Evropa duhet të ballafaqohet me sanksionet amerikane

Evropa duhet të ballafaqohet me sanksionet amerikane
  • 25 May 2018 - 09:22

Shkruan: Jeffrey D. Sachs 

Heqja dorë e Donald Trumpit nga Plani i përbashkët gjithëpërfshirës i veprimit (JCPOA) me Iranin, si dhe rivendosja e sanksioneve ndaj atij vendi, rrezikojnë paqen globale. Siguria e Evropës varet nga mbrojtja e marrëveshjes me Iranin pavarësisht nga tërheqja e SHBA-së. Kjo, nga ana tjetër, kërkon që Evropa, së bashku me Rusinë, Kinën dhe shtetet e tjera të Kombeve të Bashkuara, të sigurojnë që marrëdhëniet ekonomike me Iranin të mund të zhvillohen. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse Evropa ballafaqohet dhe përfundimisht përmbys sanksionet ekstraterritoriale të Amerikës, të cilat synojnë të pengojnë tregtinë dhe aktivitetet financiare me Iranin nga pjesëmarrësit joamerikanë. Qëllimi i veprimit të Trumpit është i qartë dhe me të vërtetë eksplicit: rrëzimi i regjimit iranian. Duke pasur parasysh këtë marrëzi, qytetarët evropianë me saktësi ndiejnë se interesat e sigurisë të Evropës nuk janë më ngushtë të rreshtuara me ato të Shteteve të Bashkuara.

Dështimi poshtërues

Qasja agresive e Amerikës ndaj Iranit është mbështetur nga dy aleatë të SHBA-së në Lindjen e Mesme, Izraeli dhe Arabia Saudite. Izraeli thirret te fuqia e SHBA-së, për të shmangur që të bëjë ndonjë kompromis me palestinezët. Arabia Saudite thirret në fuqinë ushtarake të SHBA-së për ta frenuar rivalin e saj rajonal, Iranin. Të dy këto vende shpresojnë për një luftë të drejtpërdrejtë të SHBA-së me Iranin. Përpjekjet e mëparshme të Amerikës për ndryshime të regjimeve në Lindjen e Mesme dhanë rezultate të tmerrshme për SHBA-në dhe Evropën (për të mos thënë asgjë për fatkeqësitë që u ndodhën vendeve të kapura nga kaosi i provokuar nga SHBA-ja). Këto "luftëra të zgjedhura" kanë qenë faktori kryesor në rritje të migrimit në Evropë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Edhe kur ndryshimi i regjimit ka pasur "sukses", si në Afganistan, Irak dhe Libi, pasojat kanë qenë dhuna dhe paqëndrueshmëria. Dhe kur ndryshimi i regjimit ka dështuar, si në Siri, rezultati ka qenë një luftë e vazhdueshme.Dështimi poshtërues i presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May dhe kancelares gjermane Angela Merkel, për ta bindurTrumpin që të mbetet në JCPOA ishte i parashikueshëm. Vendimi i SHBA-së pasqyron dy forca konvergjente: një tendencë të thellë të politikës së jashtme - e manifestuar nga të gjitha administratat e fundit amerikane - për të kërkuar hegjemoni në Lindjen e Mesme dhe markën e veçantë të psikopatisë së Trumpit. Trump kënaqet duke i turpëruar udhëheqësit evropianë; tronditja e tyre është triumfi i tij. Megjithatë, ata nuk janë të pafuqishëm. Marrëveshja me Iranin ende mund të rikthehet, pikërisht sepse është një marrëveshje shumë- palëshe, e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së (Rezoluta 2231), jo një marrëveshje vetëm midis SHBA-së dhe Iranit. Në të vërtetë, sipas nenit 25 të Kartës së OKB-së, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, duke përfshirë SHBA-në, janë të detyruar të përmbushin JCPOA-në. Tërheqja e Trumpit nga JCPOA është vetvetiu një shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Thelbi i JCPOA-s dhe i rezolutës 2231 është ndërprerja e aktiviteteve të Iranit që mund të çojnë në zhvillimin e armëve bërthamore. Bashkëpunimi i rreptë nga Irani lidhet me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, duke përfshirë heqjen e sanksioneve të dakorduara me OKB-në. Edhe nëse SHBA-ja tani përjashton veten nga JCPOA, ajo ka vetëm dy mënyra për ta bllokuar zbatimin e marrëveshjes mes Iranit dhe pjesës tjetër të botës. E para do të ishte të nxiste luftën. Kjo është në mënyrë të qartë në agjendën amerikane, sidomos me doajenin neokonservator John Bolton përsëri në Shtëpinë e Bardhë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare. Bota duhet të rezistojë ashpër ndaj një tjetër aventure shkatërruese ushtarake të Amerikës.

