Si duket, "Modeli rumun" është duke i trokitur në derë Kosovës?

Si duket,
  • 16 August 2018 - 08:42
SHKRUAN: AZEM OSMANI

Rasti i dorëheqjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, i cili hetonte rastet e dyshuara që janë futur kundërligjshëm në Listën e veteranëve të UÇK-së, është argumenti i qartë i radhës, se sistemi i drejtësisë në Kosovë është fuqishëm i kapur nga strukturat politike dhe kriminale. Në analizat tona të shpeshta tek gazeta "Kosova Sot", kemi theksuar se nuk janë të gjithë gjykatësit dhe prokurorët pjesë e kapjes nga strukturat mynxyrë në funksion të shkatërrimit të shtetit. Në anën tjetër, kemi theksuar, se këta njerëz të devotshëm nuk mund të bëjnë asgjë kundruall dallgëve të mëdha e të rrezikshme që vijnë nga kolegët e tyre, të shumtë në numër apo nga grupet e tjera kriminale që kokën e kanë të binjakëzuar me strukturat politike të mbështjella me pushtet, e të mbështetura nga grupe oligarkësh.

Mërgata e fuqishme Ky fakt i dorëheqjes së prokurorit Blakaj, i shtyrë nga kërcënimet e marra, demanton katërçipërisht deklaratat e deritashme bajate të kësaj strukture politike, se korrupsioni e krimi i organizuar janë vetëm perceptim qytetar. Po ta shtjellosh në mënyrë analitike gjendjen në të cilën ndodhemi, asnjë rrugë tjetër politike nga ana opozitare apo nga ana e organizatave joqeveritare, hëpërhë nuk mund ta përmirësojë këtë gjendje kaq të rëndë në të cilën kemi hyrë. E vetmja rrugë e zgjidhjes është organizimi i protestave masive qytetare, duke marrë për bazë modelin e Rumanisë. Mos të harrojmë se Kosova ka një mërgatë të fuqishme, ku shumica dërmuese e tyre janë një zë i rregullt kritik, karshi kësaj situate, e cila ka hyrë në një rrugë qorre.

Kosova është ende pa Platformë politike për bisedimet me Serbinë Në këtë periudhë, jemi dëshmitarë edhe të mjegullnajës politike për fatin e Kosovës e shkaktuar nga presidenti Thaçi, i cili ka hapur temën e shkëmbimit të territoreve me Serbinë (sipas tij, korrigjimit të kufijve), duke mos e pasur ne si qytetarë as më të voglin informacion se ku na shpie kjo rrugë, në planin global politik dhe gjeostrategjik. Kosova është ende pa Platformë politike për bisedimet me Serbinë. Zbehja e fuqisë opozitare për këtë temë ka arritur nivelet shqetësuese, Kuvendi i Kosovës tani më gjendet në pushim, ndërsa qytetarët po jetojnë nën ankthin e pritjes të një epilogu të dëmshëm për Kosovën. Kudo vërehet e shihet rënia serioze e besimit qytetar ndaj presidentit Thaçit, bazuar në dështimet e tij të deritashme. Si duket, "Modeli rumun" është duke i trokitur në derë Kosovës. 

(Kosova Sot)