KOSOVA, A KA DIPLOMACI KULTURORE?

KOSOVA, A KA DIPLOMACI KULTURORE?
  • 18 June 2018 - 08:23

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Këtë vit Ministria e Punëve të Jashtme, e Integrimeve dhe e Kulturës të bashkuara e financuan një projekt të një klani të tyre dhe grave të veta dhe shkuan në Venecia. Në Venecia ekspozuan antena parabolike duke u përpjekur t'i impononin si art i mirëfilltë e që edhe në këtë qytet të dashnorëve, siç thuhet për këtë qytet, u zhvillua kulture ndërshqiptare. Kjo ekspozitë në Venecia nuk ishte asgjë tjetër vetëm shpenzim dhe keqpërdorim i parasë publike të popullit tonë të vuajtur për t'i realizuar qejfet e grave të ministrave tanë, edhe ashtu milionerë. Që kjo ekspozitë të merrte përmasa kombëtare dhe të arsyetoheshin paratë e vjedhura publike e djersës së popullit, u ndaluan në Merdar për dy orë të plota. Absurditet! Ndalesa në Merdar ishte e qëllimshme, për t'i dhënë bujë ekspozitës joartistike dhe artistëve të kultivimit të vëllazërim -bashkimit apo bashkëjetesës, siç po shprehen më gjuhen e modës së re

Diplomacia kulturore është njëra ndër shtyllat e rëndësishme të një shteti, përmes së cilës hapën dyert e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera. Diplomacia kulturore është urë lidhëse dhe çelësi kryesor i fillimeve të bashkëpunimit më çdo shtet dhe popull të botës,e që më vonë ndikon në proceset e tjera qofshin ato ekonomike, politike, ushtarake… Kultura i bashkon të varfrit e të pasurit, miqtë dhe armiqtë, sepse kultura është pasuria dhe superfuqia e çdo shteti, mirëpo personalitetet politike po e injorojnë dhe neglizhojnë këtë faktor.

