar: "Ne mundemi dhe duhet që t'ua mësojmë fëmijëve rëndësinë e vetëdijes sociale dhe personale, aftësive për raporte pozitive dhe vendimmarrjes së përgjegjshme".

Qasja jokonvencionale

Platforma e zonjës së parë ka evoluuar përgjatë viteve, duke marrë njëfarë statusi të personave të famshëm. Ajo e ka mundësinë që ta shndërrojë atë në çkado që të dojë dhe fuqia e saj është e pakufizuar. Duket se Melania Trump e di këtë dhe, ajo është duke e shfrytëzuar sa mëshumë mundësinë që i është dhënë. Qasja jokonvencionale e zonjës Trump ndaj platformës së saj, largohet nga norma dhe përqendrohet te një jetë e shëndoshë dhe e balancuar. Zonja e Parë Nancy Reagan kishte kampanjën "Just Say No", derisa Laura Bush njihej për programet e edukimit dhe shkrim-leximit. Dhe, Michelle Obama njihej për luftimin e mbipeshës te fëmijët. Kjo është një ditë e re. Koha e mbingarkesës informative është këtu, me tërë fuqinë e vet. Fëmijët tanë janë të vërshuar nga mediat sociale, të cilat mund të ushqejnë te ta negativitetin dhe të ndikojnë në mirëqenien e tyre. Kriza e përdorimit të drogave opioide, të cilën presidenti Trump vitin e kaluar e shpalli urgjencë shëndetësore, solli një rritje të vdekjeve nga mbidoza për më shumë se 19% te grupmoshat nga 15 deri 19 vjet, midis viteve 2014 dhe 2015. Presidenti Trump iu bashkua zonjës Trump në "Rose Garden", ku lavdëroi Zonjën e Parë dhe tha se populli amerikan është prekur nga hijeshia dhe sinqeriteti i saj.

Stili i zonjës Trump

Nuk ka nevojë që të shkojmë më larg, sesa një anketë e bërë tash vonë nga CNN, për të parë se Melania Trump, e cila shpesh iu ikë vendeve publike, është lidhur me popullin amerikan në një mënyrë madhështore. Sipas kësaj ankete, që nga janari mbështetja ndaj zonjës Trump është rritur për 10%, duke arritur në 57%. Kjo është mbështetja më e lartë që ka marrë ndonjëherë zonja Trump në ndonjë anketë të bërë nga CNN. Ndoshta njëra ndër arsyet pse zonja Trump ka hezituar që të jetë në qendër të vëmendjes gjatë vitit të saj të parë në Shtëpinë e Bardhë, ka të bëjë me faktin se mediat kanë qenë tepër kritike ndaj saj, duke filluar nga madhësia e takave të saj, e deri te dekorimet për Kërshëndella. Kritikat e medieve ndaj presidentit, në mënyrë të papjekur kishin kaluar te gruaja e tij. Duket se kjo valë ka marrë kah të kundërt pas drekës së parë shtetërore të presidentit amerikan me presidentin francez, Emmanuel Macron. Stili i zonjës Trump, si në zellin e saj për pasion, po ashtu edhe në drekën e përkryer që përgatiti ajo, pa ndihmën e ndonjë profesionisti, bënë që kjo të binte në sy të të gjithëve dhe që, edhe kritikët më të mëdhenj të saj, të marrin shënime. Zonja Trump është person privat dhe më me dëshirë qëndron nën hije. Por, kohëve të fundit duket se ajo ndihet më mirë duke u prezantuar para Amerikës ashtu si është në të vërtetë, me atë në çka beson dhe si dëshiron që pasionet t'i vejë në veprim. Sa më shumë që Amerika e sheh atë, aq më shumë ne biem në dashuri me të. Dhe, aq më efikase do të jetë ajo në dhënien zë të kauzave të cilat, në mënyrën e vet, e bëjnë Amerikën të madhe përsëri.

(Lauren DeBellis Appell, autor i pavarur nga Fairfaks, Virxhinia, ishte zëvendës sekretar për shtyp i senatorit Rick Santorum)

(Kosova Sot)