Despoti dhe diplomati

Despoti dhe diplomati
  • 22 June 2018 - 08:56

BISEDIMET GJASHTËPALËSHE RRETH PROGRAMIT BËRTHAMOR TË KORESË SË VERIUT

Shkruan:CHRISTOPHER R. HILL

Në vitin 2005, derisa isha kryenegociator i SHBA-së në bisedimet gjashtëpalëshe rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut, pashë instruksionet për takimin tim të parë, një banket i organizuar nga kinezët që përfshinte një delegacion Korean-verior. Nëse do të kishte dolli (jo gjë e padëgjuar për banketet kineze), nuk duhej t'i bashkohesha. Mesa duket pritej që të rrija ulur, pa prekur gotën, duke shikuar i mërrolur, duarkryq, duke pritur që të tjerët të lëshonin gotat. Më vonë, kur vizitova Korenë e Veriut për herë të parë, u udhëzova të mos iu buzëqeshja mikpritësve të mi. Mesa duket pritej që unë të ofroja vetëm shikime të zemëruara. Donald Trump qartazi i ka modifikuar ato udhëzime. Në fakt, me vlerësimet e tij të pafundme rreth lidershipit të Kim Jong-unit, përshëndetjen e tij të improvizuar dhe të ngathët ndaj një prej gjeneralëve të Kimit dhe përqafimit të tij ndaj gjërave që koreano-veriorët bëjnë, Trump ka hequr dorë nga çdo pretendim se SHBA-ja promovon një grup vlerash më të gjera. Por, derisa Trump mund ta ketë tepruar, ideja që delegacioni amerikan duhet të rrijë i ulur, duke mos prekur gotat gjatë një dollie gjithashtu paraqet një ton të gabuar. Në shtator të vitit 1995, gjatë muajit të fundit të luftës së Bosnjës, delegacioni amerikan për bisedimet e paqes, kryesuar nga ndihmëssekretari i shtetit, Richard Holbrooke, mbërriti në Beograd për bisedime me diktatorin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Sipas Millosheviqit, ai nuk mund t'i detyronte serbët e Bosnjës të tërhiqnin armatimet e rënda dhe të braktisnin rrethimin e përgjakshëm katër vjeçar të Sarajevës. Ai i kërkoi Holbrooke-ut që të takohej me liderët serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, të dy më pas të dënuar për krime lufte. Holbrooke e pyeti atë ku ishin. "Atje në atë vilë," u përgjigj Millosheviq. "T'i thërras?" 

Diplomacia direkte

Holbrooke na mblodhi të gjithëve me ngut për ta diskutuar. "Duhet t'i takojmë?" më pyeti ai. "Nëse po, a duhet t'u jap dorën?" Duke menduar për qindra mijëra qytetarët e Sarajevës - shumë prej të cilëve të vrarë dhe ata që përballeshin me urinë si rezultat i rrethimit - iu përgjigja, "Jepja dorën dhe ta mbyllim këtë gjë e të shkojmë në shtëpi". Kështu bëmë. Rrethimi i Sarajevës u hoq të nesërmen. Sado të ndihmojë ose jo, dhënia e dorës, nga ana tjetër negocimi duke i treguar dikujt grushtin, ka rezultuar jo shumë i suksesshëm. Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Penjan, në Korenë e Jugut, zëvendëspresidenti Mike Pence pritej të takohej me delegacionin korean-verior. Ndoshta për ta ruajtur shpinën në vend, Pence foli disi ashpër para takimit. Koreano-veriorët e anuluan takimin, si për të thënë se ç'kuptim do të kishte takimi? Gjatë periudhës që jam marrë me bisedimet gjashtëpalëshe, kam shmangur përfshirjen në kritikat ndaj Koresë së Veriut. E dija se së shpejti - çdo javë - do të më duhej t'i takoja sërish dhe ndërsa një shfaqje kritike do të më ndihmonte në Uashington, në terren nuk do të ofronte aspak bashkëpunim, duke rrezikuar kështu punën për të negociuar fundin e programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ka një dallim të madh mes të folurit ashpër në TV dhe takimit përballë me koreano-veriorët. Diplomacia direkte është një mjet serioz për arritjen e një qëllimi serioz. Mbajtja e pozicionit nga distanca nuk është pjesë e tij. Ndonjëherë gjuha e trupit është e vështirë për t'u kuptuar. Si ambasador i SHBA-së në Irak, udhëzimet që merrja nga Uashingtoni rrallë vinin me ndonjë kuptim paraprak të përgjegjësisë për rezultatin. Më ishte thënë se puna ime përfshinte ofrimin e ndihmës ndaj opozitës irakiane ta shkarkonin kryeministrin e atëhershëm, Nuri al-Maliki. Zyrtarët amerikanë në takimet në Uashington silleshin ashpër, si atletët e gjimnazit në dhomat e zhveshjes që i binin dollapëve përpara një ndeshje të madhe. Por, kur vinin në terren dhe takoheshin me Malikin, ata nuk i jepnin atij arsye për të besuar se ia donin të keqen.

Programi bërthamor i Koresë së Veriut duhet të jetë në krye të agjendës

Rrija në takime të tilla duke shikuar Malikin që më shihte, duke pyetur përse më parë e kisha paralajmëruar për uljen e durimit të qeverisë së SHBA-së me sundimin e tij autokratik dhe për pasoja të ashpra. Ndërkohë, vizitorët nga Uashingtoni mbanin një qëndrim delikat, nuancat e të cili Maliki do t'i kuptonte vetëm përmes ndonjë pajisje dekodimi. Çdo diplomat duhet të ketë qëllime në një negociatë në emër të vendit të tij, që do të thotë se duhet të jetë i qartë rreth rezultatit përfundimtar dhe mënyrës më të mirë për ta arritur atë. Në Singapor, çështja ishte programi bërthamor i Koresë së Veriut. Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi. Koha do ta tregojë nëse koreano-veriorët kanë të njëjtin afekt ndaj Trumpit sikur ai ndaj tyre. Kim dha shumë pak dhe me gjasa ishte i shtangur kur, për herë të parë, një president amerikan e mori për të mirëqenë ankthin e supozuar të Koresë së Veriut rreth stërvitjeve të përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut. Ishte një lëshim shumë i madh që në një mënyrë apo në një tjetër duhej marrë me rezervë. Më gjerësisht, duhet të përpilohet një kornizë për paqen dhe sigurinë që përfshin të gjitha palët e prekura: Korenë e Jugut, Japoninë, Rusinë dhe Kinën. Ngjashëm me këtë, historia e të drejtave të njeriut të Koresë së Veriut, një nga më të këqijat, duhet të trajtohet në të ardhmen, mbase, siç sinjalizova në bisedimet gjashtëpalëshe, si një përbërës i marrëdhënieve diplomatike në vazhdimësi. Por, tani për tani, programi bërthamor i Koresë së Veriut duhet të jenë në krye të agjendës. Se a do të funksionojë qasja e Trumpit ndaj Koresë së Veriut, kjo do të varet nga diplomacia që pason samitin e Singaporit. Topi është te sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo.

(Christopher R. Hill aktualisht është këshilltar kryesor i Kancelarit për Angazhim botëror dhe profesor i praktikës në diplomaci, në Universin e Denverit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)