Kush ishin komandantët e rrejshëm të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së?

Kush ishin komandantët e rrejshëm të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së?
  • 21 June 2018 - 08:26

SHKRUAN: IBRAHIM KELMENDI

Fatkeqësisht, konsolidimin profesional të Shtabit të Përgjithshëm po e sabotonte "shtabi i Rognerit" (emërtim pezhirativ sipas hotelit "Rogner" në Tiranë, buzë Kryeministrisë, ku Xhavit Haliti i bënte takimet e shumta komplotiste). Ai "shtab" komandohej nga Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Hashim Thaçi. Kishte edhe argatë të mashtruar dhe mercenarë. Kështu, për shembull, në Drenicë, nga Sylejman Selimi qe propozuar Fehmi Lladrovci për komandant, por Rexhep Selimi e kundërshtoi, me spekulimin: "Do të thonë njerëzit nuk paska mbetur kush këtu dhe po vijnë nga jashtë me na komandu". Ndërsa në rastin kur u caktua Shukri Buja nuk u ndoq e njëjta taktikë...

• Më 5-7 mars 1998, forcat e armatosura të Serbisë e rrethuan Lagjen e Jasharëve në Prekaz. Në atë rrethim, pas luftimeve treditore, forcat serbe kanë vrarë e masakruar 56 Jasharë... Epopeja e Jasharëve shkaktoi revoltë të popullatës patriotike. Ajo filloi të kryengritej në luftë të armatosur çlirimtare. Fatkeqësisht vrasjet dhe burgosjet deri më 7 mars 1998 e goditën rëndë UÇKnë, ende në formim. Kështu, plasja e kryengritjes e gjeti UÇK-në të papërgatitur për të qenë në gjendje ta koordinonte. • Pak ditë pas Epopesë së Prekazit anëtarët e Kryesisë së LPK-D.j.v. kaluan nga Perëndimi në Tiranë, për të koordinuar radhët e UÇK-së dhe kryengritjen, që po merrte përmasa të vrullshme. Ajo Kryesi tashmë po improvizonte një si shtab të UÇK-së, i cili e kishte humbur edhe atë pak funksionalitet që e kishte para janarit 1997. Kjo ishte një masë e vonuar e Kryesisë, pasi ajo duhej të kishte ndërtuar strukturat qysh kur u shfaqën problemet rreth financimit (1996) dhe u krijuan kontradiktat e para pas arrestimit të Nait Hasanit dhe vrasjeve të Zahirit me shokë, në janar 1997... • Në Kosovë UÇK-ja po vetorganizohej në zona, edhe pse po i mungonte një shtab funksional dhe efektiv. Vetë pjesëtarët e UÇK-së, sidomos anëtarët e Lëvizjes, të angazhuar më herët, por edhe ata që po angazhoheshin pas shpërthimit të kryengritjes, po i organizonin shtabet në zona të tyre, duke caktuar edhe komandantët e atyre shtabeve. Dhe vetë ato shtabe po e koordinonin luftën çlirimtare në shumë anë të Kosovës, duke krijuar kështu një si shtab qendror, që përbëhej kryesisht nga komandantët e shtabeve të zonave - të cilin e emërtuan Shtabi i Përgjithshëm. Ai vetorganizim i vrullshëm ushtarak i dha përmasa, formë dhe përmbajte UÇK-së.

