Statusi i Çamërisë, në kolizion me të drejtën ndërkombëtare

Statusi i Çamërisë, në kolizion me të drejtën ndërkombëtare
  • 17 July 2018 - 09:09
SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI

Historia shekullore e lashtësisë së Shqipërisë Etnike në Ballkan ka provuar se "shqiptarët-neoilirët" kurrnjëherë nuk janë pajtuar me robërinë dhe me sundimet e huaja kolonialiste barbare të vendeve fqinje serbosllave dhe të perandorive: romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë i kanë luftuar ato, duke zhvilluar kryengritje dhe luftëra të drejta për ta mbrojtur identitetin e tyre etnik, kulturor, kombëtar, gjeopolitik, shtetëror dhe territorial. Këtë konstatim tonin e mbështesin edhe këto argumente të qëndrueshme të historiografisë ndërkombëtare të autorëve të ndryshëm se: " Shqiptarët nuk kanë dashur kurrë të bien nën zgjedhë të serbëve e të malazezëve, as nën atë të turqve e të grekëve. S'u vyen fort atyne qi pushtuesi t'a ndrrojë emnin... ata kanë vdekë e kanë për të vdekë deri sa të mbesin gjallë nji luftar, burr a plak, fëmij a grue, për të qëndruem kundra serbve e malazezve kah veriu, kundra italijanve kah perëndimi, kundra grekve kah jugu." (Citat i cituar në veprën "Të drejtat e Shqipërisë Etnike", "Albin", Tiranë, 2001, f.201 nga autori frëng J. Godart, "L' Albanie en 1921, f.16: Mirëpo, me gjithë përpjekjet e derisotme shekullore për liri dhe për pavarësi, më se gjysma (mbi 50%) e kombit dhe e territorit shqiptar ende, edhe sot ka ngelur nën sundimin kolonial të shteteve fqinje serbosllavë. Një copëtim i tillë i padrejtë (si rrjedhim i luftërave grabitqare kolonizuese dhe i gjenocideve të përgjakshme të fqinjëve serbosllavë mbi qenien shqiptare të Shqipërisë Etnike dhe të shqiptarëve, është i papranueshëm si në kuptimin e së drejtës historike shqiptare, ashtu edhe të së drejtës ndërkombëtare.

