Korrigjim të kufijve nuk ka, keni tradhtuar edhe Preshevën, edhe Bujanocin, edhe Medvegjen (2003)

Korrigjim të kufijve nuk ka, keni tradhtuar edhe Preshevën, edhe Bujanocin, edhe Medvegjen (2003)
  • 09 August 2018 - 09:05
SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI


Pavarësisht se çfarë thuhet në Nenin 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), korrigjimi, përkatësisht ndryshimi i kufijve territorialë mes dy shteteve është i lejueshëm sipas parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara (1945-2018), nëse këto bëhen në mënyrë paqësore (jo me forcë, me agresion dhe me pushtime) dhe në bazë të pëlqimit dhe të vullnetit reciprok të ligjshëm të dy palëve të interesuara, përkatësisht të dy shteteve fqinje. Para se t'i themi ca fjalë për efektin politik negativ të Dialogut të Brukselit me vulosjen e "Srpska zajednicës", që "na la kopilin në derë" të Serbisë në Veriun e Kosovës (për shkak të politikës së gabuar të lidershipit të Kosovës, 1999-2018, kjo me kalimin e viteve, do t'ia vërë flakën dhe zjarrin Kosovës, duke e shpërbërë si shtet), do t' i referohemi qartësimit të sintagmës "korrigjim kufiri në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare. Duhet të pranojmë faktin se e drejta e sotme ndërkombëtare nuk përjashton mundësinë e korrigjimit, përkatësisht të ndryshmit të kufijve territorialë ndërmjet shteteve të ndryshme. Gjatë historisë së praktikës së derisotme të marrëdhënieve ndërshtetërore ka pasur korrigjime dhe ndryshime territoriale, ka edhe sot dhe, do të ketë edhe nesër. "Korrigjim kufiri", përkatësisht ndryshim kufiri, do të thotë, kur dy palë të interesuara të dy shteteve fqinje merren vesh, duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e tyre reciprok, që të bëjnë ndonjë "korrigjim", përkatësisht "ndryshim" të kufijve të tyre territorialë. Në këtë rast, nuk mund të ketë cedim territori vetëm në favorin e njërës palë, përkatësisht të njërit shtet. Me një fjalë, korrigjimi apo ndryshimi i kufijve mes shteteve mund të bëhet, por vetëm në përputhje me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare, që do të thotë në mënyrë ligjshme, jo në mënyrë arbitrare ose me forcë, sepse në këtë rast, do të konsideroheshin nul dhe të papranueshme për të drejtën ndërkombëtare.

