Gjuha, mjet unifikimi i një populli

Gjuha, mjet unifikimi i një populli
  • 25 June 2018 - 08:09

SHKRUAN:RESHAT SAHITAJ 

Si çdo gjuhë tjetër, edhe gjuha shqipe ka dialektet dhe lokalizmat, e nëse insistojmë t'i ruajmë me xhelozi, për të mos iu përshtatur gjuhës së standardizuar, ne do të kemi vështirësi të kuptohemi në mes veti. Që nga paslufta e këtej, ka zëra të fortë për mosstandardizimin e gjuhës sonë, nën pretekste të ndryshme, por në fakt këta zëra janë të financuar nga shërbimet sekrete greko-sllave. 

Gjuha

Që nga krijimi i jetës njerëzore, gjuha ka lindur si mjet komunikues në mes të grupeve, varësisht ku ata kanë jetuar. Shprehjet e mendimeve të një njeriu për të komunikuar me të tjerët bëhet përmes shenjave, vizatimeve, muzikës, që më vonë ka evoluar në të folur e shumë më vonë është shkruar. Tema për zhvillimin dhe evoluimin e gjuhës është shumë e gjerë, sepse edhe kafshët, insektet e kanë gjuhën e komunikimit, por që ekspertët mendojnë se ato janë kode të shenjave. Shprehja e strukturuar e mendimeve të brendshme të një individi për të komunikuar me tjetrin e përbën gjuhën. Njeriu është e vetmja qenie që posedon të shprehurit e mendimeve përmes zërit e që ia lehtëson të komunikojë me tjerët dhe nuk ka asnjë mundësi të ndryshohet nga një individ, sepse është pjesë përbërëse e një shoqërie. Janë shumë faktorë që kanë ndikuar që lokalizmat dhe dialektet të eliminohen në mënyrë që mendimi i një grupi të dominojë mbi tjetrin qofshin ato interesa ekonomike apo vetëmbrojtëse. Në këtë kontekst gjuha shqipe është përballur më shumë nga pushtuesit se sa nga zonat më dialekte dhe nëndialekte. Gjuha shqipe është dëmtuar rëndë nga përpjekjet 500-vjeçare të Perandorisë Osmane që të asimilojë gjuhën tonë. Për të asimiluar gjuhën tonë, Perandoria Osmane e ka përdorur religjionin islamist si argument të fortë që ka pasur ndikim mbi një popull krejtësisht të pazhvilluar siç ishim ne shqiptarët. Religjioni islamist ende edhe në ditët e sotme lutjet e përditshme në xhami e thonë arabisht, nën pretekstin se Allahu i tyre do t'i kuptojë më mirë vuajtjet tona. Në fakt ky pretekst është destruktiv, që përhapet përmes hoxhallarëve dhe imamëve të paguar nga sheikët arabë. Në anën tjetër, sllavët dhe grekët e përdorin pretekstin se të flasësh gjuhën e tyre identifikohesh me civilizim botëror dhe në këtë mënyrë gjuha shqipe ka pësuar dëmtime të mëdha e që nuk është aspak rastësi që në gjuhën tonë të përditshme flasim barbarizma nga: turqishtja, arabishtja, sllavishtja e greqishtja. Nuk është për t'u habitur kur ndonjë intelektual yni shkruan dhe shprehet me krenari duke përdorur fjalë të huaja për t'u paraqitur para publikut si i dijshëm, e në fakt është dhe mbetet vetëm një mjeran. Çdo Akademi e Shkencave lufton për pastrimin e gjuhës së tyre nga ndikimi i fjalëve të huaja, kurse ne shqiptarët mburremi duke përdorur fjalët e huaja. Janë disa fjalë, disa shprehje, që me dashje e pa dashje janë bërë pjesë e gjuhës sonë dhe gjuhëve tjera më të mëdha se jona, të cilat është shumë vështirë t'i largojmë, si p.sh: " futboll", "ok", që tanimë janë ngulitur në gjuhët e secilit popull, por që nuk e dëmtojnë rrënjësisht gjuhën. Këto fjalë e shprehje nuk janë të rrezikshme aq sa është i rrezikshëm refuzimi i standardizimit të gjuhës.

Kush e refuzon standardizimin e gjuhës shqipe?