Plaçka koloniale
Kjo padrejtësi shekullore ndaj shqiptarëve dhe tokave të tyre autoktone nuk mund të murkullohet dhe, për më tepër të justifikohet me politikën e standardeve demokratike pluraliste dhe integruese evropiane, as me filozofinë liberaliste të tregut të lirë ngase moralisht, historikisht, ligjërisht dhe demokratikisht shqiptarëve u janë mohuar dhe tjetërsuar të drejtat më elementare ekzistenciale për të jetuar të lirë dhe të bashkuar brenda shtetit të tyre kombëtar sovran, ashtu siç është rasti me popujt dhe me vendet fqinje të Shqipërisë Etnike në Ballkan. Pavarësisht nga politika propagandistike antishqiptare e qeverisë dhe e Kishës greke, si dhe ajo e mbështetësve të saj nga partnerët serbosllavë imperialistë ballkanikë, që çështjes çame t'i "vëjnë kapak" të përjetshëm në llogari të rrudhjes territoriale të Shqipërisë Etnike, çështja e Çamërisë SHQIPTARE nuk mund të shikohet e izoluar nga historia e përgjithshme kombëtare dhe shtetërore e Shqipërisë Etnike, sepse i përket tërësisë së saj unike territoriale dhe kombëtare e jo kurrsesi Greqisë së "Megalidesë", siç pohojnë imperialistët grekë. Këtë të vërtetë në favor të historisë së tërësisë së Shqipërisë Etnike, e mbështet edhe ky argument me peshë shkencore dhe objektive, i shprehur nga historiani i shquar rumun, Prof.Dr. N. Jorga: " se është e pamundur të ndahet historia e Veriut nga ajo e Jugut, sikurse është e pamundur të ndahet historia e Malcisë nga ajo e Mirditës."( Shih në: "Të drejtat e Shqipërisë Etnike", "Albin", Tiranë, 2001, f.147). Gjithashtu, në këtë kuptim, jo vetëm se është e pamundur, por është iracionale dhe e papranueshme si në aspektin e së drejtës historike, ashtu edhe në aspektin e së drejtës së vetëvendosjes kombëtare dhe ndërkombëtare, që 50% territorit indigjen e Shqipërisë Etnike dhe e shqiptarëve, të ruajë statusin e deritashëm të plaçkës koloniale nën sovranitetin shtetëror të Greqisë, të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, pavarësisht se gjysmë Shqipëria e pavarur e sotme, është përcaktuar për reformat noveluese të integrimit, të pluralizimit dhe të demokratizimit sipas standardeve dhe parametrave të parashikuar të agjendës transitore politike, ekonomike dhe të drejtave të njeriut etj. Një kurs të këtillë të politikës së jashtme të Shqipërisë në kuptimin reformues, integrues, pluralist dhe demokratik rajonal dhe evropian, nuk duhet ta kenë keqkuptuar dhe keqinterpretuar kolonialistët e vjetër dhe të rinj serbo-malazezë dhe greko-maqedonas, se ajo, tanimë me aderimin e saj në aleancat integruese të "Ballkanit Perëndimor" dhe të Evropës Lindore, është pajtuar me fatin tragjik të gjysmës së trupit të saj të copëtuar dhe të kolonizuar nga partnerët serbo-sllavë në emër të "ruajtjes së paqes, të sigurisë dhe demokracisë" në përmasa ballkanike dhe evropiane. Përkundrazi, rasti i njohjes së Republikës së Kosovës nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, si dhe ngritja e problemit të minoritetit çam në shkallë të marrëdhënieve bilaterale të qeverisë së Shqipërisë dhe të Greqisë, që në fillim të viteve të 90- ta të shekullit XX, provojnë qartazi se shteti shqiptar në asnjë mënyrë (pavarësisht nga traktativat e fshehta dhe të hapura të aleatëve tradicionalë serbosllavë me aspirata të vjetra shekullore, që të ricopëtojnë dhe të rikolonizojnë edhe më tej trojet etnike shqiptare në emër të ndonjë demokracie dhe integrimi të improvizuar në dimensione rajonale a ndërajonale, si substancë parësore dhe e qëndrueshme për promovimin e tregjeve të lira liberale të pakufishme, që në thelb, nuk njohin institutin e së drejtës së vetëvendosjes si kategori juridike, por vetëm interesin ekonomikotregtar në dimensione ndërkombëtare) nuk do të luajë rolin e ndonjë "mediatori" të huaj, duke qëndruar indiferent edhe në shekullin XXI ndaj çështjes së pazgjidhur koloniale shqiptare në Ballkan. Në veçanti, që nga përfundimi i luftës së ftohtë në vitin 1990 të shekullit XX, kur përfundimisht mbyllet kaptina gjysmëshekullore e ish-BRSS-së si superfuqi botërore e kampit të shteteve socialiste, liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe të drejtat e minoriteteve, në kuptimin juridik kanë evoluuar në rregullat dhe në normat e së drejtës së përgjithshme zakonore ndërkombëtare.

