A i duhen Kosovës demonstratat?

A i duhen Kosovës demonstratat?
  • 17 August 2018 - 07:23
SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Në kuadër të demokracisë dhe të organizimit demokratik të vendit, janë çdoherë dy rrugë mbi zgjidhjen e problemeve politike, shoqërore dhe sociale. Me ato mjete bëhen edhe shkarkime të ndonjë pushtetari apo edhe të tërë qeverisë, deri edhe te presidenti i vendit. Ato rrugë ndryshojnë edhe sisteme politike dhe shoqërore. Këtu dua të theksoj këto mënyra të aktivitetit: Së pari, është rruga e shkarkimit nëpërmjet organeve kompetente, përkatësisht nëpërmjet Kuvendit, duke i bërë votat dhe duke e shkarkuar tërë Qeverinë, apo edhe vetëm presidentin. Së dyti, është rruga nëpërmjet demonstratave, të cilat sikundër dihen, shkarkojnë pushtete dhe ndryshojnë edhe sisteme politike. A ka nevojë Kosova për këtë rrugë të dytë është një çështje që kërkon analiza të thella të tërë gjendjes? 

Detyrimi i vendit të shkojë në zgjedhje Natyrisht se demonstratat janë mjet demokratik. Ato janë të domosdoshme në çdo shoqëri. Nga rezultatet e tyre varet edhe suksesi. Sa më të mëdha nga niveli i manifestimeve dhe pjesëmarrja nëpër demonstrata, aq më të suksesshme janë. Nëse ato janë të nivelit paralizues të shtetit, natyrisht se shkarkohen presidenti, kryeministri e parlamentari. Madje detyrohet vendi të shkojë edhe në zgjedhje të reja. Ato mund të ndërrojnë edhe sistemin politikoshoqëror dhe juridik të vendit. Por kjo është një rrugë shumë e rëndë. Atë rrugë konfliktuoze nuk ia dua vendit tim aktualisht. Ka shumë mënyra për të realizuar qëllimet. 

Është koha për demonstrata paqësore Janë mekanizmat demokratikë, qoftë parlamentarë, qoftë jashtë Parlamentit, të cilët e përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe zgjidhin edhe probleme qeverisëse. Kjo është rruga më e mirë. Dhe, kjo jo pse jam për këtë apo atë pushtetar, për shtypjen e rëndë dhe korrupsionin që e ka kapluar vendin, por pse Republika gjendet në një gjendje të rëndë dhe me shumë të papritura, të cilat mund të dëmtojnë. Këto dukuri luftohen shumë mirë me rrugë parlamentare dhe jashtë parlamentare. Dhe, mekanizma ka. Nuk është gjendja për mendimin tim për demonstrata shkatërrimtare me anën e të cilave rrëzohet pushteti. Ato janë të dëmshme. Është koha për demonstrata paqësore dhe të karakterit ligjor, që respektojnë ligjet e vendit tonë. Kjo është shumë e domosdoshme.