Serbia "nuk e ha" korrigjimin e kufijve, sepse pa të ka fituar Kosovën Veriore (1999-2018)! Ndonëse, presidenti Hashim Thaçi ka të drejtë të kërkojë "korrigjimin" e kufijve territorialë, nëse për ketë e mbështetin Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, por është tejet i vonuar, sepse ka përjashtuar Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjen nga Dialogu i Brukselit (2011-2018). Kështu që Beogradi zyrtar nuk do të pranojë, që të negociojë për çështjen e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës në kuadrin e Dialogut të Brukselit, sepse ka fituar atë çfarë edhe ka synuar me të-Veriun e Kosovës. Pra, (me gjithë apelin propagandistik të presidentit Thaçi për hesape të kombinatorikës politike të tij me partnerët e vet, se gjoja është i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e "Nyjës së Gordit" me Serbinë) nuk do të ketë korrigjim-ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, por vetëm marketing politik të presidentit Thaçi, të cilin, së shpejti Kosova, do ta paguajë shumë shtrenjtë, sepse me formimin e "Srspka zajedinicës" në Veriun e Kosovës, duke e përfshirë edhe gjysmën e qytetit të Mitrovicës, sipas të gjitha gjasave, do të formohet një "Republika srpska" sikurse ajo e Bosnjës (9 janar 1992). Edhe pse presidenti Hashim Thaçi, edhe Akademiku i nderuar Rexhep Qosja, edhe kryeministri Ramush Haradinaj, të gjithë këta kanë të drejtë të kërkojnë "korrigjimin" e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Ky nuk është problem siç theksuam më sipër, por kjo KËRKESË "do të kishte ndezur" vetëm sikur të kishim qenë në vitin 2003 (kur unë, edhe pata sugjeruar që Presheva, Bujanoci dhe Medevegja, të viheshin nën mandatin paqësor ndërkombëtar të OKBsë. Shih në: https://europafb.blogspot.com/2013/01/k osova-lindore-te-vihet-nen-misionin.html), kur UÇPBM-ja zhvillonte luftë guerile kundër Serbisë pushtuese, kolonialiste dhe gjenocidale. Tash jemi në vonesë 15- vjeçare, Serbia "nuk e ha" "korrigjimin" e territorit të saj, sepse Veriun e Kosovës e fitoi pa dhënë Preshevën, Bujanocin dhe Medevgjën. Këtë ia garanton "bekimi" ndërkombëtar i formimit të "Srpska zajednicës", e cila do të jetë Republika e Tretë Serbe në Ballkan. Kjo, është vetëm çështje kohe derisa të mbyllet Dialogu i Brukselit (2011-2018). Kështu që, veç po grindemi dhe, pa asnjë arsye po e ofendojmë njëritjetrin kot i kotit, duke "rrahur ujë në havan", si rrjedhim i propagandës spekuluese të presidentit Hashim Thaçi, se gjoja ky " Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, do t'ia bashkojë Kosovës" !? Korrigjimet janë bërë, bëhen dhe do bëhen mes shteteve, por duhet të jenë ligjshme dhe të pranueshme për interesin nacional dhe shtetëror. -Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka të drejtë të kërkojë "korrigjimin e kufirit" me Serbinë, nëse e merr pëlqimin e qeverisë dhe të kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe të Amerikës dhe të aleatëve të saj europerëndimorë. Ndryshe jo, në asnjë mënyrë, sepse do ishte humbës përballë Serbisë. Mirëpo, shqiptarët nuk guxojnë ta humbasin territorin e vet, por, në mënyrë ligjore, demokratike dhe paqësore, duhet të kërkojnë nga Amerika dhe nga Evropa Perëndimore, që t'i thërrasin vendet ballkanike në një konferencë ndërkombëtare për shqyrtimin e çështjes së kufijve ndërshtetërorë mes tyre. Kjo do të ishte edhe në interesin e sigurisë, të bashkëpunimit, të zhvillimit, të paqes dhe të stabilitetit jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Evropës. Derisa të mos organizohet një konferencë e tillë për zgjidhjen përfundimtare të problemeve ekzistuese territoriale ndërshtetërore, Ballkani nuk do të jetë i qetë dhe, për më tepër nuk do të ketë kurrfarë perspektive për koekzistencën e popujve të tij. Epilogu i Dialogut të Kosovës nuk do të sjellë asgjë të dobishme dhe të mirë për Kosovën, por vetëm se do të gjenerojë krizë dhe konflikt permanent me Serbinë derisa kjo me ndihmën e Rusisë dhe të Kinës të rikthehet në Kosovë, duke përfituar nga krijimi i "Srpska zajednicës", e cila pritet që de fakto dhe de jure të legalizohet dhe të miratohet nga palët negociuese në Bruksel

Dialogu i Brukselit nuk zgjidh asnjë problem me Kosovën, as me shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjes! Jo vetëm Akademik Rexhep Qosja, jo vetëm presidenti Hashim Thaçi, jo vetëm Kosova, por edhe presidenti Ilir Meta, edhe kryeministri Edi Rama, edhe Shqipëria, si dhe çdo shqiptar qoftë " i madh" a "i vogël" brenda apo jashtë Shqipërisë etnike kanë të drejtën e ligjshme dhe të plotë që të kërkojnë "korrigjimin", që do të thotë ndryshimin e kufijve të Shqipërisë etnike qoftë me Serbinë, me Greqinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, sepse mbi 3 milionë shqiptarë dhe më se gjysma e Shqipërisë etnike ende ndodhen nën sundimin kolonialë të shteteve të theksuara fqinje, të cilat me ndihmën e Fuqive të Mëdha të Evropës, në saje të vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit (1878), të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (1912-1913) si dhe të Konferencës së Paqes së Parisit (1912-1920), e pushtuan dhe e aneksuan territorin indigjen të Shqipërisë etnike në shpërputhje me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare, që do të thotë se, kufijtë e tyre të sotshëm janë artificial, të padrejtë, të diskutueshëm, të paligjshëm dhe të papranueshëm për të drejtën ndërkombëtare, sepse janë krijuar me forcë dhe me gjenocid (1878-2018).


(Kosova Sot)