Xhavit Haliti i bënte takimet e shumta komplotiste

Fatkeqësisht konsolidimin profesional të Shtabit të Përgjithshëm po e sabotonte "shtabi i Rognerit" (emërtim pezhirativ sipas hotelit "Rogner" në Tiranë, buzë Kryeministrisë, ku Xhavit Haliti i bënte takimet e shumta komplotiste). Ai "shtab" komandohej nga Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Hashim Thaçi. Kishte edhe argatë te mashtruar dhe mercenarë. Kështu, për shembull, në Drenicë, nga Sylejman Selimi qe propozuar Fehmi Lladrovci për komandant, por Rexhep Selimi e kundërshtoi, me spekulimin: "Do të thonë njerëzit nuk paska mbet kush këtu dhe po vijnë nga jashtë me na komandu". Ndërsa në rastin kur u caktua Shukri Buja, nuk u ndoq e njëjta taktikë... Siç rezulton nga vëzhgimet që kam bërë deri tani, nga janari 1997 deri në qershor 1998 ndikimi në UÇK nga emigrantët ishte pothuajse inekzistent. Pas Epopesë së Jasharëve, UÇK-ja filloi të merrte përmasa dhe formë ushtarake nga njerëz të përgatitur për luftë dhe që kishin autoritet. Ajo UÇK-ja e Vegjëlisë çlirimtare po furnizohej me armatim nga Sektori i saj logjistik në Shqipëri, të cilin e kishin organizuar Adrian Krasniqi, Ilir Konushevci, Qerim Kelmendi me bashkëluftëtarët e tyre. Por, fatkeqësisht atij Sektori i kishin munguar dhe po i mungonin mjetet financiare, meqë Xhaviti dhe Azem Syla, jo vetëm që e kishin bojkotuar, por po ua rrezikonin edhe praninë fizike në Shqipëri të koordinatorëve të atij Sektori. Përndryshe përvojë dhe kapacitete njerëzore për të futur armë fshehurazi, nga Shqipëria në Kosovë, i kishin, po të kishin armë e municion të bollshëm. • Kryesia e Lëvizjes, respektivisht shtabi i improvizuar në Tiranë, në javën e dytë të marsit 1998, ndërmori një mori vendimesh urgjente, ndër të cilat: ndihmat financiare për UÇK nga emigracioni të centralizoheshin në Kryesi dhe të menaxhoheshin prej saj, Ali Ahmeti, të përkujdesej për sistemim të ushtarakëve që po vinin nga Kroacia, Bosnja, Sllovenia, Perëndimi, për t'u angazhuar në UÇK dhe të tjera vendime që i kanë protokolluar në procesverbale të mbledhjeve. Për shkak të shoqërimit të Fehmi Lladrovcit gjatë vitit 1996-97, kur takuam një mori ushtarakësh, për të koordinuar angazhimin e oficerëve në UÇK, unë u caktova ndihmës i Ali Ahmetit.

