Si të mësohet Evropa me dashtë pushtetin?

Si të mësohet Evropa me dashtë pushtetin?
  • 17 August 2018 - 07:42
Shkruan: ZAKI LAIDI

Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, mund të kenë shmangur një luftë tregtare muajin e kaluar, por sfidat me të cilat ballafaqohet Bashkimi Evropian janë larg zgjidhjes. Në mjedisin global të tashëm, gjithnjë e më shumë Hobbesian, BE-ja mund të mbijetojë vetëm duke rritur kapacitetin e saj për të projektuar pushtetin - gjë që nuk është një arritje e lehtë për një entitet që u formua pikërisht si një mohim i politikës së pushtetit. Me Traktatin e Romës të vitit 1957, Evropa largoi atë që mbeti nga impulset e saj militariste dhe u përqendrua në ndërtimin e një tregu të përbashkët. Që atëherë, mjetet e vetme të Evropës për të projektuar pushtetin do të jetë politika e saj tregtare. Megjithatë, kjo politikë nuk ka qenë kurrë e udhëhequr nga të menduarit strategjik, duke e lënë BE-në vetëm me ndikim të kufizuar global, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm në tregjet botërore. Ka ardhur koha që Evropa të rikthejë veten si një lojtar i vërtetë global, jo duke u përpjekur të imitojë një superfuqi klasike, por duke konsoliduar dhe vendosur lloje të ndryshme të pushtetit.

Trump bombardon Gjermaninë për akumulimin e tepricave Evropa tashmë ka fuqi të konsiderueshme normative - domethënë, aftësi për të krijuar standarde globale nëpërmjet efektit të ashtuquajtur "Bruksel", që mund të shihet në përpjekjet e saj për të mbizotëruar në kompanitë e teknologjisë. Rregullorja e Mbrojtjes së të Dhënave të Përgjithshme, e miratuar së fundmi, për shembull, ka vendosur udhëzime për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit personal të individëve brenda BE-së. Tani, platformat digjitale - duke përfshirë kompanitë e fuqishme amerikane - po përpiqen të përshtaten. Katër firmat e mëdha amerikane të teknologjisë ("Big Four") - 'Alphabet Inc.' (kompania mëmë e 'Google'), 'Apple Inc.', 'Facebook' dhe 'Amazon' - po përballen gjithashtu me presion nga BE-ja që rrjedhin nga pozicioni i tyre dominues në treg. Megjithatë, BE-ja shpesh ka dështuar të njohë fuqinë e saj normative, e lëre më të përfitojë nga ajo. Kjo reflekton dhe përforcon dobësinë në tri fusha: vetëvlerësim, ndërgjegjësim mbi rrezikun dhe aftësi për veprim. Vetëbesimi përfshin besimin se BE-ja është një ndërmarrje e denjë, besimi për ta shprehur atë publikisht dhe njohjen e potencialit të vërtetë të BE-së për projeksionet e pushtetit. Një periudhë e tillë e shpërndarjes mungon shumë, në shumë pjesë të BE-së, duke filluar me Gjermaninë, e cila, pavarësisht se ka rifituar besimin në të ardhmen e vet, ruan me xhelozi pasuritë e saj. Ndërsa Trump bombardon Gjermaninë për akumulimin e tepricave pa i kontribuar mjaftueshëm mbrojtjes transatlantike, vendi duhet të jetë gjithnjë e më i motivuar të përdorë aftësitë e veta për të forcuar Evropën. Por, ndërsa diskursi në Gjermani për ndarjen e burimeve ka filluar të zhvendoset, ndryshimet konkrete do të kërkojnë kohë. Mosgatishmëria e Evropës për të 'ushqyer' dhe përdorë fuqinë e saj dallon ashpër me përdorimin e sigurt të fuqisë së saj të tregut nga Amerika, për të çuar përpara interesat dhe preferencat e saj. Për shembull, pasi Trump njoftoi vendimin e tij për t'u tërhequr nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit të vitit 2015 (JCPOA) - i njohur më mirë si marrëveshja bërthamore me Iranit - dhe rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit, shumë kompani evropiane, nga frika e humbjes së qasjes në tregun amerikan, vendosën të tërhiqen nga vendi. Për të bindur kompanitë evropiane që të mbeten në Iran, Komisioni Evropian ka përditësuar Rregulloren e Bllokimit të vitit 1996, e cila ndalon faktorët nën juridiksionin e BE-së që të zbatojnë sanksionet ekstraterritoriale, lejon kompanitë të rikuperojnë dëmet nga sanksionet e tilla dhe anulon efektin në BE të çdo vendimi të ndonjë gjykate të huaj, të bazuar në to. Por, azhurnimi ka rezultuar i paefektshëm, siç ilustrohet nga situata me të cilën ballafaqohet Shoqata për Telekomunikacionin Ndërbankar Financiar Global (SWIFT), sistemi i mesazheve të sigurta që përdoret për transaksionet financiare ndërkufitare globale. Siç mësoi Irani në vitin 2012, humbja e qasjes në rrjetin SWIFT në thelb do të thotë humbje e qasjes në sistemin financiar ndërkombëtar. Megjithatë, kjo është pikërisht ajo për çka po angazhohet SHBA-ja: nëse SWIFT nuk arrin të izolojë Iranin deri në fillim të nëntorit, do të përballet me kundërmasat. Përputhja e SWIFT-it me këtë kërkesë, megjithatë, do të shkatërronte çdo stimuj të mbetur që Irani të mbetet në JCPOA. Kjo do të përbënte një dështim të madh politik për Evropën, sepse SWIFT është nën juridiksionin e BE-së.

