Vlera e ndërmarrjes së rreziqeve nga ana e qeverisë

Vlera e ndërmarrjes së rreziqeve nga ana e qeverisë
  • 19 June 2018 - 08:24

Shkruan: Mariana Mazzucato 

Ndërkohë që shumë nga sektori privat e konsiderojnë veten "krijues të pasurisë" dhe "krijues të vlerave", politikëbërësit dhe shërbyesit civilë kanë ardhur deri te konkludimi se roli i tyre ekonomik është më pasiv

Debatet ekonomike shpesh paraqiten si beteja bardhezi midis konservatorëve, që apelojnë për qeveri më të vogla dhe, progresistëve, që angazhohen për më shumë shpenzime publike. Por, ky thjeshtësim nuk merr parasysh mënyrën sesi tregjet janë të bashkë-krijuara nga faktorë të ndryshëm. Siç shkruan historiani ekonomik Karl Polanyi në librin e tij klasik "Transformimi i Madh" (The Great Transformation), "tregjet e lira" janë vetë produkte të ndërhyrjes së shtetit. Ata janë krijuar me detyrim. Dhe, megjithatë, ndërkohë që shumë nga sektori privat e konsiderojnë veten "krijues të pasurisë" dhe "krijues të vlerave", politikëbërësit dhe shërbyesit civilë kanë ardhur deri te konkludimi se roli i tyre ekonomik është më pasiv. Për shumë qeveri sot, "shteti" është, në rastin më të mirë, një ndërmjetësues i tregut dhe ky nocion i ndreqjes dhe rregullimit është përkthyer në fjalë të tjera shumë më pasive, sikur që është roli i shtetit thjesht duke "lejuar" ose "lehtësuar" krijuesit e vlerës dhe të biznesit.

Prodhimi i vlerave

Një arsye për këtë është se në teorinë e zakonshme ekonomike, në thelb thuhet se qeveritë duhet të ndërhyjnë vetëm kur ka një dështim të qartë të tregut. Në këtë këndvështrim, shteti duhet të sigurojë një fushëloje të barabartë; të financojë gjëra të tilla sikur të mirat publike, siç janë infrastruktura dhe mbrojtja; dhe të krijojnë mekanizma për të zbutur faktorët negativë të jashtëm, të tillë si ndotja. Dhe pastaj ta lëshojnë rrugën, të lejojnë krijuesit e vërtetë të pasurisë që në të vërtetë të prodhojnë vlerë. Shteti më vonë mund të kthehet prapa për të rishpërndarë atë vlerë që u krijua në biznes nëpërmjet taksimit. Dhe kur shtetet tejkalojnë këtë mandat, ato akuzohen për krijimin e shtrembërimeve të tregut. Shfaqja e teorisë së "menaxhimit të ri publik" në vitet 1980 ka bërë që shërbëtorët civil të besojnë se duhet të marrin sa më pak hapësirë, sepse ata mund të kapen lehtë ose të korruptohen. Dhe kjo, në fakt, i detyroi ata të kishin frikë nga dështimet e qeverisë edhe më shumë sesa nga dështimet e tregut. Derisa ky lloj i të menduarit ka nxitur qeveritë të miratojnë disa taktika të menaxhimit të sektorit privat, ai gjithashtu ka minuar besimin te institucionet publike dhe ka minuar aftësinë e qeverive për t'u përballur me sfidat moderne. Nuk ishte gjithmonë kështu. Në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, qeveritë ndërmorën rreziqe dhe inkurajuan inovacionin, dhe ishin krenare ta bënin këtë. Shumë agjenci ishin mirë të financuara dhe tërhoqën talente të mëdha. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, bashkëpunimi midis NASA-s dhe DARPAs, Agjencisë për Projekte të Avancuara të Kërkimit të Mbrojtjes, në të vërtetë krijoi Internetin. Ndërsa në Britani të Madhe, një projekt letrar i BBC-së ndihmoi në nxitjen e inovacionit në përpunuesit e kompjuterëve përmes përdorimit dinamik të prokurimit.

Trajtimi i problemeve

Sot, megjithatë, shumë institucione të orientuara kah misioni janë dobësuar dhe është bërë më e lehtë për politikanët që të kërkojnë zvogëlimin dhe dhënien e ndihmës sesa të rrisin buxhetet dhe të mbrojnë riskun e sektorit publik.Por kjo është afatshkurtër. Qeveria moderne nuk nënkupton thjesht rishpërndarjen e pasurisë ekzistuese ose adresimin e çështjeve që ndikojnë në sigurimin e të mirave publike. Gjithashtu, do të thotë bashkë-krijimin e vlerës në mënyra ambicioze në fusha të ndryshme. Kur faktorët e sektorit publik, në kuadër të misionit, bashkëpunojnë për të trajtuar problemet, ata krijojnë tregje të reja që ndikojnë në normën e rritjes dhe në drejtimin e saj. MPër më tepër, të kuptuarit e bashkë-krijimit të vlerës na çon deri te analizimi i mënyrës sesi vetë vlera përdoret në fusha të tilla si qeverisja e korporatave. Neve na është "shitur" nocioni i vlerës së aksionarëve, që supozon se vetëm aksionarët ndërmarrin rreziqe të mëdha. Por, a është e vërtetë kjo? Dhe në industrinë farmaceutike, çmimi i bazuar në vlera përdoret si një justifikim për të ngarkuar çmime jashtëzakonisht të larta që tregu mund të mbajë, duke injoruar rolin e investimeve publike në krijimin e kësaj vlere, si mbi 30 miliardë dollarë që Institutet Kombëtare të Shëndetit shpenzojnë çdo vit. Por, a është e drejtë një gjë e tillë? Vetëm duke kuptuar tregjet si rezultate të investimeve dhe veprimtarive të faktorëve të ndryshëm, mund të lëvizim përtej dogmës dhe të fillojmë të bëjmë pyetje më të detajuara, interesante dhe dinamike, si "cilat forma të organizatave publike do të jenë në gjendje të eksperimentojnë dhe eksplorojnë më së miri në fushat relevante për sfidat e mëdha globale rreth kujdesit shëndetësor dhe energjisë së qëndrueshme "? Siç argumentoi John Maynard Keynes në vitin 1926 - rritja ekonomike e qëndrueshme kërkon planifikim afatgjatë të qeverisë. Por, si ta bëjmë atë planifikim në mënyra inovative, krijuese dhe dinamike, duke bashkuar mundësitë e së ardhmes - kjo është çështja që kemi para nesh. Dhe kjo do të thotë që politikëbërësit duhet të fillojnë përsëri të mendojnë 'me të madhe'.

(Mariana Mazzucato është profesoreshë e ekonomisë në Institutin për inovacione dhe punë publike në Kolegjin universitar në Londër) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)