Republika e Kosovës larg duart nga modeli gjerman

Republika e Kosovës larg duart nga modeli gjerman
  • 16 August 2018 - 08:41
SHKRUAN: PROF.DR. HAKIF BAJRAMI


Natyrshëm pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, kisha bindjen se pjesa më e madhe e rrugëtimit të saj ka përfunduar. Por, bisedimet e Vjenës treguan se injoranca politike dhe prepotenca racore evropiane ta ngrijnë ujin në prush dhe ta vlon kafen në akull. Lidhur me këtë, pas shembjes së Jugosllavisë titiste më 4 korrik 1992, rreshtimet politike në Kosovë do të marrin kahe neobajraktare. Shumë anonimusë politikë filluan të themelojnë parti mëhallësh ( sikur OJQ-të pas luftës-hb), duke tentuar t` i regjistrojnë te Vllado Kambovski, pa e llogaritur fare se ai regjistrim ishte sikur kur shkruan në zhavorr të Saharës. Në këtë drejtim themelimi i LDK-së ishte proces i natyrshëm dhe nuk ka pasur intelektualë dhe punëtorë që ishte sadopak i rreshtuar drejt, të mos jetë anëtar i saj, të mos i kushtojë zemra t` i ndihmojë kësaj partie-Lëvizje kombëtare, pra më së pakut si parti, e cila më vonë u kthye në strofull provash sikur të ishte ndonjë klub letrar. Po e them këtë, sepse ne që e njohim sadopak politikën serbiane, e dinim fare mirë se ndërtimi i shtetit nuk është ndonjë klub letrar, apo ndonjë teatër ku imagjinohet "realiteti" dhe i bëhet analizë shfaqjes pa e parë fare. Në këto rrethana erdhi pas shumë traviatave në mes republikave, Konferenca e Londrës (1992). Aty kush ka dituri nga teoria e filozofisë së diplomacisë, u pa se Kosova (Ne) nuk ishin as vrima e fundit e kavallit. Aty jo vetëm Miloshi kishte aprovuar Statut (një Ligj Kushtetues ala 1969) për Kosovën, por me te ishin pajtuar edhe republikat e tjera. Madje, Kuvendi i Serbisë kishte aprovuar nja 122 ligje diskriminuese me procedurë ala "dekret", për Kosovën e robëruar, shenjë kjo e sistemeve politike totalitare neofashiste.

Çështja e rreshtimit politik për fatin e Kosovës Kohë më vonë, do të shtrohet pyetja se a duhet shqiptarët të rreshtohen kah Gjermania (vend që shqiptarët vetëm mund të kenë dobi, në aspektin social, sepse janë fuqi e lirë e punës-hb), apo të rreshtohen kah SHBA-ja, orientim ky i shtruar me Program të Komitetit Kosovës, qysh më 1918. Ata që ishin të rreshtuar pro Gjermanisë më 1992, këtij vargnimi "poetik" ia patën ngjitur sintagmën se duhet "njëherësh të japim selam edhe kah Vatikani". Çuditesha nga ky rreshtim i njerëzve që konsideronin se "dinë ta përdorin pianon", prandaj janë të "kulturuar", sepse dinë të shkruajnë vjersha, apo kritika pa e parë shfaqjen në teatër. Ata filluan të dirigjojnë dhe të shkruajnë programe politike, thuajse po bëjnë lajme për gazetë, e dihet si e qysh shkruhet e botohet lajmi. Shkurt, ky soj "kulturologësh politikë" ishte i sojit gazetaresk, zgjua shkrolaxhinjsh, prej të cilëve shumica u begatuan më vonë me magjistratura dhe doktorata të trafikave, sikur kërpudhat. Dhe tash, jemi ku jemi, plus nëse ua shtojmë efektin e atyre që doktoratat i merrnin taze nga Tirana, e mekur në varfëri (atëherë1991-1996), dhe ato shkrola kuptohet i përkthenin djemtë dhe vajzat e atyre, që ia kishin mbathurarratisur nga Kosova, kuptohet disa me të drejtë, e disa pa fije nevoje. Mbledhja e parë për rreshtimin politik dhe strategjik mbaroi pa adresë. Të dytën, duhet ta drejtonte Partia Parlamentare dhe Bacë Adem Demaçi dhe Bajram Kosumi më autorizuan ta drejtoi unë. Në fillim për ta drejtuar tubimin andej kah duhet, e thash këtë: Do të ketë diskutime politike, por do të ketë edhe rreshtime politike: o kah Gjermania që nuk është në asnjë instancë në dobinë tone; o kah SHBA-ja që do të jetë alfa dhe omega e rreshtimit tonë strategjik, fakt ky që e ka dëshmuar historia. Po, ato ditë e kisha kryer një studimi që quhej: "Programi kombëtar politik i shqiptarëve" (është botuar). Aty e kisha "kthyer timonin" e rreshtimit kombëtar kah SHBA-ja, sepse e kisha të njohur se si sillen ndaj Gjermanisë (kur mbyllën dyert!) edhe Lindja, sidomos Perëndimi. Nga sa herë kam thënë mos "qofsha në lëkurë të gjermanëve çka duronin sidomos nga polakët, francezët, sidomos nga rusët dhe ukrainasit, kuptohet aty ku vlonte uji në akull, në simpoziume që më tepër ishin matje të muskujve nga arsenali i Luftës së Ftoftë sesa shkencë. SHBA-ja dhe intelektualët e tyre, meqë ishin protestantë, moti e kisha mësuar (aty kah viti 1978/9) se janë "melhem" i plagës sonë. Nuk janë të kompleksuar dhe me rusët sidomos "flasin" sikur elefanti me hardhucën, sepse po e ngritën kokën, pasonin akuzat për krimet e carëve, krimet e Leninit dhe Stalinit, të Hitlerit, Hrushqovit, besa edhe të Titos, e me radhë.