Kontestimi i çështjes çame
Mirëpo, me gjithë ndryshimet pozitive në mbrojtjen dhe në afirmimin e të drejtave të njeriut si institut ligjor ndërkombëtar, statusi i minoritetit çam shqiptar të Greqisë ka ngelur i pazgjidhur. Për status quo-n e çështjes së minoritet çam në Greqi, fajtor kryesor është vetë Greqia (anëtare e Bashkimit Evropian, e NATO-s, e OKB-së dhe e OSBE-së), qeveria e së cilës çështjen çame ende e quan inekzistente, edhe pse kjo, edhe në fillimshekullin XXI (viti 2018) është e gjallë dhe frymën që nga kohët antike të Ilirisë, të perandorive romake, bizantine, osmane etj. Gjatë viteve të fundit (1990-2018) si në aspektin intensiv, ashtu edhe në atë ekstensiv është shkruar mjaft për çështjen e minoritetit çam dhe të Çamërisë shqiptare me ç'rast kjo, me të drejtë është bërë objekt shqyrtimi edhe në sfondin e institucioneve dhe të mekanizmave të Bashkimit Evropian (BE), të OKBsë, të OSBE-së, si dhe të qeverisë së Republikës Shqipërisë. Mirëpo, jo edhe për qeverinë "demokratike" të Greqisë dhe për sundimtarët e saj grekomëdhenj, të cilët, edhe sot, në fillimshekullin XXI, e kontestojnë çështjen çame në të gjitha dimensionet e saj (etnike, territoriale, historike, politike, demokratike dhe juridike etj.), si rrjedhim i "Megalidesë" së mbijetuar në shekuj, në saje të së cilës dhe, me ndihmën e Fuqive të Mëdha të Evropës e kanë copëtuar dhe kolonizuar Epirin-Çamërinë e Shqipërisë Etnike.Mirëpo, të drejtën historike të popullit çam mbi territorin e tij indigjen shqiptar (edhe pse shumica dërrmuese e tij është përzënë në saje të gjenocidit të kryer grekomadh, e cila sot ka statusin e refugjatit në Shqipëri, në Itali, në Turqi, në Evropë, në Amerikë dhe në Australi), të njohur me emrin Epiri-Iliria-Çamëria, Greqia e madhe raciste, antidemokratike dhe antishqiptare, mbi asnjë bazë ligjore nuk ka të drejtë që ta tjetërsojë përgjithmonë, sepse titullar i saj legjitim është Shqipëria Etnike dhe shqiptarët e askush tjetër, pavarësisht nga intrigat dhe falsifikimet e historiografisë dhe të politikës së djeshme dhe të sotshme "demokratike" të Greqisë dhe të Kishës Ortodokse Greke në favor të mjegullimit dhe të mohimit të së vërtetës historike mbi Çamërinë dhe çamët shqiptarë, që historikisht, ligjërisht dhe territorialisht i përkasin vetëm Shqipërisë Etnike. Greqia nuk përligj të drejtat e njeriut Kjo e vërtetë mbi historinë shekullore të Çamërisë ua verbon sytë sundimtarëve grekomanë dhe "regjimit demokratik" të sotshëm të Athinës. Mirëpo, kjo është çështje e tyre, të cilën assesi nuk do të kenë mundësi, që ta mbajnë si "çështje të brendshme greke" të konservuar edhe në shekullin XXI, sepse Greqia që nga formimi i saj si shtet i pavarur (si krijesë e Fuqive të Mëdha Evropiane) më 1832 e deri më sot, ka nënshkruar një sërë traktatesh ndërkombëtare, sipas të cilave është e detyruar, që t'i përligjë të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe të minoriteteve jogreke në Greqi, së këndejmi edhe të minoritet shqiptar çam. Ndryshe, si çamët (qoftë brenda, qoftë jashtë Greqisë), ashtu edhe qeveria e Republikës Shqipërisë, janë të shtrënguar që të ushtrojnë kërkesën e tyre këmbëngulëse instancave përkatëse të OKB-së, të OSBE-së, të BE-së (Këshillit Evropian, Komisionit Evropian, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe Gjykatës Ndërkombëtare), me qëllim që të rishqyrtohet statusi juridik ligjor i Greqisë si anëtar i këtyre institucioneve ndërkombëtare. Përderisa Greqia nuk e miraton kërkesën e ligjshme të minoriteti çam, që të riatdhesohet në truallin e tij etnik të Çamërisë, asaj duhet t'i kontestohet, përkatësisht t'i "ngrihet" statusi ekzistues juridik ndërkombëtar (sipas së drejtës ndërkombëtare, konventave, marrëveshjeve dhe protokolleve ndërkombëtare dhe evropiane), si dhe t'i kufizohet pjesëmarrja dhe aktiviteti i saj i mëtejshëm në të gjitha organizatat dhe institucionet e theksuara evropiane e ndërkombëtare, duke i vënë sanksione ligjore sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.

(Kosova Sot)