Për çka shkohet në Bruksel më 18 korrik?

Për çka shkohet në Bruksel më 18 korrik?
  • 16 July 2018 - 10:19
Kosova tanimë është në fazën finale të dialogut me Serbinë, e që akti final i marrëveshjes do të jetë i dhimbshëm për të dyja palët. Liderët e dy shteteve do të përballen me revoltën e popullit të pakënaqur si nga ana e Serbisë po ashtu edhe nga Kosova. Çdo dialog në botë përfundon me pakënaqësi nga njëra palë, mirëpo dialogu është i domosdoshëm për t'u arritur stabilitet i qëndrueshëm. Gjithnjë dialogun e imponon më i forti dhe marrëveshjet i bën në dobi të vet, ndërsa pala e dobët detyrohet t'i pranojë, sepse rrugë tjetër nuk i mbetet. Dialogu, Serbia si humbëse dhe Kosova si fituese, në baza të këqija Që nga marrëveshja teknikoushtarake në Kumanovë, qershor 1999, Millosheviqi e pranoi humbjen e Kosovës, kurse Kosova me aleatët si fituesit e lirisë. Rezoluta 1244 e miratuar në OKB parashihte disa lehtësira për Serbinë, por që do të modifikoheshin më kalimin e viteve në bazë të vullnetit të popullit shqiptar dhe ligjeve ndërkombëtare për vetëvendosur populli shumicë. Në vitet e para të pasluftës, Serbia e kishte të vështirë të pranonte humbjen e Kosovës, e madje një pjesë e personaliteteve serbe gjatë kontakteve më diplomatët perëndimorë e pranonin haptas humbjen e Kosovës siç ishte Gjingjiqi. Gjingjiqi dhe ekipi i tij gjatë takimeve në Bruksel e kishte pranuar njohjen e Kosovës dhe kërkonte hyrjen e Serbisë në familjen evropiane, mirëpo spiunët e Millosheviqit duke i parë kompromiset që ai bënte e likuiduan fizikisht. Edhe pse Serbia ishte humbëse, propaganda e tyre diplomatike disa vjeçare bëri që të ndryshonin opinionin politik botëror në favor të tyre e që në ndihmë të Serbisë do i shkonin vetë personalitetet tona politike shqiptare. Kështu që Serbia e fitoi supremacinë në fushën diplomatike, ndërsa ne shqiptarët u shpallëm si vend i mafiozë, vend i krimit të organizuar dhe i korrupsionit. Ne vetë e përkrahëm dhe e miratuam marrëveshjet e takimeve në Vjenë, ne vetë e miratuam planin e Ahtisarit dhe gjashtë pikat e Ban Ki Munit. Ne vetë i pranuam të gjitha kërkesat e Serbisë në dëm të Kosovës, vetëm e vetëm që personalitetet politike të mbetën në pushtet për të vjedhur e për t'u pasuruar në mënyrë të paskajshme: disa në emër të luftës e disa në emër të demokracisë pacifiste. Serbia ua plotësonte të gjitha kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare si më gjykimet dhe dënimet e disa kriminelëve serbë, dorëzimin e Millosheviqit në Hagë dhe kriminelëve tjerë. Ne e dimë se kriminelet serbë që kryen masakra në Kosovë si në Therandë e qytete tjera nuk morën dënime të merituara, mirëpo në sy të botës ata i dënuan gjë që ishe shenjë se Serbia i nënshtrohet ligjeve. Ne shqiptarët ku burgosej ndonjë komandat i dyshuar për krime, bënim protesta masive për lirimin e tyre se këta nuk janë kriminelë dhe se bashkësia ndërkombëtare po e zhvlerëson luftën e UÇK-së. Lufta e UÇK-së është zhvlerësuar pikërisht nga disa luftëtarë të cilët u pasuruan dhe vranë kundërshtaret e tyre dhe asnjë gjyqtar nuk ka pasur e as që do të ketë guxim t'i dënojë. Mos ndëshkimi i kriminelëve dhe mos aprovimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë ilegale është sinjali që ne ia dërgojmë bashkësisë ndërkombëtare se Kosova ende nuk është e gatshme të jetë pjesë e familjes evropiane. Në anën tjetër do t'i shkonin në ndihmë propagandës se diplomacisë serbe edhe ngritja e islamizmit radikal shqiptar, ku një pjesë e madhe e të rinjve shkuan vullnetarisht të luftonin në Siri e kurrë nuk u dolën zot vajzave dhe grave tona të dhunuara nga ushtria dhe policia serbe. E tërë kjo strategji antishqiptare është themeluar në bashkëpunim me shqiptarët spiunë të Serbisë e na shesin patriotizëm në kuvend ose në debate televizive që janë patriotë. Televizionet tona janë të detyruara që debate politike t'i marrin të tillët, jo se janë më të mençurit por spiunet e Serbisë janë kudo në vendet më të mira të punës :qeveri, kuvend, televizione, gazeta, e portale të shumta. Mbi këto shtylla Serbia është kujdesur që të formohet edhe grupi negociator i Kosovës, në mesin e të cilëve kishte shërbëtorët e vet. 