Financohej komploti kundër UÇK-së dhe kundër Lëvizjes

Nga momenti kur u vendos për centralizimin e ndihmave financiare, Xhaviti, Azemi dhe argatët e tyre, i zunë pritat në Aeroport të Tiranës dhe në Portin e Durrësit, që t'i grabitnin ndihmat të cilat transferonin veprimtarët e F.V.Th. Për t'i bind që t'ua dorëzonin mjetet, u prezantoheshin rrejshëm si komandantë të shtabit të përgjithshëm. Ata, kështu, e pamundësuan arritjen e ndihmave financiare në Kryesi të Lëvizjes, që pastaj të investoheshin për blerje të armëve, municionit dhe pajisjeve tjera logjistike për UÇK. Konkretizim sqarues: në javën e tretë të marsit 1998 Xhemal Fetahaj, anëtar i Kryesisë së F.V.Th., i angazhuar në Gjermani, pat transferuar në Tiranë 300 mijë DM. Në aeroport të Tiranës ai ia dorëzon Xhavit Halitit, meqë ai ende nuk ishte i informuar për vendimin e Kryesisë. Më pastaj Kryesia dhe Xhemajli kërkuan nga Xhaviti t'i kthente ato mjete në Kryesi, por ai tashmë, si mospërfillës, refuzon. Ndoshta të vetmet mjete që duhet t'i ketë poseduar ato ditë Kryesia, duhet të kenë qenë 270 mijë DM. Këtë shumo, dy veta, me vetiniciativë, ia kishin marrë me dhunë Bujar Bukoshit, në zyrën e tij në Bonn. (Ato mjete para ca ditëve Muhamed Kelmendi, atëherë nënkryetar i Kryesisë së LPK-D.j.v., i prezantoi në 'fcb' si ndihma për UÇK-në, nga Bujar Bukoshi, duke e heshtur faktin, se nuk ishin ndihma, por para të grabitura përdhunshëm.). Me ato mjete u blenë armë e municion nga Sektori i logjistikës dhe u bënë financime të disa veprimtarive të tjera, ndërsa me mjetet e Fondit V.Th., që i grabitnin Xhaviti e Azemi, financohej komploti kundër UÇKsë dhe kundër Lëvizjes. Vendimi që Xhavit Haliti dhe Azem Syla të mos i menaxhonin më mjetet e Fondit, duhet t'i ketë alarmuar dhe nxitur ekstra Xhavitin dhe Azemin për të marrë vendime konkrete edhe kundër kolegëve të tyre në Kryesi. Në mbledhje të Kryesisë, në fillim të prillit 1998, ku isha i ftuar të raportoja për gatishmërinë e ushtarakëve për tu sistemuar në UÇK, Xhaviti ua përplasi në fytyrë kërcënimin vulgar shokëve të deriatëhershëm të Kryesisë: "Shtabi i UÇKsë nuk i njeh më vendimet e Kryesisë dhe ju duhet të largoheni sa më parë nga Shqipëria." (parafrazim) Edhe qëndrimi i Qeverisë shqiptare ishte mospërfillës Ajo arrogancë e Xhaviti më pat gëzuar. Sidomos për shkak se nga viti 1991, kur Xhaviti e kishte penetruar në Tiranë mega marionetën e shërbimeve serbe, Hajdinë Sejdinë, për komplote të mëdha, po mundohesh të bind Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin dhe Gafurr Elshanin, se Xhaviti ishte marionetë e Beogradit, por ata, jo vetëm që nuk më mirëkuptonin, por edhe më hidhëroheshin. Ata ishin përkrahësit kryesor, sektarë, të Xhavitit, edhe pse nuk ishin në gjendje të tregonin, si, kush, kur, e kishte penetruar Xhavitin në "ilegale", pavarësisht faktit se në demonstratat e pranverës 1981 demonstruesit e kishin rrahur, meqë dyshonin se ishte kuadër i SDB-së. Tashmë edhe këta u binden cili ishte Xhaviti i vërtetë, por ishte vonë dëmi tashmë ishte i madh, i pariparueshëm, me pasoja të mëdha. Ajo duhet të ketë qenë mbledhja e fundit e asaj kryesie në Shqipëri.

Edhe qëndrimi i Qeverisë shqiptare ishte mospërfillës ndaj asaj kryesie.