Rritja e tensioneve midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara Evropa ka treguar një mungesë vetëshkatërruese të vetëbesimit edhe në euro. Edhe pse euroja është monedha e dytë më e rëndësishme në botë, ajo mbetet prapa dollarit në pothuajse të gjithë parametrat, duke rritur dobësinë e BE-së ndaj sanksioneve tregtare të SHBA-së. Dobësia e dytë që BE-ja duhet ta adresojë është ndërgjegjësimi ndaj rrezikut. Për shembull, Kina ka nevojë për qasje në teknologjinë industriale të Evropës për të realizuar ambiciet e saj ekonomike dhe ka nevojë për qasje në portet evropiane për të përfunduar Iniciativën e Brezit dhe Rrugës. Megjithatë, Evropa lejon veten të plaçkitet në mënyrë efektive, jo më pak nga marrja e porteve dhe objekteve të aeroportit nga Kina. Marrëdhënia BE-Kinë duhet të bëhet më reciproke, me BE-në dhe veçanërisht me vendet e Evropës Jugore dhe Lindore që kanë mirëpritur investimet kineze duarhapura, duke njohur rreziqet e sigurisë që paraqiten nga aktivitetet e Kinës. Për këtë, megjithatë, Evropa do të ketë nevojë për një qasje më të bashkuar ndaj Rusisë, e cila, pavarësisht se paraqet më pak kërcënim për BE-në se sa Kina, është e prirë për ta nënvizuar dhe përkeqësuar ndarjen e brendshme. Si mund të fajësohet Greqia për shitjen e porteve për kinezët, ndërsa Gjermania ndjek projektin e tubacionit "Nord Stream 2", i cili do të rrisë varësinë energjetike të Evropës ndaj Rusisë? E gjithë kjo është e komplikuar nga rritja e tensioneve midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, e cila, ndër të tjera, po shkatërron bashkëpunimin për të frenuar Kinën. Këtu vjen në shprehje aftësia për veprim. Në vend që të presim që dikush tjetër të kundërshtojë rrënimin e strukturës multilaterale nga ana e administratës Trump, Evropa duhet ta marrë iniciativën, duke imagjinuar një sistem pa SHBA-në. Kjo do të thotë jo vetëm sigurimi se regjimi i tregtisë ndërkombëtare mund të mbijetojë pa SHBA-në, por gjithashtu të zhvillojë një aftësi ushtarake që mund të rrisë besueshmërinë gjeopolitike të BE-së dhe ta zhvendosë balancën globale të pushtetit. Këtu, nisma e presidentit francez Emmanuel Macron për të krijuar një forcë ushtarake evropiane përtej NATO-s është thelbësore. Suksesi i saj do të varet nga një qasje e bashkuar dhe bashkëpunuese që potencialisht përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar. Sfida është e qartë. Por fitimi - për BE-në dhe botën - do të ishte i vlefshëm për t'u përpjekur. 

(Kosova Sot)