Ilir Meta kishte urdhëruar aktivistët e tij të grumbullonin armë dhe municion

Ilir Meta kishte urdhëruar aktivistët e tij të grumbullonin armë dhe municion
  • 25 June 2018 - 08:05

Demitizimi i UÇK-së nga mitizimet e shpifura për kUmandantat (bazuar në vëzhgime dhe përjetime) (5)

SHKRUAN: IBRAHIM KELMENDI

Komandanti i njësisë pyeti ku gjendet Ibrahim Kelmendi. Iu përgjigja. Ma komunikoi arrestimin. E pyeta nëse ishte shqiptar ose minoritar. Gjithë inat u përgjigj se ishte patriot nga Labëria. Ia rrëfeva gjendjen, pothuajse përvajshëm. I thashë: "urdhëro, më arresto, që ta turpërosh edhe Labërinë, siç po turpërohet Tropoja!" Bërtiti: "Ku është çelësi i foristradës? Mos më thënçin shqiptar po guxoi të më ndalojë kush, t'u dërgojmë bukë vëllezërve..." Dezertoi edhe Njësia speciale. U çlirua Tropoja nga marionetat Fatos Nano dhe Sokol Bare! o Duhet të ketë qenë fillimi i prillit, kur Perlat Gojçi më thirri ta takoja një skraparlli, me të cilin ai kishte njohje. U takuam në Hotelin "Miniri", përballë hotelit "Tirana". Ai ofroi 3000 kallashë, fringo të ri, që i kishte grabitur në depo të fabrikës në Poliçan. Ishin të staxhionuar profesionalisht. Çmimi toptan 100 USD copa. Në fakt, çmimi në tregun ilegal ishte rritur, sepse FARK-u dhe "shtabi i Rognerit" garonin mes tyre, për ta ngritur çmimin, që vegjëlia leckamane të mos mund të armatosej. Garuam paksa për ulje çmimi. I thashë se po i telefonoj Ilir Metës, që të ndikojë në ulje çmimi. M'u përgjërua të mos i telefonoja, sepse do ta detyronte të na i falte. Tha se Iliri kishte urdhëruar aktivistët e tij, të grumbullonin armë dhe municion, që t'ia dhuronin UÇK-së. Përfundimisht u morëm vesh për 30 euro copën. Kërkoi gjysmën e shumës së çmimit si paradhënie. I thashë që nuk i kisha dhe se do ta kishte Ilirin dorëzani. Nuk pranoi. Perlati i tha se 45 mijë dollarët i kishte te ai dhe do t'ia jepte ato, dhe 45 mijë të tjera, kur do t'i thoshte Ilir Konushevci që i kanë marrë armët. Garantimi i Perlatit atij i mjaftoi. Fatkeqësisht kUmandantat, Xhaviti e Azemi, më kritikuan që po merresha edhe me tregti armësh. Ata donin që ne të mos dinim me cilin çmim mund të bliheshin armët dhe municioni. • Ilir Konushevci / "Mërgimi" e dinte veten si pjesëtar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, meqë komanda e "grupit" të Llapit-Gollakut e kishte caktuar të zinte vendin e Zahir Pajazitit, i cili sapo kishte filluar koordinimin me "Shtabin Qendror" të Nait Hasanit dhe Rexhep Selimit. Por, asnjëherë Iliri nuk kishte pas rast të merrte pjesë në ndonjë mbledhje të asfarë shtabi dhe as që dinte ku është ai dhe cilët e përbënin. Vetëm në shtabin e improvizuar nga Kryesia e Lëvizjes, gjatë tre javëve të marsit dhe javën e parë të prillit, ishte pjesëtar dhe merrte pjesë në mbledhje, pothuajse, të përditshme. Nga mesi i prillit Iliri e luti kolonelin Bislim Zyrapi, që të angazhohej me kolegë për ta bërë një projekt, se si do të duhet të organizohej Sistemi logjistik i UÇK-së. Pasi ata e hartojnë bashkërisht projektin, Iliri takohet me Xhavitin që ta diskutonin. Duhet të ketë qenë i shoqëruar bashkë me Bislimin. Sapo e merr në dorë, Xhaviti e gris, duke ia prerë shkurt Ilirit, se vetëm ata që ngarkohen nga shtabi bëjnë projekte, e për logjistikë janë bërë projekte dhe është sistemi i organizuar... Nuk do koment ajo lloj arrogance e Xhavitit! • Më 17 prill 1998 ndodhi takimi në mes të Naim Malokut e Xhavit Halitit, me ndërmjetësim të Muhamet Kelmendit, në hotel "Tirana" në Tiranë. Fillojnë bisedën për të ditur për ndonjë plan konkret, kur do të sistemoheshin ushtarakët, meqë po humbnin durimin, duke pritur vendimmarrjen e shtabit. Xhaviti i thotë Naimit, mund të shkonin nga kishin ardhur, meqë UÇK-ja nuk ka nevojë për oficerë të JNA-së. Sharjen që ia ka bërë Xhaviti me atë rast Naimit nuk po e evidentoj, meqë nuk e kam mbajtur mend, të fjalëpërfjalshme.

