Jo sharje, jo sllavizma e barbarizma nga komentatorët e RTK-së - Opinione - Kosova Sot
Jo sharje, jo sllavizma e barbarizma nga komentatorët e RTK-së

Jo sharje, jo sllavizma e barbarizma nga komentatorët e RTK-së

SHKRUAN: GËZIM MEKULI

Gazetaria e keqe e sportit u shpërfaq në këtë kampionat përmes fjalëve të rrugës, përmes shprehjeve ofenduese, të pakuptueshme e me plot barbarizma, ku sllavizmat janë më të pëlqyeshme. Impulset e gjuhës së "katundarëve të shekullit XVIII" janë të dëmshme dhe janë shembuj të këqij për fëmijët dhe të rinjtë

Kampionati botëror i futbollit solli dramë në hapësirën publike dhe jo vetëm. Mediat sollën në dhomat tona atmosferën sportive të ngjarjes më të madhe planetare të futbollit që po zhvillohet në Rusi. Por televizioni publik i Kosovës, RTK, edhe kësaj radhe, përmes komentatorëve të sportit, më shumë solli dëshpërim, zhgënjim e pakënaqësi sesa përjetim të këndshëm sportiv. Pse e them këtë e përse mendoj kështu? E them këtë sepse publiku shqiptar në Kosovë edhe një herë shijoi prodhimet e një gazetarie të keqe. Është fjala për gazetarinë e sportit, respektivisht për komentatorët televizivë të futbollit të punësuar "rastësisht" në RTK. Është fakt se na u servua një gazetari e keqe. Është e vërtetë se dëgjuam fjalë, emocione e fjali të papërshtatshme nga një televizion publik. Është dëshmuar se komentatorët sportivë të RTK-së, në këtë kampionat botëror të futbollit, nuk nderuan etikën profesionale të gazetarisë e as publikun e tij. Këta gazetarë fare pak respektuan obligimet dhe normat ligjore të një mediumi publik. Ja disa fjalë që prodhuan komentatorët e futbollit të RTK-së, e që janë problematike për fushën që po trajtohet këtu: "nonen ia kajsha", "çoje kopaqken te kovaçi", "a je normal o njeri", " o budallë qoje krytë" etj. Gjuha e përdorur nga këta gazetarë sportivë është keqndikuese dhe e vrazhdë.

Komentatorët e RTK-së duhet të jenë të lexueshëm

E them këtë sepse gjuha shqipe duhet të kultivohet e të përdoret mirë e saktë në publik. Kështu e do hapësira publike dhe e kërkon misioni kombëtar. Veçanërisht kjo është detyrë dhe obligim i Radio Televizionit Publik, e më "pak" i atyre private. Komentatorët e dobët të sportit të RTK-së vërtetuan dyshimin se debati mbi politikën mediatike të përdorimit të gjuhës shqipe duhet përforcuar dhe zhvilluar me vullnet e përkushtim, sepse për një kulturë dhe për një gjuhë që i takon një numri të vogël të njerëzve, të shpërndarë në një hapësirë e territor relativisht të madh, për televizionin publik do të thotë obligim, por edhe kërkesë për një përgjegjësi më të lartë profesionale. Është gazetari e keqe kjo, sepse gazetarët po shtiren sikur "kuptojnë diçka" për diçka që nuk e kanë kuptuar. Ose, pretendojnë të "jenë dikushi" për diçka që nuk janë. Komentatorët e RTK-së duhet të jenë të lexueshëm dhe të njohin gjuhën dhe kulturën shqipe në përgjithësi. Këta është më mirë të zhvillojnë komunikimin me publikun, sesa të përpiqen të ndërtojnë statusin personal përmes televizionit publik. Po, gazetaria e keqe e sportit u shpërfaq në këtë kampionat përmes fjalëve të rrugës, përmes shprehjeve ofenduese, të pakuptueshme e me plot barbarizma, ku sllavizmat janë më të pëlqyeshme. Impulset e gjuhës së "katundarëve të shekullit XVIII" janë të dëmshme dhe janë shembuj të këqij për fëmijët dhe të rinjtë: sepse gazetaria e mirë e sportit veçohet, para së gjithash, me qartësinë e gjuhës dhe kuptimin e saj të lehtë në publik; Pra, vetëm ata që kuptojnë mund të flasin kuptueshëm. Gazetari i mirë i sportit e pasuron gjuhën, ai nuk e varfëron atë. Shumë pak art, stilistikë e elokuencë gjuhësore sollën në opinionin tonë komentatorët e RTK-së. Këta i janë nënshtruar snobizmit dhe narcisoizmit, sa keq! Sa më pak "kopaçka" e sa më pak "kovaqë", të nderuar komentatorë Shtrohet pyetja nëse gazetari i sportit duhet të jetë partiak dhe akoma më keq, nëse ai duhet të jetë zëdhënës politik. Një pyetje e tillë mund të ngjallë konflikte dhe definime rolesh: sepse gazetari sportiv nuk mundet, njëkohësisht, të jetë gazetar partiak dhe i mirë në profesion. Ai duhet të zgjedh një rol. E ky bosht konflikti është në rritje në ditët e sotme. Dhe kjo do të formulohej kështu: Gazetarët e sportit, para së gjithash, do të duhej të kenë distancë nga jeta politike e afërsi me jetën sportive dhe me gjuhën shqipe, natyrisht, dhe tjetra, gazetarët e sportit duhet ta duan sportin më shumë se karrierën, partinë e ideologjinë. Dhe, më e rëndësishmja, këta komentatorë duhet të ndiejnë një përgjegjësi të veçantë për gjuhën shqipe dhe për mënyrën se si ata shprehen në publik gjatë komentimeve në televizionin publik:

