Internacionalizmi dhe politikat e reja të Macronit

Internacionalizmi dhe politikat e reja të Macronit
  • 20 May 2018 - 10:39

BOTËKUPTIMI I SINQERTË NDËRKOMBËTAR I PRESIDENTIT FRANCEZ

Shkruan: KEMAL DERVIS

Vizita shtetërore e presidentit Emmanuel Macron në SHBA, muajin e kaluar, ishte shembull i kontrasteve. Përkundër dinamikës miqësore, agjenda dhe retorika e Macronit ishin gati diametralisht të kundërta me ato të presidentit amerikan, Donald Trump. Por, lidershipi i Macronit është subjekt i një sfide edhe më fundamentale; sjellja e tij mund ta përcaktojë rrugën përpara kah politikat liberale-demokratike. Duke iu drejtuar kongresit amerikan në gjuhën angleze, Macron artikuloi një botëkuptim të sinqertë ndërkombëtar, duke bërë thirrje për institucione më të forta ndërkombëtare, një rekomandim për sistemin rregullator të tregtisë ndërkombëtare dhe një përqafim të përgjithshëm të globalizimit. Në lidhje me Iranin, ai përsëriti nevojën për ta ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila Trump sapo është tërhequr, megjithëse ai bëri thirrje për marrëveshje plotësuese mbi temat të cilat marrëveshja ekzistuese nuk i adreson. Macron ka sinjalizuar gjithashtu se do të ndjekë një fushatë pan-evropiane për zgjedhjet e Parlamentit Evropian në vitin 2019. Si një demokrat, ai beson se thellimi i Bashkimit Evropian duhet të shkojë krah për krah me zhvillimin e një hapësire politike evropiane.

Konkurrenca mes partive të mëdha

Në një kohë të dëmtuar shumë nga rënia e liberalizmit, e ardhmja e demokracisë sociale, rritja e nacionalizmit dhe reagimi kundër globalizimit, pozicioni ndërkombëtar i avancuar i Macron-it është i dukshëm. Në fakt, Macron ka bërë një kërcim në të panjohurën e "politikës së re" të Perëndimit, një terren që nuk është përcaktuar plotësisht nga konkurrenca mes partive të mëdha të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë. Por, a është politika me të vërtetë duke e tejkaluar ndarjen tradicionale në të djathtë dhe të majtë? Do të ishte gabim që Macron, i cili shërbeu si ministër në qeverinë socialiste të paraardhësit të tij François Hollande, të përshkruhet thjesht si një centrist. Megjithëse ka lëvizur drejt qendrës, ai nuk u bashkua me ndonjërën nga partitë e vogla tradicionale të qendrës, por në vend të kësaj, krijoi "lëvizjen" e tij. Fillimisht, Macron e përshkroi atë lëvizje - të cilën e quajti En Marche! - si "as në të djathtë e as në të majtë" - duke shmangur termin "centrist". Tani, ai thotë se është "në të djathtë dhe në të majtë", duke sinjalizuar dëshirën e tij për të bërë për vete votuesit e qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë. Nëse ndarja tradicionale në të majtë - të djathtë është duke u dobësuar, pyetja është se me çka do të zëvendësohet ajo. Me globalizimin në qendër të debatit politik në shumicën e vendeve, mund të duket se përgjigjja është një ndarje midis forcave kozmopolite dhe lokaliste. Sipas këtij interpretimi, Macron udhëheq lëvizjen proglobalizuese (dhe pro-evropiane) të Francës dhe ata që e kundërshtojnë atë, në të djathtë ose në të majtë, kanë një kundërshtim të përbashkët ndaj hapjes ekonomike. Dhe, në të vërtetë, e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme, janë duke bartur mesazhe të ngjashme ekonomike. Ndërkohë, partitë ekzistuese politike të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë - në Francë dhe në mbarë Perëndimin - kanë tendencë të përfshijnë fraksione të orientuara ndërkombëtarisht dhe ata që janë më të dyshimtë rreth globalizimit. Nëse globalizimi po bëhet faktori kryesor përçarës elektoral në vendet perëndimore, këto dy kampe, sipas logjikës, kanë të ngjarë të ndahen dhe të formojnë familje të reja politike. Megjithatë, ndërkohë që besoj se do të ketë lëvizje në këtë drejtim, copëzimi tradicional i majtë- djathtë duket se nuk ka gjasa të zhduket. Partitë tradicionale do të vazhdojnë të debatojnë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me shpërndarjen e të ardhurave, duke përfshirë progresivitetin e sistemeve tatimore dhe qëllimet e duhura të politikës sociale. Vetëm "platforma" e globalizimit nuk do të jetë mjaft e fuqishme për ta përcaktuar një parti të madhe politike. Kjo do të thotë se në vitet e ardhshme, Macron do të duhet të përafrohet më shumë me qendrën e djathtë ose me qendrën e majtë. Rrethanat e veçanta që mundësuan fitoren e tij elektorale në 2017 - një qendër e majtë e diskredituar dhe një kandidat i qendrës së djathtë i diskualifikuar - nuk do të përsëriten më. Ai do të duhet të bëhet një udhëheqës internacionalist i majtë ose një udhëheqës ndërkombëtar me orientim të djathtë.

Hapja ekonomike kërkon solidaritet social

Vetëm njëri prej këtyre duket të jetë opsion i qëndrueshëm. Politikat tradicionale të qendrës së djathtë nuk do të ishin lehtësisht të pajtueshme me një prirjet e forta internacionale. Nëse globalizimi, në dimensione të ndryshme, do të mbështetet nga një shumicë popullore, do të duhet të shoqërohet me politika sociale të modernizuara që ofrojnë ndihmë efektive për ata që kanë nevojë për të. Në një kohë të përçarjes së vazhdueshme ekonomike, kjo do të jetë edhe më e rëndësishme. Hapja ekonomike kërkon solidaritet social. Kjo nuk do të thotë të mbrosh vendet e veçanta të punës nga konkurrenca tregtare apo inovacioni teknologjik. Kjo do të thotë të ndihmosh njerëzit që të përshtaten me ndryshimet e vazhdueshme, duke ua ofruar të gjithë qytetarëve burimet e nevojshme, siç janë arsimi, kujdesi shëndetësor i disponueshëm dhe mbështetja transitore. Shkurtimisht, një qëndrim popullor pro-globalizimit duhet të shoqërohet nga një kontratë e re shoqërore - e mbështetur nga burime publike - që apelon tek një shumicë e madhe. Përndryshe, këngës së sirenës së neo-nacionalizmit, do të jetë vështirë t'i rezistosh. mNdërsa kompleton reformat e nevojshme të taksave dhe tregut të punës në të cilën ka hyrë, Macron do të duhet ta trajtojë këtë sfidë. Në ndryshimin aktual të paradigmës politike, ata që favorizojnë hapjen do ta mundin unilateralizmin nacionalist vetëm duke adoptuar si objektivin e tyre parësor një qasje të modernizuar ndaj solidaritetit shoqëror.

(Kemal Dervi?, ish ministër i ekonomisë në Turqi, aktualisht është bashkëpunëtor i Institutit "Brookings")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot'

 

(Kosova Sot)