Gjatë gjithë kohe që kryesia ishte në Tiranë nuk ndodhi asnjë takim i saj, qoftë në nivel ministror. Përkundrazi, mospërfillja e tyre dhe mbështetja e Xhavit Halitit nga kryeministri Nano, po i sforconin komplotet, të kishin pasoja sa më të mëdha. Për shkak të asaj gjendjeje u vendos të thirrej Kuvendi i jashtëzakonshëm i LPKD.j.v., për të gjetur zgjidhje për gjendjen pas atij komploti. • Dy-tri ditë pas Epopesë së Jasharëve, në Muzeun Kombëtar, në Tiranë, u organizua një tubim komemorativ. Meqë organizatorët më njihnin qysh prej vitit 1991, m'u lutën të gjeja folës që kishte informacion. E luta Azemin, me mendimin se ka njohuri për Jasharët, por ai e as Xhaviti as që morën pjesë. Arsyet i dinë ata, por edhe unë e dija një version që e kishte paraqitur Xhaviti qysh në mbledhje të Kryesisë, në vitin 1996: Vëllezërit Hamzë e Adem Jashari ishin komitash, nuk pranonin disiplinë e subordinim ushtarak, prandaj nuk ishin pjesëtarë të UÇK-së, dhe si të tillë, nuk përkraheshin financiarisht, as me armatim e municion. Akoma më skandaloze: Të hollat, 50 mijë DM (kundërvlera e 25 mijë eurove), që Rifat Jashari (vëllai i Hamzë dhe Adem Jasharit), me familjarë, farefis, miq e shokë, i kishte grumbulluar në Gjermani, pak javë para se të ndodhte ajo Epope, i janë dorëzuar Azem Sylës në Tiranë nga Lulzim Jashari, djali i Ademit dhe Ramiz Lladrovci, duke përcaktuar edhe listën e armëve që duheshin blerë dhe dërguar në Drenicë. Në fakt, asnjë armatim nuk shkoi në Drenicë dhe deri më tash Azem Syla nuk ka dhënë përgjegjësi se çfarë ka bërë me ato 50 mijë DM! • Pesë-gjashtë ditë pas Epopesë së Jasharëve, Hashim Thaçi dhe Kadri Vesli, respektivisht kUmandantat 'Gjarpni' dhe Luli, deri atëherë anonimusa në Zvicër, të shoqëruar edhe nga kUmandant Dervishi (Burim Marmullaku), na takuan në Hotel "Tirana" në Tiranë mua dhe Qerimin (vëllain tim), atëherë i njohur me nofkën Dema. Ata kërkuan nga unë që të ndikoja te Qerimi t'u subordinohej ushtarakisht 'Gajrpnit', Lulit dhe Dervishit. Në pyetjen, çfarë përgjegjësie kishin dhe kush i kishte emëruar, ata nuk qenë në gjendje të informonin, ose u rezervuan qëllimisht, sepse, në fakt, ata vetëm simulonin dhe imponoheshin pa qenë të emëruar apo të caktuar nga ndonjë institucion ose strukturë kompetente. Ata e dinin se unë isha i informuar për gjendjen dhe njerëzit. Takimi përfundoi pa marrëveshje. • Më 11 mars 1998, Fehmi Lladrovci, bashkë me bashkëshorten, Xhevën, me bashkëluftëtarët Bekim Berisha ("Abeja"), Ismet Jashari ("Kumanova"), Abedin Rexha ("Sandokani"), Xhelal Hajda, Mirush Daka, Kadri Hamiti, Agim Bajrami, Haxhi Shala, Sami Lushtaku, Shukri Buja e të tjerë (ca thonë se edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Fatmir Lima ishin me ta), depërtojnë fshehurazi në Kosovë. Kjo hyrje e Fehmiut me këta bashkëluftëtarë do t'i shqetësonte ekstra kUmandantat e "shtabit të Rognerit", Xhavitin dhe Azemin. Ata dinin për përvojën që kishin Bekimi dhe Fehmiu, prandaj druanin se do t'ua "grabisnin" UÇK-në. Aty e tutje "shtabi i Rognerit" u angazhuan për t'u bërë sa më shumë sabotime e komplote Fehmiut dhe Bekimit me bashkëluftëtarë, gjegjësisht gjithë UÇK-së në Kosovë. Angazhimi i tyre eskaloi deri aty, sa kUmandant Rexhep Selimi ka dhënë urdhër për dëbimin e Bekim Berishës nga Kosova! Megjithatë poshtërsia tipike "kosovare" e anashkalon edhe këtë krim dhe një subjekt partiak krenohet me kUmandant Rexhep Selimin! Përcaktimi i kUmandantave kundër Fehmi Lladrovcit me bashkëluftëtarë Ky lloj