Kofi Annan na mbrojti nga instinktet tona më të këqija

Kofi Annan na mbrojti nga instinktet tona më të këqija
  • 20 August 2018 - 08:12
Shkruan: Jeffrey D. Sachs

Në çdo gjeneratë, ne varemi nga disa njerëz të mirësisë së lartë dhe inteligjencës për ta mbajtur botën së bashku. Në traditën hebraike, në të gjitha kohërat janë nga 36 tzadikim, njerëz të drejtë, pa të cilët bota do të shkatërrohej. Kofi Annan ishte një nga njerëzit e drejtë, një njeri me inteligjencë, mirësjellje, ngrohtësi dhe gëzim të jashtëzakonshëm për jetë. Ai ndihmoi që ta ruajmë botën tonë nga shpërbërja ose ndarja pa mëshirë midis të pasurve dhe të varfërve

Annan frymëzoi njerëz të panumërt Kofi Annan e solli OKB-në në shekullin 21 me dy mandate të jashtëzakonshme midis viteve 1997 dhe 2007. Unë kam qenë thellësisht i privilegjuar për të punuar për Kofin gjatë asaj periudhe, së pari si këshilltar për një raport ekonomik, pastaj si drejtor i një komisioni në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, dhe pastaj si këshilltar i tij i veçantë për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM) për gjashtë vjet, 2001-2007. Ndoshta është e tepërt të thuhet se vëzhgimi dhe të mësuarit nga Kofi e ka pasuruar shumë jetën time; ai e bëri këtë për të gjithë ne. Ideja kryesore e Kofit ishte se, bota jonë e mbushur me njerëz, e ndërlidhur, kërkon drejtësi ekonomike, paqe dhe të drejta të njeriut. Ai shpesh thoshte se nuk do të kishte zhvillim pa siguri, siguri pa zhvillim, as siguri as zhvillim pa të drejta të njeriut. Ai e pa nevojën që bota të bashkohej së bashku për t'i dhënë fund varfërisë, luftës dhe për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Ai besonte se Kombet e Bashkuara ishin institucioni unik global që mund të mbështeste këto ambicie të pafundme dhe ai e bëri atë punë të jetës së tij, për ta modifikuar OKB-në për kohët tona. Ai i frymëzoi njerëz të panumërt, përfshirë veten time, për t'u përkushtuar në punën e Kombeve të Bashkuara. Kofi hapi dyert e OKB-së për njerëzit e botës. Ndërsa Karta e OKB-së në mënyrë të përshtatshme fillon me fjalët "Ne popujt", anëtarë të OKB-së janë në fakt qeveritë e botës. Kofi siguroi që njerëzit, jo thjesht qeveritë e tyre, në mbarë botën ta konsideronin OKB-në si të tyren. Ai në mënyrë të palodhshme mbështeti kartën morale të OKB-së, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ai solli komunitetin e biznesit në OKB përmes "Global Compact". Më me rëndësi, urgjentisht dhe me sukses, ai e përqendroi vëmendjen e botës te më të vegjlit mes nesh, sikur që traditat e mëdha morale të botës na bëjnë të veprojmë. Arritja më e madhe e Kofi-t për të varfrit ishte mobilizimi i energjive globale për ta luftuar varfërinë, urinë dhe sëmundjen përmes Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (MDG), të cilat Kofi ua paraqiti qeverive të botës në Samitin e Mijëvjeçarit të OKB-së, në vitin 2000. MDG-të kanë frymëzuar shkencëtarë, mjekë, agronomë, udhëheqës të komuniteteve, akademikë, udhëheqës biznesi, duke punuar me njerëzit dhe të rinjtë kudo, që të punojnë së bashku në sfidën e madhe për t'i dhënë fund varfërisë.

