Franca dhe Gjermania duan ta ruajnë multilateralizmin

Franca dhe Gjermania duan ta ruajnë multilateralizmin
  • 14 August 2018 - 08:19
Shkruan: FRANÇOIS DELATTRE

Një OKB më e fortë do të na ndihmojë të jemi më aktivë dhe efektivë në diplomacinë tonë shumëpalëshe. Ne do të punojmë pa u lodhur për ta gjetur një zgjidhje politike, të udhëhequr nga OKB-ja, për konfliktet në Siri, Libi dhe gjetkë. Kjo përfshin mbrojtjen e regjimit të mospërhapjes të armëve bërthamore, një shtyllë thelbësore të sigurisë tonë kolektive, të cilën këshilli i sigurimit është i obliguar ta mbrojë

Multilateralizmi është i rrezikuar. Pasojat mund të jenë tragjike. Por, derisa vendet gjithnjë e më shumë vendosin interesat e tyre të ngushta mbi ato të përgjithshmet, Franca dhe Gjermania janë edhe më të përkushtuara që të mbrojnë së bashku një rend botëror, të bazuar te rregullat. Sfidat komplekse ndërkombëtare të sotme kërkojnë një përgjigje shumëpalëshe të bazuar në një mirëkuptim të përbashkët dhe vlera të përbashkëta. Ne e kuptojmë këtë më mirë se shumica: nëse historia evropiane na mëson diçka, ajo ka të bëjë me rreziqet e nacionalizmit të shfrenuar. Pas pasojave të tmerrshme të dy luftërave botërore, presidenti francez Charles de Gaulle dhe kancelari gjerman Konrad Adenauer, së bashku me udhëheqësit e vendeve të tjera të ardhshme të BE-së, i vendosën ndarjet e kontinentit prapa tyre. Ky vendim u mor jo vetëm nga një sens realpolitik, por edhe nga bindjet e përbashkëta të solidaritetit, bashkëpunimit dhe ligjit. Sot, parimet organizative të marrëdhënieve tona ndërkombëtare përqendrohen në respektimin e të drejtave universale të njeriut dhe sundimin e ligjit - dy fusha ku OKB-ja ka për të luajtur një rol kyç.

Luftimi i terrorizmit Pas zgjedhjes së Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një mandat dyvjeçar duke filluar nga viti 2019, dy vendet tona tani do ta kenë më të lehtë që të punojnë së bashku për të ndjekur misionin kryesor të OKBsë: ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Siç kanë shprehur presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, ne e vlerësojmë thellë punën e OKB-së. Për këtë arsye ne mbështesim plotësisht reformat e sekretarit të përgjithshëm, Antonio Guterres, që kanë për qëllim krijimin e një organizate më të shkathët, efikase dhe të përgjegjshme. Një OKB më e fortë do të na ndihmojë të jemi më aktivë dhe efektivë në diplomacinë tonë shumëpalëshe. Ne do të punojmë pa u lodhur për ta gjetur një zgjidhje politike, të udhëhequr nga OKB-ja, për konfliktet në Siri, Libi dhe gjetkë. Kjo përfshin mbrojtjen e regjimit të mospërhapjes të armëve bërthamore, një shtyllë thelbësore të sigurisë tonë kolektive, të cilën këshilli i sigurimit është i obliguar ta mbrojë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, një nga arritjet më të rëndësishme diplomatike të dekadës së kaluar, për të cilën shpresojmë ta parandalojmë Iranin që të zhvillojë një program bërthamor ushtarak. Ne do të sfidojmë ata që përdorin armë kimike duke mbështetur ndalimin e taktikave të tilla të tmerrshme. Ne do ta luftojmë terrorizmin brenda një kuadri të fuqishëm multilateral, duke synuar terroristët ndërkombëtarë, burimet e tyre të financimit dhe përdorimin e tyre të internetit për të rekrutuar dhe përhapur urrejtjen. Ne e konsiderojmë të papranueshme që sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve anëtare të OKB-së, si Ukraina, vazhdon të shkelet, në kundërshtim me statutin e OKB-së. Ne do të luftojmë për të drejtat e njeriut dhe do të mbrojmë civilët, duke u dhënë përparësi të drejtave të grave, fëmijëve, gazetarëve, avokatëve dhe punëtorëve humanitarë. Franca dhe Gjermania janë gjithashtu të angazhuara për të mbështetur institucionet dhe zbatimin e së drejtës ndërkombëtare. Ne do të mbështesim Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjykatat ndërkombëtare dhe të përziera, mekanizmat dhe gjykatat e arbitrazhit, në veçanti Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Vendimet e saj duhet të respektohen dhe zbatohen.  

Bota ballafaqohet me sfida globale të paprecedentë Autorët e krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit duhet të përballen me drejtësinë. Rezolutat obliguese të Këshillit të sigurimit, të tilla si ato që hedhin poshtë vendimet e njëanshme për Jerusalemin, nuk duhet të injorohen. Ne gjithashtu pranojmë se përkeqësimi i ambientit paraqet një kërcënim në rritje për sigurinë globale që duhet të trajtohet kolektivisht. Ne do të vazhdojmë të promovojmë marrëveshjen e klimës në Paris - shansi ynë i fundit më i mirë për të ngadalësuar ngrohjen globale - dhe një pakt tjetër botëror për mjedisin që ofron një kornizë të fuqishme dhe koherente. Franca dhe Gjermania gjithashtu do të përpiqen të integrojnë strategjitë e sigurisë dhe të zhvillimit. Puna jonë në rajonin Sahel në Afrikë, ku po bëjmë përpjekje për të mbështetur forcën G5 Sahel të vendeve vendore dhe për të rritur zhvillimin përmes Aleancës Sahel, është një ilustrim i mirë i kësaj qasjeje gjithëpërfshirëse. Por, suksesi atje dhe në shumë fusha të tjera, kërkon që të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, veçanërisht SHBA-ja, të punojnë me njëri-tjetrin. Ndërsa bota ballafaqohet me sfida globale të paprecedentë, përkushtimi amerikan ndaj vlerave tona të përbashkëta dhe zgjidhjeve të përbashkëta ka qenë rrallë më kritik. 

(Kosova Sot)