Deri kur ky pushtet i kriminalizuar do ta udhëheqë Kosovën?

Deri kur ky pushtet i kriminalizuar do ta udhëheqë Kosovën?
  • 24 May 2018 - 08:20

SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

Me të vërtetë gjendjen e rëndë katastofale në Kosovë e sollën pushtetarët tanë, të cilët pa kurrfarë ndjeshmërie njerëzore, morale e juridike, vepruan kundër shtetit dhe qytetarëve të saj. Ata vazhdimisht e zhvatën dhe e rropën këtë shtet dhe këtë popull të varfër. Ata brenda natës u bënë milionerë, duke e vjedhur çdo të mirë materiale, e popullit ia humbën edhe shpresën e fundit për të jetuar në Kosovën e dashur në vendin ku u linden dhe e deshën më së shumti

Me të vërtetë situata e përgjithshme në Kosovën tonë është rrëqethëse, dramatike, e pse edhe mos të themi katastrofale. Këtë gjendje të mjerueshme dhe pa një fije shprese për të jetuar edhe më tej në Kosovë, e sollën pushtetarët tanë, të cilët pa marre njerëzore, morale e juridike, vepruan varg e vijë kundër shtetit dhe qytetarëve të saj, vazhdimisht duke e vjedhur çdo të mirë materiale dhe përditë duke e zhvatur këtë shtet dhe këtë popull të varfër, që sakrifikoi me vite çdo gjë vetëm e vetëm të jetojë i lirë në shtetin e pavarur dhe të dashur të Kosovës. Andaj, lirisht mund të themi se nuk ka asnjë shtet tjetër në Evropë, që ka aq shumë probleme dhe pakë- naqësi të shumta, siç ka shteti i Kosovës dhe për këtë janë fajtorë pushtetarët tanë të korruptuar, të cilët pa kurrfarë dhembshurie dhe përgjegjësie e sollën shtetin buzë varfërisë së skajshme, duke e zhvatur çdo të mirë e pasuri që kishte. Ky popull në vijimësi ka pasur një optimizëm të lartësuar për shtetin dhe për përparimin e tij. Kjo shpirtërore dhe ky optimizëm i lartë dhe i pakrahasueshëm i popullit tani dalëngadalë po humbet, po venitet e po vyshket vazhdimisht. Këtë gjendje tejet të vështirë, a thua, deri kur ky popull duhet ta përballojë?

Nuk ka vullnet për ndryshimin e gjendjes

Me të vërtetë gjendjen e rëndë katastrofale në Kosovë, e sollën pushtetarët tanë, të cilët pa kurrfarë ndjeshmërie njerëzore, morale e juridike, vepruan kundër shtetit dhe qytetarëve të saj. Ata vazhdimisht e zhvatën dhe e rropën këtë shtet dhe këtë popull të varfër. Ata brenda natës u bënë milionerë, duke e vjedhur çdo të mirë materiale, e popullit ia humbën edhe shpresën e fundit për të jetuar në Kosovën e dashur, në vendin ku u lindën dhe e deshën më së shumti. Andaj, a thua deri kur do të jetë Kosova vend i të korruptuarve, dallaveraxhinjve, mashtruesve e gënjeshtarëve?!... Politika kosovare nuk është në gjendje, por besa as që ka vullnet ta ndryshojë dhe ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Dhe, po të kishte vullnet të sinqertë, sigurisht se Ligji Antimafia dhe dekriminalizimi do të duhej që të hartoheshin. Por, pushtetarët tanë nuk hezitojnë që të bëjnë ligje të këtilla, sepse disa pushtetarë, me mizën pas "veshi" frikohen se do të japin llogari për shumë padrejtësi. Atyre u konvenon kjo gjendje stagnuese, amullie dhe për moskonkretizim të ligjit. Megjithatë, për këtë edhe opozita jonë, sado që është kundër korrupsionit dhe kundër këtyre pushtetarëve, disi edhe ata, më tepër në formë teorike po kundërshtojnë, por që praktikisht sikur edhe ata disi po hezitojnë! Kanë harruar gati plotësisht që pushtetarët tanë votat i kanë marrë nga populli dhe për këtë populli pret nga pushtetarët që ta sanojnë sa më parë këtë gjendje të mjerueshme. Në Kosovën tonë realisht dihet, që drejtësia dhe institucionet tona janë të kapura nga politika, ndaj për këtë, zor se do të ndryshohet diçka e mirë në favor të qytetarëve. E, qytetarët presin dhe më kot me optimizëm presin! Andaj, në këtë gjendje të pafavorshme dhe aspak ligjore është tejet vështirë që ndokush të punësohet në institucionet tona, nëse ke të afërm në politikë, apo nuk ka ndonjë lidhje me njerëzit e partive që janë në pushtet. Dhe, shih për këtë, nëse bëhet një analizë e punësimit, do të shohim qartas se në institucionet tona janë të punësuar baballarë, gruaja, djemtë, vajzat, miku, nipat, baxhanakët e ndonjë politikani që i realizon dëshirat e veta dhe i kanë uzurpuar plotësisht institucionet tona. Dhe, nëse i shtohet edhe ajo parregullsi e disa ministrave, apo të disa deputetëve parlamentarë, që vazhdimisht punojnë në 3-4 vende të punës, atëherë punësimi i të tjerëve me diploma në xhep, shëtisin udhëve, e që nuk kanë njohtësi , presin kot dhe u mbytën duke pritur! A thua, edhe sa kohë duhet të pres ky popull, që të përmirësohet sadopak kjo jetë e tyre, që të jetojnë normalisht?

