Strategjia e Trumpit ndaj Iranit, fantazi hesapi

Strategjia e Trumpit ndaj Iranit, fantazi hesapi
  • 18 May 2018 - 11:24

Shkruan: Fareed Zakaria

J eb Bush kishte thënë se Donald Trump do të ishte një 'president kaos'. Dhe, këtë javë, presidenti Trump e realizoi këtë parashikim, duke vendosur në fakt që të dilte kundër tërë botës, duke përfshirë edhe aleatët më të ngushtë evropianë të Amerikës dhe duke rritur tensionet në pjesën më jo stabile të botës, në Lindjen e Mesme. Është vështirë të kuptohet racionalja që qëndron prapa vendimit të Trumpit për t'u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Nëse Irani është një faktor aq i rrezikshëm dhe i keq, sikur që thotë ai, nuk ka dyshim se është më mirë që programi i tij bërthamor të jetë i ngrirë në një nivel para-ushtarak dhe të jetë i monitoruar 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Gjasat që Teherani të pajtohet me një marrëveshje më të ashpër, janë zero. Sikur kushtet e Marrëveshjes me Iranin të ishin aplikuar për Korenë Veriore, ato do të kërkonin që Penjani të shkatërronte armët e veta bërthamore - frytet e përpjekjeve të gjata një dekadë - si dhe të pajtohej me inspektimet përfshirëse dhe mbikëqyrjen e huaj në një vend aq të mbyllur, sa që quhet Mbretëria vetmitare.

Kritika administratës Obama

Nëse ka ndonjë strategji prapa këtij veprimi të Trumpit, atëherë ajo me gjasë do të ketë të bërë me ndërrimin e regjimit. Këshilltarët e tij më të afërt ka kohë që janë angazhuar për ndërrim të regjimit dhe kanë thënë se, qasja më e mirë ndaj Iranit, është një kombinim i sanksioneve, mbështetjes ndaj grupeve opozitare dhe intervenimeve ushtarake. Si kongresist, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, kishte kritikuar administratën Obama për shkak të negociatave me Teheranin, duke sugjeruar në vend të kësaj që SHBA-ja të lansonte bombardime ndaj Iranit. Këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton, ka shkuar edhe më tej në presionet për ndërrimin e regjimit, duke u angazhuar për një mbështetje më të madhe ndaj "Mujahideen-e Khalq" (MEK), një grupi militant opozitar, me një të kaluar problematike dhe me pak mbështejte brenda Iranit. Si Bolton, po ashtu edhe prokurori i Trumpit, Rudolph W. Giuliani, kanë mbajtur fjalime me pagesë për grupin MEK dhe, verën e kaluar në Paris, Bolton deklaroi se SHBA-ja duhet të angazhohet për ndërrim të regjimit në Iran, në mënyrë që Republika islamike të mos e festojë ditëlindjen e saj të 40-të (e cila do të festohet në vitin 2019). Kështu, tre nga këshilltarët më të afërt të Trump'it kanë pikëpamje aq ekstreme ndaj Iranit, sa që zor se ato mund të mbështeten nga ndokush jashtë Arabisë saudite dhe Izraelit. Irani është një regjim shtypës dhe antiamerikan, i cili ka zgjeruar ndikimin e tij nëLindjen e Mesme, shpesh në dëm të Amerikës. Por, ai është edhe një civilizim antik, me shekuj të tërë të fuqisë dhe ndikimit në regjion. Thënia se SHBA-ja mund t'i zgjidhë të gjitha problemet e saj me Teheranin, thjesht duke ndërruar regjimin atje, është fëmijërore. Irani ka duruar presionet dhe sanksionet amerikane për gati katër dekada. Dhe, edhe po të jetë e mundur disi të rrëzohet regjimi, shikoni përreth. Leksionet e dy dekadave të kaluara në Lindjen e Mesme thonë se ndërrimi i regjimit çon në kaos, luftë, valë të refugjatëve, konflikte sektare, etj. Ai hapë kutinë e Pandorës në një vend edhe ashtu me probleme të shumta.

Ndihma drejt kapitalizmit

Shikoni përtej Lindjes së Mesme, në lidhje me ndërrimin e regjimeve. Pa marrë parasysh a kemi pasur të bënim me ndonjë sundimtar të papëlqyer, sikur Jacobo Arbenz i Guatemalës, apo ndonjë miqësor, sikur Ngo Dinh Diem i Vietnamit jugor, ndërrimi i regjimit është pasuar me një jostabilitet më të madh. Shikojeni vet Iranin, ku një grushtet i sponsorizuar nga britanikët dhe amerikanët rrëzoi qeverinë e zgjedhur, i cili ishte njëri ndër faktorët që çoi dhe vazhdon të legjitimojë Republikën islamike. Shqyrtojeni edhe intervenimin amerikan në Lëvizjen çlirimtare kubaneze, në fillim të shekullit XX, gjë që la një trashëgimi të antiamerikanizmit, të cilën komunistët kubanë vazhdojnë që ta keqpërdorin edhe sot e kësaj dite. Keqvlerësimi dhe keqmenaxhimi i nacionalizmit mund të jetë gabimi kryesor në politikën e jashtme të Amerikës. Në anën tjetër, kur SHBA-ja ka ndihmuar shoqëritë e hapura drejt kapitalizmit, tregtisë dhe marrëveshjeve, këto thartira të modernitetit gati gjithmonë kanë zhbërë edhe elementet më kokëforta të diktaturave. Përkundër të gjitha problemeve që i ka, Kina sot është një vend shumë më i mirë dhe më i përparuar, sesa që ishte nën liderin Mao Zedong. Njerëzit shpesh përmendin kampanjën e presidentit Ronald Reagan kundër BRSS-së si një shembull, ku presioni kundër një perandorie të keqe, ndikoi në ndërrimin e regjimit. Por, ata mbajnë mend vetëm gjysmën e tregimit. Reagan bëri presion ndaj sovjetikëve. Por, në momentin që ai gjeti një reformator, te Mikhail Gorbachev, ai e përqafoi atë, e mbështeti dhe i bëri lëshime aq të mëdha, sa që nxiti zemërimin e opozitës nga konservatorët që e quajtën atë "idiot të dobishëm", që ishte duke ndihmuar BRSSnë ta fitonte Luftën e ftohtë. Irani është një vend i komplikuar, me një regjim të komplikuar. Por, ai përmban brenda vetes elemente të moderuara, të cilat shpresonin se marrëveshja bërthamore do të ishte rrugë kah integrimi dhe normalizimi i vendit me botën. Këto forca nuk janë dominuese, por ato kanë forcë, jo vetëm pse presidenti Hassan Rouhani gëzon një mbështetje popullore. Por, Irani vazhdimisht ka pasur një element të vijës së ashpër, sipas të cilit Amerikës kurrë nuk mund t'i besohet, se sauditët janë armiq të përbetuar dhe se mbështetja te vetvetja, autarkia dhe përhapja e ideologjisë shiite ishte strategjia e vetme për të mbijetuar. Trump vetëm sa i ka bindur ata se kanë të drejtë. 

(Kosova Sot)