Pse Marx e kishte gabim?

Pse Marx e kishte gabim?
  • 17 May 2018 - 09:18

Shkruan: CARL BILDT

Nëse zhvillimi i Kinës është duke u frenuar nga ndonjë gjë sot, ato janë mbetjet e marksizmit që janë ende të dukshme në ndërmarrjet joefikase shtetërore dhe në represionit e atyre që mendojnë ndryshe. Sistemi kinez i centralizuar i një partie është thjesht i papajtueshëm me një shoqëri moderne dhe të larmishme

Dyqind vjetori i lindjes së Karl Marx-it ka ndikuar në rritjen e interesimit rreth veprës së tij, bashkë me zbulimin e një statuje në qytetin e tij të lindjes, në Trier, Gjermani. Në një festë dedikuar marksizmit në Pekin, javën që shkoi, presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se, "sikur një lindje spektakulare e diellit, kjo teori ndriçoi rrugën e eksplorimit njerëzor të historisë dhe të tentimeve të njerëzimit për çlirim". Ai vazhdoi duke thënë se Marx "tregoi drejtimin, me teori shkencore, kah një shoqëri ideale, pa shtypje dhe eksploatim, ku çdo njeri do ta gëzonte barazinë dhe lirinë". Duke pasur parasysh se fjalët e Xi-së u thanë në Kinën "marksiste", ata që ishin të pranishëm nuk kishin zgjidhje tjetër përveçse të pajtoheshin me to. Por, duke folur në Trier në të njëjtën ditë, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ofroi një vlerësim disi bujar të tij: "Sot, ai konsiderohet fajtor për gjërat për të cilat nuk është përgjegjës dhe që nuk i ka shkaktuar, sepse shumë nga gjërat që ai i kishte shkruar, u riformuan në të kundërtën e tyre".

Marx e konsideronte pronën private si burim të të gjitha të këqijave

Nuk është krejtësisht e qartë se çfarë do të thotë Juncker me këtë. Në fund të fundit, marksizmi ka shkaktuar një mjerim të pallogaritur te dhjetëra milionë njerëz që u detyruan të jetoninnën regjimet që mbanin flamurin e tij. Gjatë pjesës më të madhe të shekullit XX, 40% e njerëzimit vuajtën nga uria, gulagët, censura dhe forma të tjera të shtypjes nga duart e marksistëve të vetëshpallur. Në fjalimin e tij, Juncker dukej se aludoi në argumentimin standard: se tmerret komuniste gjatë shekullit të njëzetë ishin për shkak të një lloj shtrembërimi të mendimeve të Marxit, për të cilat vetë ai njeri vështirë se mund të konsiderohet përgjegjës. A ka ndonjë vlerë ky argument? Marx kaloi pjesën më të madhe të jetës duke analizuar ekonominë politike të Perëndimit industrialist në mesin e shekullit XIX. Por rëndësia e tij iu detyrohet më shumë ideve të tij për të ardhmen dhe implikimet që do të kishin për shoqërinë. Duke e konsideruar trashëgiminë e tij, kjo fushë e mendimeve të tij nuk mund të injorohet. Marx e konsideronte pronën private si burim të të gjitha të këqijave në shoqëritë kapitaliste të kohës së tij. Prandaj, ai besonte se vetëm duke hequr atë mund të shëroheshin ndarjet e klasave të shoqërisë, dhe të sigurohej një e ardhme harmonike. Në komunizëm, pohoi më vonë bashkëpunëtori i tij Friedrich Engels, vetë shteti do të bëhej i panevojshëm dhe "do të shuhej". Këto pohime nuk u bënë si spekulime, por si pretendime shkencore për atë që sillte e ardhmja.

