Z. Veseli, ndaleni z. Thaçi të mos e dëmtojë më Kosovën

Z. Veseli, ndaleni z. Thaçi të mos e dëmtojë më Kosovën
  • 11 July 2018 - 08:20

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Nëse z. Veseli mendon se marrëveshjet për Asociacion, të nënshkruara nga z. Hashim Thaçi në vitin 2013 dhe nga z. Isa Mustafa në vitin 2015, janë të drejta dhe konform Republikës, nuk ka më nevojë fare të diskutohet

Ë shtë shumë me rëndësi subjekti që e udhëheq delegacionin e Kosovës kundruall shtetit shovinist serb, sepse shumëçka, për të mos thënë e gjitha, varet nga qëndrimet e udhëheqësit. Por, para se gjithash, Kosovës i duhet një platformë politike, e cila del nga vullneti i popullit. Nuk duhet lejuar diskutime dhe marrëveshje në kundërshtim me interesat vitale të Republikës së Kosovës.

Çdo marrëveshje t'i nënshtrohet votimit në Kuvend

Nëse z. Veseli mendon se marrëveshjet për Asociacion, të nënshkruara nga z. Hashim Thaçi në vitin 2013 dhe nga z. Isa Mustafa në vitin 2015, janë të drejta dhe konform Republikës, nuk ka më nevojë fare të diskutohet, z. Kadri Veseli. Kosovës i duhen: 1. Platforma politike dhe juridike e votuar në Kuvend dhe e cila shërben si bazë për çdo diskutim dhe marrëveshje; 2. Një delegacion i pa korruptuar, me moral dhe me vetëdije të lartë politike dhe shtetërore; 3. Çdo marrëveshje t'i nënshtrohet votimit në Kuvend. Në këtë kuadër, në delegacion, shikuar nga zhvillimet e kaluara, nga puna dhe besimi a mosbesimi, dy njerëz e kanë humbur të drejtën që të përfaqësojnë Kosovën, në çdo çështje në Bruksel. Njëri është z. Hashim Thaçi dhe tjetri është z. Isa Mustafa. Të dy këta si kryeministra me punën e tyre kanë treguar se nuk janë në nivel të detyrave që paraqet Republika e Kosovës. Ata bënë dëme të mëdha me marrëveshjet e nënshkruara mbi Asociacionin serb në Kosovë.

Thaçi, i mbushur me dashuri të madhe ndaj vetvetes

Shikuar nga kjo anë del edhe mosbesimi i z. Kadri Veseli për z. Thaçi dhe për z. Isa Mustafa. Kjo, jo pse janë të pashëm a jo, të bukur a jo, por pse ato marrëveshje janë tërësisht antishtetërore dhe të dënueshme. E të dyja ato u nënshkruan nga këta dy njerëz të pushtetit. Këtu nuk ka besim. Z. Veseli! Ti duhet të dish se çka është besimi? Duhesh të dish dhe me siguri e di natyrën juridike të marrëveshjeve të nënshkruara mes nesh e atyre! Pse, pra qëndron në pozitën e tillë të përfaqësimit? Ka shumëçka për të thënë këtu. Por, një fakt është i qartë. Jo ajo se ky a ai njeri, përfaqësues etj., është i mirë a i keq, tradhtar etj., por pse këto marrëveshje e dëmtuan Republikën. E këto u nënshkruan nga ata, gjë që i bënë të padëshiruar. Dihet se z. Thaçi është shok i juaj z. Veseli dhe se vjen nga PDK-ja. Kjo është gjë që nuk duhet të të pengojë në detyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Për më tepër, duke vepruar në rrugën e theksuar, e ruan z. Hashim Thaçi nga veprimet e dëmshme. Ia bënë një nder këtij njeriu të mbushur me dashuri të madhe ndaj vetvetes. E kjo po e dëmton atë. Ti, z. Veseli, e di se vetëbesimi, dashuria ndaj vetes, si në bukuri që ka Thaçi, në dije etj., e bëjnë njeriun e pandërgjegjshëm dhe shumë të rrezikshëm. Ndaleni, z. Veseli, z. Hashim Thaçi! Ndihmoni (...)!

(Kosova Sot)