JO Hashimi, por Dialogu i Brukselit të riformatizohet në një konferencë ndërkombëtare për Ballkanin

JO Hashimi, por Dialogu i Brukselit të riformatizohet në një konferencë ndërkombëtare për Ballkanin
  • 13 August 2018 - 08:15
SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI

Nëse nuk ndodh riformatizimi i Dialogut të Brukselit në një konferencë ndërkombëtare për Ballkanin, atëherë tandemi Vuçiq-Thaçi, duke "vizatuar" kufij të rinj në dëm të territorit të Republikës së Kosovës, direkt dhe indirekt, do t'i involvojnë në konflikt Amerikën dhe Rusinë në Ballkan. Riformatizimin e Dialogut të Brukselit në një konferencë ndërkombëtare për Ballkanin, sa më parë të jetë e mundur, do të duhej ta aranzhonin Uashingtoni, Londra, Parisi, Berlini, Brukseli, Roma, Vjena dhe Moska, në mënyrë që të pengohej politika provokuese, ekstremiste, konfliktuoze dhe autoritare e Milorad Dodikut (kryetar i Republikës Serbe në Bosnjë), e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët janë faktorët kryesorë që po nxisin konfrontimin e Amerikës dhe të Rusisë në Ballkan, pikërisht duke e shfrytëzuar Dialogun e Brukselit kinse në emër të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Mirëpo, këto ditë, Thaçi dhe Vuçiq dolën me propozimet e tyre për "korrigjimin e kufijve", përkatësisht ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo "temë e re" nuk duhet lejuar, as pranuar, që të debatohej në Dialogun e Brukselit (2010-2018) mes Vuçiqit dhe Thaçit, por Amerika, BE-ja dhe Rusia, në mënyrë, që të mos konfrontoheshin mes tyre për shkak të këtij provokimi të tandemit Vuçiq-Thaçi, do të duhej, që urgjentisht të dakordoheshin për RIFORMATIZIMIN e Dialogut të Brukselit në NJË KONFERENCË TË RE NDËRKOMBËTARE PËR BALLKANIN. Vetëm kjo strategji e fuqive të mëdha evropiane me Amerikën në krye, do të mund ta shpëtonin Ballkanin nga rreziku dhe konfliktet eventuale si rrjedhim i politikave absurde dhe provokuese të Vuçiqit dhe të Thaçt, që kanë për qëllim t'i fusin në grindje dhe në konfrontim mes Amerikës dhe Rusisë në Ballkan, për shkak të "korrigjimit" të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë! Ndryshe Milorad Dodik (Republika Srpska), Aleksandar Vuçiq (president i Serbisë), Hashim Thaçi(president i Kosovës) dhe Edi Rama kryeministër i Shqipërisë) me politikat e tyre të gabuara miope të "vizatimeve gjeometrike" kinse për korrigjimin, përkatësisht për ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, do të rrezikonin Ballkanin, duke shkaktuar konflikte dhe mosmarrëveshje të reja mes popujve të tyre. Për të mos ndodhur një "befasi" e tillë, që mund të ketë pasoja të rënda, parapëlqehet dhe, njëherazi është tejet e ngutshme dhe me prioritet që Uashingtoni, Londra, Berlini dhe Moska, të marrin në duart e tyre fatin e Ballkanit, duke mos e lënë në "mëshirën politike" të këtyre katër liderëve politikë, sepse asnjëri prej tyre nuk ka kurrfarë kapaciteti politik dhe diplomatik qoftë në shkallë kombëtare, evropiane a ndërkombëtare, e as kurrfarë kredibiliteti te qytetarët e tyre, që të vendosnin diç të pranueshme për pajtimin e popujve dhe të shteteve të tyre siç ishte rasti dikur para 73 vitesh me liderët e famshëm botërorë: Franklin D. Roosevelt (president i SHBA-së), Winston Churchill (kryeministër i Britanisë së Madhe) dhe Josef Stalin (kryeministër BRSS-së), të cilët me vendiemt e tyre të drejta historike në Konferencën e Krimesë në Jaltë (4-11 shkurt 1945) ia arritën që të qetësojnë Evropën Lindore dhe Perëndimore, si dhe tërë botën.

