TERRORIZMI USHQIMOR QË PO VRET XHEPAT DHE SHËNDETIN E SHQIPTARËVE

TERRORIZMI USHQIMOR QË PO VRET XHEPAT DHE SHËNDETIN E SHQIPTARËVE
  • 22 June 2018 - 09:28

Shkruan: Faton Kurti


PAGA MESATARE NË KOSOVË - 250 EURO!
PAGA MESATARE NË GJERMANI - 2500 EURO! 

Çmimet e produkteve ushqimore më të larta në Kosovë se në Gjermani ndërkohë që pagat mesatare në Kosovë janë 250 euro dhe në Gjermani janë 2500 euro!

Në Kosovë edhe artikujt elementarë për jetesë janë më të shtrenjtë sesa në Gjermani. E ndërsa çmimet ende po vazhdojnë të rriten, pagat mbesin njësoj.
  
Një litër vaj në Kosovë ka një çmim duke filluar prej 1.30 euro e lart, një litër qumësht shitet me një çmim prej 95 cent, një kilogram miell është 65 cent kurse një kilogram sheqer kushton 95 cent.

Këto janë vetëm disa nga çmimet e produkteve elementare bazike, e të cilat janë edhe më të larta se çmimet e vendeve shumë më të zhvilluara se Kosova.
Ndërkohë, në Gjermani, një litër vaj kushton 1.39 cent, sheqeri është 69 cent, qumështi 51 cent dhe mielli ditët e fundit ka pësuar një ngritje në 45 cent, nga 25 cent që ishte për një kohë të gjatë. 

Kështu, derisa Kosova ka 2 mijë e 338 euro të ardhura vjetore për kokë  dhe mbi 40 për qind numrin e të papunëve, çmimet e produkteve ushqimore i ka pothuajse të ngjashme apo edhe më të larta se vendet e rajonit.

Në fakt, rritja e çmimeve të konsumit të përditshëm, disbalanca e madhe e importit me eksport dhe niveli i lartë i papunësisë, e bëjnë çdo ditë e më shumë jetën më të vështirë dhe më të shtrenjtë në Kosovë.

Ndërkohë, trendi i rritjes së çmimeve në vend ka vazhduar edhe më tej. Indeksi i çmimeve gjatë muajit mars të këtij viti është më i lartë për 0.1 për qind krahasuar me shkurtin, muajin paraprak ose 1.1 për qind më i lartë sesa me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Tabela krahasuese është një vështrim i detajuar mbi mesataren  e çmimeve në Kosovë dhe në Gjermani ku peshorja rëndon shumë më tepër mbi shpatullat e brishta të konsumatorit shqiptar edhe pse paga mesatare e tij është 10-fish më e vogël se ajo e një konsumatori gjerman dhe 20 –fish më e vogël se ajo e një konsumatori zvicerian. 
Të gjitha këto krahasime dëshmojnë për linja biznesi të cilat po plackisin popullin më të varfër në Europë, të mbështetur nga keqqeverisja që ose është aksionere e fshehur me ta ose qëllimisht ul filtrat e kontrollit mbi cilësinë dhe çmimet e produkteve të cilat importohen nga Europa apo vendet e rajonit. 

USHQIMET QË PO NA VRASIN NË HESHTJE
Por moskontrolli mbi çmimet është vetëm maja e ajsbergut e një industrie që  pasurohet ekstremisht mbi kurrizin e shqiptarëve. Kjo jo vetëm po ju kushton shumë shtrenjtë duke varfëruar xhepat e tyre por po ju kushton edhe shëndetin. Kontrolli i cilësisë së ushqimeve është thuajse inekzistent. Shqiptarët po blejnë bashkë me ushqimet edhe sëmundjet. Sipas disa statistikave të marra nga Klinika Infektive e Prishtinës  vetëm për 6 mujorin e parë të vitit numri i të infektuarve nga ushqimet e pakontrolluara ka qënë rreth 500. Pra shëndeti i konsumatorëve mbetet i rrezikuar prej produkteve ushqimore të dyshimta të cilave nuk ju kontrollohet as prejardhja dhe as parametrat e vlerave ushqimore që duhet të përmbajnë për tu konsumuar pa pasoja për shëndetin.  
Gjithmonë sipas të dhënave të Klinikës Infektive në Shërbimin Spitalor nga këto raste, 206 qytetarë kanë qenë të sëmurë me helmim, kurse 279 të sëmurë ishin me salmonella dhe me interokolite. 
Shumica e infektimeve me ushqimin vijnë nga mishi dhe nënproduktet e tij të cilat qytetari i Kosovës i paguan shumë më shtrenjtë se një qytetar europian. 

• Mosmbështetja e prodhimeve vendase
• Disbalanca mes eksportit/importit në favor të importimit
• Moskontrolli i marzhit të fitimit të importuesve 
• Moskontrolli i cilësisë... 
janë fushat e interesave ku vepron një pakicë e paskrupullt e cila nuk vë asgjë tjetër mbi fitimin e 10-fishtë duke varfëruar dhe infektuar shqiptarët. 

Ndaj kërkojmë kontrollin e rreptë të cilësisë ushqimore, preardhjen e produkteve, marzhin e fitimit të importuesve i cili të mos kalojë 30% aq sa e parashikojnë normat europiane. 

 

 

(Kosova Sot)