Fuqitë magjepsëse të Kofit Me fuqitë bindëse të diplomatit të përkryer të botës, Kofi e nënshkroi botën me këtë mision të madh. Varfëria ekstreme ka pësuar rënie të shpejtë gjatë periudhës së MDG-ve, nga 37% në vitin 1990, në më pak se 10% në vitin përfundimtar të MDG-ve, 2015. Për shkak të këtij progresi, qeveritë botërore kishin besimin që të vendosnin qëllimin e përfundimit të varfërisë së skajshme deri në vitin 2030, si i pari nga 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të nisur në vitin 2015. Trashëgimia e Kofit vazhdon në këtë mobilizim të vazhdueshëm global për t'i dhënë fund barrës së privimit ekstrem. Unë pashë fuqitë magjepsëse të Kofit në fillim të vitit 2001 kur punuam së bashku për të nisur një Fond të ri Global për Luftimin e Sidës, Tuberkulozit dhe Malaries. Kofi bëri një thirrje frymëzuese për Fondin e ri Global në Abuxha të Nigerisë, në prill të vitit 2001. Vetëm pak javë më vonë pashë TV me vëmendje dhe habi të ngritur sesi Kofi u bashkua me George W. Bush në Shtëpinë e Bardhë për njoftimin e presidentit se SHBA-ja do të bëhej vendi i parë që do të bashkohej me Fondin e ri Global. Deri më sot, Fondi Global dhe partnerët e tij kanë shpëtuar më shumë se 20 milionë jetë njerëzish. Megjithatë, mandati i dytë i Kofit do të përballet edhe me makthin e luftës amerikane ndaj Irakut. Pas 9 shtatorit, Shtëpia e Bardhë e Bushit menjëherë e mori në shënjestër udhëheqësin e Irakut, Saddam Hussein. SHBA-ja filloi t'iu binte daulleve të luftës kundër Irakut me zë më të lartë në vitin 2002. Kofi i kërkoi Saddamit që të lejonte inspektorët e armëve të OKB të bënin punën e tyre për të kontrolluar nëse regjimi i kishte braktisur armët e shkatërrimit në masë dhe kishte lutur administratën amerikane që t'u jepte inspektorëve kohë. Kofi kërkoi me forcë nga SHBA-ja të kërkojnë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për çdo veprim ushtarak kundër Irakut, siç kërkohet nga Karta e OKB-së.

Kofi kishte kundërshtuar perandorinë amerikane Presionet e Shteteve të Bashkuara mbi Kofin ishin pothuajse të padurueshme. Shtëpia e Bardhë ishte e vendosur të përmbyste Saddamin, pa marrë parasysh a kishte apo nuk kishte fakte dhe, pa marrë parasysh Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Vendimi i SHBA-së për ta pushtuar Irakun, i cili me siguri do të shënohet si një nga dështimet më të mëdha të politikës së jashtme të SHBAsë, shkaktoi valë të tëra të dhunës, konfliktit, trazirave dhe masa të mëdha të refugjatëve në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në Evropë. Kofi pagoi një çmim të rëndë personal për shkak se kishte kundërshtuar perandorinë amerikane. Kur deklaroi se veprimi i SHBA-së në Irak ishte kundër të drejtës ndërkombëtare, reagimi i republikanëve të shquar ishte i shpejtë dhe i vendosur, duke sulmuar profesor Kofin me akuza në fushën profesionale dhe duke u përpjekur të shpifnin personalisht duke përmendur marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij. Sulmet reflektuan SHBA-në në dritën më të keqe të saj; Kofin në dritën më të mirë të tij; dhe OKB-në si organizatë të brishtë, duke u përpjekur të mbajë të drejtën ndërkombëtare kundër një Shtëpie të Bardhë që nuk respektonte ligjin. Kofi kurrë nuk u tërhoq. Ja pse vdekja e tij është kaq tronditëse. Nuk kishte rënie fizike apo mendore, asnjë tërheqje apo ngadalësim në moshën e vjetër. Kofi punoi pa u lodhur në të gjithë botën me aftësitë diplomatike të pashoqe, për të shpëtuar jetë, për të shuar konfliktet, për të shmangur përhapjen e luftës. Ai shpesh u përball me këmbënguljen e SHBA-së, siç bëri në përpjekjen për t'i dhënë fund konfliktit sirian në vitin 2012. Administrata e Obamës, me këtë rast, nuk do të pranonte një zgjidhje paqësore kompromisi, duke çuar Sirinë në shumë vite të një lufte brutale dhe të padobishme. Kofi Annan na frymëzoi dhe na mbrojti - shumë shpesh nga instinktet tona më të këqija dhe gjykimet e mangëta. Ai na mësoi vlerën e paçmuar të diplomacisë, artin e gjetjes së bazës së përbashkët duke dëgjuar dhe respektuar të tjerët. Nuk kishte asnjë praktikues më të shkëlqyer të një sjelljeje të tillë të dinjitetshme në kohën tonë.

(Kosova Sot)