Standardizimi i gjuhës nënkupton unifikimin e dialekteve dhe nëndialekteve, në mënyrë që një popull të komunikojë gojarisht dhe me shkrim pa vështirësi. Popujt e civilizuar e kanë tejkaluar këtë problem të standardizimit të gjuhës shumë herët dhe kanë përcaktuar rregulla dhe norma. Është jo vetëm normale, por edhe e domosdoshme standardizimi i një gjuhe, sepse jo vetëm që ndihmon për një komunikim masovik, por edhe e unifikon një popull të tërë. Për herë të parë standardizimi i gjuhës shqipe u bë në Tiranë në vitin 1972, që është një hap historik dhe që duhet respektuar nga të gjithë shqipfolësit kudo që jetojnë. Pavarësisht që në këtë Kongres, gjuhës iu bënë shumë padrejtësi, nga ajo datë e deri në ditët e pasluftës në vitin 2000, të gjithë shqiptarët krenoheshin me këtë të arritur. Ishte një epokë ku secili shqiptar matej me kolegët e tij se di të shkruajë e të flasë gjuhën shqipe më bukur se tjetri. Gjatë viteve të '80-ta, kur Serbia po i shuante më gjak demonstratë studentore, pati tentativa të shumta që shqiptarëve që jetonin nën Jugosllavi t'ua impononin dialektin gegnisht, nën pretekstin se gjuha letrare e njësuar në vitin 1972 është gjuha e Enver Hoxhës. Kjo ishte një ide e pushtuesit serb që shqiptarët t'i nënshtronte edhe më gjatë duke ua ngulitur në kokë se pjesa e shqiptarëve brenda territorit administrativ të shtetit shqiptar nuk kishin asgjë të përbashkët me ne nën Jugosllavi. U shkruan disa artikuj nga politika e Beogradit, mirëpo nuk ekzistonte asnjë intelektual shqiptar që haptas ta përkrahte këtë politik. Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe disa vite pas rrëzimit të sistemit totalitar në Shqipëri, shërbimet sekrete serbo-greke financuan fshehtas disa intelektualë në Shqipëri, Kosovë dhe vende tjera që të hapej tema e standardizimit të gjuhës shqipe e të kërkonin me ngulm ruajtjen e dialekteve të tyre e madje duke përdorur si pretekst patriotizmin. Pjesa e intelektualëve në Kosovë, Shqipëri e gjetiu përfitojnë materialisht për të krijuar huti dhe pengesa që ne shqiptarët të mos jemi unikë. Mbase nga kjo shtresë ka disa intelektualë, të cilët i ndajnë shqiptarët si dy kombe: kosovar dhe shqiptar. Kjo shtresë e intelektualëve shqiptarë janë pjesa më destruktive e popullit tonë, e të cilët gjejnë rrugë që mendimet e tyre destruktive t'i shpalosin në të gjitha mediumet tona, e të ftohen si analistë profesionistë. Ndarja e gjuhës shqipe dhe refuzimi i vendimeve të Kongresit të vitit 1972, është një rrugë që na orienton drejt skllavërimit të mëtejmë. 

A duhet ruajtur dialektet, nëndialektet dhe kronolekti?

Ruajtja e dialekteve dhe nëndialekteve është po ashtu domosdoshmëri që ndihmon në evoluimin dhe zhvillimin e gjuhës. Ruajtja e dialekteve është pasuri kombëtare, por jo edhe insistimi që ajo të përdoret në televizion, radio, gazeta e teatër. Në botë ka shembuj të shumtë që më xhelozi i ruajnë dialektet dhe nëndialektet e madje refuzojnë standardizimin e gjuhës, duke insistuar që gjuha e njërit fis është më e mirë se e tjetrit. Vendet e civilizuara i kanë standardizuar gjuhët e tyre dhe ato rregulla nuk kthehen nga intelektualët e vegjël e as nga shkrimtarët e dorës së fundit, të cilët pretendojnë se janë më të mençurit e vendit. Nëse do thellohemi për këtë problem do të gjejmë shumë fakte ku gjuha lokale ruhet, por nuk shkruhet. Në kryeqendrën evropiane në mes të Brukselit flitet një gjuhë e përzier që e quajnë "Patua" dhe që askush nga qytetarët nuk arrin t'i kuptojnë kur ata flasin në mes tyre. Madje kjo gjuhë përkrahet materialisht nga institucionet evropiane që të vazhdojë të ruhet. E njëjta gjë ekziston edhe në Francë e madje Franca e ka bërë një film në këtë gjuhë lokale, por që nuk kuptohet nga opinioni francez. Këto janë margaritarët e një gjuhe, por askush nuk insiston që të imponohen në aspektin kombëtar. Çuditërisht, ne shqiptarët po dalim me kërkesa absurde antishqiptare. Disa shkrimtarë shkruajnë poezi, romane e madje publicistikë në dialektet e tyre, duke u përpjekur që të ua imponojnë një populli të tërë dialektin e tyre. Duhet të pajtohemi që të kemi një gjuhë të standardizuar, e cila vazhdimisht duhet të evoluojë, duhet të shtohet me fjalë të reja e të zhvillohet, sepse gjuha është e gjallë e si e gjallë ka nevojë të vazhdueshme për përmirësime. Unifikimi i gjuhës është unifikim i një populli të tërë. 

 

(Kosova Sot)