Sa më pak "kopaçka" e sa më pak "kovaqë", të nderuar komentatorë

Jo sharje, jo sllavizma e barbarizma, jo emocione të pakontrolluara, jo anime të pakontrolluara për ekipe apo kombëtare futbollistike. Sa më shumë baraspeshë profesionale, të nderuar "gazetarë". Ka disa që mendojnë se gazetaria e sportit është "e padhëmbë". Por sporti dhe ndikimi i tij në ndërtimin e identiteteve e të kulturave është i fuqishëm dhe i pashmangshëm. A nuk u dënuan rastësisht, për hatër të Serbisë, sportistët shqiptarë, vetëm e vetëm sepse formuan simbolin e flamurit të shqiptarëve në Ballkan? I dënuan sepse kjo u pengon gjeopolitikave serbe dhe ideologjisë neo-kolonialiste. E çuditshme, apo jo? Dënohej zyrtarisht flamuri kombëtar i shqiptarëve, sikur ky flamur të ishte simbol i nazizmit gjerman, simbol ky që vrau mbi 55 milionë njerëz…! Por ideologji e politikë ka edhe nga brendësia jonë: Shpesh, shumë shpesh, gjatë dëgjimit të komentimeve e leximit të artikujve sportiv, hetojmë se komentatori sportiv ka një lojalitet ndaj sportistëve "të qeverisë" dhe televizioneve "të partisë" - e jo ndaj vlerave sportive dhe publikut të tij. Shkurt e shqip: Gazetarët e sportit, sot, nuk janë gjë tjetër pos shokë e miq të qeverisë. Shumë gazetarë të sportit mendojnë hapur se më me rëndësi është të jesh shok me personalitete politike, sesa sportist a gazetar i mirë. Konsekuent deri në fund: Është më se e nevojshme që gazetarët e sportit të provojnë të flasin më shqip, më drejt, pa fjalë të huaja, pra pa "okej" e "najs, najs"-e, e jo vetëm të dinë të mbajmë mikrofonin në dorë e "kopaçken" në gojë. Sepse përforcimi dhe ruajtja e gjuhës, identitetit dhe kulturës shqipe /si dhe gjuhën e pakicave që jetojnë në Kosovë/ është detyrë dhe obligim i mbrojtur me ligj. Kjo është e theksuar edhe në statusin e televizionit publik. Detyrë e RTK-së është e folmja bukur e rrjedhshëm e gjuhës amtare dhe kjo obligon edhe komentatorët sportiv që të jenë "qen roje" të kulturës dhe të artit. Kokëfortë për të arritur tek një sqarim asnjanës: Cilën gjuhë përdorin komentatorët e sportit nga Rusia? I njohin rregullat gjuhësore këta komentatorë? Dinë të flasin gjuhën e njësuar shqipe gazetarët televizionit publik, RTK-së?

(Kosova Sot)

10 orë e 15 minuta më parë
18/07/18