Lajmi i shpifur serb se ishte vrarë Naim Maloku

Mërzia dhe hidhërimi i Naimit më detyruan ta shoqëroja deri në Bajram Curr, në agun e ditës së nesërme. Ai iu tha kolegëve që po nisej për në Kosovë dhe tashmë të mos pret askush sistemim nga shtabi i Xhavitit, por të gjente secili mënyrën për t'u futur në Kosovë, në zonën ku e ka vendlindjen, pastaj Shtabi brenda do të bëjë sistemime, sipas nevojave në zona. Qerimi (Kelmendi) është përkujdes në Bajram Curr të gjente ushtarët më të sprovuar, për kalim kufiri, meqë edhe për inat të Xhavitit, donim të mos dështonte hyrja e Naimit në Kosovë, aq më pak t'iu ndodhte ndonjë tragjedi fatale nga kufitarët serbë. Can Demiri ("Korabi"), Ahmet Pulatani (i martirizuar më 7.7.1998, në Morinë të Gjakovës) dhe Muharrem Sejdia i Smolocës, tashmë i ndjerë, e shoqërojnë Naimin dhe Afrimin (Bashën) deri të Shtabi i ZO të Dukagjinit. Për pak kohë, kënaqësinë për suksesin e hyrjes së Naimit në Kosovë na e pat prishur lajmi i shpifur serb, se e kishin vrarë Naim Malokun. Fatmirësisht, doli të ishte vetëm pjesë e luftës speciale... Kështu, UÇK-ja e vegjëlisë së Kosovës, për çdo ditë po rritej e forcohej, përkundër sabotimeve dhe komploteve nga "shtabi i Rognerit" dhe kUmandantave të tij! • Duke qenë në Bajram Curr erdhën Muhamet Kelmendi dhe Adem Grabovci dhe më urdhëruan të udhëtoja, sa më shpejt, për Tiranë dhe prej atje t'i mbledhja plaçkat për ta lëshuar Shqipërinë, meqë qeveria kishe marrë vendim të mos i toleronte më gjatë veprimtarët e eksponuar të Lëvizjes. U ktheva, jo pse desha t'i dëgjoja ata, por se doja të verifikoja atë komplot të kUmandant Ademit, që tashmë e kishte besuar Muhameti. Për Ademin isha sqaruar se tashmë ishte bërë argat i asaj bande, por nuk e dija, nëse ishte i komanduar, ose vepronte për inat të kolegëve në Kryesi, kundër të cilëve kishte komplotuar Xhaviti. Ata ma paguan taksinë nga Bajram Curi në Tiranë. Në mëngjesin pasues dola në Hotelin "Tirana", kur zakonisht, pinin kafe miqtë e kamotshëm, Kristaq Porodini, Ilir Çano dhe rrethi i miqve të tyre. Ilir Çano ishte zv-drejtor i përgjithshëm i Policisë shqiptare, gjegjësisht zëvendës i Sokol Bares (të cilin "shtabi i Rognerit" e pat angazhuar edhe si këshilltar në Rambuje...). Ua shfaqa hidhërimin tim kundër vendimit të qeverisë, për të na dëbuar nga Shqipëria. Iliri reagoi me tonë të mllefosur: "Kujt po i duhen këto marrëzi, kur nuk ka asnjë vendim të tillë?!" I sqarova ata, qysh e kishim gjendjen konfliktuale, meqë i çmoja për fisnikë, pavarësisht se ishin të pozicionuar pro Xhavitit, por jo për të bërë hile e komplote, por me mendimin se po e përkrahnin çështjen e Kosovës. Vërtet u erdhi keq dhe u falënderuan që pata besim të rrëfeja pa rezerva. • Zhvillimet kishin marrë përmasa serioze. Gjykova të kërkoja mendim konkret, pa rezerva, nga Iliri (Konushevci) dhe Qerimi (Kelmendi). U takuam dhe vendosëm që Qerimi dhe unë të shkonim në Gjermani. Iliri ishte i mendimit se Qerimi duhej të merrte pjesë në Kuvendin e Lëvizjes, që tashmë ishte caktuar të mbahej më 2 maj, për t'i përfaqësuar bashkëveprimtarët. Arsyetoi edhe me nevojën për mjekim, nga plagët që kishte marrë në sulmin gueril, ndaj policisë serbe, në vitin 1996, por edhe si taktikë, që të zbuteshin kUmandantat e "shtabit të Rognerit", sepse Qerimin e kishin halë në sy, për shkak se nuk po mund ta subordinonin. Ndërsa shkuarja ime, u arsyetua me domosdoshmërinë për të ndikuar në rritjen e grumbullimit të ndihmave financiare, duke disiplinuar veprimtarët të mos dorëzonin më mjete financiare, as në Zvicër, as në Tiranë, kur dihej se përfundonin në kthetrat e kUmandantave.