Gjatë negociatave ne e falëm Kosovën Gjatë negociatave ne e kemi humbur shtetësinë e Kosovës. Si është e mundur që ne si fitues të luftës ta humbin shtetësinë tonë?! Si është e mundur që askush të mos jep përgjegjësi për humbjen respektivisht tradhtinë që u bë gjatë negociatave në Bruksel. Jemi të një temë shumë e brishtë që askush nuk ka guxim të merret. Deshëm apo nuk deshëm, Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri duhet të japin përgjegjësi për nënshkrimin e marrëveshjeve që janë bërë në Bruksel. Hashim Thaçi deklarohet se marrëveshjet janë bërë nga presioni ndërkombëtar. Kjo nuk është e vërtetë. Edita Tahiri nuk deklarohet asgjë, edhe pse kundër marrëveshjes se nënshkruar nga Edita Tahiri menjëherë ka qenë kundërshtimi i eurodeputetës Doris Pack , edhe pse se para dy muaj e gjysmë kundër nënshkrimit të saj deklaroi zyrtarisht edhe NATO edhe pse kundër nënshkrimit të saj foli Robert Austin, profesor në Qendrën për Studime Evropiane, ruse dhe euro-aziatike, por Edita Tahiri nuk i jep pesë pare, siç thotë populli. Është për t'u habitur se si Edita pranoi krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe duke i fuqizuar të krijojnë shtet mbi shtet! Është për t'u habitur se si Edita Tahiri kërkoi që emri i Kosovës të shkruhet më fusnotë e që në fakt kjo fusnotë ia jep të drejtën Serbisë mbi Kosovën! Në Gjykatën ndërkombëtare GJND, ligjërisht Kosova u shpall legjitime e pa asnjëfarë fusnote, ndërsa Edita Tahiri e shkeli GJND-në dhe Kushtetutën e Kosovës duke ia futur fusnotën ! Është për t'u habitur se si Hashim Thaçi ende kërkon që Edita Tahiri të jetë shefe e grupit negociator, sepse Serbia nuk është e kënaqur më grupin e krijuar nga Ramush Haradinaj! Është për t'u habitur se si ende mediet tona kurrë nuk e ftuan Editën të sqarojë këto falje që ia bëri Serbisë përkundër intervenimeve të bashkësisë ndërkombëtare që nuk pajtohen më nënshkrimin e saj! Gjer më tani u shkrua për fusnotën, Asociacionin e Komunave Serbe, por e keqja më e madhe është duke i ardhur Kosovës këto ditë e këta muaj ku duhet të definohet fati i Trepçës dhe Ujmanit. Kjo është arsyeja që Serbia përsëri e kërkon Edita Tahirin të nënshkruajë edhe këto dy probleme madhore që varët fati i ardhmërisë së Kosovës. Dihet se brenda disa dekadave të ardhshme lufta kryesore në botë do të jetë lufta për ujë e jo për naftë. Disa dekada më vonë shteti i pasur është ai që do të ketë rezerva të ujit, sepse thatësia që do të mbretërojë në tërë planetin do ta zvogëlojë ujin në tokë. Nëse personalitetet politike shqiptare nuk e dinë këtë, Serbia e di, andaj do të bëjnë çmos që më ujin që ndodhet në territorin tonë të menaxhojnë ata. Kjo është arsyeja që Serbia i kërkon shërbëtoret e vet të jenë në grupin negociator. 

