Hashim Thaçi, me avazin e vjetër

Hashim Thaçi, me avazin e vjetër
  • 15 August 2018 - 08:15
SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Z. Thaçi po sillet sikurse shqiptarët dhe tërë politikanët të jenë analfabetë në politikën zhvillimore të Kosovës. Ai vazhdon duke injoruar tërë mendimet e shprehura. Madje del edhe në mbrojtje të ideve që nuk janë aspak reale, ndonëse thirret në pragmatizëm. Z. Thaçi po vepron sikurse Kosova mos të ishte shtet dhe mos të kishte fare shtetësinë e vet. Shkon deri atje ku me një injorancë të paprecedent thotë: "(...) Jam kundër ndërrimit të territorit, vetëm për korrigjim (...). Ky përkufizim është në aspektin juridiko - politike një ndërrim dhe korrigjim! Edhe njëra edhe tjetra përcaktojnë kalimin e tokës nga Kosova në Serbi dhe nga Serbia në Kosovë. Ku janë 400 kilometra katrorë... Këto kilometra katrorë janë në veri... Deri ku vjen kufiri nuk dihet!?. Por, ajo që është domosdoshmëri e kohës është fakti se edhe në Kosovë ka minoritet serb dhe në Serbi ka minoritet shqiptar. Si rregullohen këto? Janë dy baza: 1. Tërheqja e kufijve mbi baza nacionale të vendit që jeton populli dhe 2. Mbi bazën e kufijve aktualë dhe të bazës së të drejtave të shteteve brenda kufijve të vet të vendosin. Në kuadër të veprimit të parë, Kosova humb më shumë se 400 kilometra katrorë. Madhësia është deri në 1500 kilometra katrorë. Ndërsa, në Kosovë hyjnë vetëm 700 a deri në 1000 kilometra katrorë. Si kjo? Me këtë Kosova humb dy baza shumë të rëndësishme: Ujmanin dhe Mitrovicën e veriut. Ndërsa fiton disa territore në Preshevë dhe në Bujanovc, ndoshta edhe disa fshatra në komunën e Medvegjës. Ana pozitive e tërë kësaj është hapja e perspektives për krijimin e një perspektive e cila ka dy anë: 1. Fitoren dhe 2. Humbjen. Fitoren nëse nuk ndahet Mitrovica dhe Ujmani deri në Zveçan dhe humbja kur tërë këto territore kalojnë nën sovranitetin serb. Mendoj se këtu është edhe e keqja! Z. Thaçi e di se shumë nga këto territore do të humbin. Do të humb Zveçani, Mitrovica e Veriut e Leposaviqi. Çështja është te Ujmani që është ende në temë të diskutimit. Dhe, këto qëndrojnë, përgjegjësia është e lartë dhe nuk ka precedent. Nuk ka qytetarë shqiptarë që është kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Ajo tash dihet. Po si? Jam për zgjidhje të çështjes. Jam që Mitrovica dhe Ujmani kurrë mos të kalojnë nën sundimin serb. Janë territore shumë të rëndësishme për Kosovën. Natyrisht se edhe Lugina është e rëndësishme dhe duhet t'i takojë Kosovës, po si dhe qysh!? Me ndërrime kurrë? Z. Thaçi i ka të qarta këto. Ai dëshiron thjesht ndërrim të territorit me shtetin serb. Tash është angazhuar kryesisht në përgatitjen e terrenit për qytetarët. Dhe, kulmi këtu është organizimi i REFERENDUMIT. Si do të organizohet kjo? Ai e di se pa votën e deputetëve të minoritetit serb nuk ka mundësi të nxirret ligji i tillë. E këta deputetë votojnë për ligj vetëm nëse kalohet veriu i vendit nën sovranitetin e shtetit serb. Pra, si do të jetë gjendja! E tëra kjo do të varet nga qëndrimet e BE-së dhe të SHBA-ve. Të shpresojmë se Uashingtoni është për zgjidhje afatgjatë të çështjes shqiptare në Ballkan. 

(Kosova Sot)