Problemi i vërtetë do të lindë me kompanitë joamerikane që veprojnë jashtë SHBA-së

Sanksionet ekstraterritoriale janë mënyra e dytë që Shtetet e Bashkuara mund ta 'vrasin' JCPOA-n. Është një gjë për SHBA-ja të vendosë se nuk do të tregtojë me Iranin. Është krejt tjetër për qeverinë amerikane që të përpiqet të bllokojë tregtinë me Iranin nga palët jo-amerikane. Ky është qëllimi i Amerikës; mbetet që Evropa dhe Kina ta mposhtin atë, në interes të paqes globale, si dhe në interesin e tyre të drejtpërdrejtë ekonomik. Në terma praktikë, SHBA-ja do të jetë në gjendje të zbatojë sanksionet kundër Iranit për kompanitë që veprojnë në tregun e saj të brendshëm, dhe me shumë gjasa në filialet e kompanive të SHBA-së që veprojnë jashtë vendit. Megjithatë, SHBA-ja do të përpiqet të shkojë shumë më larg, duke u përpjekur të bllokojë kompanitë jo-amerikane që të bashkëpunojnë me Iranin. SHBA-ja ndoshta do të ketë sukses në pengimin e transaksioneve të bazuara në dollarë, pasi ato përgjithësisht filtrohen nëpërmjet sistemit bankar amerikan. Problemi i vërtetë do të lindë me kompanitë jo-amerikane që veprojnë jashtë SHBA-së dhe që bashkëveprojnë me Iranin nëpërmjet valutave tjera përpos dollarit, si me euro dhe renminbi. Shtetet e Bashkuara me siguri do të përpiqen të ndëshkojnë kompanitë e tilla, qoftë duke synuar filialet e tyre lokale, duke u përpjekur t'i tërheqin ato në gjykatat amerikane, ose duke u mohuar atyre qasje në tregun amerikan. Këtu është vendi ku Bashkimi Evropian duhet të marrë një qëndrim të fortë dhe të shkojë përtej lutjes së Trump për "përjashtime" për marrëveshjet specifike të biznesit evropian, një proces që do t'i bënte vendet evropiane edhe më të nënshtruara ndaj tekave të Trumpit. Evropa duhet të mbrojë një "Jo" të fortë dhe të qartë në lidhje me sanksionet ekstraterritoriale amerikane, veçanërisht në kompanitë që veprojnë me valuta tjera, përpos dollarit. BE-ja duhet të insistojë që sanksionet ekstraterritoriale shkelin të drejtën ndërkombëtare (duke përfshirë Rezolutën 2231 dhe për këtë arsye Kartën e Kombeve të Bashkuara) dhe rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ata duhet të pranojnë se pajtimi do të ishte i barabartë me dorëzimin e lirisë së plotë që SHBA-ja të vendosë rregullat e luftës dhe paqes përtej Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rregullat e tregtisë globale përtej Organizatës Botërore të Tregtisë. BE-ja duhet të jetë e përgatitur të përdorë procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së kundër SHBA-ve dhe të sjellë rastin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Asamblenë e Përgjithshme. Aty ku Evropa ka frikë të shkelë, Kina me siguri do të futet në kapitalizimin e mundësive të biznesit në Iran. Dhe, Kina do të kishte të drejtë ta bëjë këtë. Sfida më e madhe e Evropës nuk është ligjore apo gjeopolitike. Është psikologjike. Udhëheqësit evropianë veprojnë sikur SHBA-ja ende kujdeset për një aleancë transatlantike të interesave të përbashkëta, të vlerave dhe qasjeve të përbashkëta. Mjerisht, kjo nuk është më e vërtetë. SHBA-ja dhe Evropa ende kanë shumë interesa të përbashkëta; por ato kanë edhe shumë divergjenca, veçanërisht kur SHBA-ja shkel ligjin ndërkombëtar. Evropa ka nevojë për politikën e vet të sigurisë, ashtu siç ka nevojë për politikat e saj tregtare dhe mjedisore. Përballja rreth JCPOAs është pra një moment i së vërtetës. Paqja botërore varet nga mbrojtja e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe nga rregullat e tregtisë ndërkombëtare.

(Jeffrey D. Sachs është drejtor i Qendrës së Universitetit "Columbia" për zhvillim të qëndrueshëm) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)