Vuçiq, Thaçi, Rama nuk janë Roosevelt, Chruchill dhe Stalin as për Ballkanin e as për Evropën Edhe pse Aleksandar Vuçiq, Hashim Thaçi dhe Edi Rama ushqejnë iluzione dhe jetojnë në vetëkënaqësi se kanë aftësi, që të bëjnë "korrigjime territoriale" qoftë radikale a kozmetike të kufijve ekzistues mes Serbisë dhe Kosovës, ajo është vetëm ambicie e sëmurë egocentrike dhe e parealizueshme, sepse asnjëri prej tyre nuk kanë asnjë aftësi politike e diplomatike, e as pëlqimin e shteteve të tyre. Pra, shikuar realisht as Vuçiqi, as Thaçi e as Rama nuk janë liderë politikë të kalibrit botërorë (siç ishin presidenti i SHBA-së, Franklin D. Roosevelt, Winston Churchill, kryeministër i Britanisë së Madhe dhe Josef Stalin, kryeministër i BRSS-së), që të mund t'i bindnin popujt dhe qeveritë e tyre për të bërë "korrigjime", dhe "ndryshime" të kufijve mes shteteve të tyre. Përpjekjet e tyre individuale për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të japin kurrfarë efekti pozitiv për pajtimin e popujve, sepse askush nuk u beson në sinqeritetin dhe në drejtësinë e tyre. Përkundrazi një iniciativë e tyre për të bërë ndonjë "korrigjim" të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të mund të çonte në përsëritjen e skenarit tragjik të kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq nga forcat ultranacionaliste dhe ekstremiste (2003). Mirëpo, për të shmangur një rrezik të tillë si të rastit të atentatit në kryeministrin Zoran Gjingjiq, që përfundoi me vrasjen e tij nga ultranacionalistët serbomëdhenj, që tash , nevojitet, që Amerika, BEja, NATO-ja dhe Rusia të dakordohen për organizimin urgjent të një Konference Ndërkombëtare për Rishqyrtimin e Kufijve të Ballkanit (jo vetëm për Kosovën dhe për Serbinë), të cilët janë kontestues që nga Kongresi i Berlinit (1878), nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës (1912- 1913) dhe nga Konferenca e Paqes e Parisit (1919- 1920). Për të arritur një objektiv të tillë, pikësëpari, do të duhej që qeveria e Serbisë, qeveria e Kosovës dhe qeveria e Shqipërisë në mënyrë formale t'i parashtronin kërkesat e tyre zyrtare Uashingtonit, Berlinit, Londrës, Parisit, Romës, Vjenës, Brukselit dhe Moskës për organizimin urgjent të një Konference të re ndërkombëtare për Ballkanin e trazuar, ku pikë qendrore të agjendës së saj, do të kishte Ridefinimin e kufijve kontestues të të gjitha shteteve ballkanike, jo vetëm të Kosovës dhe të Serbisë, ashtu siç po kërkojnë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për ndryshimin e kufijve territorialë të Kosovës në favorin e Serbisë, të cilët, duhet të pengohen me çdo kusht, sepse do të përflaknin Ballkanin.