"Profeti i rremë"

Por, natyrisht, ato ishin të tëra broçkulla dhe, teoria marksiste e historisë - materializmi dialektik - që atëherë është provuar si e gabueshme dhe e rrezikshme, praktikisht në çdo aspekt. Filozofi i shkëlqyeshëm i shekullit të njëzetë, Karl Popper, një nga kritikët më të fuqishëm të Marxit, me të drejtë e quajti atë një "profet të rremë." Dhe, nëse duheshin më shumë prova, vendet që përqafuan kapitalizmin në shekullin e njëzetë vazhduan të bëheshin demokratike, të hapura dhe të begata. Në anën tjetër, çdo regjim që ka hedhur poshtë kapitalizmin në emër të marksizmit, ka dështuar - dhe jo rastë- sisht ose si rezultat i disa keqkuptimeve të pafata doktrinore nga ana e dishepujve të Marxit. Duke hequr pronësinë private dhe duke vendosur kontroll shtetëror të ekonomisë, jo vetëm që e privon shoqërinë nga sipërmarrja e nevojshme për ta çuar përpara; por e heq edhe lirinë. Për shkak se marksizmi i trajton të gjitha kontradiktat në shoqëri si produkte të një lufte klasore që do të zhduken kur pronësia private vetë të zhduket, pakënaqësia pas themelimit të komunizmit është e pamundur. Sipas definicionit, çdo sfidë ndaj rendit të ri duhet të jetë një mbetje e paligjshme e rendit shtypës që ishte më parë. Kështu, regjimet marksiste në të vërtetë kanë qenë zgjerime logjike të doktrinave të tij. Sigurisht Juncker ka të drejtë që Marx - i cili vdiq 34 vjetpara Revolucionit Rus - nuk ishte përgjegjës për gulagët, por idetë e tij ishin pa dyshim. Në studimin e tij me tre vëllime, "Rrymat Kryesore të Marksizmit", filozofi polak Leszek Kolkowski, i cili u bë kritiku kryesor i marksizmit, pasi që e kishte përqafuar atë në rininë e tij, vëren se Marx nuk tregoi pothuajse asnjë interes për njerëzit, ashtu siç ata aktualisht ekzistojnë. "Marksizmi merr pak parasysh faktin se njerëzit lindin dhe vdesin, se janë burra dhe gra, të rinj ose të moshuar, të shëndoshë ose të sëmurë", shkruan ai. Si i tillë, "e keqja dhe vuajtja, në sytë e tij, nuk kanë kuptim veçse si instrumente çlirimi; ato janë fakte thjesht sociale, jo një pjesë thelbësore e gjendjes njerë- zore ". Pikëpamjet e Kolakowskit ndihmojnë për të shpjeguar pse regjimet që kanë përqafuar doktrinën mekanike dhe deterministe të Marxit, duhet doemos të kthehen në totalitarizëm kur përballen me realitetin e një shoqërie komplekse. Ato nuk kanë pasur gjithmonë sukses të plotë; por rezultatet kanë qenë gjithmonë tragjike. Nga ana e tij, Xi e sheh zhvillimin ekonomik të Kinës gjatë dekadave të fundit si "dëshmi të fortë si hekuri" për vlefshmërinë e vazhdueshme të marksizmit. Por, e vërtetë është pikërisht e kundërta. Mos harroni se ishte Kina e komunizmit të pastër që krijoi urinë dhe terrorin e "Hapit të madh përpara" dhe "Revolucionit Kulturor". Vendimi i Maos për të privuar fermerët nga tokat e tyre dhe sipërmarrësit e firmave të tyre kishte rezultate të parashikueshme katastrofike dhe Partia komuniste e Kinës, më pas, e ka braktisur atë qasje doktrinore. Nën pasardhësin e Maos, Deng Xiaoping, Partia komuniste kineze lansoi "hapjen e madhe ekonomike" të Kinës. Pas vitit 1978, filloi të rivendoste pronësinë private dhe të lejonte sipërmarrjen, dhe rezultatet nuk kanë qenë më pak spektakulare. Nëse zhvillimi i Kinës është duke u frenuar nga ndonjë gjë sot, ato janë mbetjet e marksizmit që janë ende të dukshme në ndërmarrjet joefikase shtetërore dhe në represionit e atyre që mendojnë ndryshe. Sistemi kinez i centralizuar i një partie është thjesht i papajtueshëm me një shoqëri moderne dhe të larmishme. Dyqind vjet pas lindjes së Marxit, është padyshim me mend të mendosh për trashëgiminë e tij intelektuale. Sidoqoftë, ne duhet ta bëjmë këtë jo duke festuar, por të frymëzojmë shoqëritë tona të hapura kundër tundimit totalitar që ngrihet mbi teoritë e tij të rreme.

(Carl Bildt ishte ministër i Jashtëm i Suedisë dhe përpara edhe kryeministër. Aktualisht është kryesues i Komisionit global për qeverisje me internet) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)