Politikat e gabuara për më se 20 vjet

Këta pushtetarë, që nga pas lufta, pra që afro 20 vjet, me sjelljet dhe veprimet jonjerëzore dhe joligjore, ndaj këtij populli, po e mbajnë peng vazhdimisht të ardhmen e Kosovës. Nuk ka vende të reja pune, nuk ka punësim për të rinj, gjendja shumë e rëndë e më se 60% të papunëve, gjendja katastrofale e pensionistëve, të cilët marrin pensione qesharake! Dhe, fare nuk skuqen, por as që kanë marre këta pushtetarë për pensionistët, të cilët kontribuuan më së shumti në zhvillimin e këtij vendi. Dhe, ja, çfarë pushtetarë të marifetshëm kemi ?! Aq më keq, me këto politika të gabuara që më se 20 vjet, këta pushtetarë, ua çelën udhën e më se 200.000 vetave që të emigrojnë e më së shumti të rinj që shkuan në vendet perëndimore për t'u punë- suar. Edhe tani janë të përgatitur po aq që të dalin dhe të emigrojnë. E, pushtetarët tanë flenë, sodisin dhe nuk i tregojnë veshit fare për këtë punë! O Tempora o mores, a kështu udhëhiqet shteti, a? Dhe, nuk u skuqen fare për këtë emigracion. Pushtetarët tanë jetojnë në luks, mu si "sheikët" me të gjitha të mirat. E populli po vuan, në mjerim pa bukë goje, pa punë dhe pa ndonjë perspektivë për një jetë normale. Këta pushtetarë të papërgjegjshëm dhe të pangopur, marrin guxim dhe pa fije turpi e fajësojnë BE-në për mosliberalizimin e vizave dhe, asnjëherë nuk iu ra ndërmend për gabimet e mëdha të tyre që i bënë pa fije turpi ndaj shtetit dhe ndaj popullit?! E tani, pyesim, a thua, kush po e shkel ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës për shumë parregullsi? Populli apo pushtetarët? Ndaj, me këta pushtetarë, larg do të jetë BE-ja, as që do të hiqen vizat, pa u ndalur korrupsioni dhe krimi i organizuar. E, këta pushtetarë korrupsionin zor se do ta ndalin ndonjëherë?! Shpëtimin ky popull do ta gjej te një forcë e re intelektualësh, moralisht e pastër dhe e pakorruptuar Me këta pushtetarë, të cilët e sollën shtetin në këtë gjendje të mjerueshme , zor se do hapet udha e përparimit dhe e zhvillimit të shtetit të Kosovës. Ata, pra, nuk kanë kurrfarë vizioni të qartë, se si të dilet nga ky mjerim i vërtetë. Sigurisht, ata që e kriminalizuan shtetin, gati që 20 vjet, ata kurrë nuk do ta bëjnë dekriminalizimin. Ata ende po e vazhdojnë "këngën" e vjetër, pra të zhvatjes, duke e vjedhur çdo të mirë material të këtij shteti dhe të këtij populli. Tani popullit i mbetet që të presë që në skenën politike kosovare, të dalë një forcë e re, që do të ishte e besueshme, e ngritur profesionalisht dhe moralisht e pastër, për ta shpë- tuar shtetin dhe popullin nga këta politikanë të korruptuar dhe të papërgjegjshëm. Populli me padurim po e pret këtë forcë të re. Udhën e ka të hapur dhe me padurim populli po e pret ?!.. 

(Kosova Sot)