Zeka e Daja nuk guxonin të shkonin në Kosovë

Edhe Bislim Zyrapin e këshillova që të mbante qëndrim kritik ndaj ne Kelmendëve, sapo t'i paraqitën kUmandantat për ta subordinuar. Arsyetova se ai ishte shumë i nevojshëm për UÇK-në në Kosovë, me përvojën e tij komanduese gjatë mbrojtjes së Sarajevës nga sulmet serbe, duke e këshilluar për taktizim e vigjilencë, meqë kUmandantat po shfaqnin rrezikshmëri serioze ndaj atyre që nuk ishin të dëgjueshëm. Të dy e dinim se kUmandantat Gjarpni e Luli, do të hynin herë pas here në Kosovë, për të bërë sabotazhë e komplote, ndërsa Zeka e Daja nuk guxonin të shkonin në Kosovë... Në fund të prillit 1998, Qerimi dhe unë shkuam në Gjermani. • Deri në mbajtje të Kuvendit Xhaviti, Azemi dhe Hashimi e përforcuan "shtabin e Rognerit". Nga mënyra se si u bashkuan dhe si po sabotonin e komplotonin, dyshova se ata po komandoheshin nga një qendër e shërbimeve simotra, armiqësore. Tashmë, mirëkuptimin e deriatëhershëm shoqëror, ndoshta vetëm taktik, e zëvendësuan me komandim të vrazhdët. Në shërbim të tyre ishin: Rexhep Selimi, Xheladin Gashi, Sokol Bashota, Shaip e Shaban Muja, Jashar Salihu, Adem Graboci, Bilall Sherifi, Fatmir Limaj, Agush e Shukri Buja, Nasim Haradinaj, Xhabir Zharku, Milaim Zeka dhe ca të tjerë, që nuk po më kujtohen tani. Farudin Gashi ("faruku") ishte në shërbim të Azemit, por nuk kishte rang të lartë komandues, në dukje. Ende nuk kam mundur të formoj mendim konkret, nëse gjithë këta i përvetësuan dhe i subordinuan, duke e shpërdoruar mirëbesimin dhe duke i mashtruar, se ata ishin Shtabi i Përgjithshëm, i vërteti, i UÇK-së, apo edhe prapa, disave nga këta qëndronte ndonjë shërbim armiqësor, që i komandonte t'i subordinoheshin "shtabit të Rognerit". Sidomos për Jashar Salihun po më vinte keq, meqë kishim respekt të madh, të ndërsjellë, dhe e çmoja për shumë të fisëm e të virtytshëm, por njëkohësisht edhe për besnik naiv ndaj bashkëveprimtarëve. Pozicionimi i gabueshëm i Jasharit ishte goditja më e rëndë ndaj UÇKsë, meqë ai i menaxhonte rreth 70 % të ndihmave financiare të Fondit V.Th., të cilat, fatkeqësisht ai ia dorëzonte "shtabit të Rognerit". Edhe pse ai ishte i zgjedhur nga KP i LPK-D.j.v., megjithatë, po zbatonte urdhrat e "shtabit të Rognerit", dhe jo të KP e as të Kryesisë, as asaj deri në Kuvend të jashtëzakonshëm (maj 1998), por as të KP dhe të Kryesisë që dolën nga Kuvendi i jashtëzakonshëm, edhe pse Jashari u zgjodh edhe nënkryetar i Kryesisë. • Kuvendi LPK-D.j.v., - ishte i jashtëzakonshëm ose i 5-ti, e kam të ngatërruar, - duhet të jetë mbajtur më 2 e 3 maj 1998 në Zvicër. Nuk e mbaj mend numrin e saktë të pjesëmarrësve, por duhet të kenë qenë rreth 100 veta, nga të cilët 89 delegatë - sipas proces verbalit të votimit për Këshillin e ri të Përgjithshëm. Aty pritej të thyheshin shtizat. Unë u përcaktova të mbaja qëndrim të heshtur, pa anime, meqë i vlerësoja, pothuajse, barazfajtorë "krahun" e Xhavit Halitit dhe Azem Sylës, dhe "krahun" e Muhamet Kelmendit, Emrush Xhemajlit, Ali Ahmetit e Gafurr Elshanit. Xhavitin dhe Azemin i (dis)kualifikoja si sabotues dhe komplotistë, ndërsa katër të tjerët pse i kishin toleruar dy të parët, edhe pse, qysh gjatë vitit 1996, atyre u doli tymi, që po e sabotonin e komplotonin UÇK-në, gjegjësisht, po mundoheshin ta kapnin të tërën, ndoshta për ta keqpërdorur, pastaj, nga shërbimet e Beogradit. Kryetari Fazli Veliu ishte një si mumie...

(Kosova Sot)