Një plan për ta shpëtuar Marrëveshjen bërthamore me Iranin

Një plan për ta shpëtuar Marrëveshjen bërthamore me Iranin
  • 24 May 2018 - 08:30

Shkruan: Guy Verhofstadt 

Vetë marrëveshja zvogëlon ndjeshëm shanset e përhapjes bërthamore në afërsi të Evropës

Tani është koha që evropianët të rimarrin kontrollin e fatit të tyre. Duke forcuar kapacitetin e saj për mbrojtje dhe udhëheqje globale, BE-ja mund të avancojë interesat e veta dhe ato të rendit ndërkombëtar më të gjerë

Më nuk mund të ketë dyshim se parulla "America First" (Amerika në rend të parë) nënkupton saktësisht atë që e thotë. Duke hequr dorë nga Marrëveshja bërthamore me Iranin, të arritur në vitin 2015, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, refuzoi këshillat e aleatëve dhe manifestoi një mungesë të plotë të kujdesit ndaj interesave të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, por edhe të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare. Përpjekja e presidentit francez Emmanuel Macron në momentin e fundit për ta arritur një qasje më të gjerë diplomatike karshi Iranit, u injorua në momentin kritik, me pak, apo aspak shpjegime nga ana e administratës Trump. Ashtu si me aktet e tjera të vandalizmit të Trump-it kundër rendit ndërkombëtar, jo më pak me tërheqjen e tij nga marrëveshja e klimës së Parisit, sabotimi i marrëveshjes me Iranin, të quajtur zyrtarisht Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), i lë vendet e tjera që të 'mbledhin copat e mbetura'. Vendimi në fjalë padyshim kënaq bazën e brendshme politike të Trumpit, e cila kënaqet me zhbërjen e arritjeve kyçe të paraardhësit të tij, Barack Obama. Por, JCPOA ishte gjithashtu një sukses i madh për Bashkimin Evropian. Në fund të fundit, ishin evropianët, në radhë të parë, ata që hapën rrugën për negociata me Iranin. Dhe, vetë marrëveshja zvogëlon ndjeshëm shanset e përhapjes bërthamore në afërsi të Evropës.