Diplomacia kulturore e vendeve të civilizuara

Vendet e zhvilluara, si: SHBA-ja, Franca, Gjermania dhe Anglia, diplomacisë kulturore i kanë kushtuar rëndësi të veçantë edhe në të kaluarën, ndërsa tani kjo fushë gjithnjë e më tepër po merr përmasa më të gjëra duke pretenduar që kultura e këtyre vendeve të depërtojë në çdo vend të botës. Kultura është çelësi enigmatik përmes së cilit hapën dyert që diplomacia nuk i ka të mbyllura. Shtetet e Perëndimit e kanë kuptuar qysh moti se kultura është një paralelizëm që shkon krahas politikës dhe përdoret si ndërmjetësuese për arritjen e zgjidhjeve të problemeve të shumta politike. Në SHBA diplomacia kulturore ka filluar të mësohet në universitete si lëndë e veçantë që ndihmon në zhvillimin e relacioneve diplomatike në mes shteteve. Gjatë periudhës së luftës së ftohtë 1947-1991 , diplomacia kulturore ka qenë njëri ndër faktorët më kryesor në mes Perëndimit dhe BRSS-së. Aty ku nuk ka depërtuar vendimi politikë dhe forca ka depërtuar kultura që i ka zbutur marrëdhëniet e ashpërsuara. Diplomacia kulturore është departament i veçantë i çdo ministrie të Punëve të Jashtme, e cila dërgon këshilltarë kulturor në çdo ambasadë, ndërsa brenda shtetit bashkëpunon me personalitete dhe shoqata kulturore nga të cilat nxirren vlerat për t'i eksportuar në shtete e tjera më qëllim të ngritjes se imazhit te shtetit. Ku qëndron diplomacia kulturore e shtetit tonë? Kosova ka nevojën më të madhe se çdo shtet tjetër që të investojë në diplomacinë kulturore, por që ende nuk e ka bërë asnjë hap pozitiv në këtë aspekt, ose kanë bërë, por duke eksportuar antivlera të klaneve të veta politike. Që nga pavarësimi i Kosovës më 2008, Kosovës iu kanë hapur të gjitha rrugët për zhvillimin e diplomacisë kosovare, mirëpo ne nuk i kemi kushtuar rëndësi dhe as që do t'i kushtojmë rëndësi kësaj fushe që ndihmon në imazhin e vendit tonë. Në këtë aspekt, Kosova ka dështuar totalisht me vetëdije ose nga injoranca e personaliteteve politike kosovare. Menjëherë pas përfundimit të luftës ka ekzistuar një simpati e shteteve perëndimore për Kosovën dhe popullin tonë, mirëpo disa vite më vonë me ngritjen e klaneve mafioze dhe instalimin e tyre në pushtet, kjo simpati në mënyrë drastike ka shënuar ulje. Kësaj rënie i ka ndihmuar edhe diplomacia kulturore e Serbisë, e cila pavarësisht standardit të ulët të jetesës investojnë shuma të mëdha në projektet kulturore si në botimin e librave, në prodhimin e filmave, muzikë, art figurativ … Në Serbi brenda vitit prodhohen dy-tre filma më tematikë nga lufta në Kosovë, ku shqiptarët paraqiten vrasës të popullsisë serbe civile. Një pjesë e këtyre filmave shfaqen jashtë Serbisë e ndonjë tjetër promovohet në ambasada te tyre në shtetet perëndimore. E tërë kjo propagandë e diplomacisë kulture, edhe pse e falsifikuar, kalon në heshtje dhe pa asnjë kundër reagim zyrtar nga personalitetet politike kompetente si psh Ministria e Punëve të Jashtme, Integrimeve dhe e Kulturës, duke i futur këtu edhe ambasadat tona në ato vende ku tjerët bëjnë propagandë antishqiptare. Diplomacia kulturore e shtetit tonë nuk reagon as përmes komunikatave, as përmes takimeve zyrtare me homologët e tyre, as me investime dhe promovime kulturore. Këtë vit Ministria e Punëve të Jashtme, e Integrimeve dhe e Kulturës të bashkuara e financuan një projekt të një klani të tyre dhe grave të veta dhe shkuan në Venecia. Në Venecia ekspozuan antena parabolike duke u përpjekur t'i impononin si art i mirëfilltë e që edhe në këtë qytet të dashnorëve, siç thuhet për këtë qytet, u zhvillua kulture ndërshqiptare. Kjo ekspozitë në Venecia nuk ishte asgjë tjetër vetëm shpenzim dhe keqpërdorim i parasë publike të popullit tonë të vuajtur për t'i realizuar qejfet e grave të ministrave tanë edhe ashtu milionerë. Qe kjo ekspozitë të merrte përmasa kombëtare dhe të arsyetoheshin paratë e vjedhura publike e djersës së popullit, u ndaluan në Merdar për dy orë të plota. Absurditet! Ndalesa në Merdar ishte e qëllimshme, për t'i dhënë bujë ekspozitës joartistike dhe artistëve të kultivimit të vëllazërim - bashkimit apo bashkëjetesës siç po shprehen më gjuhen e modës së re. Ministria e Integrimeve dhe ajo e Punëve të Jashtme ka disa projekte që janë të protokolluara për provime të librave, filmave në Paris e të botuara nga shtëpi te njohura në Francë, por këto projekte fshihen, nuk procedohen, nuk aprovohen , sepse nuk kanë urdhër nga Serbia që të promovojnë vlera. Madje edhe më keq, artistët që shkojnë për t'i protokolluar projektet nxirren jashtë me forcë nga zyrtarët të pashkolluar apo te shkolluar me diploma false.