përcaktimi i kUmandantave kundër Fehmi Lladrovcit me bashkëluftëtarë ishte përvijuar më herët. Në nëntor 1996, Fehmiu pat bërë kërkesë në Kryesi të Lëvizjes, t'i jepej leje të hynte në Kosovë, bashkë me disa bashkëveprimtarë, për t'u angazhua si përforcim në UÇK. Fatkeqësisht, Kryesia e prolongon vendimmarrjen, meqë kundër hyrjes së Fehmiut në Kosovë, ishin kUmandantat Azem Syla dhe Xhavit Haliti; ata druanin se hyrja e tyre në Kosovë do t'ua minimizonte mundësitë për kapje të UÇK-së në formim. Vetëm në fund të marsit 1997 Fehmiut i miratohet kërkesa për të hyrë në Kosovë. Më 6 maj 1997, duke bërë përpjekje për të kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë, afër Vlahnës, ata hasin në pritë të kufitarëve të Shqipërisë. Bashkë me Fehmiun ishin Luan e Ramush Haradinaj, Rafet Rama, Selim Krasniqi, Abedin Rexha, Ramiz Lladrovci, Emrush Xhemajli, Gani Rama, Ali Ahmeti. Sapo kanë kaluar kufirin, janë ballafaquar me pritën serbe, nga e cila vritet Luan Haradinaj, i cili kishte marrë përsipër t'i printe grupit në atë depërtim në Kosovë, ndërsa plagosen Rafeti, Fehmiu e Ramushi... (Digresion:) Meqë më 11 qershor e pashë afishimin përkujtues të Jakup Krasniqit, në FCB, me rastin e 20-vjetorit të daljes së tij të parë si zëdhënës i UÇK-së, mua m'u kujtua edhe ky komplot i "shtabit të Rognerit", që kishte ditur ta gjente Jakupin, për inat, njëherësh për përforcim të luftimit të Fehmi Lladrovcit, me të cilin Jakupi ishin grindur qysh në maj 1998, kur Fehmiu e kishte lutur Jakupin ta mbyllte shkollën në Drenas, sepse ishin në luftë dhe po rrezikoheshin nxënësit, ndërsa Jakupi, atëherë "pacifist" i LDK-së, kishte kundërshtuar... Po i sjelli këtu, dy komente, që i bëra në përkujtimin që kishte afishuar Jakupi: "Baca Jakup, përgëzime për këtë përvjetor, të lumtur për Ty! Ndoshta e mban mend vizitën që e pate bërë, i shoqëruar me 'ambasadorin' Mujë Rugova, në zyrat e Fondit 'Vendlindja thërret', në kryeqytetin e atëhershëm gjerman, Bonn? Duhet të ketë qenë muaji maj 1998. Ishte njoha jonë e parë fizike. Përndryshe, në prag të Konferencës së Rambujesë, kur 'shtabi i Rognerit' po impononte 'përfaqësuesit' e UÇK-së për Konferencë, të pata telefonuar që të sugjeroja Bardhyl Mahmutin për anëtar të delegacionit, si më të përgatiturin nga të gjithë ata që po impononte ai 'shtabi i Rognerit'. Ti u përgjigje se nuk mund të ndikoje që të miratohej propozimi im për Bardhylin. Meqë Ti, bisedën në atë vizitë që na bëre në zyrë të FVTh e pate filluar me një humor ironik, i zhgënjyer se nuk ishim shumë veprimtarë që të prisnin Ty, siç kishte propaganduar profesori Mujë Rugova, me pate pyetur për vlerësimin tim për kuadrot e UÇK-së dhe të 'qeverisë së përkohshme', duke thënë se kishe dëgjuar që unë i bija trup. Përgjigja ime ishte: "Po e shprehi vlerësimin vetëm për Ju të dyve, meqë jeni këtu. Edhe sikur UÇK-ja me konkurs të kërkonte njeriun më të papërshtatshëm për zëdhënës, nuk do të kishte mundur ta gjente një tjetër, pos Ty, sepse Ty, po te të dëgjonin edhe Muja e Halili duke folur, koçët për tokë do t'u vareshin. Përndryshe, zëdhënësi i UÇKsë do të duhej të ishte orator i zoti, dhe të dinte t'i thoshte vetëm ato që duhet të thuhen. Kurse për profesorin Mujë, sikur me konkurs të kërkohej njeriu më i papërshtatshëm për të qenë ambasador i Kosovës në Gjermani, patjetër që do ta fitoje Ti, Profesor, meqë Ti pos haxhovishtës, që është gjuhë lokale e fshatit Tënd, Haxhaj, në Rugovë, nuk zotëron asnjë gjuhë tjetër..." (vijon)

(Kosova Sot)