Pse po i buzëqesh goja Putinit? Tani, kanë lindur zëra politikëbërës shqiptarë, që Angela Merkel si faktori politik numër një në Evropë, ta marrë timonin për ta nxjerrë Kosovën nga humnera që e ka vënë struktura monoinjorante e politikanëve tanë, që asnjëri deri me sot nuk dihet se si dhe ku e ka kryer shkollën e mesme, madje fakultetin e për grada të tjera mos të flasim, sepse pas 4 korrikut 1992, dihet se asnjë gradë shkencore nuk është licencuar (UNESCO). Ku jemi? Nuk mundet njeriu i paditur të alarmojë se po punojë 25 orë për t` u treguar se është dikushi e 26 orë fle në kolltuk pa i bërë dy gramë punë për vendin. Tani, V. Putinit po i qesh buza, sepse ngadalë po hyn sërish në pazarin e Kosovës, në ndonjë konferencë ndërkombëtare, ku nuk do të ketë rol primar kurrë, por funksion mjegullues dhe dezorientues deri në maksimum, po. Shkurt, Putini i Rusisë pazaret do t'i kthejë në favor përmes satelitit marionetë, që quhet Serbia e belave ballkanike. Shumë kancelari të Evropës dhe Globit, meqë në pushtet kanë ardhur persona që kanë lindur pas Luftës së Dytë Botërore dhe nuk e njohin realitetin, sot nuk e dinë se Serbia është një kancer i Ballkanit:keq me kroatë, keq me hungarezë, keq me rumunë, keq me bullgarë, keq me shqiptarë, keq me malazezë, keq me boshnjakë. Nuk ka faj, sepse gjashtë Fuqitë (Rusia, Gjermania, Austria, Italia,Franca dhe Anglia) e kanë shpërblyer në Berlin (1878) dhe në Londër (1913) e Versajë (1919), po edhe në Paris (1946), madje edhe në Dejton duke krijuar një "Republika srpska" në BH, pa qenë kurrë. Lexoni dokumentet tejet sekrete nga këto kuvende, e do të shini se: "shqiptarët janë dënuar pikërisht me nomenklaturë të kryqëzatave, sepse jemi identifikuar me Osmanlinë. Jemi dënuar pra, duke na ndarë copa, nëpër etapa, madje kur me forcat tona u çliruam më: 1878, 1912, 1919, 1946. Si do ta lajmë këtë mëkat para Evropës dihet, vetëm nëse mbështetemi te Amerika dhe Anglia protestante, por kjo nuk do të thotë se jemi kundër religjioneve të tjera

(Kosova Sot)