Ambasadat tona duhet të jenë qendra të diplomacisë kulturore

Hapja e ambasadave të Kosovës në vende të ndryshme është një gjë e mirë, mirëpo nominimi i shumicës së ambasadorëve mediokër është gjëja më e keqe që ka mundur të bëjë Kosova në këto dhjetë vitet e fundit. Një numër i madh ambasadorësh janë ish-bashkëpunëtorë të shtetit armik, një pjesë tjetër nuk kanë asnjë përgatitje profesionale në këtë fushë, një pjesë është nominuar në bazë të afërsisë më klanet mafioze partiake, kështu që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë të përshtatshëm. Në ambasadat tona mungojnë atashe për kulturë, pa të cilët dëmtohet imazhi i shtetit. Ambasadorët tanë shërbejnë vetëm si dekor dhe kur personalitetet politike shkojnë në ato shtete, këta dalin në aeroport dhe i presin, mirëpo nëse personaliteti politik nuk është i partisë së tij ata nuk dalin as deri ne derë të ambasadës. Ambasadorët tanë e kanë edhe një prioritet ne mesin e shumë beneficioneve të tjera, që të hulumtojnë resurse si të gjejnë fonde për t'u pasuruar. Pavarësisht se ndonjëri është spiun i Serbisë, pavarësisht se ndonjëri vjedh dhe pasurohet, këta janë shtresa e privilegjuar e shtetit dhe janë pjesë e historisë, ndërsa ne që shkruajmë për këto fenomene negative do të mbesim të margjinalizuar, të injoruar e ndoshta edhe të na shpallin tradhtarë, të çmendur e të dezekuilibruar. Pra, në vend se këto ambasada të jenë qendra të zhvillimeve të diplomacisë kulturore, këto janë qendra të pengesave kulturore. A mundeni ta imagjinoni se gjatë një promovimi në Paris të veprës së Ali Podrimjes më 2012, ambasadori i asaj kohe nuk erdhi në promovim, ku ishin intelektualë të njohur të kulturës franceze. Ambasadori i asaj kohe u arsyetua se e kishte tezen e sëmurë e në fakt kur ne bënim demonstratë në Paris para ambasadës jugosllave gjatë kohës së vështirë, ky ambasador shkruante në 'Rilindje' kundër protestuesve. Të tillë ambasador kemi ne! Hiç më mirë nuk qëndronte as ambasadori ynë në Gjenevë, që shitet si djali i një dëshmori, dhe i cili nuk erdhi në promovim, i cili djalosh mund të jetë patriot, por jo ambasador. Detyra e çdo ambasadori i cilitdo shtet qoftë, kusht i parë është që të jetë atdhedashës, e shtetit tone të tillët i mungojnë, je se nuk kemi, por nuk vijnë në shprehje nga politika antishqiptare që rrënjët i ka të ngulura thellë në Kuvend, në Qeveri, në parti politike.

Cilat institucione duhet te zhvillojnë diplomaci kulturore ?

Në Kosovë për zhvillimin e diplomacisë kulturore janë këto tri ministri: Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimeve dhe të Kulturës. Më kompetente është ajo e Punëve të Jashtme dhe e cila duhet ta ketë prioritet diplomacinë kulturore. Ministria e Integrimeve sikur të funksiononte siç duhet, ka shumë mundësi për të thithur fonde nga BEja që janë të destinuara për zhvillimin e kulturës, mirëpo jo për t'i vjedhur dhe keqpërdorur për klane të tyre partiake e mafioze. Ministria për Integrime mund të ketë një buxhet të pakufizuar në thithjen e fondeve evropiane, por që kjo ministri ka shumë vite që këto fonde i ka keqpërdorur e madje nuk ka ditur as t'i përvetësoj donatorët. Ministria e Kulturës nuk ka shumë mundësi për të financuar këto projekte dhe mbetet në përkrahjen e projekteve brenda Kosovës, por që në një bashkëpunim të ngushtë me dy ministritë e tjera mund të bëjnë mrekulli. Në këto dy ministritë të Jashtme dhe Integrimeve, gjithnjë ka munguar vullneti për të përkrahur projektet që ndihmojnë zhvillimin e diplomacisë kulturore e kjo që nga koha e Bekim Çollakut, të cilit më shumë i ka interesuar prapaskenat politike se sa zhvillimi i diplomacisë kulturore. Shtetet fqinje janë shumë përpara nesh në diplomacinë kulturore e madje derdhin miliona euro në ngjarjet kulturore ndërkombëtare qe zhvillohen në vendet e tyre, kurs në shtetin tonë projektet e tilla përkrahen me shumë qesharake. Merrni me mend, Maqedonia ndan shpërblime vjetore për poetët e huaj dhe vendorë me nga 10 mijë euro çmimi i parë, e ne organizojmë ngjarje kulturore më të mëdha se në Maqedoni vetëm me nga dy-tremijë euro. Kur jemi të Maqedonia duhet theksuar se paret që ndajnë ata janë të destinuara vetëm për poetët dhe shkrimtaret maqedonas e jo për shqiptarët që janë pjesë konstituive e shtetit te tyre. 

(Kosova Sot)