Trump as nuk mori mundin për ta ofruar ndonjë qasje alternative

Duke u përpjekur për ta justifikuar vendimin e tij, Trump kohët e fundit ka postuar: "Mos harroni se sa keq Irani sillej ndaj kësaj marrëveshjeje. Ata përpiqeshin ta merrnin Lindjen e Mesme nën kontroll me çfarëdo mjeti të nevojshëm. Tani, kjo nuk do të ndodhë". Por, derisa është e vërtetë se ndikimi iranian është përhapur në Lindjen e Mesme, nuk ka asnjë arsye për të menduar se, ndërprerja e njëanshme e JCPOA-së, do ta ndryshojë papritur këtë fakt. Nëse ndonjë gjë, vendimi mund të inkurajojë linjat e ashpra iraniane dhe të çojë në ndërhyrje edhe më të madhe iraniane në Irak, Siri, Liban dhe vende të tjera. Në fakt, pothuajse menjëherë pas njoftimit të Trumpit mbi tërheqjen nga marrëveshja JCPOA, trupat iraniane të vendosura në Siri njoftohet se qëlluan Izraelin me raketa. Më keq akoma, Trump as nuk mori mundin për ta ofruar ndonjë qasje alternative për ta mbajtur nën kontroll programin bërthamor të Iranit. Si rezultat, tani është detyrë e udhëheqësve evropianë të ndërhyjnë. Për të qenë të sigurt, kërcënimi i SHBA-së me sanksione kundër kompanive evropiane që veprojnë në Iran, e lë BE-në me një zgjedhje të palakmueshme. Por, thjesht heqja dorë nga përpjekjet për mospërhapjen e armëve bërthamore në Lindjen e Mesme nuk është një opsion. Duke parë përpara, BE-ja nuk duhet të kufizohet në ripohimin e angazhimit të saj ndaj JCPOA-së. Ajo duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të futur një strategji më të gjerë ndaj Iranit, një që bind udhëheqësit iranianë që të trajtojnë shqetësimet e ligjshme rreth programit të tyre të vazhdueshëm raketor dhe sjelljeve shkatërruese në rajon. Nëse është e suksesshme, një qasje më e gjerë do të linte gjithashtu dyert e hapura për Shtetet e Bashkuara të ri-angazhohen me përpjekjet diplomatike shumëpalëshe në një datë të ardhshme. Duke shpëtuar marrëveshjen bërthamore dhe duke çuar përpara qëllimet e tjera diplomatike, BE-ja mund të ndikojë në marrëdhëniet e saj ekonomike me Iranin. Iranianët duhet të kuptojnë se vetëm duke kufizuar programin e tyre të raketave dhe duke bashkëpunuar në përpjekjet për të rivendosur stabilitetin në rajon, ata mund të ruajnë marrëdhëniet e tyre ekonomike me Evropën. Udhëheqësit e BE-së gjithashtu duhet ta bëjnë të qartë se nëse Irani rifillon pasurimin bërthamor ose bllokon qasjen ndaj inspektorëve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, regjimi i sanksioneve që ishte në fuqi para 2015 do të vendoset përsëri. Në të njëjtën kohë, BE-ja duhet ta sigurojë Iranin se, për sa kohë që ai t'iu përmbahet angazhimeve të tij në kuadër të marrëveshjes JCPOA, BE-ja do të mbrojë kompanitë e saj nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe efektet jashtë territoriale të legjislacionit të SHBA-së, ashtu siç bëri në përgjigje të sanksioneve të SHBA-së kundër Kubës në vitet 1990. Sigurimi i një mbrojtjeje të tillë do të jetë politikisht dhe ekonomikisht i kushtueshëm; por, alternativa e kësaj, mund të çojë në një garë të armëve bërthamore në Lindjen e Mesme. Dhe, qytetarët evropianë kanë të ngjarë të kundërshtojnë nëse BE-ja befasisht i braktis parimet e saj, thjesht për ta qetësuar një president të paparashikueshëm të SHBAsë. Duke marrë një qasjes më të gjerë të përshkruar më lart, qëllimi, siç ka propozuar Macron, duhet të jetë të arrihet një marrëveshje paralele me JCPOA. Por, çdo marrëveshje e re duhet të shkojë krah për krah me një strategji më të gjerë për ta stabilizuar Lindjen e Mesme. Irani, fuqitë sunite (të udhëhequra nga Arabia Saudite), Izraeli, Rusia, Kina dhe SHBA-ja, duhet të binden që ta ndalojnë nxitjen e luftërave të ndërlikuara të rajonit. Për këtë qëllim, tani i mbetet BE-së që të udhëheqë me diplomacinë dhe t'ia demonstrojë Trumpit se multilateralizmi është shumë më efektiv sesa huliganizmi diplomatik.

Humbja e besimit në rendin ndërkombëtar

Më gjerësisht, një strategji e tillë mund të fillojë gjithashtu të mbyllë ndarjen transatlantike gjithnjë më të thellë, të hapur nga presidenca Trump. Përçarja e Perëndimit është një zhvillim i mirëpritur në sytë e presidentit rus Vladimir Putin dhe regjimeve joliberale në të gjithë botën. Autoritarët dhe populistët nuk do të donin asgjë më shumë sesa të mbillnin kaos dhe humbje të besimit në rendin ndërkombëtar të pasluftës, të bazuar te rregullat. Demokracitë që ndërtojnë atë rend mishërojnë vlera që janë në kundërshtim ndaj interesave të autoritarëve. Përfundimisht, vendimi i Trumpit rreth marrëveshjes JCPOA demonstron, edhe një herë, se Evropa mbështetet tepër te SHBA-ja në lidhje me sigurinë dhe prosperitetin e saj. Madje edhe sipas standardeve të Trumpit, veprimi i tij ndaj marrëveshjes me Iranit ishte një akt habitës i zjarrvënies diplomatike. Ky veprim sugjeron se operacionalizimi i plotë i qasjes së tij "Amerika në rend të parë", sapo ka filluar. Tani është koha që evropianët të rimarrin kontrollin e fatit të tyre. Duke forcuar kapacitetin e saj për mbrojtje dhe udhëheqje globale, BE-ja mund të avancojë interesat e veta dhe ato të rendit ndërkombëtar më të gjerë.

(Guy Verhofstadt, ish-kryeministër i Belgjikës, është president i Aleancës së liberalëve dhe demokratëve të Grupit për Evropë -ALDE -në Parlamentin Evropian) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)