Integrimi i popujve të Ballkanit Për të mos ndodhur ndonjë konflikt i armatosur në vijat ndëretnike në Ballkan, Amerika, NATO-ja, BE-ja dhe Rusia, duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët bashkëpunimi për t'i pajtuar dhe integruar popujt e Ballkanit në Evropën demokratike, duke mos lejuar që presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët, duke copëtuar territorin e Kosovës, do t'ia fusin flakën gjithë Ballkanit sipas "teorisë domino" nga e cila nuk do të përfitonin shqiptarët, as Kosova e as Shqipëria në Ballkan. Për ta penguar këtë rrezik, me qëllim që Ballkani të shpëtonte nga një grackë e tillë e tandemit VuçiqThaçi, është më se e domosdoshme, që të vijë në shprehje mbajtja e një NJË JALTE TË RE për Ballkanin me tri kryefigurat kryesore: DONALD TRUMP, ANGELA MERKEL dhe VLADIMIR PUTIN, sipas modelit të dikurshëm të JALTËS SË FRANKLIN D. ROOSEVELT, WINSTON CHURCHILL dhe JOSEF STALIN, e cila bë në Krime, më 4-11 shkurt të vitit 1945. Pikërisht në këtë Konferencë të Jaltës u miratuan vendime të vlefshme me karakter historik, diplomatik dhe gjeopolitik për rregullimin e një Europe të re pas përmbysjes së Gjermanisë nazifashiste të Adolf Hitlerit nga ana e shteteve aleate të Koalicionit Antifashist me në krye Amerikën dhe me BRSS-në. Trump, Merkel, Putin, me një Jaltë të re do ta shpëtonin Ballkanin Kjo konferencë ndërkombëtare, do të bënte të mundur, që në mënyrë paqësore dhe demokratike, të zgjidheshin kontestet territoriale mes shteteve ballkanike. Kjo është forma më racionale dhe më e rëndësishme për krijimin e sigurinë, të paqes dhe të stabilitetit në Ballkan. Pikërisht, vendimet e drejta të miratuara në një Konferencë multilaterale ndërkombëtare për Ballkani, do të bënte të mundur, që popujt e Ballkanit të mos lihen në "mëshirën" e liderëve politikë të komprometuar dhe të korruptuar me hipotekat e tyre para, gjatë dhe pas luftërave pushtuese gjenocidale të Serbisë në Ballkan (1990-1999), siç janë Dodik, Vuçiq, Thaçi dhe Rama, të cilët sot për pazaret dhe për interesat e tyre komplementare politike dhe mafioze po i gënjejnë partnerët ndërkombëtarë, se janë progresivë, demokratë dhe "shpëtimtarë" të popujve të tyre, duke "korrigjuar" kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë. Vërtet, nëse Beogradi, Prishtina dhe Tirana dëshirojnë, që të debatojnë për "korrigjimin" e kufijve të tyre, këtë do të mund ta bënin vetëm në kuadrin e një Konference Ndërkombëtare për Ballkanin , jo kurrsesi në procesin e Dialogut të Brukselit, i cili në agjendën e tij nuk ka shqyrtimin e kufijve territorialë të Kosovës dhe të Serbisë e as të Ballkanit. Prandaj, për të mos e gënjyer, mashtruar dhe spekuluar me popullin dhe me partnerët ndërkombëtarë se "ndryshimet kozmetike" mes Serbisë dhe Kosovës, do të ndikonin pozitivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, si qeveria e Serbisë, qeveria e Kosovës, ashtu edhe qeveria e Shqipërisë, do të duhej të dakordoheshin dhe të angazhoheshin seriozisht për organizimin e një Konference ndërkombëtare për Ballkanin, në kuadrin e së cilës, do të debatoheshin kufijtë e tyre kontestues , jo vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, por të të gjitha shteteve të Ballkanit, që vuajnë nga një recidiv i tillë i padrejtë historik dhe gjeopolitik. Realisht, nuk mund të ketë integrim për shtetet e "Ballkanit Perëndimorë" në BE, pa zgjidhjen paraprake të kontesteve të kufijve territorialë mes tyre në shkallë ballkanike. Këtë çështje e ka bërë të ditur, edhe Jean-Claude Jucker (kryetar i Komisionit Evropian) se pa zgjidhjen e konflikteve territoriale, as Serbia e as vendet e tjera ballkanike nuk mund të integrohen në BE.

(Kosova Sot)