Rusia mund të çlirohet nga skllavëria e Putinit

Rusia mund të çlirohet nga skllavëria e Putinit
  • 29 August 2015 - 10:12

Shkruan: Tony Barber

Hendeku ndërmjet Rusisë dhe vlerave perëndimore

Moska dhe Perëndimi në konflikt për shkak të një Kremlini keqdashës

Që nga koha kur Putin ia doli që të rizgjidhej në vitin 2012, presidenti dhe rrethi i tij gjithnjë e më i ngushtë i “oborrtarëve”, e kanë kapluar pushtetin, duke shtypur pakënaqësinë e brendshme dhe duke ndjekur një politikë të jashtme antiperëndimore. Perspektivat për një reformë ekonomike janë tejet të zbehta

Të merresh me Rusinë kurrë nuk ka qenë më e thjeshtë. Në aspektin e madhësisë gjeografike ajo është e pafundme. Në aspektin e kulturës politike është misterioze dhe kokëfortë. “Përmbajtja” ishte në modë gjatë fazës së ndikimit të komunizmit sovjetik. Më pas Perëndimi bëri një përpjekje për ta ndërtuar një “partneritet strategjik” me Moskën.

Kjo përpjekje gjendet në fund të Detit të Zi, e fundosur nga aneksimi rus i Krimesë në mars të vitit 2014, nga intervenimi ushtarak i saj në Ukrainën Lindore dhe nga politikat e dobëta dhe jo mirë të realizuara të Perëndimit në fqinjësinë post-sovjetike. Tani në modë është kthyer një teori më e vjetër, e cila paraqet një hendek të pakapërcyeshëm midis Rusisë dhe vlerave perëndimore. Ajo thotë se ky hendek, i cili është zgjeruar nën udhëheqjen e Putinit, në kuptimin më të thellë të tij duhet të kuptohet si reflektim i përvojave tërësisht të ndryshme historike në Rusinë moderne dhe në Perëndim. Në anën ruse, kjo ka stimuluar një konservatorizëm censurial, antiperëndimor rreth çështjeve sociale. Ajo ka forcuar një prirje për përdorimin e fuqisë ushtarake kundër fqinjëve, sidomos Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Ajo është pajisur me një vrazhdësi ndaj shteteve të NATO-s. Si rezultat i kësaj, Perëndimi duhet të ketë kujdes.

Analizë popullaritetit të Putinit

Kjo teori i ka përparësitë dhe të metat e saj. Ajo me të drejtë thekson rëndësinë e faktorëve të brendshëm në formulimin dhe zbatimin e politikës së jashtme të Rusisë. Në anën tjetër, ajo rrezikon që ta bëjë gabimin konceptual të përzierjes midis një diktatori autoritar dhe tërë shoqërisë, sikur vullneti i Putinit dhe i më shumë se 140 milionë rusëve të ishte i njëjtë.

Një sistem i qeverisjes, i cili kufizon garimin politik dhe kontrollon lirinë e shprehjes, nuk është një sistem ku popullariteti e ka domethënien e njëjtë sikur në Perëndim. Supozimi se Putini është tepër i popullarizuar te rusët, të cilët e mbështesin politikën e tij gjithnjë e më militariste të jashtme, meriton një analizë më të thellë sesa që merr nga qarqet perëndimore mediatike, akademike dhe politike.

Së dyti, rusët dallojnë pak nga të tjerët kur flitet për vlerësimin e sundimtarëve të tyre, bazuar në atë se sa e përmirësojnë, apo dëmtojnë kualitetin e jetës. Ajo që ka rëndësi kryesore, është dosja ekonomike dhe sociale e qeverisë, e jo aventurat e saj në politikën e jashtme.

Ekonomia e Rusisë vuan nga tkurrja e fuqisë punëtore, nga prodhimtaria e mjerë, nga vartësia e tepërt te lëndët e para, nga mungesa e investimeve dhe inovacioneve, nga ikja e kapitalit, korrupsioni dhe parodia në lidhje me sundimin e ligjit. Masat të cilat do të mund ta minimizonin ndikimin e këtyre dallimeve në standardin jetësor rus janë të paimagjinueshme, meqë ato do ta kërkonin një konfrontim më të vogël me Perëndimin dhe një shtypje më të vogël të rrethanave politike në vend.

Që nga koha kur Putin ia doli që të rizgjidhej në vitin 2012, presidenti dhe rrethi i tij gjithnjë e më i ngushtë i “oborrtarëve”, e kanë kapluar pushtetin, duke shtypur pakënaqësinë e brendshme dhe duke ndjekur një politikë të jashtme antiperëndimore. Perspektivat për një reformë ekonomike janë tejet të zbehta.

Publiku rus nuk e pason verbërisht Kremlinin

Aneksimi i Krimesë u pranua mirë nga shumica e rusëve, shumë më mirë sesa lufta e gushtit të vitit 2008 me Gjeorgjinë. Në mars të vitit 2014, rreth 58% të njerëzve të anketuar në një anketë të bërë nga “Levada-Center”, mbështetnin aneksimin e pjesëve të shteteve fqinje, ku kishte minoritete ruse. Por, në marsin e kaluar kjo përqindje ka rënë në 34%. Ndërkohë, 64% të rusëve kundërshtuan përdorimin e çdo metode, duke përfshirë edhe forcën, për t’i mbajtur ish-republikat sovjetike nën kontrollin e Moskës.

Anketat e tilla tregojnë se publiku rus nuk pason verbërisht Kremlinin në çdo aspekt. Pjesa më e madhe e opinionit publik duket se pranon konceptin perëndimor të marrëdhënieve ndërkombëtare si një sferë civile dhe komerciale, aq sa edhe si një arenë politike dhe ushtarake. Perëndimi duhet ta inkurajojë këtë perspektivë, duke mbajtur të hapura kanalet me shoqërinë ruse.

Ne duhet të jemi realistë. Putini dhe shpura e tij nuk kanë obligime ndaj një legjislature të zgjedhur në mënyrë të lirë, apo ndaj një opinioni publik, sikur që janë qeveritë perëndimore. Ata kanë shkuar tepër larg në rrugën e konfrontimit të brendshëm dhe të jashtëm, sa që do të ishte vështirë të ktheheshin prapa.

Qeveritë perëndimore duhet të këmbëngulin me një kombinim të vendosmërisë, unitetit të qëllimeve ndaj Moskës dhe një përpjekjeje afatgjatë, për ta bërë Ukrainën shtet të suksesshëm. Ato duhet t’i evitojnë veprimet, të cilat i shkojnë Putinit për shtati, duke i interpretuar telashet e sotme me Rusinë si dëshmi të ndonjë gare mortale midis modeleve rivale të civilizimit.

Moska dhe Perëndimi janë në konflikt jo për shkak se sistemet e tyre të vlerave që janë të papajtueshme, por kryesisht për shkak se Kremlini kontrollohet nga një aparat keqdashës i pushtetit. Perëndimi duhet të ketë durim dhe ta mbajë vëmendjen të fortë, meqë sado e largët që mund të duket dita kur kushtet e brendshme të Rusisë ta mundësojnë zbutjen e tensioneve ndërkombëtare.