Shkuarja në Bruksel më 18 korrik, e panevojshme Kërkesa e Hashim Thaçit për t'i bashkuar pozitë -opozitë do të ishte e mirëseardhur sikur pas planit të tij të mos fshihej diçka më e tmerrshme për fatin e popullit tonë. Për gjërat madhore kur varët fati i shtetit dhe i popullit është normale që të bashkohet pozita dhe opozita. Në raste të tilla në secilin shtet të botës merret miratimi i të gjitha partive politike, për vendime esenciale. Askush nuk e dinë nga pozita dhe opozita se çka po përgatitët në fazën përfundimtare të dialogut. Gjer më tani asnjë qeveri nuk ka dhënë sqarime e detale mbi marrëveshjet që janë arritur. Të gjitha marrëveshjet u bënë në dëm të Kosovës. Imagjinoni se si serbët që jetojnë në Kosovë kanë më shumë të drejta se sa kishin në kohën e Millosheviqit! Serbët që jetojnë në Kosovë, nuk e pranojnë shtetin e Kosovës dhe ata që nga paslufta jetojnë më mirë se shqiptarët e lindur në trojet e veta. Serbët që jetojnë në Kosovë nuk e mësojnë historinë e Kosovës dhe UÇK-në e trajtojnë kriminele! Kriminelët e luftës që vranë e masakruan shqiptarë amnistohen e shqiptarët kërkohen për t'u dënuar. Takimi në Bruksel, më 18 korrik 2018, është një takim ku Hashim Thaçi dëshiron të tregojë superioritetin e tij mbi politikën shqiptare dhe ku çdo nënshkrim i tij dhe i Edita Tahirit të fuqizohen, sepse kështu e do Serbia. Janë disa mendime të zyrtarëve të lartë, me të cilët kam zhvilluar biseda shoqërore, se në Bruksel po shkojnë për t'i treguar Evropës se ne jemi unikë. Mirëpo për çka jemi unik?! Jemi unikë për të aprovuar flluskën ? Jemi unik për të aprovuar Asociacionin e komunave më Shumicë Serbe ?! Jemi unik për t'ua falur Ujmanin dhe 'Trepçën'?! Disa zyrtarë të lartë tjerë mendojnë se po shkojnë në Bruksel që t'i tregojnë Mogherinit se ne nuk lëshojmë asnjë milimetër të territorit tonë! Këto janë përgjigje hipotetike dhe të pabazuara në asnjë dokument. Ne shkojmë në Bruksel, sepse ashtu kërkon Hashim Thaçi dhe çka do të nënshkruhet atje askush nuk e ka idenë. 

Si merret shkuarja në Bruksel nga BE-ja? Shkuarja në Bruksel e disa personaliteteve politike është qesharake. Nëse Hashim Thaçi e ka miratimin e të gjitha grupeve nuk ka nevojë që ta shoqërojnë një grup i përbërë nga disa personalitete të forta politikisht. Në këtë takim do të flasin vetëm dy veta dhe plus përkthyesi, kurse të tjerët do të pohojnë me lëvizje të kokave të tyre se pajtohen. Pra, imagjinoni grupin tonë të ulur përballë Mogherinit duke i lëvizur kokat dhe duke buzëqeshur kur nuk duhet, edhe kur nuk kuptojnë. Në këtë mes imagjinoni Hashim Thaçin që do të krenohet para Mogherinit se si ka arritur t'i bashkojë këto koka të politikës e në vete duke thënë: "Unë jam king dhe baj çka due me Kosovën". Në këtë takim do të kërkojnë heqjen e vizave sa më parë që është e mundur, e që normalisht kjo mund të bëhet kah fundi i vitit dhe fillimi i vitit tjetër, e hiç më herët. Në këmbim të liberalizimit do të pajtohen për shumë gjëra që shkojnë në dëm të Kosovës. Ende nuk e di se cili nga ky grup do të guxojë të marrë fjalën e të kundërshtojë para Mogherinit Asociacionin e Komunave Serbe sipas nënshkrimit të Edita Tahirit, e as për heqjen e flluskës, e as për Ujmanin e 'Trepçën'! Ai që do të ketë këtë guxim do të shpallet luftëtar i denjë i lirisë dhe fatit të Kosovës. 

(Kosova Sot)